Kë la pas Anastasi i Shqiptarëve? Kush është, çfarë thotë dhe shkruan Hirësi Joani?

2826
16:34
Foto: Arkivi UGO Foto: Arkivi UGO

Fjeti me Zotin Anastasi i Shqiptarëve, por kë la pas? A jemi kuriozë të njohim njerëz që mund të na këshillojnë falas për shpirtin dhe jetën? Apo do të presim të hedhim sytë nga ata që kemi perreth kur të flasim për vdekjen?

Pas ditëve të veçanta të ceremonisë së varrimit të Fortlumturisë së tij Anastasit të Shqipërisë, vendi po hyn në rrjedhën e zakonshme të ngjarjeve: Politika po merr gati me forcë, zi zakonisht, vëmendjen, dhe nuk mungojnë deklarata dhe fjalime ekstreme. E në këtë uragan shpirtëror të rikrijuar, që nuk po pushon prej më shumë se 30 vitesh, futen e rifuten, grihen e shtrydhen shpirtërat e shqiptarëve. Pa pushim. Pa paqe.

Që në ditët e para pas ceremonisë së përcjelljes së Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare dëshiroja të mësoja se cila ishte dora drejtuese e asaj ceremonie prekëse, perfekte, nderuese. Të gjithë zërat tregonin një emër mes të tjerëve: Hirësi Joani, Mitropoliti i Korçës, i ngarkuar si Mbikëqyrësi i Fronit Kryepiskopal. Por nëse do t’i besojmë Fortlumturisë së tij fuqinë dhe këmbënguljen për ringjalljen e kishës orthodhokse shqiptare, duhet të shohim me të njëjtin besim aftësinë që ai pati për të parë e për të dalluar mes bashkëpunëtorëve? Nuk është e lehtë.

Të rifutur në vorbullën e një të përditshmeje marramendëse, me siguri shumë prej nesh, ashtu si nuk njohëm dot sa duhet një klerik si Janullatos, (veç besimtarëve orthodhoksë), pak do ta gjejnë kohën të lexojnë e të dëgjojnë se kush është Hirësi Joani, çfarë shkruan dhe çfarë thotë këto ditë.

Sot, për t’u larguar nga ngjarjet politike dhe të kronikës, për të kërkuar diçka ndryshe, që ka të bëjë me jetën dhe të vërtetën, me thjeshtësinë dhe me përuljen, me vlerat dhe krenarinë, me rolin e miqve dhe të armiqve, me peshën e shpifjeve dhe të gënjeshtrave, me plotësimin e nevojave apo tekave të fëmijëve dhe mbi të gjitha, me arritjen e gëzimit dhe mirënjohjen dhe falenderimin për kë gëzimin e arrin, u “përplasa” me fjalën që Hirësia Joan ka mbajtur me 9 shkurt me prindër dhe të rinj të Kishës Orothodhkse në Tiranë. Them “u përplasa” sepse më doli rastësisht në rrjetet sociale, shpërndarë nga radio Ngjallja e kësja kishe. U ndala ta dëgjoj.

Kushdo dëshiron mund ta ndjekë dhe të nxjerrë përfundimet që dëshiron, sipas botëkuptimit dhe ideve që ka. Për mua, nëse ju ka marrë malli të dëgjoni një shqipe të bukur e të kujdesshme, një mendim të qartë, një shpjegim të thjeshtë dhe disa leksione mbi jetën dhe shpirtëroren, vlen të merrni pak minuta kohë e ta shijoni.

Por para kësaj fjale, pikërisht sepse kurioze për të mësuar, pata lexuar dhe një temë tjetër sa befasuese dhe aq të pazakontë për klerikët e kohëve moderne, sidomos ne në anët tona vështirë se u kemi vënë veshin për këtë: “Tempulli dhe Arti”, shkruar nga Hirësi Joani në vitin 2002. Edhe ky është një material, që bashkë dhe me të tjerë mund të gjendet në faqen zyrtare online të Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.

Linda si gazetare e kulturës, tashmë 30 vite më parë te “Gazeta Shqiptare”, dhe sinqerisht, më pas si redaktore, më kanë kaluar nëpër duar ese, artikuj, kritika, nga shumë krijues shqiptarë, ku në të shumtën e rasteve, më shumë se për artin apo krijimin, dalloja Egon e pamatë të autorëve dhe vetëvlerësimin.
Ndërsa te “Tempulli dhe Arti”, një ndërthurje kaq të qartë e kuptimplotë mes kryeveprave, veprave, njeriut ndërmjetës, shpirtit dhe Krijuesit, nuk e kam hasur të shkruar në shqip. Dhe sidomos, surprizën që përcjell një tekst i tillë, i shkruar nga një klerik i ditëve tona.

Për Tempullin dhe Artin, Hirësi Joani, shtjellon me shumë finesë dhe natyrshmëri lidhje të befasishme mes artit dhe të mbinatyrshmes, mes artistit të vërtetë dhe jetës së përtejme, ku më të mirët prej tyre arrijnë të bëjnë lidhjen me ne të tjerët. Përse një Sezane, një Dante, një Mikelanxhelo, një Dostojevski, një Leonardo Da Vinci, një Moxart, me format, fjalët, poezinë, ngjyrat, muzikën janë ura lidhëse mes asaj që ne njohim dhe asaj që kemi harruar se i përkasim.

Dhe për t’u rikthyer tek e përditshmja politike, pa të cilën nuk mund të jetojmë, po sjell dhe disa fjalë që Presidenti amerikan Donald Trump i ndjeu të nevojshme të thonte në Mëngjesin e Lutjeve para një audience të jashtëzakonshme: “Të rikthejmë Perëndinë në jetën tonë”.

Klerikë si Hirësi Joani, me shqipen e bukur të tyre, e kanë peshën, i kanë njohuritë, e mbartin thjeshtësinë të na tregojnë rrugën. Vetëm se, ne shqiptarët, duhet të marrim kohën, të kemi durimin dhe përuljen të dëgjojmë. Ndoshta, pikërisht sot, është një rrugë që na ndihmon e që na përmirëson.

Alba Malltezi

Burimi Shqiptarja.com

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu