Oshënare Ipomonia, perandoresha që zgjodhi përulësinë
E njohur në botë si Eleni Dragashi, nëna e perandorit të fundit bizantin e mbylli jetën si murgeshë, me emrin Ipomoni.
Oshënare Ipomonia njihet si një nga figurat më të veçanta të fundit të Perandorisë Bizantine. Para se të bëhej murgeshë, ajo quhej Eleni Dragashi dhe konsiderohet perandoresha e fundit e Bizantit.
Ajo lindi rreth vitit 1390 dhe ishte vajza e sundimtarit të Maqedonisë Verilindore, Kostandin Dragashit. Më vonë u martua me perandorin Manuel II Paleologu dhe u bë nënë e një familjeje të madhe.
Historianët e përshkruajnë si nënë të bekuar me shumë fëmijë. Ajo pati tetë fëmijë, ndër të cilët Joan VIII Paleologu, perandor i Bizantit në vitet 1425–1448, dhe Kostandini XI Paleologu, perandori i fundit i Bizantit, i cili ra duke luftuar më 29 maj 1453, ditën e zezë të rënies së Konstandinopojës.
Emri i saj, Eleni, të kujton edhe nënën e Shën Kostandinit të Madh, Shën Elenën. Në mënyrë domethënëse, Konstandinopoja u themelua nga Kostandini, biri i Elenës, dhe ra me Kostandinin XI, gjithashtu bir i Elenës.
E gjithë jeta e Oshënare Ipomonisë ishte jetë shenjtërie, përpjekjeje, durimi dhe qëndrese shpirtërore. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, në vitin 1425, ajo u bë murgeshë dhe mori emrin Ipomoni, që do të thotë “durim”.
Edhe gjatë jetës si perandoreshë, bashkëshorte dhe nënë, ajo nuk e la pas dore veprën e dashurisë ndaj të tjerëve. Ajo u dallua për filantropi dhe përkujdesje ndaj njerëzve në nevojë.
Në manastirin ku ruhej lipsani i shenjtë i Oshënar Patapit, ajo themeloi dhe mbështeti një azil për të moshuarit, i njohur me emrin “Streha e Shpresës së të Pashpresëve”. Kjo vepër tregon se për të pushteti nuk ishte privilegj, por përgjegjësi dhe shërbim.
Edhe rrethi i saj familjar u lidh thellë me jetën monastike. Bashkëshorti i saj, Manueli, hoqi dorë nga froni dhe e mbylli jetën si murg. Edhe vjehrra, kunata dhe disa nga djemtë e saj, Teodhori, Androniku dhe Dhimitri, përfunduan jetën në monakizëm. Po ashtu, mbesa e saj Eleni, vajza e të birit Thoma, u bë murgeshë në Lefkadhë me emrin Ipomoni.
Oshënare Ipomonia jetoi si murgeshë rreth 25 vjet pas fjetjes së bashkëshortit të saj. Ajo fjeti në Zotin në vitin 1450, vetëm pak vite para rënies së Konstandinopojës.
Ajo monakoi në Manastirin e Zonjës Marta, i cili pas rënies së qytetit u shkatërrua, si shumë manastire dhe kisha të tjera të Bizantit.
Sot kujtimi i saj ruhet me nderim në Kishë. Ikona e saj gjendet në Manastirin e Oshënar Patapit në Lutraki të Korinthit.
Jeta e Oshënare Ipomonisë na kujton se shenjtëria nuk varet nga vendi që zë njeriu në shoqëri. Ajo ishte perandoreshë, nënë dhe më pas murgeshë, por në çdo gjendje mbeti besnike ndaj Krishtit. Emri i saj, Ipomoni, përmbledh gjithë jetën e saj: durim, përulësi, shërbim dhe shpresë në Perëndinë.