Kryepiskopi Joan predikon mbi paravolinë e Samaritanit të Mirë në Tiranë
Në Kishën e Ungjillëzimit, në të Dielën e VIII-të të Llukait, ai theksoi se i afërmi është çdo njeri në nevojë, pavarësisht besimit apo kombësisë.
Kryepiskopi Joan mbajti predikimin e Dielës së VIII-të të Llukait në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë më 15 nëntor 2026, mbi paravolinë e Samaritanit të Mirë (Llukai 10:25–37). Sipas tekstit të predikimit, ai u ndal te pyetja «Kush është i afërmi?» dhe te mësimi i Etërve të Kishës mbi këtë pjesë ungjillore.
Ungjilli i sotëm fillon me një pyetje që një njeri i Ligjit, i cili ishte shkrues i Ligjit dhe kishte njohuri mbi Ligjin e Moisiut, ia bën Zotit. E pyet se çfarë duhet të bëjë që të ketë jetën e përjetshme. Po ai e pyeti për ta ngarë, jo se realisht kishte këtë dëshirë. Duke qenë njeri i Ligjit, e dinte se çfarë duhej të bënte. Por donte që Jisui të thoshte diçka dhe ta akuzonin se kishte prishur Ligjin e Moisiut.
Zoti i përgjigjet dhe i thotë se çfarë thotë Ligji për urdhërimin më të madh. Ai i thotë të duash Zotin me gjithë fuqinë e mendjes sate, të zemrës sate, të shpirtit tënd, të trupit tënd dhe të afërmin si veten tënde. «Bëje këtë», i thotë, «dhe do të shpëtosh». Ai, për ta nxjerrë veten të drejtë, e pyet: «Kush është i afërmi?» Dhe kjo është pikërisht pyetja në Ungjillin e sotëm. Kush është i afërmi?
Zoti i tregon një paravoli që në atë kohë për judenjtë ishte një skandal shumë i madh, me mënyrën si e tregon Zoti. Tregon që një njeri u nis nga Jerusalemi për të shkuar në Jeriko. Jerusalemi është shumë lart, tetëqind metra mbi nivelin e detit, kurse Jerikoja është shumë poshtë. Është një rrugë shumë e vështirë. Edhe sot, kushdo që ka shkuar ndonjëherë në Jerusalem e ka zbritur në Jeriko, e kupton që është një luginë, që kalon në një grykë shumë të fortë. Në atë kohë ishte edhe një vend ku banditët sulmonin. Ajo rrugë quhej rruga e gjakut, se grabisnin.
Në rrugë, thotë, e sulmuan hajdutët, e plaçkitën, e rrahën dhe e lanë gjysmë të vdekur. Aty kaloi, thotë, një prift. E pa, thotë, po iku nga ana tjetër. Pastaj kaloi edhe një levit. Levitët ishin, po t’i krahasojmë me sot, si ata që shërbejnë në kishë. Ishin nga fisi i Levit, sepse Zoti u ndau tokë vetëm njëmbëdhjetë fiseve të Izraelit dhe fisit të Levit nuk i dha tokë. Nuk i dha tokë sepse ata do të shërbenin në kishë. Prandaj edhe ishte ideja e së dhjetës. Që të gjithë do të paguanin një të dhjetën për të mbajtur tempullin. E pa dhe iku nga ana tjetër.
Personazhi i tretë, që ndoshta judenjtë do të prisnin të ishte një jude i devotshëm, ishte një samaritan. Samaritani, thotë, e pa, zbriti nga mushka që kishte, u kujdes për të, ia leu plagën me verë dhe me vaj, e mori, e hipi në mushkë dhe e çoi në një han. I tha të zotit të hanit: «Kujdesu për të dhe çfarë të shpenzosh më tepër, do të ta jap kur të vij». I dha dy dinarë, që në atë kohë ishin një shumë e konsiderueshme. Dhe i thotë: «Kush nga këta ishte i afërmi i këtij?» Ai përgjigjet: «Ai që e ndihmoi». «Edhe ti këtë bëj», i thotë.
