Çfarë mendojmë për jetën e përjetshme ?
Hirësi Anastasi veçoi disa pika nga Ungjilli i së dielës së XIII të Llukait dhe theksoi ndër të tjera se pasuria nuk pengon shpëtimin, por mënyra si fitohet dhe si ndahet me të varfrit.
Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij imzot Anastasi, në fund të meshës hyjnore, mbajti më 29 nëntor 2026 një fjalë për të Dielën XIII të Llukait, që i kushtohet Ungjillit të të riut të pasur. Sipas tekstit të plotë të fjalës, Mitropoliti iu drejtua besimtarëve pasi Atë Vangjeli kishte shpjeguar Ungjillin e ditës. Hirësi Anastasi bëri një përmbledhje e cila rikujtoi disa pika kryesore para se besimtarët të largoheshin nga kisha.
Më poshtë po e sjellim të plotë fjalën e Mitropolitit:
Fjala e Mitropolitit të Korçës Hirësisë së Tij imzot, Anastasit E Diela XIII e Llukait — I riu i pasur 29 nëntor 2026
Vëllezër e motra, Atë Vangjeli na bëri një shpjegim shumë të bukur të Ungjillit të sotëm. Por doja të bëja një përmbledhje përpara se të largohemi nga kisha. Katër janë pikat kryesore të Ungjillit që dëgjuam sot.
E para vjen nga personi që iu drejtua Zotit. Thotë Ungjilli që ishte i ri në moshë. Ishte i ri në moshë, por kishte diçka shumë të ndryshme nga të rinjtë e kohës sonë: kishte një shqetësim për gjërat shpirtërore. E pyeti Zotin dhe i tha: «Ç'të bëj që të fitoj jetën e përjetshme?» Sa nga ne sot e kanë këtë shqetësim? Sa përpiqen të gjejnë rrugën e duhur, përpiqen të jetojnë në mënyrën e duhur, për të fituar jetën shpirtërore?
Le të mbetemi pak në këtë pikë dhe të shikojmë brenda vetes sonë: a kemi ne të njëjtin shqetësim si i riu i Ungjillit të sotëm? A duam ne që të fitojmë jetën e përjetshme? A mendojmë ne rreth jetës së përjetshme? A përpiqemi ne të jetojmë në përputhje me ato që Zoti na tha, në mënyrë që të bëhemi të denjë për të fituar jetën e përjetshme?
Dhe kur themi të fitojmë jetën e përjetshme, do të thotë të fitojmë jetën e përjetshme me Zotin. Se që do të jetojmë në përjetësi, kjo është e sigurt dhe nuk varet nga ne. Nga ne varet si do të jetojmë në përjetësi: me Zotin apo larg Tij. Dhe kjo është parajsa dhe ferri. Prania e Zotit është parajsa. A do ta jetojmë këtë jetë me Zotin, apo do të jetojmë në përjetësi të dënuar dhe larg Tij?
Pika e dytë që unë doja të theksoj nga Ungjilli i sotëm është se i riu i drejtohet Zotit dhe i thotë: «Mësues i mirë». Ai nuk i drejtohet Atij duke i thënë Perëndi. Dhe Zoti i përgjigjet: «Ç'më thua i mirë? Vetëm Perëndia është i mirë». Pra, ne duhet ta njohim Krishtin jo si një revolucionar që solli në botë disa rregulla të reja për ta bërë shoqërinë tonë më të mirë. Ne duhet ta shikojmë Krishtin dhe ta njohim si Perëndi.
Dhe, në vazhdim të Krishtit, që është i shtrirë në të gjitha kohërat nëpërmjet Kishës së Tij, edhe Kishën nuk duhet ta shikojmë si një institucion social që ka për detyrë të na bëjë njerëz më të mirë, që ka për detyrë të kujdeset për të varfrit, që ka për detyrë të ndihmojë ata që janë në nevojë. Patjetër që këto i ka Kisha detyrë dhe i bën. dhe i kemi gjithësecili prej nesh detyrë edhe i bëjmë Por nuk është ky misioni i Kishës. Misioni i Kishës është që të shpallë Ungjillin, Krishtin Perëndi dhe jetën e përjetshme, të shpëtojë shpirtra.
Nuk vijmë në kishë që të bëhemi njerëz më të mirë dhe ky të jetë qëllimi ynë. Vijmë në kishë patjetër që të bëhemi njerëz më të mirë, por të qenët të mirë nuk është qëllim në vetvete. Është që të arrijmë të shenjtërohemi, të jetojmë me Perëndinë dhe të fitojmë jetën e përjetshme.
Dhe diçka tjetër që disa nga ne mund t'i shqetësojë, sepse e dëgjuam në Ungjillin e sotëm që është shumë e vështirë që i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Qiejve. Dhe shpeshherë themi që nuk jemi të pasur. Por gjithsecili prej nesh ka diçka, zotëron diçka dhe ka një pasuri. Dhe duhet të mos mendojmë se pasuria që kemi na pengon për të shkuar në parajsë dhe për të fituar jetën e përjetshme. Nuk na pengon pasuria në vetvete. Nuk është pasuria e mirë apo e keqe në vetvete.
Në lidhje me pasurinë, dy gjëra na pengojnë. E para: mënyra se si e vëmë pasurinë. Në qoftë se pasurinë, atë pak që kemi, e kemi vënë në mënyrë të ndershme, me punën tonë, me bekimin e Perëndisë, në mënyrë të ndershme, atëherë këtë pasuri e meritojmë ta kemi, jo të na zotërojë.
Dhe pika e dytë që ka të bëjë me pasurinë, e cila ka pasoja në përjetësinë tonë, është mënyra se si ne vendosim marrëdhënie me këtë pasuri. Na zotëron? E mbajmë për vete, apo e shpërndajmë te të varfrit? Dhe për sa kohë, vëllezër e motra, ne zotërojmë diçka dhe e ndajmë me të varfrit, me ata që nuk kanë, ky është një mjet që na ndihmon për jetën e përjetshme.
Mos e shikoni të pasurit si një pengesë. Është mirë të kemi. Është mirë që, me bekimin e Perëndisë, të arrijmë të jemi në gjendje të mirë. Por të kemi kujdes dy gjëra: mënyrën se si e vëmë këtë pasuri dhe mënyrën se si e menaxhojmë atë.
Këto ishin ato pika që doja të theksoja nga Ungjilli i sotëm, që, në momentin që largohemi nga kisha, të kemi mbi çfarë të meditojmë edhe gjatë javës që kalon. Ungjillin që dëgjojmë të dielën nga kisha nuk duhet ta lëmë këtu; duhet ta marrim me vete. Dhe duhet të përpiqemi të meditojmë mbi atë që na mëson Kisha për këtë javë.
......
Ju uroj të gjithëve: gëzuar, për shumë vjet! Gëzuar festat kombëtare! Zoti na bekoftë të gjithëve! Zoti e bekoftë vendin dhe atdheun tonë! Gëzuar dhe për shumë vjet! Rroftë atdheu!
Siç kishte raportuar UGO, Mitropoliti i Korçës Anastasi kishte theksuar në një tjetër predikim se Perëndia shpesh i drejton hapat tanë drejt punëve dhe vendeve që nuk i kemi menduar kurrë.

