Mitropoliti Anastas flet për udhëtimin me Krishtin te kampet e Kishës

2826
15:46
6
Mitropoliti i Korçës Anastasi gjatë bisedës me të rinjtë. Foto shkëputur nga video. Mitropoliti i Korçës Anastasi gjatë bisedës me të rinjtë. Foto shkëputur nga video.

Hirësia e Tij lidhi temën e kampit "Udhëtojmë me Krishtin" me rrugëtimin e nxënësve drejt Emausit, duke theksuar rëndësinë e besimit dhe bashkësisë kishtare.

Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Imzot Anastasi, u foli pjesëmarrësve të kampeve të Kishës për rëndësinë e udhëtimit shpirtëror me Krishtin, duke theksuar se kampet nuk janë vetëm vende çlodhjeje dhe argëtimi, por hapësira ku të rinjtë mësojnë të jetojnë me Zotin dhe me njëri-tjetrin. Duke iu drejtuar të rinjve dhe drejtuesve të kampeve, Hirësia e Tij shprehu gëzimin për praninë e tyre dhe kujtoi rëndësinë që kampet kishtare kanë pasur për shumë vite në jetën e Kishës. "Gjithçka që bënim gjatë gjithë vitit kurorëzohej me organizimin dhe mbarëvajtjen e kampeve", tha Mitropoliti Anastas. Ai vuri në dukje se sot organizohen edhe kampe të tjera nga grupe ose biznese private, por kampet e Kishës kanë një karakter të veçantë. Qëllimi i tyre nuk është vetëm largimi nga lodhja e përditshme, nga qyteti apo nga vapa e verës. "Qëllimi i kampeve është të na fusin në një realitet tjetër, në realitetin e Kishës; të mësojmë rreth besimit dhe si të jetojmë me Krishtin dhe me njëri-tjetrin", theksoi ai. Mitropoliti kujtoi se Kryepiskopi Anastas i kushtoi rëndësi të veçantë kësaj vepre që në fillimet e ringritjes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Kampi i parë u organizua në vitin 1995, ndërsa edhe sot, nën drejtimin e Kryepiskopit Joan, Kisha vazhdon përpjekjen për t'u dhënë kampeve të njëjtën rëndësi. Sipas tij, në vitet e para vështirësitë kryesore lidheshin me infrastrukturën, financat dhe organizimin praktik. Sot sfida është e ndryshme, pasi të rinjtë kanë shumë mundësi të tjera argëtimi dhe çlodhjeje. Pikërisht për këtë arsye, ekzistenca e kampeve kishtare bëhet edhe më e rëndësishme.

Udhëtimi drejt Emausit

Duke komentuar temën e kampit, "Udhëtojmë me Krishtin", Mitropoliti Anastas e lidhi atë me pjesën ungjillore të dy nxënësve që shkonin drejt Emausit. Ndonëse ata e njihnin destinacionin gjeografik, brenda tyre ishin të trazuar, me dilema dhe pikëpyetje. Kryqëzimi dhe vdekja e Zotit kishin lënë në ta një boshllëk të madh. Ata kishin dëgjuar lajmin e Ngjalljes, por ende nuk ishin bindur plotësisht. "Pikërisht në atë moment shfaqet Krishti. Veçantia e udhëtimit tonë brenda Kishës është se nuk udhëtojmë vetëm. Udhëtojmë me Krishtin, i cili është njëkohësisht bashkudhëtari dhe destinacioni ynë", tha Hirësia e Tij. Shpesh, shtoi ai, njeriu udhëton me Krishtin pa e kuptuar se Ai është pranë tij. Duke iu referuar Shën Grigor Theologut, Mitropoliti tha se Zoti është më pranë njeriut sesa vetë frymëmarrja e tij, por ne nuk arrijmë gjithmonë ta dallojmë praninë e Tij.

Zoti është i pranishëm edhe në stuhi

Mitropoliti solli edhe shembullin e nxënësve në varkë gjatë stuhisë. Krishti ishte me ta, por ata u përqendruan më shumë te dallgët dhe rreziku sesa te prania e Zotit. "Varka nuk rrezikonte të mbytej nga mungesa e Zotit, sepse Zoti ishte aty. Rrezikonte nga mungesa e besimit që nxënësit po tregonin në atë çast", u shpreh ai. Kjo përvojë, sipas Mitropolitit, i kujton besimtarit se udhëtimi me Krishtin nuk është pa vështirësi. Zoti nuk premtoi një jetë pa kryqe, por Ai e shndërroi Kryqin nga mjet vuajtjeje dhe vdekjeje në shenjë paqeje, triumfi dhe jete. "Çfarëdo që prek Zoti, e ndryshon", theksoi Hirësia e Tij.

Një udhëtim ndryshimi

Udhëtimi me Krishtin nuk ka kuptim, nëse nuk bëhet një udhëtim ndryshimi. Nxënësit e Emausit u nisën me dhimbje, por prania e Zotit i mbushi me gëzim. U nisën me dyshim, por u mbushën me shpresë. U larguan nga Jerusalemi të dëshpëruar, por u kthyen për të shpallur Ngjalljen. "Ky është kuptimi i rrugëtimit tonë me Zotin: të ndryshojë jeta jonë dhe vullneti ynë të njësohet, aq sa mundemi, me vullnetin e Perëndisë", tha Mitropoliti Anastas. Ai kujtoi fjalët e Krishtit se të afërmit e Tij janë ata që dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë atë. Prania e Zotit ka pikërisht këtë qëllim: ta ndryshojë njeriun nga brenda.

Krishti na shoqëron, na ndryshon dhe na ushqen

Nxënësit e njohën Krishtin gjatë thyerjes së bukës. Sipas Mitropolitit, kjo ngjarje i referohet Eukaristisë dhe tregon se në udhëtimin tonë Zoti jo vetëm na shoqëron dhe na ndryshon, por edhe na ushqen. Në Liturgjinë Hyjnore, besimtarët mblidhen rreth Qengjit të Perëndisë, i cili u kryqëzua, dha jetën dhe mundi vdekjen për shpëtimin e botës. "Duke u kunguar me Të, ushqehemi që të vazhdojmë udhëtimin drejt të cilit jemi nisur me Zotin", tha ai.

Nuk udhëtojmë vetëm

Një tjetër tipar i udhëtimit të krishterë është bashkësia. Njeriu nuk udhëton vetëm me Zotin, por së bashku me njerëzit e tjerë brenda Kishës. "Kisha është bashkësia e njerëzve që përpiqen për shpëtimin. Në këtë udhëtim kemi bindjen se nuk jemi vetëm, por jemi të gjithë së bashku", theksoi Mitropoliti i Korçës. Në përfundim, Hirësia e Tij u kujtoi pjesëmarrësve se fundi i jetës tokësore nuk është fundi i udhëtimit të njeriut. Për atë që ecën me Krishtin, vdekja bëhet hyrje në shtëpinë e Atit. "Ai që na shoqëroi, na dha besim, na ushqeu dhe na ndryshoi, na pret edhe në fund të këtij udhëtimi", tha Mitropoliti Anastas. Duke përmbledhur mesazhin, ai e paraqiti udhëtimin e nxënësve drejt Emausit si simbol të jetës së çdo besimtari: një kalim nga frika në guxim, nga dyshimi në bindje dhe nga trishtimi i Kryqit në gëzimin e shpalljes së Ngjalljes.

Burimi: Radio Ngjallja, Trankriptimi UGO.AL

Video: Fjala e Mitropolitit të Korçës, Hirësisë së Tij Imzot Anastas, drejtuar pjesëmarrësve të kampeve të Kishës.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu