Kisha Ortodokse përkujton Shën Evmeninin e Gortinës në Kretë
Episkopi i Gortinës njihet për mrekullitë, jetën asketike dhe udhëtimin drejt Egjiptit, ku fjeti pranë murgjve të mëdhenj.
Kisha Ortodokse feston sot kujtimin e shenjtorëve të Kishës, mes të cilëve edhe Shën Evmenin, episkopi mrekullibërës i Gortinës, i njohur për jetën e tij asketike dhe mrekullitë e shumta që i atribuohen. Sipas traditës orthodhokse, transmetuar përmes Sinaksarit të Kishës, që në moshë të re Evmeni iu përkushtua sprovave shpirtërore dhe përmbajtjes së rreptë, duke ndjekur këshillën e Apostullit Pavël se "kushdo që lufton, përmbahet nga çdo gjë".
Ai u shugurua Episkop i Gortinës në Kretë, ku virtyti i tij u shfaq edhe më shumë dhe Zoti i dha hirin për të bërë mrekulli. Sipas traditës, njëherë me qirinj të ndezur ai dogji një dragua që u sul kundër tij. Më pas udhëtoi në Romë, ku me mësimin dhe mrekullitë e tij forcoi besimtarët në fe.
Duke kërkuar më shumë sprovë dhe përmbajtje, Evmeni u nis drejt Thebaidës së Egjiptit të Sipërm, pranë asketëve të mëdhenj të kohës. Aty ai dha shpirt te Zoti. Trupi i tij më pas u transportua dhe u varros me nderime në selinë e Episkopisë së tij, në Kretë.
Nuk është hera e parë që Kisha Ortodokse përkujton shenjtorë të lidhur me ishullin e Kretës; kohët e fundit vëmendja ra mbi figurën e Shën Andreas së Kretës, festuar më 4 korrik për kontributin e tij në himnografinë kishtare.