Episkop Nikodhimi: A mund të jesh i krishterë në kohën që po jetojmë

Dje 20:52
72
Hirësia e Tij Nikodhimi. Foto: Radio Ngjallja Hirësia e Tij Nikodhimi. Foto: Radio Ngjallja

Në konferencën rinore «Do të jeni dëshmitarët e Mi», Episkopi solli shembujt e Shën Nikiforit Lebroz dhe të një shenjtoreje nga Alaska.

Në konferencën rinore «Do të jeni dëshmitarët e Mi», të zhvilluar në Manastirin e Shën Vlashit, Hirësia e Tij Nikodhimi mbajti fjalimin «A mund të jesh i krishterë në kohën që po jetojmë». Fjala e tij u regjistrua nga Radio Ngjallja dhe UGO e përktheu në shqip nga origjinali në anglisht.

Episkopi foli pas Kryepiskopit. Temën ia kishte propozuar Atë Grigori. Në fjalën e tij ai kujtoi se Shën Vlashi ishte vendi i parë që vizitoi kur erdhi në Shqipëri për herë të parë, njëzet vjet më parë. Përmes jetës së Shën Nikiforit Lebroz dhe të shenjtores së parë grua të Amerikës së Veriut, ai i ftoi të rinjtë të mos kenë frikë të jenë të vegjël.

Më poshtë po botojmë fjalën e tij të plotë.

A mund të jesh i krishterë në kohën që po jetojmë

Së pari, më lejoni të them se për mua është gjithmonë e vështirë të flas pas Kryepiskopit, sepse ai është një njeri plot urtësi dhe përvojë. Ai ka kaq shumë urtësi dhe unë i jam mirënjohës për këshillat e mira që më ka dhënë kaq herë ndër vite. Prandaj, të flas pas tij do të thotë, në njëfarë mënyre, ta nis që më parë me një dështim, sepse ec nën hijen e tij. Por të gjithë jemi në bindje.

Përpara se të filloj, do të doja të flisja pak për këtë vend ku jeni ulur sot, sepse ky është një vend i shenjtë. Edhe për mua, në shtegtimin tim në këtë jetë, ky është një vend i shenjtë. Manastiri i Shën Vlashit është vendi i parë ku erdha kur vizitova Shqipërinë për herë të parë, njëzet vjet më parë. Prandaj ky vend është plot kujtime të mira për mua. E njoh trashëgiminë e tij të pasur shpirtërore, sepse kam takuar kaq shumë nga etërit, të cilët jam krenar t'i quaj vëllezër, që shërbejnë pasi janë arsimuar këtu. Të ndodhem sërish këtu, tashmë në një rol shumë të ndryshëm nga ai i mëparshmi, më jep një ndjenjë të madhe krenarie, por edhe një përulësi të thellë.

Në fillim dua t'ju them diçka që e kam thënë shumë herë më parë edhe në vende të tjera. Gjatë viteve të shumta kur shërbeja si prift famullie në qytetin e Nju-Jorkut, një mik imi, prift dhe pedagog, më ftonte herë pas here të zhvilloja një orë mësimi në lëndën e tij në Seminarin Theologjik të Shën Vladimirit. Kur e filloja mësimin, u kërkoja studentëve, të cilët të gjithë po përgatiteshin për shërbesën kishtare, të ktheheshin majtas e djathtas dhe të shihnin njerëzit e ulur pranë tyre.

Edhe juve tani ju kërkoj të bëni të njëjtën gjë. Kthehuni vërtet dhe shihni me sytë tuaj njerëzit që janë ulur pranë jush. Sepse jeta është e vështirë. Sepse shërbesa në këtë Kishë është e vështirë. Sepse, megjithëse theologjia është e rëndësishme, adhurimi është i rëndësishëm dhe lutja është e rëndësishme, po aq të rëndësishme janë edhe marrëdhëniet brenda bashkësisë.

Si prift i ri, më pas në vitet e mesme të shërbesës e tashmë, besoj, si një prift i vjetër, jam bekuar gjithmonë nga miqësitë disadhjetëvjeçare me ata që kanë qenë studentë bashkë me mua. Ata e kanë ruajtur shërbesën time priftërore dhe, ndoshta, më kanë shpëtuar edhe shpirtin. Kështu është edhe për ju. Keni nevojë për njëri-tjetrin. Keni ardhur së bashku dhe, pas ditës së sotme, do të keni edhe më shumë nevojë për njëri-tjetrin. Sepse marrëdhënia me njeriun që është ulur pranë jush është një dhuratë nga vetë Perëndia. Dhe Ai nuk na jep dhurata që mund t'ia lejojmë vetes t'i shpërfillim.

Me këto fjalë do ta filloj temën e sotme: si të jesh i krishterë në botën bashkëkohore. Këtë temë ma propozoi i dashuri Atë Grigor. Mendova dhe u luta për të. Atë që do të them dua ta vendos brenda dy mendimeve kryesore.

I pari është se të jesh i krishterë sot nuk ndryshon nga të qenët i krishterë njëzet, pesëdhjetë, njëqind, një mijë apo dy mijë vjet më parë. Ndonjëherë mendojmë se sot është më e vështirë. Ndonjëherë mendojmë se është më e lehtë. Shpesh mendojmë se nuk jetojmë në një epokë të artë. Por kjo është dita që bëri Zoti. Kjo është dita që na është dhënë të jetojmë. Ky është çasti në të cilin lavdia e Krishtit dhe hiri i Tij e mbushin gjithashtu botën. Prandaj, të jesh i krishterë në këtë ditë, në këtë kohë dhe në këtë vend nuk është më e vështirë. Është diçka e lavdishme. Dhe, mbi të gjitha, kjo është ajo që na ka dhënë Perëndia: këtë ditë, këtë orë, këtë çast.

Unë udhëtoj shumë në Shtetet e Bashkuara. Kishat e mia, në pjesën më të madhe, ndodhen larg njëra-tjetrës. Edhe vëllezërit e mi episkopë, anëtarët e Sinodit të Shenjtë ku bëj pjesë, jetojnë larg njëri-tjetrit. Në disa vende shkoj me makinë, por shpesh më duhet të udhëtoj me avion. Kur jam në avion, zakonisht nuk arrij të fle. Nuk e kam këtë fat. Prandaj lexoj, lexoj e lexoj.

Muajin e kaluar isha për disa takime në njërin nga seminaret tona theologjike. Më duhej diçka për të lexuar, ndaj hyra në librari për të parë çfarë mund të gjeja. Aty gjeta një libër për një nga shenjtorët më të rinj të Kishës sonë, emrin e të cilit e kisha dëgjuar veçanërisht gjatë vështirësive që kaluam me pandeminë e COVID-it. Besoj se edhe ju këtu e njihni mirë: Shën Nikiforin Lebroz. Ju e keni dëgjuar emrin e tij. Edhe unë e kisha dëgjuar, por nuk ia kisha lexuar kurrë jetën.

Në librin anglisht që po lexoja, gjysma i kushtohej historisë së jetës së tij, ndërsa gjysma tjetër mrekullive të tij. Shpesh, kur mendojmë për shenjtorët, mendojmë vetëm për mrekullitë, sepse jemi njerëz në nevojë e në dëshpërim dhe gjithmonë dëshirojmë ose kemi nevojë për diçka. Por sot nuk dua të flas për mrekullitë. Dua të flas për jetën e tij, sepse është një jetë e vështirë, por edhe plot gëzim e bukuri.

Shumica prej jush e njihni historinë. E dini se, kur ishte i ri, ai zbuloi se ishte prekur nga kjo sëmundje e tmerrshme. U lut e u lut. Edhe ai kërkonte një mrekulli. Por Perëndia u përgjigjet gjithmonë lutjeve në atë mënyrë që Ai e sheh si më të mirën për ne. Shumica e dini se ai e kaloi pjesën tjetër të jetës në një burg që nuk e kishte zgjedhur vetë: burgun e mërgimit, burgun e trupit të sëmurë, burgun e të qenët i përjashtuar nga shoqëria. Siç do të thoshim në anglisht, pothuajse e detyruan të jetonte në hije.