Kjo është paravolia që tregon Zoti. Por, nëse ne do të jetonim në atë kohë dhe do të dëgjonim këtë paravoli, do ta shikonim me një sy pak më ndryshe, sepse samaritanët me judenjtë ishin armiq shumë të mëdhenj, armiq fetarë, armiq etnikë dhe në gjithçka tjetër. Ishte një lutje te farisenjtë, që kur ngriheshin në mëngjes, thoshin këto fjalë: «O Zot, mos më lejo të shoh me sy një samaritan». Kishin një armiqësi shumë të madhe.
Samaritanët e kishin devijuar pak zbatimin e Ligjit. Njihnin vetëm Pentateukun, pesë librat që sipas traditës janë të Moisiut. Nuk i njihnin librat e profetëve, nuk e kishin qendrën për t’u lutur në tempullin e Jerusalemit, po e kishin në malin e Gerizimit. Armiqësia ishte shumë e gjatë, prej shekujsh. Njëqind e ca vjet përpara se Jisui të tregonte këtë paravoli, judenjtë kishin shkuar dhe kishin shkatërruar tempullin e Gerizimit. Ndoshta njëzet vjet para se Jisui të tregonte këtë, samaritanët kishin marrë kocka të vdekurish dhe, në përgatitjet e Pashkës, i hodhën te tempulli. Kjo ishte fyerja më e madhe që mund të ndodhte në kuptimin e judenjve, përdhosja më e madhe e tempullit. Kështu që armiqësia ishte e madhe ndërmjet këtyre dy grupeve.
Megjithatë, Zoti zgjodhi si personazh pozitiv një samaritan. Përse e bëri këtë gjë? Pikërisht për të na treguar ne se kush është realisht i afërmi im. I afërmi im është çdo njeri që vuan, çdo njeri që është në nevojë, çfarëdo race, çfarëdo besimi të ketë, nga çfarëdo kombi a etnie të jetë, sepse të gjithë njerëzit janë krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Dhe Krishti, duke qenë Zot, e shikonte këtë gjë. Në çdo person shikonte ikonën. Ndoshta të deformuar, po shikonte ikonën e Perëndisë. Edhe të gjithë shenjtorët që ndriçoheshin nga hiri i Shpirtit të Shenjtë dallonin në çdo njeri ikonën e Perëndisë. Prandaj i donin të gjithë, miq apo armiq, të huaj apo bashkatdhetarë, sepse nuk i ndanin në këtë gjë.
Kisha pikërisht këtë predikon. I afërmi ynë është çdo njeri që ka nevojë, kushdo që të jetë ai. Zoti i prishi kufijtë, i shkatërroi ata kufij që i ndanin kombet nga njëri-tjetri, besimet nga njëri-tjetri. Sepse edhe nëse dikush ka një besim të gabuar, kjo nuk do të thotë që ne nuk do ta duam e nuk do ta ndihmojmë. Ne do të kemi dhembshuri, do ta ndihmojmë. Siç thotë Krishti në Ungjill, Zoti e hedh shiun për të drejtë dhe për të padrejtë. Është i mëshirshëm për të gjithë, kushdo qofshin ata.
Detyra e çdo të krishteri është që t’i dojë të gjithë njerëzit e tjerë. Një i krishterë nuk mund të ketë armiq. Nëse mendon se ka armiq, nuk është i krishterë i vërtetë. Ai mund të mendojë se është i krishterë, por nuk është. Mund të jesh edhe klerik. Nëse ke urrejtje dhe ke armiq, i shikon si armiq, nuk mund të jesh dot i krishterë i vërtetë.
Shën Kirili i Aleksandrisë, duke interpretuar këtë paravoli, thotë kështu: «Titujt nuk të bëjnë besimtar». Ai ishte prift, ai tjetri ishte levit, por nuk e zbatuan Ligjin e Zotit. Dhe ne nuk mund të shpëtojmë dot duke njohur vetëm Ligjin, nëse nuk e zbatojmë. Nuk drejtësohen dëgjuesit e Ligjit, siç shkruan Shën Pavli, po zbatuesit e tij. Samaritani, në këtë rast, e ndihmoi dhe u bë i afërmi i tij.
