Këshillat e Shën Grigorit Teologut për një grua të sapomartuar

2826
08:00
6
Foto krijuar me IA nga UGO Foto krijuar me IA nga UGO

Letra shpirtërore që Shën Grigori i dërgoi bijës së tij Olimpiadës si dhuratë martese

Shën Grigor Teologu i dërgoi njërës prej bijave të tij shpirtërore, Olimpiadës, letrën e mëposhtme si «dhuratë» për martesën që sapo kishte kurorëzuar. Kjo letër përmban një thellësi teologjike dhe psikologjike. Mbi të gjitha, ajo i jep bashkëshortes këshilla të çmuara për një martesë të suksesshme.

Ai shkruan:

«Bija ime, me rastin e martesës sate, unë, ati yt shpirtëror, Grigori, të dhuroj këtë poemë. Nuk ka gjë më të mirë se këshilla e një ati. Dëgjo, pra, Olimpiada ime:

  1. E di se dëshiron të jesh një e krishterë e vërtetë. Por një e krishterë e vërtetë duhet jo vetëm të jetë e tillë, por edhe të duket. Prandaj, të lutem, kujdesu për pamjen tënde të jashtme. Ji e thjeshtë. Ari i stolisur me gurë të çmuar nuk i zbukuron gratë si ty; aq më pak grimi. Nuk i ka hije fytyrës sate, që është shëmbëlltyra e Perëndisë, ta shtrembërosh dhe ta ndryshosh vetëm e vetëm që t’u pëlqesh të tjerëve. Dije se kjo është kotësi dhe mbetu e thjeshtë në paraqitjen tënde. Rrobat e kushtueshme dhe luksoze le t’i veshin ato gra që nuk dëshirojnë një jetë më të lartë dhe që nuk e dinë se çfarë do të thotë rrezatim shpirtëror. Ti, përkundrazi, ke vendosur në jetën tënde synime të mëdha dhe të larta. Këto synime kërkojnë tërë kujdesin dhe vëmendjen tënde.
  1. Në martesë, dhembshuria dhe dashuria jote për atë që të dha Perëndia le të jenë të zjarrta dhe të pandryshuara. Për atë që u bë syri i jetës sate dhe ta gëzon zemrën. Nëse kupton se bashkëshorti yt të do më shumë sesa e do ti, mos u përpiq të fitosh epërsi mbi të, por ruaje gjithmonë vendin që të cakton Ungjilli.
  1. Dije se je grua dhe ke një mision të madh, por të ndryshëm nga ai i burrit, i cili duhet të jetë kreu. Lëre mënjanë barazinë e pamend të dy gjinive dhe përpiqu të kuptosh detyrat e martesës. Duke i zbatuar ato, do të shohësh se sa qëndrueshmëri nevojitet për t’i përmbushur siç duhet, por edhe sa fuqi fshihet në gjininë e dobët.
  1. Duhet ta dish se sa lehtë zemërohen burrat. Ata janë të papërmbajtur dhe u ngjajnë luanëve. Në këtë pikë, gruaja duhet të jetë më e fortë dhe më e lartë. Ajo duhet të luajë rolin e zbutësit të egërsirave. Çfarë bën zbutësi kur egërsira ulërin? Ai bëhet edhe më i qetë dhe, me mirësi, ia fashit zemërimin. I flet ëmbël dhe butë, e përkëdhel, kujdeset për të dhe e përkëdhel përsëri; kështu e qetëson.
  1. Mos e akuzo dhe mos e qorto kurrë bashkëshortin tënd për diçka që e ka bërë gabim. Mos e qorto as për mosveprimin e tij, edhe nëse përfundimi nuk është ai që dëshiroje ti. Sepse djalli është ai që pengon njëzëshmërinë e bashkëshortëve.
  1. Gjithçka ta keni të përbashkët, si gëzimet, ashtu edhe hidhërimet, sepse martesa i bëri të përbashkëta të gjitha gjërat tuaja. Edhe përkujdesjet t’i keni të përbashkëta, sepse kështu shtëpia do të qëndrojë e fortë. Jep ndihmesën tënde duke shprehur mendimin tënd, por vendimin le ta marrë bashkëshorti.
  1. Kur ta shohësh të trishtuar, bëhu pjesëtare e trishtimit të tij në atë çast, sepse në hidhërim është ngushëllim i madh kur miqtë e ndajnë dhimbjen me ne. Por fytyra jote le të kthjellohet menjëherë dhe ji e qetë, pa ankth. Gruaja është limani pa dallgë për bashkëshortin e përplasur nga stuhitë.
  1. Dije se prania jote në shtëpi është e pazëvendësueshme. Prandaj, duhet ta duash shtëpinë bashkë me të gjitha përkujdesjet e jetës familjare. Shikoje atë si mbretërinë tënde dhe mos e kalo shpesh pragun e saj. Punët jashtë shtëpisë lërja bashkëshortit.
  1. Ki kujdes shoqërinë që mban. Ki kujdes edhe tubimet ku merr pjesë. Mos shko në tubime të pahijshme, sepse ato përbëjnë një rrezik të madh për dëlirësinë tënde. Shoqëri të tilla ua heqin turpin edhe grave të turpshme; afrojnë shikimin me shikimin dhe, kur turpi largohet, lindin të gjitha të këqijat më të liga: «Kur turpi largohet, lindin të gjitha të këqijat». Kërkoji, megjithatë, tubimet serioze me miq të matur, që ndonjë fjalë e mirë të ngulitet në mendjen tënde, që të heqësh ndonjë të metë ose të kultivosh lidhjet e tua me shpirtra të zgjedhur. Mos u shoqëro pa dallim me këdo, por me të afërmit e tu të matur, me priftërinjtë dhe me të rinj ose të moshuar seriozë. Mos u shoqëro me gra mendjemëdha, të cilat e kanë mendjen vetëm te paraqitja e jashtme dhe te dëshira për t’u dukur. Mos shoqëro në shtëpi as burra të përshpirtshëm, të cilët bashkëshorti yt nuk dëshiron t’i presë, edhe nëse ti i vlerëson shumë. A ka për ty diçka më të çmuar se bashkëshorti yt i mirë, të cilin e do aq shumë?»

Nga libri «Martesa – Palestër shpirtërore», Arkimandrit Vasil P. Bakojanis, Botimet Nektarios Panagopoulos. Përktheu: UGO.AL

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu