Atë Serafim Rose shpjegon si formohet shpirti i fëmijëve përmes kulturës klasike
Fragment nga libri "Atë Serafim Rose, Jeta dhe Vepra e Tij" mbi edukimin orthodhoks të fëmijëve
Ajo që tha këtu Atë Serafimi për etërit shpirtërorë vlen po aq edhe për prindërit natyrorë, sepse **“formimi i shpirtit”** duhet të fillojë që në fëmijërinë e hershme.
Gjatë një ligjërate në Pelegrinazhin e Shën Gjermanoit, në vitin 1982, Atë Serafimi u dha prindërve disa këshilla praktike se si mund të përdornin gjithçka pozitive që gjendet në botë, për të mirën e fëmijëve të tyre:
“Fëmija që është rritur që në fillim me muzikë klasike dhe ka ndier se shpirti i tij gjen prehje në të, nuk do të jetë njësoj me fëmijën që është rritur pa edukim muzikor dhe që hyn i papërgatitur në tundimin e ritmit të papërpunuar dhe të mesazheve të muzikës rok, si edhe të formave të tjera bashkëkohore të pseudo-muzikës.
Një edukim i tillë muzikor, siç kanë thënë disa prej etërve shpirtërorë të Optinës, e pastron shpirtin dhe e përgatit atë për të pranuar ndikimet shpirtërore.
Fëmija që është edukuar me letërsi, dramaturgji dhe poezi të mirë dhe që e ka ndier ndikimin e tyre në shpirtin e tij — domethënë, që i ka shijuar ato me të vërtetë — nuk do të bëhet lehtësisht i varur nga kinemaja bashkëkohore, programet televizive dhe romanet e lira, të cilat e shkatërrojnë shpirtin dhe e largojnë atë nga rruga e krishterë.
Fëmija që ka mësuar të shohë bukurinë në pikturën dhe skulpturën klasike nuk do të tërhiqet lehtësisht nga shtrembërimet e artit bashkëkohor dhe as nuk do të joshet nga prodhimet e bujshme të reklamës moderne dhe të pornografisë.
Fëmija që di diçka për historinë botërore, veçanërisht për periudhën e krishterë, dhe që njeh mënyrën se si kanë jetuar dhe menduar njerëzit e tjerë, gabimet dhe kurthet në të cilat kanë rënë duke u larguar nga Perëndia dhe urdhërimet e Tij, si edhe jetët e ndritshme dhe të rëndësishme që kanë jetuar kur i qëndruan besnikë Atij, do të ketë dallim shpirtëror përballë jetës dhe filozofisë së epokës sonë. Ai nuk do të ndjekë menjëherë filozofinë e parë të re që i paraqitet apo mënyrën e jetesës që ajo propozon.
Një nga problemet themelore që ekziston sot në edukimin e fëmijëve është se në shkolla nuk u jepet më një shije e vërtetë e historisë.
Është diçka e rrezikshme dhe fatale t’ia privosh fëmijës ndjenjën e historisë. Kjo do të thotë se ai nuk ka më mundësi të marrë shembull nga njerëzit që kanë jetuar në të kaluarën.
Dhe në të vërtetë, historia përsëritet vazhdimisht.
Gjithmonë ka qenë me interes të shihet se si njerëzit iu përgjigjën problemeve, se si disa iu kundërvunë Perëndisë dhe cilat ishin pasojat e këtij qëndrimi, si edhe se si disa njerëz të tjerë e ndryshuan jetën e tyre, u bënë përjashtime dhe dhanë një shembull që mund të jetohet edhe në epokën tonë.
Kjo ndjenjë e historisë është diçka shumë e rëndësishme, e cila duhet t’u transmetohet fëmijëve.
Në përgjithësi, njeriu që është njohur me arritjet më të mira të kulturës laike — të cilat në Perëndim pothuajse gjithmonë kanë një jehonë të qartë fetare dhe të krishterë — ka shumë më tepër mundësi për një jetë orthodhokse normale dhe të frytshme sesa ai që njeh vetëm kulturën bashkëkohore të masave.
Ai që kthehet në Orthodhoksi drejtpërdrejt nga ‘kultura e rokut’, si edhe kushdo që mendon se mund ta ndërthurë Orthodhoksinë me këtë lloj kulture, do të duhet të kalojë nëpër shumë sprova për të kaluar nga njëra anë në tjetrën. Ai do të ketë përpara një rrugë të vështirë në jetë, përpara se të mund të bëhet një i krishterë orthodhoks vërtet serioz, i aftë për t’ua përcjellë drejt besimin edhe të tjerëve.
Pa këtë sprovë dhe pa këtë ndërgjegjësim, prindërit orthodhoksë do t’i rrisin fëmijët e tyre nën rrezikun që ata të përpihen nga bota bashkëkohore.
Elementet më të mira të kulturës botërore, kur përvetësohen në mënyrën e duhur, e pastrojnë dhe e zhvillojnë shpirtin. Ndërsa kultura e sotme popullore e gjymton dhe e deformon shpirtin dhe e pengon atë që t’i përgjigjet në mënyrë të plotë dhe të natyrshme mesazhit të Orthodhoksisë.
Prandaj, në luftën tonë kundër frymës së kësaj bote, mund të shfrytëzojmë arritjet më të mira që bota mund të na ofrojë, me qëllim që të shkojmë përtej tyre.
Çdo gjë e mirë që ekziston në botë, nëse jemi mjaftueshëm të matur për ta dalluar, na çon drejt Perëndisë dhe Orthodhoksisë. Prandaj kemi për detyrë ta përdorim atë.”
Nga libri : Atë Serafim Rose, Jeta dhe Vepra e Tij, VIII. fq. 395-397