Katekisti fiton autoritetin me vetëpërmbajtje dhe respekt në grupin e fëmijëve
Udhëzime pedagogjike për drejtimin e fëmijëve në katekizëm me qetësi, drejtësi dhe dashuri
Në katekizëm nuk shkon rastësisht, as thjesht për të luajtur me fëmijët, për t’u bërë shoqëri ose për t’i ndihmuar disi. Atje të thërret Zoti, që të frymëzosh dhe të përcjellësh frymë. Nga ti presin përgjigje për shumë çështje. Këtë duhet ta kesh gjithmonë në mendje.
Për të drejtuar një grup katekizmi, krahas të tjerave, duhet të mësosh të kesh autoritet. Si katekist, për shkak të shërbesës sate, ke njëfarë peshe. Por këtë autoritet duhet ta fitosh. Nëse nuk tregohesh i aftë për këtë, vetë pozicioni nuk mjafton për ta ruajtur atë. Fëmijët kërkojnë që katekisti të ketë autoritet.
Autoriteti i katekistit mbështetet para së gjithash në personalitetin e tij. Sa më shumë njeriu sundon veten, sa më me besim i jepet veprës së tij dhe sa më thellë e sinqerisht i do ata që i janë besuar për t’i drejtuar, aq më shumë rritet autoriteti i tij.
Nëse dëshironi që fëmijët t’ju respektojnë, respektoni së pari veten tuaj. Mos përdorni fjalë të pahijshme dhe mos lejoni shaka të dyshimta.
Autoriteti i katekistit rritet edhe kur ai i respekton fëmijët. Ai nuk ka përpara sende pa shpirt, por shpirtra të pavdekshëm, të cilët duhet t’i respektojë. Mirësjellja, dashamirësia dhe gatishmëria për t’u qëndruar pranë fëmijëve ia forcojnë autoritetin.
Katekisti duhet të zbresë në nivelin e fëmijëve, por njëkohësisht të ruajë edhe njëfarë distance. Ky bashkim është i vështirë, por i domosdoshëm, nëse dëshiron të qëndrojë gjithmonë në lartësinë e duhur në katekizmin e tij.
Autoriteti lidhet drejtpërdrejt me frymën e disiplinës. Por edhe disiplina ka një teknikë. Para së gjithash, duhet të dimë se kur fëmijët nuk binden, zakonisht përgjegjësia rëndon edhe mbi katekistin.
Urdhrat
Kur jepni një porosi, thuajeni seriozisht dhe me qëndrueshmëri, por pa u bërë të ashpër ose të pakëndshëm.
Fëmijët duhet ta kuptojnë se ju prisni bindje.
Mos jepni urdhra me ton lutës. Nuk po lypni bindjen.
Jepni porosi të qarta dhe konkrete.
Sigurohuni se fëmijët i kanë kuptuar dhe se kanë mundësi t’i zbatojnë.
Jepni gjithmonë porosi pozitive, jo negative. Për shembull, në vend që të thoni: “Mos bëni hile”, thoni: “Luani ndershëm”.
Fjala “jo” nuk është gjithmonë pedagogjike. Propozoni diçka tjetër, gjeni një rrugë tjetër.
Mos jepni porosi me zemërim ose nga kapriçoja.
Mos pranoni që urdhrat tuaj të diskutohen publikisht.
Kur jepni një porosi, shpjegoni më parë arsyen pse kërkoni diçka.
Mos kërcënoni me ndëshkime që nuk do t’i zbatoni.
Vërejtjet
Katekisti nuk bën vërejtje për çdo gjë. Ai vëren sjelljen e çdo fëmije dhe përpiqet të kuptojë pse vepron ashtu.
Në fillim, vërejtjet bëhen me një shikim ose me një shenjë. Nëse fëmija ka ndjenjë nderi dhe prirje të mirë, kjo mund të mjaftojë që të kthehet në sjelljen e duhur.
Më pas, vërejtjet bëhen pothuajse me pëshpëritje. Edhe në çaste të vështira, toni i vërejtjes nuk duhet të jetë më i lartë se zëri i fëmijëve.
