Mitropoliti Anastas meshoi në kishën e Shën Gjergjit në fshatin Dardhë
Besimtarë nga fshatrat përreth dhe nga qyteti ndoqën Liturgjinë Hyjnore në kishën e Shën Gjergjit në Dardhë.
Mitropolia Korçë vijoi traditën shumëvjeçare të kremtimeve në fshatra të ndryshme, sipas së cilës, të nesërmen e kremtes së Fjetjes së Hyjlindëses, mitropolitët e Korçës meshojnë në kishën e Shën Gjergjit në fshatin e vjetër të Dardhës. Sipas informacionit të bërë publik nga Mitropolia Korçë, sot Hirësia e Tij Mitropoliti Anastas kreu Liturgjinë Hyjnore në këtë fshat, bashkë me famullitarin Atë Vangjel Panolli dhe dy dhiakonë të mitropolisë.
Besimtarë nga fshatrat përreth, si dhe nga qyteti, u bashkuan me banorët e fshatit për të ndjekur Liturgjinë Hyjnore. Pas meshës, Mitropoliti Anastas vizitoi muzeun e dedikuar historisë së fshatit, bisedoi me banorët dhe ndoqi eventet e organizuara me rastin e festës së fshatit, e cila u kremtua po atë ditë. Gjatë eventit, që synonte promovimin e natyrës, vlerave kulturore dhe historike të zonës, u përmendën kujtime, histori, kontribues dhe bamirës të largët të fshatit Dardhë.
Festa e fshatit përfshiu gjithashtu produkte vendase, muzikë dhe aktivitete të tjera, që u zhvilluan gjatë gjithë ditës për banorët dhe vizitorët e ardhur nga zona përreth.
Nuk është hera e parë që Mitropolia Korçë merr pjesë në kremtime tradicionale nëpër fshatrat e rrethinës; kohët e fundit vëmendja ra edhe mbi kremtimet e Pashkës dhe të Shën Nikollës në fshatin Sinicë.
Foto nga Mitropolia e Shenjtë Korçë