Këshilla të Shën Grigor Teologut për një vajzë të sapomartuar

2826
10:53
Fotografia Ilustruese është ndërtuar me ndihmën e IA dhe është pronë e UGO Fotografia Ilustruese është ndërtuar me ndihmën e IA dhe është pronë e UGO

Një letër shpirtërore për jetën martesore, ku theksohen thjeshtësia, dashuria, durimi, përulësia dhe uniteti i bashkëshortëve.

Shën Grigor Teologu i dërgoi njërës prej vajzave të tij shpirtërore, Olimbiadës, një letër me rastin e martesës së saj. Ai e quajti këtë letër një “dhuratë” shpirtërore për fillimin e jetës së saj bashkëshortore.

Teksti ka thellësi teologjike dhe psikologjike. Mbi të gjitha, ai i jep bashkëshortes këshilla të çmuara për një martesë të bekuar, të qëndrueshme dhe të mbështetur në besim.

Shën Grigor Teologu shkruan:

“Vajza ime, për martesën tënde, unë, ati yt shpirtëror Grigor, po të bëj dhuratë këtë shkrim. Ta dish se është një nga këshillat më të mira që mund të japë një atë.

Dëgjo tani, Olimbiadha ime:

1. E di se dëshiron të jesh një e krishterë e vërtetë. Por një e krishterë e vërtetë nuk mund të jetë vetëm me emër; duhet të duket edhe në mënyrën e jetës. Prandaj të lutem të kesh kujdes për pamjen tënde të jashtme. Ajo duhet të jetë e thjeshtë.

Floriri i lidhur me gurë të çmuar nuk zbukuron gra si ti. Aq më tepër zbukurimet e tepërta dhe lyerjet. Nuk i ka hije fytyrës sate, ikonës së Perëndisë, që ta ndryshosh dhe ta shpërfytyrosh vetëm për t’u pëlqyer të tjerëve. Ta dish se kjo është vetëpëlqim. Qëndro e thjeshtë në pamjen tënde të jashtme.

Veshjet e rënda dhe luksoze le t’i mbajnë ato që nuk kërkojnë një jetë më të lartë dhe që nuk e dinë se çfarë do të thotë ndriçim shpirtëror. Ti ke vendosur qëllime të mëdha dhe të larta në jetën tënde. Këto qëllime kërkojnë prej teje gjithë kujdesin dhe përkushtimin.

2. Pas martesës, ngrohtësia dhe dashuria jote le të jenë të zjarrta dhe të pandërprera për atë që ta dha Perëndia; për atë që u bë syri i jetës sate dhe gëzimi i zemrës sate. Nëse kupton se burri yt të do më shumë se sa e do ti, mos u përpiq të përfitosh nga kjo, por ruaje gjithmonë vendin që të ka caktuar Ungjilli.

3. Ta dish se je grua dhe ke një mision të lartë, por të ndryshëm nga ai i burrit, i cili duhet të jetë koka e familjes. Lëre barazinë e cekët dhe të paditur të dy gjinive dhe përpiqu të kuptosh detyrat e martesës.

Kur t’i vësh në praktikë këto detyra, do të shohësh se sa durim kërkohet për t’iu përgjigjur siç duhet, por edhe sa fuqi fshihet në atë që bota e quan “gjinia e dobët”.

4. Duhet ta dish se burrat zemërohen lehtë. Shpesh janë të papërmbajtshëm dhe u ngjajnë luanëve. Në këtë pikë gruaja duhet të jetë më e fortë dhe më e madhe. Ajo duhet të luajë rolin e atij që zbut egërsirat.

Çfarë bën zbutësi i egërsirave kur përballet me një kafshë që ulërin? Qëndron më i qetë dhe me mirësi ia zbut tërbimin. I flet butë dhe ëmbël, e përkëdhel, kujdeset për të dhe përsëri e përkëdhel. Në këtë mënyrë e qetëson.

5. Kurrë mos e akuzo burrin tënd për diçka që bëri gabim. Mos e fyej as burrërinë e tij, edhe nëse rezultati nuk ishte ai që dëshiroje ti. Sepse djalli është ai që hyn si pengesë në unitetin e bashkëshortëve.

6. Të keni të përbashkëta gjithçka: si gëzimet, ashtu edhe hidhërimet. Martesa juaj i bëri të gjitha të përbashkëta. Të përbashkëta të jenë edhe përkujdesjet, sepse kështu forcohet shtëpia.

Merr pjesë, ofro ndihmën tënde, shprehe mendimin tënd, por lejo që burri të marrë vendimin përfundimtar.

7. Kur e sheh të mërzitur, ndaje mërzitjen e tij në atë çast. Sepse në kohë hidhërimi, keqardhja e miqve është një ngushëllim i madh. Por menjëherë le të ndriçojë fytyra jote dhe të jesh e qetë në ankthin e tij. Gruaja është porti pa dallgë për burrin e rrahur nga stuhitë e detit.

8. Ta dish se prania jote në shtëpi është e pazëvendësueshme. Prandaj duhet ta duash shtëpinë me gjithë përkujdesjet e saj. Shihe atë si mbretërinë tënde dhe mos dil shpesh nga dera e saj. Punët e jashtme lëri për burrin.

9. Ki kujdes shoqëritë e tua. Ki kujdes daljet e tua, sepse ato mund të bëhen rrezik i madh për pastërtinë tënde. Marrëdhënie të tilla e largojnë turpin; pastaj, nga shikimet e turpshme, bashkohen sy me sy dhe më pas lindin të këqija më të mëdha.

Por daljet serioze me miq të matur kërkoji, që në mendjen tënde të mbetet ndonjë fjalë e mirë, të ndërpresësh ndonjë ves, ose të përpunosh marrëdhëniet e tua me shpirtra të zgjedhur.

Mos u shfaq papritur te kushdo, por vetëm te të afërmit e tu të matur, te klerikët dhe te njerëzit seriozë, të rinj apo të moshuar. Mos u shoqëro me gra mendjelehta, që e kanë mendjen vetëm te pamja e jashtme dhe dëshira për t’u dukur. Mos u shoqëro as me burra të pabesë, të cilët burri yt nuk i do në shtëpi, edhe nëse ti i çmon shumë.

A ka për ty diçka më të shtrenjtë se burri yt i mirë, të cilin e do kaq shumë?”

Burimi: Nga libri Martesa – Palestra Shpirtërore, Arkimandrit Vasil P. Bakojani, Botimet “Nektar Panagopulo”. Përktheu: UGO

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu