Kryepiskopi Joan predikon mbi të riun e pasur në Tiranë

Sot 17:46
9
Kryepiskopi Joan predikon mbi të riun e pasur në Tiranë

Në të Dielën XIII të Llukait, Kryepiskopi foli për zbatimin e urdhërimeve, përulësinë dhe ndarjen e pasurisë me të varfrit.

Kreu i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, mbajti predikimin e së Dielës XIII të Llukait në Katedralen "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë më 29 nëntor 2026. Sipas tekstit të plotë të predikimit, me titull "Duke dhënë fitojmë pasuri në 'bankën' qiellore", Kryepiskopi u ndal te ngjarja ungjillore e të riut të pasur dhe te pyetja se si fitohet jeta e përjetshme.

Në predikim, Kryepiskopi Joan shpjegoi kuptimin e urdhërimeve sipas shën Simeon Theologut të Ri dhe shën Grigor Theologut. Ai solli si shembuj historitë e shën Joan Përdëllimtarit dhe të shën Ambrozit të Milanos. UGO boton më poshtë tekstin e plotë të predikimit.

I riu i pasur - E Diela XIII e Llukait

***

Duke dhënë fitojmë pasuri në "bankën" qiellore

Në disa të diela kemi folur pikërisht për një temë shumë të rëndësishme: përjetësisë dhe mënyrën se si mund ta fitojmë atë. Ungjilli i sotëm na jep një tablo edhe më të qartë të në lidhje me të.

Një djalë i ri shumë i pasur, një nga sunduesit e Izraelit të asaj kohe, vjen dhe i thotë Zotit: “Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?" Pa dyshim që kjo është një pyetje shumë e rëndësishme dhe bëhet vazhdimisht nga njerëzit. Realisht çfarë duhet të bëjmë që të fitojmë parajsën, Mbretërinë e Qiejve, nëse besojmë tek ajo; nëse nuk besojmë, as pyetjen nuk e bëjmë. Duke mos bërë pyetjen, nuk do të gjejmë as përgjigjet.

Në kohën që jetojmë nuk ka më pyetje për çështjet themelore të ekzistencës së njeriut. Pak njerëz pyesin: cili është qëllimi i ekzistencës sime, pse unë ekzistoj dhe çfarë ndodh me mua pasi kaloj nga kjo botë? Vetëm duke shtruar pyetje mund të gjejmë përgjigje.

Dhe Zoti fillon në mënyrë pedagogjike t'ia shpjegojë djalit të ri. E para i thotë: “Pse më thua i mirë?” Sepse ai iu drejtua duke i thënë “Mësues i mirë”. Djali i ri e shikonte Krishtin vetëm si njeri, si një mësues, dhe jo si Perëndi. Dhe kur bën pyetjen se çfarë duhet të bëjë, ndoshta ai kishte ndërmend që ishte njeri i mirë dhe duhet të bënte diçka që ta fitonte atë.

Por Zoti i thotë se vetëm Një është i mirë, Perëndia. Të jesh i mirë në kuptimin njerëzor është diçka relative. Ne ndoshta mund të jemi të mirë duke u krahasuar me disa njerëz të tjerë, por në kuptimin e të mirës absolute, ajo buron vetëm nga Perëndia. Sa më shumë lidhemi me Perëndinë, aq më shumë bëhemi të mirë vetë. Por asnjëherë nuk mund të krahasohemi me mirësinë që ka Perëndia, sepse mirësia e Perëndisë është vetë qenia e Tij. Ndërsa ne duhet të fillojmë dalëngadalë të bëhemi të ngjashëm me Të. Prandaj dhe Zoti ia thotë këtë gjë atij, për t'i kujtuar se njerëzit nuk janë të mirë. Zoti na do ne jo se ne jemi të mirë, por sepse Ai është i mirë. Duke e dashur ne Perëndinë, fillojmë të përmirësohemi dhe të bëhemi të mirë, duke u bërë të ngjashëm me Perëndinë.

Dhe pasi thotë këtë, Zoti i thotë të riut: “Zbato urdhërimet”. Urdhërimet në Ligjin e Moisiut ishin dhjetë, por kishte edhe shumë urdhërime të tjera përveç: “Mos vidh”, “Mos vrit”, “Mos shkel kurorën”, “Mos jep dëshmi të rreme”, “Ndero atin dhe nënën tënde”. Pra, këto porosi nuk ishin të vetmet. Porosia më e madhe ishte ta duash Perëndinë me gjithë fuqinë tënde e ta duash të afërmin si veten tënde.

Dhe çfarë do të thotë: “zbato urdhërimet”, sepse duket si një përgjigje shumë e thjeshtë? Shën Simeon Theologu i Ri i bën asaj një shpjegim shumë të thellë. Nëse një njeri përpiqet seriozisht t'i zbatojë në mënyrë reale urdhërimet në jetën e tij të përditshme, atëherë çfarë do të kuptojë ai fillimisht? Me siguri, fillimisht do të kuptojë dobësitë e tij dhe do të kuptojë se sa larg urdhërimeve është; dhe, duke kuptuar dobësitë e tij, ai do të bëhet i përulur. Dhe përulësia do të sjellë Hirin e Perëndisë, i cili i mbush dhe i plotëson të gjitha mungesat tona. Nëse nuk bëhemi të përulur, nuk mund ta kemi Hirin e Perëndisë. Në mendjet dhe zemrat krenare nuk qëndron Hiri i Perëndisë, por qëndron tek të përulurit. Prandaj dhe Shkrimi i Shenjtë thotë se Zoti u kundërvihet mendjeve krenare, por u jep hir të përulurve dhe i lartëson ata. Nëse bëjmë këtë përpjekje, pra t'i zbatojmë urdhërimet, kështu fillon shenjtërimi i njeriut.

Të njëjtën gjë i tha dhe shën Grigor Theologu kur dikush e pyeti se çfarë duhet të bëjë që të arrijë hyjnizimin (theosis). Theosis është një term theologjik në Kishën Orthodhokse, por edhe në të gjithë krishterimin, që do të thotë hyjnizim: kur njeriu bëhet pjesëmarrës në natyrën hyjnore të Perëndisë. Kjo është gjendja më e lartë që mund të arrijë një njeri. Edhe shën Grigori i përgjigjet me fjalët e Zotit: “Zbato urdhërimet”. Nëse realisht duam të kemi jetë të përjetshme dhe ta trashëgojmë atë, duhet ta fillojmë me zbatimin e urdhërimeve.

Por ky djalë i ri, ndoshta për t'u shfajësuar, i thotë: “Cilat urdhërime?” Dhe Zoti i përmend disa. “Këto i kam ruajtur që nga rinia ime”, i përgjigjet i riu. Në Ungjillin e shën Markut thuhet se Zoti e pa dhe e deshi. E ngaqë e deshi, i thotë diçka që atij iu duk shumë e rëndë: “Një gjë të mungon: shko, shit gjithë pasurinë tënde, jepua të varfërve dhe eja, ndiqmë mua”. Ai u largua i trishtuar, sepse ishte shumë i pasur.

Atëherë Zoti u thotë nxënësve që ishin rrotull: “Sa vështirë është për një të pasur të hyjë në Mbretërinë e Qiejve! Është më lehtë për një deve të hyjë në vrimën e gjilpërës, sesa një i pasur në Mbretërinë e Perëndisë, në parajsë”. Kjo frazë është përmendur vazhdimisht gjatë historisë së krishterimit.

Çfarë donte të thoshte Zoti me këtë gjë? Së pari, pse i tha atij djalit të ri të pasur që ta jepte gjithë pasurinë? Pikërisht, ngaqë ai nuk e kishte plotësuar të gjithë Ligjin, as gjithë urdhërimet. Urdhërimi është që të duash të afërmin si veten tënde. Nëse do ta duash të afërmin si veten e tij, nuk do ta përdorësh vetëm për vete pasurinë, por do ta ndash edhe me njerëzit e varfër që ishin rrotull teje.

Sepse pasuria në vetvete, e kemi përsëritur disa herë dhe ia vlen të përsëritet, është neutrale, as e mirë, as e keqe. Varet se si e përdorim ne. Në kuptimin biblik, pasuria nuk është prona jonë private. Çdo pasuri është e Zotit dhe ne jemi vetëm kujdestarët e saj. Shumë të pasur shpëtuan. Jobi ishte i pasur dhe shpëtoi. Abrahami ishte i pasur dhe shpëtoi, por ishte i përulur. Në Librin e Zanafillës shkruhet se Abrahami për veten e tij thoshte: “Unë jam pluhur e hi”, ndonëse ishte shumë i pasur. Por ai nuk e mbante pasurinë vetëm për vete, por e ndante me të gjithë njerëzit që ishin rrotull tij. Në këtë mënyrë bëhesh i pasur tek Perëndia.

Kur Zoti i thotë të riut që ta shesë pasurinë, nuk ishte në kuptimin që do t'ia merrte të gjithën, por që do t'ia merrte dhe do ta vendoste në “bankat” qiellore, që ta kishte në përjetësi. Sepse nëse nuk vendosim gjë në thesarët qiellorë, çfarë do të kemi në jetën tjetër?

