Predikimi i Athanas Mitilineos për faljen në shëmbëlltyrën e talantave
Predikimi shpjegon faljen, borxhin shpirtëror dhe kuptimin e Mbretërisë së Perëndisë përmes Ungjillit sipas Mattheut.
E Diela XI e Mattheut
Paravolia e dhjetë mijë talantave – Mbi faljen
Predikim i jerondit të ndjerë Athanas Mitilineos
[faljen] — Gjithmonë, të dashurit e mi, në marrëdhëniet njerëzore do të ketë mosmarrëveshje. Dhe shumë herë njëri do të jetë ai që kryen padrejtësinë, ndërsa tjetri ai që pëson padrejtësinë, si në kuptimin e ngushtë, ashtu edhe në kuptimin e gjerë të fjalës. Dhe shtrohet pyetja: Si mund të rivendosen këto marrëdhënie, gjë që është shumë e nevojshme për bashkëjetesën e qetë të njerëzve? Si tjetër, përveçse nëpërmjet mosmbajtjes së së keqes dhe të mërisë, domethënë duke mos e kujtuar të keqen që na ka bërë tjetri? Këto shprehen nëpërmjet frymës së faljes që buron nga thellësia e zemrës. Dhe nëse, le të themi, përplasjet përsëriten pa fund, deri në ç’masë mund të vlejë kjo frymë faljeje? Pa kufi. Mjafton, natyrisht, që ai që ka kryer padrejtësinë, ai që ka gabuar, të kërkojë falje.
Sipas materialit të dorëzuar, falja, edhe kur kërkohej, kufizohej zakonisht deri në tri herë. Kuptohet, tri herë në ditë, jo tri herë gjatë gjithë jetës. Tri herë në ditë. Dhe Apostull Petroja njëherë e dëgjoi Zotin të thoshte: «Edhe në të mëkatoftë yt vëlla ndaj teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në të dëgjoftë, e fitove vëllain tënd» (Mattheu 18:15). Domethënë, kuptohet se ti e fal. Dhe jo vetëm kaq, por e fiton atë si vëlla. Apostull Petroja, duke menduar me shpirtgjerësi se mund ta tejkalonte kufirin hebraik – një kufi që nuk ishte shkruar në Dhiatën e Vjetër, por ekzistonte si mendim ndër hebrenjtë dhe ishte pjesë e mësimit të rabinëve – e pyet Zotin: «Zot, sa herë duhet të mëkatojë ndaj meje im vëlla, edhe t’ia fal? Deri në shtatë herë?» (Mattheu 18:21). Po e përsëris: shtatë herë në ditë. Dhe Zoti i përgjigjet: «Nuk të them deri në shtatë herë, po deri në shtatëdhjetë herë shtatë» (Mattheu 18:22). Domethënë, shtatëdhjetë herë nga shtatë. Nuk është thjesht shtatë herë shtatë, dyzet e nëntë, por katërqind e nëntëdhjetë. Kuptimi është ky: Ti the shtatë herë? Unë po të them shtatëdhjetë herë nga shtatë. Është një shprehje që tregon pafundësinë. Sa herë që vëllai yt të mëkatojë dhe të vijë të të kërkojë falje, ti je i detyruar ta falësh. Kini kujdes: je i detyruar ta falësh.
Dhe, për ta përforcuar këtë qëndrim jashtëzakonisht të rëndësishëm moral, i cili përcakton marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, Zoti tregoi paravolinë e dhjetë mijë talantave dhe të shërbëtorit borxhli, të cilën e dëgjuam, të dashurit e mi, në pjesën e sotme të Ungjillit. Si e filloi Zoti fjalën e Tij, për të treguar këtë të vërtetë të madhe të faljes? Tha: «Prandaj mbretëria e qiejve ngjau me një njeri mbret…» (Mattheu 18:23). Dhe më pas vijon paravolia, shëmbëlltyra. Shumë herë Zoti përdor një shprehje të tillë, thuajse në mënyrë të përsëritur: «Me se ta krahasoj Mbretërinë e Qiejve?» ose «Mbretëria e Qiejve ngjau me…» dhe të tjera të ngjashme. Kjo shprehje: «Me se ta krahasoj Mbretërinë e Perëndisë?», tregon përpjekjen e Zotit për ta sjellë një realitet qiellor këtu mbi tokë. Zoti ka treguar shtatë shëmbëlltyra që formojnë një tërësi dhe të gjitha fillojnë në këtë mënyrë: «Me se ta krahasoj Mbretërinë e Qiejve?». Kjo tregon se këto shtatë paravoli nuk janë gjë tjetër veçse shtatë pamje të një realiteti të vetëm: të Mbretërisë së Perëndisë.
Por Mbretëria e Perëndisë ose Mbretëria e Qiejve është një realitet qiellor, ndërsa ne këtu mbi tokë jetojmë brenda një realiteti tokësor. Si mund të bëhet ky kalim i realiteteve qiellore në realitetet tokësore? Me çfarë gjuhe do të flasim? Cila gjuhë do të jetë në gjendje t’i shprehë këto realitete qiellore? Është e vështirë. Është e pamundur. Apostull Pavli, i cili pa realitete qiellore, thotë se nuk është e mundur që njeriu t’i shprehë këtu mbi tokë ato që i përkasin qiellit. Ato nuk mund të përshkruhen: «U rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme, të cilat nuk i lejohet njeriut t’i flasë» (2 Korinthianëve 12:4). Nuk është e mundur. Përshkrimi i realiteteve qiellore tejkalon mundësitë tona dhe nuk mund të sillet plotësisht në gjuhën njerëzore. E megjithatë, është e nevojshme që ky realitet t’i përcillet njeriut. Dhe si bëhet kjo? Bëhet nëpërmjet krahasimeve, nëpërmjet gjuhës së shëmbëllimeve. Prandaj, një paravoli nuk është gjë tjetër veçse një krahasim, një figurë, një mënyrë për të shprehur brenda realitetit tokësor gjëra që, në vetvete, janë të pashprehshme. Dhe në rastin tonë kemi shëmbëlltyrën që dëgjuam sot.
Duke folur në përgjithësi për shëmbëlltyrën, dëshiroj të dini se ajo ka si mangësi mungesën e një përkufizimi. Si mund ta përkufizosh? A mund të përkufizohen realitetet qiellore? A mund të përkufizohet se çfarë është Mbretëria e Perëndisë? A mund të përcaktohet se çfarë ekziston në Mbretërinë e Perëndisë? Nuk mund të përkufizohet. Nuk mund të përdoret një përkufizim. Këtë e tregon edhe vetë fjala: të përkufizosh do të thotë të vendosësh kufij. Por Mbretëria e Perëndisë nuk kufizohet dhe nuk ka caqe. Ajo nuk mund të futet brenda kornizave të kufijve njerëzorë. Prandaj edhe nuk mund të përkufizohet. Dihet, sidomos kur flasim në mënyrë shkencore, se, kur duam të japim përshkrimin e saktë të diçkaje, japim përkufizimin e saj. Nëse nuk japim përkufizim, nuk flasim shkencërisht. Këtë e dimë. Pra, kjo është një mangësi: mungesa e përkufizimit. Por, për vetë natyrën e këtyre realiteteve, siç thamë, nuk është e mundur të vendoset një përkufizim. Prandaj flasim me shumë krahasime dhe me shumë figura. Por kjo është njëkohësisht edhe një përparësi, sepse në këtë mënyrë mund të shohim shumë anë të të njëjtit realitet dhe, si rrjedhim, fitojmë një pasuri të madhe interpretimi. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kemi, pra, mangësinë e mungesës së përkufizimit, por njëkohësisht kemi përparësinë e një interpretimi të pasur e të shumëanshëm. Prandaj, kur interpretojmë Ungjillin, shohim se një Atë i Kishës e shpjegon një pjesë në një mënyrë dhe një Atë tjetër në një mënyrë tjetër. Çfarë do të thotë kjo? Kundërshti? Mangësi? Jo. Ne interpretojmë realitete qiellore. Prandaj kemi mundësinë të themi shumë gjëra; aq shumë sa, më lejoni t’ju them, interpretimi është i pashtershëm. Sa më thellë të gërmosh, aq më shumë gjen. Sa më shumë të kërkosh, aq më shumë njeh.
Kështu, në paravolinë që dëgjuam në pjesën e sotme të Ungjillit, shpaloset një anë e Mbretërisë së Qiejve: fryma e faljes dhe mosmbajtja e mërisë. Këtu kemi një zbulim të bukur dhe të thellë të frymës së Mbretërisë së Perëndisë. Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Mbretëria e Perëndisë është dashuri. Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Është shpresë. Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Është kundrimi i fytyrës së Krishtit. Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Është falje dhe mosmbajtje e së keqes. Dhe kështu me radhë. Shikoni, pra, se kjo paravoli na paraqet një nga pamjet e frymës së Mbretërisë së Perëndisë.
Duhet të themi gjithashtu se Mbretëria e Perëndisë ka dy anë. Ajo është një dhe e pandarë. Është një e vetme, po e përsëris, por ka dy anë: anën qiellore dhe anën tokësore. Ana qiellore përfshin realitetet qiellore. Ana tokësore është këtu mbi tokë. Dhe e dini se çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Ah, sikur ta dinim! Në të vërtetë e dimë, por nuk e kemi menduar asnjëherë thellë. Është Kisha. Kisha brenda historisë është Mbretëria e Perëndisë në anën e saj tokësore. Por të dyja anët formojnë një trup të vetëm. Një është Mbretëria e Perëndisë. Ai që jam këtu, në anën tokësore të Mbretërisë së Perëndisë, ai do të jem edhe atje. Nuk mund të jem diçka këtu dhe diçka tjetër atje. Prandaj, nëse largohem nga kjo jetë si i shenjtë, do të jetoj në shenjtëri në Mbretërinë e Perëndisë. Por nëse largohem jo si i shenjtë, por si njeri i lig, keqdashës dhe shkelës i porosive të Perëndisë, nuk mund të hyj në Mbretërinë e Perëndisë. Nuk është e mundur, sepse nuk kam hyrë më parë në realitetin e saj tokësor. Nuk kam hyrë në Misteret e Kishës, në jetën shpirtërore, në jetën e Shpirtit të Shenjtë në Jisu Krishtin ose në jetën e Krishtit nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Nuk kam hyrë. Prandaj nuk mund të hyj as në atë realitet qiellor.
Me se, pra, u krahasua Mbretëria e Qiejve? «Prandaj mbretëria e qiejve ngjau me një njeri mbret, që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e tij» (Mattheu 18:23). Me një njeri mbret, i cili dëshironte të bënte llogaritë me shërbëtorët e tij. Ata duhej t’i jepnin llogari për gjendjen e detyrimeve të tyre. Dhe, ndërsa po bëheshin llogaritë, u gjend një shërbëtor, na thotë shëmbëlltyra, i cili i detyrohej zotërisë së tij dhjetë mijë talanta. Fjala «mijëra» ose «mýria», siç e dini, nënkupton dhjetë mijë. Prandaj «dhjetë mijë talanta» do të thotë një shumë prej dhjetë mijë talantash. Por duhet të themi që në fillim se në këtë paravoli shohim se çdo njeri duhet t’i japë llogari Perëndisë për veprat e tij. Kjo është një e vërtetë dhe një realitet i madh, që për fat të keq u shpëton shumë të krishterëve tanë. Sa për ata që flasin për lirinë – për një liri të sajuar nga mendja e tyre – ata thonë: «Meqenëse jam i lirë, pse duhet të jap llogari për veprat e mia? Sepse pikërisht kjo do të thotë të jem i lirë. Nuk duhet t’i jap llogari askujt, as njerëzve dhe as Perëndisë». Por këta njerëz do të gjenden përpara një të papriture, kur të kuptojnë se kuptimi i lirisë nuk është ai që menduan ata, duke i dhënë asaj një përmasë filozofike, por është ai që i jep lirisë fjala e Perëndisë. Kështu, gjykimi i Perëndisë, të dashurit e mi, është një realitet i frikshëm. Dhe ekziston si gjykimi i veçantë, ashtu edhe Gjykimi i Përgjithshëm. Çdo njeri që largohet nga kjo botë gjykohet. Dhe kur të vijë Krishti, e gjithë njerëzimi do të gjykohet në Gjykimin e Përgjithshëm. Atëherë shfaqet, siç thotë pjesa e Ungjillit, një borxhli që detyrohej dhjetë mijë talanta. Nuk e di nëse e dini se çfarë ishte talanta. Ishte njësia më e madhe monetare dhe nuk përdorej vetëm nga grekët, por edhe nga popuj të tjerë. Kishte tri lloje talantash: talanta ari, argjendi dhe bakri. Madje, kur Toviti e dërgon të birin në Rages të Medisë për një borxh të vjetër të një miku, ky borxh përbëhej nga disa talanta. Talanta e arit ishte, natyrisht, ajo që kishte vlerën më të madhe. Kishte peshë shumë të madhe; ishte pothuajse e pamundur të ngrihej. Vlera e një talante ari atike – ju përmenda Tovitin për t’ju treguar se talanta përdorej edhe në Lindje – nuk ishte vetëm arkeologjike, por kishte një vlerë reale në ar. Një talantë e tillë vlente, ju lutem, dyqind e dyzet lira ari angleze. Dhjetë mijë talanta, pra, do të thotë dy milionë e katërqind mijë lira ari angleze, sipas vlerës reale të kohës. Kjo tregon se sa i madh ishte borxhi i këtij njeriu ndaj Perëndisë. Po. Borxhi janë mëkatet. Prandaj themi në Lutjen e Zotit: «Dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë». Fjala «falna» këtu do të thotë: na i fal dhe na i shlyej detyrimet tona. «Faj» ose «detyrim» do të thotë borxh. Shlyeji borxhet tona. Dhe këto borxhe janë detyrime që burojnë nga shkeljet dhe nga lëniet pas dore: çfarë porosie shkela dhe çfarë duhej të bëja, por nuk e bëra. Sa errësirë e thellë ekziston, të dashurit e mi, te shumë njerëz që mendojnë se janë të pafajshëm përpara Perëndisë! «Unë», thotë dikush, «nuk kam mëkate». Dhe, nëse i përmenden disa nga mëkatet e tij, përgjigjet: «E çfarë është kjo? Të gjithë njerëzit e bëjnë këtë ose atë». Gjë e frikshme! E frikshme! Borxhi mbetet i pashlyer. Një herë kam thënë – dhe e kam përsëritur shumë herë; nuk ka gjë nëse e them përsëri shkurtimisht – se borxhi ynë ndaj Perëndisë bëhet tepër i madh, sepse Ai është Perëndia. Vlerësimi i fyerjes bëhet sipas personit të fyer. Për ta kuptuar: Çfarë thamë se është borxhi? Shkelje. Çfarë tjetër është? Lënie pas dore. Le të marrim si shembull shkeljen e një porosie. Nëse i jap një shuplakë një fëmije të vogël, ngjarja nuk merr përmasa të mëdha. Fëmija do të qajë dhe, në rastin më të keq, do të më kundërshtojnë prindërit e tij. Nëse të njëjtën shuplakë ia jap kryetarit të bashkisë, çështja ndryshon. Nëse ia jap publikisht Presidentit të Republikës, çështja bëhet edhe më e rëndë. Nëse tani fyej Perëndinë, sa e madhe është fyerja? Fyerja vlerësohet sipas personit që fyhet. Perëndia është i pafund dhe fyerja ndaj Tij merr përmasa të pafundme. Perëndia është i përjetshëm dhe pasoja e fyerjes bëhet e përjetshme. Dikush pyet – thotë Shën Joan Gojarti: «Mirë, unë mëkatova për një çast dhe do të dënohem përjetësisht?». Po. Përse? Sepse Ai ndaj të Cilit mëkatove është i pafund dhe i përjetshëm. Këtë duhet të kuptojmë: me këtë shumë të jashtëzakonshme, Zoti dëshiron të tregojë se çdo njeri është borxhli. Dhe le të mos e përsëritim, të dashurit e mi, atë përrallë – vërtet një përrallë të djallit – se nuk kemi mëkate, se nuk bëjmë asgjë të keqe dhe se jemi njerëz të pafajshëm. Kush mund ta shlyejë gjithë këtë mal borxhi? Vetëm Një: Perëndia. Në shëmbëlltyrë, shërbëtori vjen dhe i lutet zotërisë së tij: «Zot, bëhu zemërgjerë me mua, edhe do të t’i laj të gjitha» (Mattheu 18:26). Çfarë do të shlyesh, o njeri? Çfarë mund të shlyesh? Ti je shërbëtor. Nuk mund të punosh e t’i japësh para zotërisë, sepse je pronë e tij. Çfarë mund të bësh? Një i Vetëm e shlyeu borxhin për secilin prej nesh: Jisu Krishti. Apostull Pavli u thotë Kolosianëve: «Edhe ju, duke qenë të vdekur në faje e në parrethprerjen e mishit tuaj, ju bëri të gjallë bashkë me atë, duke ju falur gjithë fajet» (Kolosianëve 2:13). Ishim të vdekur në fajet tona, por Perëndia Atë na bëri të gjallë bashkë me Krishtin. Na i fali të gjitha fajet tona: «Edhe duke shuar dorëshkrimin e porosive që ishte kundër nesh, edhe këtë e hoqi nga mesi, duke e mbërthyer atë në kryq» (Kolosianëve 2:14). E dini se një borxh vërtetohet me një dorëshkrim, me një kambial, me një kontratë, me një dokument. Siç themi në gjuhën tonë: huadhënësi të mbështjell me një copë letër. Është dorëshkrimi i borxhit. Apostulli thotë se Perëndia e shoi atë dhe e mbërtheu në Kryq. Cilin? Dorëshkrimin e borxhit. Atje, në Kryq, gjendet borxhi. Është sikur huadhënësi, të cilit i detyrohemi, të na thotë: «E sheh? E mbaj në dorë dokumentin. Më detyrohesh. E sheh?». Dhe pastaj, përpara syve tanë, ta grisë atë dokument. Kjo do të thotë se e mbërtheu mbi Kryq. Gjë e mrekullueshme! Dhe, meqenëse shërbëtori i paravolisë nuk kishte me se ta shlyente borxhin, çfarë bën zotëria? «I zoti urdhëroi të shitet ai, edhe gruaja e tij, edhe fëmijët e gjithë ç’kishte, edhe të paguhej detyrimi» (Mattheu 18:25). Kështu veprohej në lashtësi. Materiali i paravolisë është marrë nga realiteti i botës së lashtë. Të shitej gruaja e tij, fëmijët e tij, gjithçka që kishte e nuk kishte, dhe shuma të llogaritej për shlyerjen e borxhit. E dini sa vlente një skllav? Shumë pak. Ndërsa një grua shitej edhe më lirë. Çfarë mund të shlyesh, pra, o njeri? Ndërkohë, do të shitej edhe vetë shërbëtori, në mënyrë që zotëria të merrte diçka nga borxhi që ai i detyrohej. Çfarë do të thoshte kjo? Se shërbëtori do të tjetërsohej, do të shkëputej përgjithmonë nga zotëria i tij. Çfarë nënkupton ky tjetërsim? Është ferri i përjetshëm. Zotëria të shet. Perëndia të largon nga Vetja. Dhe kur të largon Perëndia, ku do të shkosh? Ku tjetër? Nuk ekziston ndonjë vend tjetër, përveç ferrit. Ky është tjetërsimi. Shërbëtori e kuptoi se nuk kishte shpëtim. «Po shërbëtori i ra ndër këmbë, e i lutej…» (Mattheu 18:26). Ra përmbys, u gjunjëzua dhe i lutej: «Zot, bëhu zemërgjerë me mua». Dhe zotëria? «Edhe të zotit, si iu dhimbs ai shërbëtor, e lëshoi, edhe ia fali detyrimin» (Mattheu 18:27). Çfarë pamjesh të bukura! Një kërkesë e thjeshtë për zemërgjerësi. Shërbëtori tha: «Bëhu zemërgjerë me mua», dhe kjo kërkesë solli ndryshimin e plotë dhe shlyerjen e borxhit. «Ki mëshirë për mua». «T’i fal të gjitha». «Ki mëshirë për mua». «T’i fal të gjitha!». Kjo tregon qartësisht, të dashurit e mi, se pendimi dhe kërkesa për falje na çlirojnë nga dënimi i përjetshëm. Por le të vëmë re edhe një hollësi interpretuese. Kur Zoti thotë se zotëria «urdhëroi të shitej», kjo shpreh frymën e Dhiatës së Vjetër. Sepse: «Çdo shkelje e mosdëgjim mori shpagim të drejtë» (Hebrenjve 2:2). E shkele porosinë? Do të marrësh dënimin. Përkundrazi, fjalët «si iu dhimbs ai shërbëtor» shprehin frymën e Dhiatës së Re. Këto kanë të bëjnë me marrëdhënien ndërmjet njeriut dhe Perëndisë. Por mbeten edhe marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Paravolia vazhdon: «Po ai shërbëtor, si doli…» (Mattheu 18:28). Sapo doli nga dhoma, nga zyra e zotërisë së tij, dhe po zbriste shkallët, gjeti një nga shokët e tij shërbëtorë. «Eja këtu! Eja këtu! Më detyrohesh njëqind dinarë». Njëqind dinarë, një shumë shumë e vogël në krahasim me borxhin që atij sapo i ishte falur. «Eja këtu. Ma shlyej borxhin që më detyrohesh». Dhe këtu Ungjilli përdor shprehjen: «Edhe si e zuri, po e mbyste, duke thënë: Më jep detyrim që më ke» (Mattheu 18:28). Është ajo që themi edhe në gjuhën tonë: «Më mbyti huadhënësi». Por këtu fjala përdoret në kuptimin e saj të drejtpërdrejtë, jo në mënyrë të figurshme. Huadhënësi vendoste gishtin e madh në grykën e borxhliut, e shtypte dhe, në kuptimin e plotë të fjalës, e mbyste. «Më jep atë që më detyrohesh!». «Po e mbyste». Tjetri i thotë: «Bëhu zemërgjerë me mua, edhe do të t’i jap të gjitha» (Mattheu 18:29). Çfarë ishin njëqind dinarë përpara dhjetë mijë talantave? Një shumë fare e vogël. Ishte e mundur të shlyhej. Por ai i tha: «Jo! Tani!». Dhe e futi në burg. Kur shokët e tjerë shërbëtorë e panë këtë sjellje, u tronditën dhe shkuan t’i tregonin zotërisë së tyre gjithçka që kishin parë e dëgjuar. Atëherë zotëria e thirri shërbëtorin dhe i tha: «Shërbëtor i lig, gjithë atë detyrim ta fala ty, sepse m’u lute. A nuk duhej edhe ti ta përdëlleje shokun tënd shërbëtor, siç të përdëlleva edhe unë ty?» (Mattheu 18:32-33). Këtu tregohet ndryshimi i jashtëzakonshëm ndërmjet asaj që ne i detyrohemi Perëndisë dhe asaj që njerëzit e tjerë mund të na detyrohen neve. Borxhi që njerëzit kanë ndaj nesh është shumë i vogël. Çfarë do të thotë? Është një çështje ndërmjet një njeriu dhe një njeriu tjetër. Dikush më jep një shuplakë, siç ju thashë në shembullin e mëparshëm. A është kjo e njëjtë me shuplakën që, në mënyrë të figurshme, do t’i jepja Perëndisë duke e fyer? Fyerja që më bëri njeriu tjetër është diçka e vogël, shumë e vogël në krahasim me fyerjen tonë ndaj Perëndisë. E megjithatë, ne nuk arrijmë ta kapërcejmë vetveten, që të mund t’i falim njerëzit për ato që na kanë bërë, aq më tepër kur na kërkojnë me këmbëngulje falje. Cili është përfundimi i paravolisë? Përfundimin e nxjerr Vetë Zoti: «Kështu edhe Ati im qiellor do t’jua bëjë juve, në qoftë se secili prej jush, nga zemra e tij, nuk i fal vëllait të tij fajet e tij» (Mattheu 18:35). Të dashurit e mi, Perëndia na e zbuloi frymën e Mbretërisë së Tij. Por njerëzit nuk përshtaten me këtë frymë. Dhe shtrohet pyetja: A është në dobinë tonë të mos përshtatemi me të? Nuk do të hyjmë në Mbretërinë e Perëndisë. A është kjo në dobinë tonë? Edhe sikur të supozonim se Perëndia, pavarësisht nga të gjitha këto, do të na falte, ndërkohë që ne nuk i falnim njerëzit e tjerë, a do të kishim paqe në shpirtin tonë? Po ju pyes: A do të kishim paqe në shpirt dhe marrëdhënie të mira me të afërmin tonë? Jo. A është kjo në dobinë tonë? Jo. A nuk e dënon vallë vetveten ai që nuk fal? A nuk e mundon dhe nuk e ndëshkon vetveten? A është kjo në dobinë tonë? Jo. Prandaj nuk është në dobinë tonë. Sepse, nëse nuk mësojmë si t’i kërkojmë Perëndisë falje dhe si t’u japim falje njerëzve të tjerë, as Perëndia nuk na fal dhe as ne nuk mund të krijojmë e të zhvillojmë marrëdhënie të mira me njerëzit. Përpara, pra, të dashurit e mi! Përpara! Le të mësojmë të falim pa kufi. Sepse është edhe e lehtë dhe për të mirën tonë.