Krishti qetëson stuhinë dhe u thotë nxënësve mos kini frikë
Arkim. Epifanios Haxhijanku sjell mesazhin e së Dielës së Nëntë të Mateut për besimin, guximin dhe praninë e Krishtit në stuhitë e jetës
E Diela e Nëntë e Mateut
Stuhitë e jetës dhe qetësimi i tyre
Arkim. Epifanios Haxhijanku
Mrekullia që na paraqet pjesa e sotme ungjillore ndodhi pas ngopjes së mijëra njerëzve me pesë bukët dhe dy peshqit, falë bekimit të Zotit. Qëllimi i këtij rrëfimi dhe i kësaj mrekullie është të ndihmojë çdo njeri të njohë se kush është në të vërtetë Jisu Krishti dhe cili është veprimi i Tij për shpëtimin e botës.
Turma që kishte ndjekur Zotin, tashmë e ngopur shpirtërisht dhe trupërisht pas shumëzimit të mrekullueshëm të ushqimeve dhe e prehur nga soditja e fytyrës së Krishtit, u largua nga vendi i shkretë. Atëherë Zoti u ngjit në një kodër aty pranë për t’u lutur, pasi më parë u kishte kërkuar nxënësve të Tij të hipnin në lundër dhe ta prisnin në bregun tjetër të Liqenit të Galilesë.
Mirëpo, kur lundra u gjend në mes të liqenit, një erë e fortë shkaktoi një stuhi të tmerrshme, aq sa jeta e tyre ishte në rrezik. Për një kohë të gjatë nxënësit luftonin me dallgët, por nuk fundoseshin, sepse Krishti lutej edhe për ta. Nëpërmjet lutjes së Tij, Ai u përçonte dashurinë dhe përkujdesjen e Perëndisë Atë.
Më pas, panikun për shkak të rrezikut që po kalonin e pasoi një tmerr i paparë më parë, për shkak të pamjes së çuditshme që panë në të gdhirë. Ata panë një trajtë që ecte mbi dallgët e egërsuara. Menduan se po shikonin një fantazmë dhe bërtitën nga frika. Por ajo trajtë ishte Zoti Jisu, i cili iu drejtua atyre dhe u tha: «Kini guxim, jam Unë; mos kini frikë!»
Fuqia e Perëndisë
Veprimi dhe fuqia e fjalës së Perëndisë nuk kufizohen nga hapësira, koha apo dukuritë natyrore. Shën Joan Gojarti thotë: «Atje ku dëshiron Perëndia, mposhtet rendi i natyrës». Kështu, Biri dhe Fjala e Perëndisë ecën mbi dallgët e egërsuara, thërret Petron pranë Tij, e shpëton nga fundosja që shkaktoi besimi i tij i pakët dhe qetëson detin e trazuar.
Me të njëjtat fjalë Krishti i drejtohet edhe njeriut të çdo epoke, sepse kjo është vepra e Perëndisë, siç thekson Ungjillor Joani: «Ati im punon deri tani, edhe unë punoj». Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë veprojnë pa pushim për shpëtimin e njeriut, në një mënyrë të mistershme dhe të pashprehshme, e cila, megjithatë, zbulohet si dritë, jetë dhe fuqi e Perëndisë në këto tri fjalë të Krishtit: «Kini guxim, jam Unë; mos kini frikë!»
Guximi dhe mungesa e frikës në Krishtin
«Kini guxim». Kini guxim, sepse Unë jam gjithmonë me ju: në tundimet dhe në hidhërimet, në sëmundjet dhe në rreziqet, në dhimbjen dhe në vuajtjen, në padrejtësinë dhe në vënien në dyshim, por edhe në gëzim dhe në ngazëllim. «Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?», thotë Apostull Pavli. Nëse, pra, Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?
«Jam Unë». Kjo shprehje na kujton zbulesën e Perëndisë drejtuar Moisiut: «Unë jam Ai që jam». Unë jam Ai që ekziston përjetësisht, burimi i jetës dhe i pavdekësisë; «Ai që është, që ishte dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi». Zoti vjen vazhdimisht për të na takuar, për të na dhënë jetën, dritën, shenjtërinë dhe pavdekësinë e Tij, që të jemi të bashkuar me Të si në jetën e tanishme, ashtu edhe në përjetësi.
«Mos kini frikë». Shën Porfiri i Kavsokalivisë përsëriste shpesh vargun e mëposhtëm: «Me Krishtin kudo, frikë askund». Në të vërtetë, kur besimtari e përjeton kudo dhe kurdoherë praninë e Krishtit në jetën e tij, ai e shndërron frikën e natyrshme në besim të plotë te Zoti. Ai punon, mundohet, përpiqet dhe lufton, por pa ankth dhe pasiguri, pa panik dhe tmerr.
Sepse në Krishtin nuk ka zymtësi, melankoli apo mbyllje në vetvete, pasi Krishti është jeta e re. Krishti është gjithçka. Ai është gëzimi, është jeta e vërtetë, është plotësia e ngazëllimit dhe e hareve shpirtërore. Le të jenë këto mendime mbështetje për të gjithë ne në vështirësitë dhe në rreziqet, në furtunat dhe në stuhitë e jetës. Amin.
Lexoni gjithashtu: