Jorgos Seferis kritikon partitë: mesazhi aktual edhe për Shqipërinë

Letërsia greke ka dhënë një nga zërat më të qartë kritikë ndaj politikës partiake edhe te Jorgos Seferis, poet i nderuar me çmimin Nobel për Letërsi. Sipas vëllimit të dytë të «Eseve» të tij — «Δοκιμές Β΄ (1948–1971)» — poeti kritikon ashpër gjendjen politike në Greqi përpara diktaturës së vitit 1967, veçanërisht në shkrimin e njohur si «Biseda me Fabrikion».

Pavarësisht se këto rreshta u shkruan posaçërisht për realitetin grek të asaj kohe, vërejtjet e Seferit mbi atë që ai vetë i quan «simptomat tona partiake» kanë vlerë edhe për Shqipërinë dhe për vende të tjera, sepse fenomeni mbetet i njëjtë. Kjo vlen aq më shumë këto ditë, kur situata politike shqiptare përjeton dukuri shumë të ngjashme me ato që poeti përshkruan për Greqinë e para gjysmë shekulli.

Për këtë temë Jeta e Episkopit Kozma Qirjo, prift i fshehtë në vitet e diktaturës
Prifti i Bestrovës shërbeu fshehurazi nën komunizëm dhe pagëzoi të riun që sot është Kryepiskopi Joan i Shqipërisë.

Duke i konsideruar aktuale mendimet e Seferisit, në një kohë kur përjetojmë një zhvlerësim pothuajse të plotë të partive, sjellim më poshtë një fragment nga ky shkrim. «Fabrikio» është pseudonimi i një miku të Seferisit nga Kostandinopoja, me të cilin takohej ose shkëmbente letra për çështje letrare dhe për gjendjen politike të kohës.

Jorgos Seferis, «Biseda me Fabrikion» — fragment

«…Muajt e fundit u pamë disa herë. Rasti i mirë e solli që verën e kaluar ai të bënte një udhëtim të gjatë në Kretë. U takuam në pjesën lindore të ishullit, në Agios Nikolaos. Ishte i gëzuar, plot gjallëri. “Jam në rininë e tretë”, më tha. “Më kujtove Sikelianosin, i cili dikur më pëshpëriti: ‘Jam në rininë e tretë, në rininë e Herakliut’”, iu përgjigja. U largua pas disa ditësh. Unë qëndrova më gjatë, por e kujtova sërish teksa lexoja një thënie kretiane, të përmendur në një letër të shekullit të kaluar: “Çdo popull e bën vetë fatin e tij,

dhe ç’i bën marrëzia e vet, s’ia bën as armiku.” M’u duk aq e qëndrueshme kjo fjalë, sa dëshirova ta shihja të shkruar mbi hyrjen e Parlamentit të Greqisë. […] Megjithatë, shpesh mendoj për atë natyrën tjetër të ndjeshme, mësuesin tim të vjetër, Janis Makrijanisin. Po e parafrazoj: Deri tani, të gjithë jemi vënë ta gllabërojmë Greqinë. Ky ushqim po pakësohet gjithnjë e më shumë; së shpejti ajo do të fillojë të na hajë ne. Kur flas kështu, kam parasysh të gjitha simptomat tona partiake, nga njëri skaj në tjetrin, djathtas apo majtas, kudo që të shfaqen. Nuk ua vë fajin institucioneve dhe sistemeve politike. Fajin e ka ajo prirja jonë djallëzore për të poshtëruar çdo institucion dhe çdo sistem, e pastaj për t’i mbuluar bëmat tona me retorikë. […] “Po a nuk duhet të ndihmojmë?”, do të pyesin. Sigurisht që duhet. Nuk më takon mua të shpall rregulla të përgjithshme sjelljeje. Por personalisht besoj se secili ndihmon më mirë duke e bërë punën që Perëndia i ka dhënë të bëjë gjatë kësaj jete të shkurtër, sa më ndershëm dhe sa më pastër të mundet. Jo duke ushqyer zhurmën partiake. Para disa ditësh, një shkrimtar në moshë të mesme më solli një manifest për ta nënshkruar. Refuzova. “Atëherë do ta lëmë të vendoset diktatura?”, më pyeti. I thashë: “Diktatura do të jetë goditja përfundimtare për vendin. Por besoj se diktaturat nuk ndalen me manifeste intelektualësh”. Neveria që ndiej për mënyrat e veprimit të partive në Greqi është e papërshkrueshme. Dhe, meqë gjithçka është bërë e shfrytëzueshme për interesa partiake, nuk kam ndër mend të bëj asgjë që do të mund ta ushqente këtë pazarllëk të pashoq. Mos vallë kjo do të thotë të mbyllem në vetvete? Nuk e besoj. Deri këtu. Do të doja vetëm të shtoja, tani që po mendoj për mikun tim të vjetër, se përtej gjithë këtyre, ajo që kërkuam ishte, siç shkroi ai dikur: Një Greqi… të pastër, që të mos turpërohet

kur e quajnë Greqi.»

Burimi: Jorgos Seferis, «Δοκιμές», vëllimi II (1948–1971), «Η συνομιλία με τον Φαβρίκιο», botimet Ίκαρος. Përkthyer nga fragmenti nga UGO.AL

Lëvizja "tradwife" dhe thirrja orthodhokse e bashkëshortëve për shenjtëri

Orthodhoksia nuk ofron një mënyrë jetese për t’u imituar në Instagram, por një thirrje ku burri dhe gruaja ndjekin shenjtërinë së bashku.

Manastiri i Shën Joan Prodhromit në Voskopojë, histori nga shekulli XVII

Studimi i Dr. Themistokli Bambullës ndjek jetën e manastirit nga themelimi në shekullin XVII deri te restaurimet e fundit.

Manastiri i Shën Nikollës në Boboshticë

Tradita e themelimit më 1450, jeta kishtare dhe historia e një komuniteti.

Jakovi i Durrësit administroi përkohësisht Mitropolinë e Korçës

Kisha e Shën Joan Pararendësit në Boboshticë, monument i artit bizantin

Dr. Themistokli Bambulla paraqet historinë, arkitekturën dhe dy shtresat e pikturave murale të kishës pranë fshatit në Mitropolinë e Korçës.

Raporti sekret i vitit 1990 zbulon persekutimin fetar në Himarë e Dhërmi

Dokumenti i sekretarit të Partisë në Vlorë, Halil Hasko, dërguar Ramiz Alisë më 20 shtator 1990, zbulon frikën e regjimit ndaj riteve fetare dhe kryqeve në bregdet.