Shpjegimi i kësaj paravolie është shumë i gjerë. Etërit e Kishës kanë shkruar shumë. Ka zakonisht dy lloje shpjegimi. I pari është shpjegimi alegorik. Ka filluar ndoshta me Origjenin, i cili thotë se këtë shpjegim e kishte dëgjuar nga të krishterët e brezave para tij. Ka vazhduar me Shën Joan Gojartin, me Shën Kirilin e Aleksandrisë, me Shën Ambrozin, me Shën Agustinin, me të gjithë. Ka këtë lloj shpjegimi. Çfarë përfaqësonte Jerusalemi? Jerusalemi, thotë, përfaqësonte qiellin, kur je në kungim me Perëndinë. Dhe zbritja në Jeriko ishte rënia e Adamit, e cila e rrëzoi poshtë. Sulmi i banditëve është sulmi demoniak, gjithë pasionet demoniake që mund të ndodhen në zemrën dhe në shpirtin tonë.
Dhe Samaritani i Mirë ishte Krishti, i cili pati dhembshuri dhe e ndihmoi atë. E leu me vaj edhe me verë, që janë dy pjesë shumë të rëndësishme në gjithë liturgjinë e Kishës Orthodhokse. Vaji përdoret për Vajin e Shenjtë, lyerjen me Vajin e Shenjtë. Vera përdoret në Meshë si Gjaku i Krishtit. Dhe e çoi në një han. Sipas shpjegimit të Etërve të Kishës, hani ishte Kisha, vendi ku njerëzit mund të shërohen. Është ajo që kanë thënë Etërit e Kishës, që Kisha është një spital. Hanxhiu përfaqëson klerin, episkopët, priftërinjtë, njerëzit që shërbejnë në kishë e gjithçka tjetër.
Dy dinarët, sipas Origjenit në fillim, dhe Shën Joan Gojarti mbështetet në këtë, përfaqësonin njohjen e Atit dhe të Birit. Që do të thotë se Krishti i la Kishës njohurinë mbi Atin dhe mbi Birin. I la njohurinë mbi Trininë, për të kuptuar që Perëndia është një qenie hyjnore në tre persona, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Dhe paratë që do t’i jepte më vonë lidhen me ardhjen e dytë të Krishtit. Nëse dikush realisht e ka shpenzuar jetën e tij duke ndihmuar të tjerët, Zoti do t’ia japë njëqindfish. Kështu e shpjegonin Etërit e Kishës këtë gjë, por nuk e ndanin nga shpjegimi etik dhe moral, për të cilin folëm në pjesën e parë, sepse nëpërmjet kësaj paravolie Zoti i drejtohet gjithsecilit nga ne. Kushdo që shikon dikë që ka nevojë, duhet ta ndihmojë.
Shën Joan Gojarti, duke predikuar në një predikim tjetër mbi të varfrit, thotë këtë gjë. Shpesh dëgjon njerëz që shohin ndonjë të varfër rrugës dhe fillojnë të kritikojnë priftërinjtë: «Pse këta nuk i ndihmojnë?» Edhe sot dëgjohet kjo gjë: «Pse Kisha nuk i ndihmon?» Këtë e thonë anëtarët e Kishës, të krishterët. Po kush është Kisha? Kisha nuk janë priftërinjtë, episkopët dhe ata që shërbejnë. Kisha janë të gjithë anëtarët e Kishës. Që do të thotë, kushdo që është i pagëzuar në emrin e Trinisë së Shenjtë, në emrin e Krishtit, është anëtar i Kishës dhe ka një përgjegjësi për çdo njeri. Shën Joan Gojarti thotë: «Ndihmoje ti që e ke parë. Pse nuk e ndihmon?»
Sepse dhembshuria, dashuria e vërtetë, nuk është thjesht një ndjenjë. E kemi dëgjuar një thënie të tillë: «Pashë dikë», ose një ngjarje, ose një person, «dhe më erdhi aq keq, sa më erdhi për të qarë». Po të pyesim: «Dakord, po çfarë bëre?» Asgjë nuk kanë bërë. Kështu që dashuria e vërtetë nuk është vetëm ndjenjë, është veprim. Nëse ne nuk veprojmë, do të thotë se nuk kemi dashuri të fortë. Prindërve nuk u vjen thjesht keq për fëmijët, po përpiqen me gjithë shpirt për t’i ndihmuar me gjithçka, sepse i duan. Ne nuk përpiqemi, sepse dashuria është e vakët. Dhe dashuria e vakët nuk na ndihmon as ne, as njerëzit rrotull nesh.
Prandaj paravolia e sotme është një thirrje shumë e madhe për gjithsecilin nga ne. Nëse ne nuk e shohim çdo njeri, kushdo qoftë ai, sado që mund të na shikojë me përbuzje a me gjëra të tjera, do të thotë se nuk e kemi kuptuar realisht veten tonë dhe mësimin e Krishtit. Mësimi i Krishtit është pikërisht kjo gjë, që çdo njeri ka një dinjitet, një dinjitet që nuk ia japim ne. Nuk i bëjmë ne ndonjë privilegj. Është një dinjitet që ia ka dhënë vetë Perëndia, përderisa e ka krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Njeriu tjetër është i afërmi, sikundër Perëndia, sepse në çdo njeri ndodhet ikona e Perëndisë.
Nëse do ta kemi këtë parasysh, pa dyshim që do t’i ndihmojmë njerëzit e tjerë, me sa mundemi t’i ndihmojmë. Sepse nëse ne nuk i ndihmojmë njerëzit, nuk e duam as Perëndinë. Është e pamundur që njeriu ta dojë Perëndinë e të mos i dojë njerëzit e tjerë. Prandaj, i njëjti shenjt që citojmë shpeshherë, Shën Joan Gojarti, që ishte një predikues i mrekullueshëm dhe i frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, thoshte këto fjalë: «Nëse ti nuk e gjen Krishtin te lypësi, në derë të kishës, nuk do ta gjesh te Kungata». Çfarë donte të thoshte me këtë gjë? Krishtin e gjejmë gjithmonë, sa herë ndihmojmë një njeri në nevojë.
Mund t’i ndjekim gjithë ritet kishtare nga brenda. Nëse nuk do të kemi dashurinë në shpirt, nuk vlejnë për asgjë. Kujtoni himnin e famshëm të Shën Pavlit te Letra drejtuar Korinthianëve, mbi dashurinë. Ai thotë: «Le të jem çfarëdo lloj gjëje, nëse s’do të kem dashuri, unë s’kam asnjë vlerë». Le t’i mbajmë këto fjalë në zemrën tonë e le t’i praktikojmë, sepse Krishti nuk erdhi thjesht për të mësuar një ligj. Erdhi për të ndryshuar rrënjësisht natyrën tonë të shtrembëruar. Dhe mësimi na ndihmon. Krishti na jep hir për t’u pastruar e për të ndryshuar natyrën tonë.
Nëse ndryshojmë natyrën tonë, pa dyshim do të kemi fuqi për të ndryshuar ndoshta edhe njerëz të tjerë. Sepse të gjithë njerëzit mendojnë të ndryshojnë botën, por asnjë nuk mendon të ndryshojë veten e tij. Po si do të ndryshojë bota, nëse ne nuk ndryshojmë? Po ata njerëz do të jemi! Prandaj edhe Krishti erdhi për të bërë gjënë më të rëndësishme, për të ndryshuar natyrën tonë e për ta restauruar përsëri. Le të përpiqemi ta përjetojmë çdo ditë të jetës sonë mësimin e Zotit, sepse ai do të na ndriçojë ne, do të ndriçojë edhe njerëzit që janë rrotull nesh. Amin.
UGO kishte raportuar edhe për predikimin e Kryepiskopit Joan mbi bindjen dhe Ungjillin e Llukait.

