E Shtuna e Shpirtrave u përkujtua në Tiranë
Pas Mëngjesores dhe Liturgjisë Hyjnore, besimtarët morën pjesë në shërbesën e përshpirtjes dhe u lutën për të fjeturit.
Në Tiranë u përkujtua E Shtuna e Shpirtrave, një ditë e veçantë në kalendarin e Kishës Orthodhokse, kushtuar lutjes për të gjithë ata që kanë fjetur në Zotin. Mesha u udhëhoq nga Hirësia e Tij, Episkop i Amantias Iganti në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses.
Pas Mëngjesores dhe Liturgjisë Hyjnore, në kishë u krye shërbesa e përshpirtjes, ndërsa besimtarët u lutën për prehjen e shpirtrave të të afërmve të tyre.
Kjo ditë i kujton të krishterët se dashuria nuk ndërpritet nga vdekja. Kisha lutet për të fjeturit si shenjë dashurie dhe ndërmjetimi përpara Perëndisë mëshirues dhe njeridashës.
Në traditën orthodhokse, besimtarët sjellin grurë të zier për shërbesën e përshpirtjes. Kokrra e grurit simbolizon shpresën e Ngjalljes dhe jetën e përjetshme, sipas fjalës së Krishtit: “Në mos rëntë kokrra e grurit në dhé e të vdesë, ajo mbetet e vetme; por në vdektë, sjell shumë fryt” (Joani 12:24).
Burimi: radio ngjallja
Foto nga Radio Ngjallja.