Tregohet një histori shumë e bukur nga jeta e shën Joan Përdëllimtarit. Kushdo që ka lexuar jetën e tij është befasuar nga dhembshuria dhe bamirësia e madhe që bënte. Gjithçka që kishte, ai e jepte dhe e ndante me të tjerët. Një herë atë e viziton një episkop me emrin Troil, i cili ishte shumë koprrac dhe kishte shumë pasuri. Shën Joani i thotë: “Eja, të shkojmë të vizitojmë spitalet”. Kështu, shkuan në spital dhe shën Joani bëri sikur nuk kishte asgjë me vete dhe i thotë: “Më jep atë qesen me para që ke, t'ua ndaj të sëmurëve, se kur të shkojmë në patriarkanë do t'i kthej përsëri”. Troili, me vështirësi, ia dha. Në të ishin tridhjetë monedha të florinjta dhe ai i ndau tek të gjithë të sëmurët.

Kur u kthyen, shën Joani bëri sikur harroi. Troili u largua i zemëruar dhe i trishtuar, sa nuk e zinte as gjumi, madje edhe u sëmur. Shën Joani e kërkonte që të vinte të takoheshin, por i thanë se është mbyllur në shtëpi dhe është i sëmurë; dhe ai e kuptoi përse. Ndaj, mori tridhjetë monedha floriri, shkoi tek Troili, e pa të shtrirë në krevat dhe i tha: “Ja, t'i solla; këto para nuk t'i mora përgjithmonë, t'i mora borxh”.

Sapo i pa paratë, Troili u ngrit përnjëherë dhe atë natë pa një vegim në ëndërr sikur ishte në Parajsë. Atje kishte ndërtesa jashtëzakonisht të bukura, ku midis tyre dallohej njëra. Në të ishte një tabelë ku shkruhej: “Banesa e përjetshme e Troilit”. Nga gëzimi ai u nis për të hyrë brenda. Por një engjëll e ndaloi dhe i tha: “Ndal! Ishte e Troilit kjo, por u ble nga shën Joani me tridhjetë monedha floriri”. Dhe i doli gjumi.

Kur i doli gjumi, jeta e tij ndryshoi krejtësisht. Ai e kuptoi se gjithë pasuria që kishte ishte e kotë, nëse nuk do të kishte thesar në qiell. Prandaj, gjithë pasurinë që kishte ua ndau të tjerëve dhe vazhdoi rrugën që bënte edhe shën Joan Përdëllimtari.

Kështu edhe Zoti, duke parë në thellësinë e zemrës së këtij djali të ri etjen për para, lakminë dhe vështirësinë që kishte për ta ndarë atë me të tjerët, donte ta shëronte atë. Kur Zoti na kërkon diçka që mund të duket shumë e rëndë për ne, nuk është për të na dënuar, por për të na shpëtuar, ashtu si mjeku, nëse një njeri i sëmurë është me diabet, ia ndalon të hajë ëmbëlsira, jo për ta dënuar, por për ta ndihmuar, për ta shëruar dhe shpëtuar. E njëjta gjë ndodh edhe me Zotin.

Njerëz të ndryshëm kanë pengesa të ndryshme për të shkuar tek Perëndi: disa kanë pasione brenda tyre, të tjerë kanë ambicie për lavdi të kotë, të tjerë mburrje brenda vetes dhe nuk mund të heqin dorë dot nga këto. Disa kanë një lakmi shumë të madhe për para, saqë nuk mund të japin dot asgjë. Sepse të japësh do të thotë të kesh një shpirt të pasur dhe të mbushur me dashuri. Ua kam përmendur shpeshherë: pse prindërit u japin shumë gjëra fëmijëve? Pikërisht, sepse i duan. Edhe ne, nëse kemi dashuri në shpirt dhe mundohemi t'i duam të gjithë njerëzit, do të mundohemi edhe t'i ndihmojmë ata; dhe çdo gjë të tepërt që kemi nuk është nevoja ta mbajmë, sepse do të jetë në dëmin tonë.

Prandaj djali ri u largua i trishtuar dhe i hidhëruar. Nëse do të ishte e kundërta, ndoshta mund të ishte bërë një nga apostujt dhe një nga nxënësit e Krishtit; do të ishte bërë njeri i shenjtëruar. Ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me atë djalë më vonë, por historia e sotme na tregon pikërisht këtë gjë.

Të gjithë ne duhet të përpiqemi të heqim çdo gur që na pengon në udhën drejt Perëndisë. Një gur që na pengon është pasuria, e cila nuk është vetëm fizike, materiale dhe paraja, por mund të jetë edhe pasuria intelektuale, kulturore etj, të njerëzit kanë vështirësi ta ndajnë. Kur kemi vështirësi të ndajmë pasurinë, kjo tregon që zemrat tona janë të ngurtësuara dhe nuk janë prekur nga Hiri i Perëndisë, që të zbuten dhe të mbushen me dhembshuri dhe dashuri.

Përse shën Joan Përdëllimtari i ndante të gjitha? I ndante sepse e kuptonte për çfarë i duheshin. Njerëzit shpeshherë grumbullojnë gjëra që as nuk i përdorin. Mbushin dollapë me rroba që as nuk do t'i veshin ndonjëherë. Madje kam parë te disa njerëz që kishin vite që i kishin blerë rrobat, të gjitha ishin akoma me etiketë, dhe u kam thënë: “Po pse i mbani kot, shtatë pallto, tetë palë këpucë ose gjëra të tjera, mund t'ua jepni njerëzve që janë në nevojë? Kjo vjen nga lakmia, se njeriu nuk ka nevojë për shumë gjëra. Lakmia nuk ngopet asnjëherë. Dhe Zoti pikërisht donte t'i hiqte nga zemra djalit të ri lakminë, që ai të shpëtonte.

Kjo ngjarje, që nuk është thjesht një paravoli apo shëmbëlltyrë, por është një paravoli në veprim, një ngjarje reale, është një këshillë për gjithsecilin nga ne dhe një paralajmërim. Le të mundohemi të kemi sa më shumë thesare në “bankat” qiellore. Siç ua kam përmendur disa herë se sa shumë bëjmë ne për të marrë një pension, që ndoshta e marrim, ndoshta jo. Ndërsa për pensionin e përjetshëm nuk japim gjë. Nëse nuk japim gjë, si do të marrim diçka?! Duke dhënë ne nuk humbasim, por fitojmë. Madje Zoti të jep shumëfishin.

Tregohet një një histori shumë e bukur me shën Ambrozin, episkopin e Milanos në shekullin e katërt, i cili ishte tepër bujar dhe jepte shumë për të varfrit. Një herë një nga patricët e Romës e thërret për t'i dhënë një dhuratë shumë të madhe. Kishte menduar t'i jepte tre mijë monedha të florinjta. Ai u nis së bashku me dhjakun. Rrugës panë një të sëmurë, të varfër, të zhveshur, duke u dridhur nga të ftohtit dhe duke lypur. Shën Ambrozit iu dhimb aq shumë, saqë i tha dhjakut: “Jepja paratë që kemi”. Ata kishin tre monedha të florinjta. Dhjaku i tij, duke menduar se ishte më i mençur se episkopi, tha me vete: “Po i jap dy, le ta kemi një për çdo nevojë që mund të na paraqitet”, dhe i jep dy.

Episkopi nuk e pa se sa i dha. Kur arritën tek patrici, ai pasi i priti, i tha: “Kam vendosur t'ju jap dy mijë florinj” Shën Ambrozi e kuptoi dhe i thotë: “Do të të bëj një pyetje, por dua të më përgjigjesh në mënyrë të sinqertë: kur na thirre, sa kishe ndërmend të na jepje?”. Ai i tha: “Në fakt, në fillim mendova t'ju jap tre mijë, pastaj ndryshova mendje dhe vendosa dy mijë”. Episkopi i shenjtë u kthye nga dhjaku dhe i tha: “E sheh ç'na bëre? Na humbe një mijë florinj!”

Pra, nëse i japim Zotit një, Ai do të na e shpërblejë njëqindfish. Asgjë nuk humbet tek Perëndia. Tek njerëzit mund të humbasim. Prandaj le të mundohemi: çdo gjë që na pengon për të shkuar tek Perëndia le ta heqim, sepse është për të mirën tonë. Edhe nëse kemi vështirësi dhe nuk kemi dëshirën për ta hequr atë, vetëm duke ndjekur këshillën e Zotit, mund të ecim në udhën e Tij dhe mund të krijojmë një thesar në qiell, për të cilin të gjithë ne, kur të paraqitemi para Zotit, do të kemi nevojë. Jeta nuk është shumë e gjatë. Ja, e dëgjojmë shpeshherë: “U largua filani, filanja”, e kështu me radhë. Të gjithë jemi drejt asaj rruge. Le të mundohemi të grumbullojmë thesarin në qiell, që kur të takojmë Zotin, të na thotë: “Ju lumtë, shërbëtorë të mirë dhe besnikë!” Amin.

Katedralja "Ngjallja e Krishtit"

Tiranë, 29 nëntor 2026

Tema e pasurisë dhe e bamirësisë ka qenë e pranishme edhe në predikimet e mëparshme të Kryepiskopit. UGO kishte raportuar pak ditë më parë mbi predikimin e Kryepiskopit Joan për paravolinë e të pasurit të pamend, ku ai u ndal te grumbullimi i pasurisë materiale.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu