Mitropoliti Nathanail shenjtëroi kishën e Shën Parashqevisë në Terihat
Shërbesën e Shenjtë dhe Liturgjinë Hyjnore në Dropull i drejtoi Mitropoliti i Gjirokastrës, në praninë e klerikëve dhe të besimtarëve.
Në fshatin Terihat të Dropullit u krye Shërbesa e Shenjtë e Shenjtërimit të kishës kushtuar Shën Parashqevisë, Oshënares dhe Martires së Madhe. Sipas materialit të marrë nga redaksia, ngjarja u zhvillua në atmosferën e gëzimit shpirtëror të së kremtes së Shën Parashqevisë së Epivatit.
Shërbesën e Shenjtë të Shenjtërimit, si edhe Liturgjinë Hyjnore që u krye më pas, i drejtoi Mitropoliti i Gjirokastrës, z. Nathanail. Në shërbesë ishin të pranishëm klerikë të Mitropolisë dhe besimtarë.
Në shërbesat e shenjta morën pjesë gjithashtu Igumeni i Manastirit të së Tërëshenjtës Hyjlindëse në Molivdhoskepastos, Arkimandriti Arsen, i shoqëruar nga Arkimandriti Isaak.
Shenjtërimi i kësaj kishe përbën një ngjarje të veçantë në jetën liturgjike dhe shpirtërore të komunitetit orthodhoks të Mitropolisë së Gjirokastrës. Kisha mrekullibërëse e Shën Parashqevisë në Dropull cilësohet si një nga stolitë më të çmuara të zonës së Gjirokastrës dhe Dropullit, por edhe të gjithë Mitropolisë.
Mijëra besimtarë gjejnë prehje shpirtërore në këtë kishë, ndërsa të pafundme janë dëshmitë për mrekullitë e Shën Parashqevisë.
Siç kishte raportuar UGO, Mitropoliti Nathanail u takua me Rrjetin e Qyteteve me Liqene në Dropull, një tjetër aktivitet i tij në këtë zonë.
