Kisha kujton Shën Sofinë dhe bijat e saj Besa, Shpresa e Dashuria

2826
08:00
3
Kisha kujton Shën Sofinë dhe bijat e saj Besa, Shpresa e Dashuria

Tradita e krishterë kujton martirizimin e Shën Sofisë dhe tri vajzave të saj, Besa, Shpresa dhe Dashuria, në kohën e perandorit romak Adrian.

Shën Sofia dhe tri bijat e saj, Besa, Shpresa dhe Dashuria jetuan në shekullin II pas Krishtit, në kohën kur në Romë sundonte perandori idhujtar Adriani (117–138). Sipas traditës hagiografike të përcjellë nga sinaksarët e Kishës Ortodokse, që përshkruajnë jetën dhe martirizimin e kësaj familjeje të shenjtë, ngjarja zhvillohet fillimisht në Itali dhe më pas në Romë.

Sofia ishte me origjinë fisnike dhe u ve shumë e re, duke mbetur vetëm me tri vajzat e saj, të cilave u dha qëllimisht emrat e tri virtyteve kryesore të krishtera që përmend apostulli Pavëll: besa, shpresa dhe dashuria. Ajo i rriti ato larg zakoneve të kohës, në një jetë të pastër dhe fetare, ndryshe nga bijat e idhujtarëve. Për shkak të rrethanave, familja u detyrua të vendoset në Romë, ku sundonte forma më e egër e idhujtarisë, por vajzat vazhduan të jetonin sipas besimit të tyre, duke u denoncuar te autoritetet nga romakët idhujtarë si të krishtera që nuk nderonin perënditë e perandorisë.

Guvernatori i Romës, Antioku, e njoftoi perandorin Adrian për besimin e familjes. Ato u arrestuan dhe u sollën përpara tij; ai u përpoq fillimisht me lajka t'i bindte të mohonin fenë, më pas i ndau, duke i burgosur veçmas nënën dhe bijat, në mënyrë që të mos inkurajoheshin mes tyre. Sofia arriti megjithatë t'u përcillte mesazh vajzave për të qëndruar të palëkundura, ndërsa ato konfirmuan se nuk do ta tradhtonin besimin e tyre, edhe përballë kërcënimit të torturave dhe vdekjes. Sipas traditës, Besa ishte dymbëdhjetë vjeç, Shpresa dhjetë dhe Dashuria vetëm nëntë.

Gjyqtari romak u përpoq përsëri, me lajka e kërcënime, t'i bindte të tria motrat të kryenin flijim pagan, por ato refuzuan njëzëri, duke deklaruar se Krishti ishte "dhëndri" i shpirtit të tyre. Sipas traditës së Kishë Orthodhokse, tortura filloi me Besën, e cila u fshikullua, u dogj dhe në fund u vra me shpatë; më pas erdhi radha e Shpresës, e cila kaloi po ashtu nëpër tortura të ndryshme para se të vritej; e fundit ishte Dashuria, nëntë vjeçe, e cila sipas rrëfimit hyri vetë në zjarr para se t'i priteshin koka.

Nëna Sofia mori më pas trupat e bijave të saj martire, i vajtoi dhe i varrosi me nderime në një kishëz të vogël të fshehur. Sipas traditës, tri ditë më vonë, ndërsa lutej mbi varret e vajzave, ajo kërkoi nga Zoti të bashkohej me to dhe vdiq në atë çast. Kujtimi i tyre kremtohet çdo vit më 17 shtator.

Kisha Ortodokse e ka konsideruar historikisht historinë e Shën Sofisë dhe bijave të saj si shembull të qëndresës në besim brenda kontekstit familjar, të krahasuar shpesh me kuptimin e lashtë të familjes si "kishë e vogël në shtëpi".

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu