E Shtuna e Shpirtrave u kremtua në Terihat
Në Kishën e Shën Parashqevisë në Dropull u krye Agripnia e Shenjtë, kryesuar nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Nathanaili.
Në Kishën e Shën Parashqevisë në Terihat të Dropullit u krye mbrëmjen e së premtes Agripnia e Shenjtë, kryesuar nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij Imzot Nathanaili.
Shërbesa, që kryhet çdo të premte në mbrëmje, këtë herë u lidh edhe me përkujtimin e së Shtunës së Shpirtrave, ditë në të cilën Kisha Orthodhokse lutet për të gjithë ata që kanë fjetur në Zotin.
Besimtarë të shumtë morën pjesë në këtë shërbesë lutjeje. Gjatë saj u lartësuan lutje për prehjen e shpirtrave të të fjeturve, si edhe për forcimin shpirtëror të të gjithë besimtarëve.
E Shtuna e Shpirtrave i kujton të krishterët se dashuria për të afërmit nuk ndërpritet nga vdekja. Kisha vazhdon të lutet për ta, duke i besuar në mëshirën dhe njeridashjen e Perëndisë.
Në fund të shërbesës, Mitropoliti Nathanaili dha bekimin e tij atëror për të pranishmit.
Burimi: Mitropolia e Shenjtë e Gjirokastrës