Enoria e Shën Gjergjit në Fier zhvilloi pelegrinazh në Artë dhe Nafpaktos
Besimtarët vizituan manastire në Greqi me bekimin e Mitropolitit Nikolla dhe morën pjesë në shërbesa liturgjike në zonën e Nafpaktos.
Një pelegrinazh shpirtëror në Greqi u zhvillua nga enoria e Shën Gjergjit në Fier, e cila vizitoi manastire të shenjta në Artë dhe Nafpaktos. Sipas materialit të dërguar nga enoria, pelegrinazhi u realizua me bekimin dhe kujdesin e veçantë të Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Imzot Nikolla.
Pjesëmarrësit u njohën nga afër me thesarin shpirtëror të traditës orthodhokse. Përmes lutjes, shërbesave liturgjike dhe takimeve me njerëz të përkushtuar ndaj jetës monastike, ata thelluan përvojën e besimit dhe forcuan lidhjen me Krishtin dhe me komunitetin eukaristik lokal.
Ndalesa e parë ishte Manastiri i Fjetjes së Hyjlindëses në Artë, ku besimtarët u mikpritën nga motër Qeharitomeni. Ajo i njohu me historinë e manastirit dhe me jetën monastike të tij. Gjatë takimit u kujtua edhe motra Argjiro, e cila e vizitonte shpesh këtë manastir dhe për shumë vite i shërbeu pranë Kryepiskopit të ndjerë Anastas, duke kontribuar në jetën dhe veprën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Udhëtimi vijoi drejt Trikorfos, në zonën e Nafpaktos, ku pelegrinët vizituan Manastirin e Shën Agustinit dhe Shën Serafimit. Ata morën pjesë në shërbesën e Mbrëmësores të premten në mbrëmje, si dhe në Mëngjesoren dhe Liturgjinë Hyjnore të shtunën në mëngjes. Sipas enorisë, kjo pjesëmarrje ishte një nga çastet më domethënëse të pelegrinazhit.
Në këtë manastir i mikpriti jerond Nektari, i cili foli për historinë e tij dhe për mrekullitë që, sipas tij, kishin ndodhur gjatë rrugëtimit të murgjve në ndërtimin e manastirit. Ato janë të pasqyruara në kompleksin e manastirit përmes kryqit, golgothasë dhe burimit të Ajazmës. E veçantë është kambanorja me 62 kambana dhe 400 talanta, oshëtima e së cilës, sipas pjesëmarrësve, e kujton se zëri i këmbanave zgjon shpirtin dhe fton besimtarët në Eukaristinë Hyjnore.
Një ndalesë tjetër ishte Manastiri i Shën Nektarit dhe Shën Joan Maksimoviçit, i ndërtuar për murgesha në të njëjtën zonë. Mbresëlënës ishte katakombi, që sillte ndërmend jetën e komuniteteve të hershme të krishtera, të cilat ruajtën dhe përcollën besimin edhe në kohë të vështira.
Sipas pjesëmarrësve, pelegrinazhi ishte më shumë se një udhëtim në vende të shenjta. Ai ishte rast për t’u kushtuar lutjes, për të dëgjuar përvojën e njerëzve të përkushtuar dhe për të kuptuar më thellë pasurinë e traditës orthodhokse. Takimet, mikpritja dhe pjesëmarrja në shërbesat liturgjike u kujtuan rëndësinë e komunitetit dhe të përkushtimit në jetën e krishterë.
Siç kishte raportuar UGO, Mitropoliti Nikolla shpjegoi përgjegjësinë e njeriut gjatë një takimi në Fier.