Nëse fëmija këmbëngul, katekisti e merr veçmas në një çast kur ai është i qetë, jo në momentin kur gabon, dhe ia shpjegon dëmin që sjell sjellja e tij për veten dhe për grupin.
Katekisti duhet të përpiqet ta prekë ndërgjegjen e fëmijës, jo ta kërcënojë duke kërkuar menjëherë korrigjim. Ai duhet t’i tregojë se pret shumë prej tij dhe se nuk dëshiron të zhgënjehet.
Nëse gjërat mbeten të pandryshuara, mund të bëhet edhe qortim publik, më i butë ose më i rreptë sipas rastit, gjithmonë me qetësi, pa britma dhe pa zemërim.
Nëse të gjitha këto mjete shterojnë, atëherë katekisti mund të kalojë te masat ndëshkuese, pasi të këshillohet më parë me katekistë më të vjetër ose me përgjegjësin e katekizmave.
Masat ndëshkuese
Si katekist, ndonjëherë mund të të duhet të vendosësh një masë ndëshkuese. Edhe kjo është një detyrë që buron nga përgjegjësia jote. Është detyrë e vështirë, por ndonjëherë e domosdoshme.
Mos e përdor ndëshkimin si zgjidhjen më të lehtë. Përpiqu ta shmangësh.
Sigurohu mirë për atë që ka ndodhur. Mos ndëshko pa qenë i bindur për faktet.
Ndëshko me qetësi dhe në kohën e përshtatshme. Mos jep përshtypjen se ndëshkon me zemërim, por me dhimbje. Fëmija duhet ta ndiejë se masa merret me keqardhje, sepse sjellja e tij dëmton të mirën e vet dhe të grupit.
Kur vendos një masë, shpjego më parë arsyen. Ndjenja e drejtësisë është shumë e zhvilluar te fëmijët.
Mos kërcëno kurrë me masa që nuk do t’i zbatosh dhe mos vendos masa të pamundura.
Mos vendos masa antipedagogjike.
Mos e anulo një masë të vendosur drejtësisht, sepse kjo tregon dobësi.
Masa duhet të jetë gjithmonë në përpjesëtim me gabimin, me moshën e fëmijës, me karakterin e tij dhe me rrethanat në të cilat ndodhi gabimi. Një pakujdesi nuk është e njëjtë me një veprim të keq me dashje.
Masat duhet të jenë të dobishme dhe mësuese. Për shembull, në një kamp, nëse një fëmijë nuk del nga deti kur i kërkohet, masa mund të jetë privimi nga larja e radhës.
Nëse një fëmijë, kur ndëshkohet, përgjigjet: “Nuk më bën përshtypje”, mos u përplas me të. Thuaji qetësisht: “Qëllimi im nuk është të të mërzis, por të të jap mundësi të mendosh, të qetësohesh dhe të mos bëhesh pengesë për të tjerët”.
Mos i lini bashkë fëmijët më të vështirë, sepse bashkimi jep forcë, si për të mirën, ashtu edhe për të keqen.
Kur jeni të sigurt se keni të bëni me një fëmijë që nuk pranon të korrigjohet, mund të kaloni te masa më të vendosura, derisa të përmirësohet ose të largohet.
Në fund, nëse gjërat tregojnë se fëmija nuk dëshiron të korrigjohet dhe këmbëngul në rrugën e keqe, mund të mendohet edhe largimi i tij. Tolerimi i një sjelljeje të pandreqshme nuk u sjell dobi fëmijëve të tjerë. Përkundrazi, mund të nxisë edhe të tjerë dhe të forcojë sjelljen e gabuar, nëse shihet si dobësi e përgjegjësit.
E vetmja gjë që duhet pasur kujdes është që katekisti të ketë ndërgjegjen e qetë se janë shteruar të gjitha mjetet për përmirësimin e fëmijës. Atëherë, pasi të këshillohet me përgjegjësin, mund të kalojë te masa e fundit.
Përshtatur nga një fragment i “Doracakut të drejtuesve të grupeve” të “Luftëtarëve të Gëzuar”, vëll. I, fq. 243-248.