Çfarë rëndësie kishte ai në sytë e botës? Kush e njihte emrin e këtij njeriu sa ishte gjallë? Shumë pak njerëz. Por ne kemi kujtimin e tij dhe lavdinë e dëshmisë së tij. Ai jetoi në këtë mërgim dhe aty mësoi se Perëndia nuk është i pranishëm vetëm në vendet ku njeriu dëshiron të ndodhet. Perëndia është i pranishëm kudo.

Nikifori nuk ishte ndonjë njeri i rëndësishëm në sytë e botës. E megjithatë, ai shëronte ata që ishin pranë tij. Vazhdon të shërojë edhe ata që mblidhen rreth tij duke e kujtuar. Ai na flet nga ato hije që na frikësojnë: nga sëmundja, dobësia dhe poshtërimi. Na flet nga hija e një njeriu që, gjatë jetës së tij, nuk qe kurrë dikush i rëndësishëm në sytë e botës. Prandaj dëshmia e tij është e rëndësishme për ne dhe për mënyrën se si duhet të jetojmë.

Të gjithë duam të jemi të rëndësishëm sipas mënyrës që ne e quajmë të drejtë. Të gjithë e themi këtë, sidomos kur jemi të rinj, por edhe në moshë të mesme e në pleqëri. Unë dëgjoj rrëfime dhe rrëfehem edhe vetë; dëshira për të qenë i rëndësishëm nuk është vetëm e të rinjve. Kjo është e natyrshme. Është pjesë e jetës njerëzore.

Por sot ju ftoj ta vëmë në pikëpyetje këtë dëshirë. Mbi të gjitha, Shën Nikifori dhe dëshmia e Kishës sonë na ftojnë ta vëmë në pikëpyetje. Ndoshta dëshira për të qenë të rëndësishëm nuk është ajo që do të na mbajë besnikë në jetën tonë si të krishterë të kësaj kohe.

Dua të mos kemi më frikë nga ajo që mund të ndodhë nëse nuk i realizojmë ëndrrat tona. Dua të mos kemi më frikë nga ajo që mund të ndodhë nëse nuk arrijmë atje ku dëshirojmë. Dua të mos kemi më frikë të mos jemi ambiciozë. Sepse kjo është lufta me egon, për të cilën Kryepiskopi foli vetëm një orë më parë. Perëndia na jep atë që na jep, ndërsa ne duam diçka tjetër. Por ja ku jemi.

Dua ta krahasoj këtë edhe me një shenjtore tjetër të re, shumë të dashur për ne, sidomos në Amerikë. Një vit e gjysmë më parë pata privilegjin të udhëtoja me avion për në Alaskë. Pasi mbërrita atje, shumë larg, më duhej të merrja një avion tjetër për të shkuar në një qytezë. Prej andej duhej të merrja një varkë, sepse nuk ka rrugë. Udhëtuam rreth një orë përpjetë lumit për të mbërritur në një fshat shumë të vogël, shumë të bukur e shumë të varfër. Nuk kishte as beton në rrugë, vetëm dhe.

Shkova me disa episkopë të tjerë dhe me njerëz nga të gjitha anët e Shteteve të Bashkuara e të botës në atë fshat të vogël, sepse kishim ardhur të shihnim shenjtoren dhe të kremtonim nderimin e saj: shenjtoren e parë grua të Amerikës së Veriut. Gjatë jetës së saj ajo ishte e panjohur, përveçse për njerëzit që donte, njerëzit e saj. Ky fshat i vogël, i varfër e i largët ishte shtëpia e saj. Kishte pasur pak mundësi për t'u arsimuar. Ajo ishte nga popullsia autoktone e Amerikës, e cila ka vuajtur për shekuj, sepse nuk është trajtuar mirë. Në atë fshat nuk kishte mundësi të tjera.

Ajo u rrit duke e dashur Kishën. Ishte edukuar si e krishterë orthodhokse, në një kohë kur edhe qeveria jonë përpiqej t'i kalonte njerëzit në besime të tjera. Por ajo mbeti besnike. Më vonë u martua dhe bashkëshorti i saj u bë prifti i fshatit. Ata qëndruan në atë fshat në skaj të botës. Qëndruan në atë fshat të vogël e të varfër. Ai shërbente si prift dhe njëkohësisht bënte edhe një punë tjetër. Më duket se punonte në postë, sepse shërbesa si prift atje nuk siguronte të ardhura.

Ajo rriti fëmijët e saj dhe kujdesej për njerëzit në nevojë. Ata që vuanin, që ishin të sëmurë apo që qanin, haptas ose në fshehtësi, vinin tek ajo dhe largoheshin me shpirt të shëruar. Sepse ajo kishte dhembshuri dhe nuk kishte frikë të ishte e parëndësishme në sytë e botës.

Edhe mënyra se si vdiq e dëshmon këtë. Ajo u sëmur nga kanceri. Ndoshta, po të jetonte diku tjetër, jo në atë fshat të vogël e të largët, me pak njerëz dhe pa spital, mund të kishte pasur ndihmë për të. Por, kur mori varkën dhe më pas avionët për të shkuar në spital, ishte tepër vonë. Kështu u kthye në shtëpinë e saj. U kthye në vendin e saj të vogël brenda botës së madhe të Perëndisë. Vazhdoi të shërbente në këtë mënyrë, pa qenë prift, pa qenë politikane, pa qenë ndonjë njeri me emër të madh, deri në fund të jetës së saj.

Ajo vdiq dhe e varrosën, por njerëzit nuk e harruan. Ashtu si Shën Nikifori, edhe ajo mund të mbetej dhe mbeti në hije. Por në hije ka mundësi për një forcë të madhe. Sepse të dy na flasin nga vendi i dobësisë dhe jo i pushtetit. Prandaj na flasin nga një vend që i përket Perëndisë, jo neve.

Ajo vdiq në vitin 1979. Që atëherë njerëzit kanë vizituar varrin e saj. E kanë ndier prekjen e saj nëpërmjet kujtimit dhe hirit të Perëndisë. Lutjet e tyre morën përgjigje kur, më në fund, Kisha e vështroi këtë dëshmi dhe tha: po, edhe kujtimi juaj ka fuqi. Deri kur mund të mos e pranojmë se hiri i Perëndisë ishte me të?

Kur shkuam atje dhe mbërritëm me varkat, na pritën sipas traditës së vendit. Ata jetojnë me gjueti dhe peshkim. Prandaj, kur zbritëm nga varkat, na prisnin me armë. Kur zbritëm, të moshuarit qanin. Kisha e këtij fshati është më e vogël se kjo sallë. Së bashku me dy episkopë të tjerë, na u desh një orë për t'i vajosur njerëzit me vaj. Qindra e qindra njerëz në atë fshat të vogël, ku nuk ka rrugë për të shkuar dhe ku nuk do të kishte ndonjë arsye për t'u mbledhur, përveçse hiri i Perëndisë ishte zbuluar në dashurinë e një gruaje.

Pra, tek këta shenjtorë shohim se, kur luftojmë me egon dhe themi: «Perëndia më ka dhënë të qëndroj këtu, në këtë çast, në këtë vend, në këtë kohë», atëherë gjithçka i përket Atij dhe ne i përkasim Atij.

Kur u lutemi shenjtorëve, siç thashë edhe më parë, ndonjëherë interesohemi për mrekullitë. Por duhet të jemi të vetëdijshëm edhe se ishte kujtimi i njerëzve ai që i solli të dy këta shenjtorë në vëmendjen e Kishës. Prandaj mesazhi im i thjeshtë për ju sot është ky: të mos kemi më frikë të jemi të vegjël. Dhe të përpiqemi të kujtojmë se një Perëndi i fuqishëm qëndron pranë nesh në çdo kohë.

Kjo është pjesa më e madhe e asaj që kam për t'ju thënë. Unë nuk flas shumë gjatë. E di se ndonjëherë është e vështirë aty ku ndodhemi. Shpesh nuk është vendi ku do të donim të ishim. Por nuk i bëjmë ndonjë të mirë vetes duke u përpjekur t'i largohemi asaj që na ka dhënë Perëndia. Është Ai që thotë: «Mbi të pakta ishe besnik, mbi të shumta do të të vë». Dhe Ai u ka dhënë të gjithëve.

Kur isha atje dhe po kryenim lutjet për ta përkujtuar dhe për ta njohur shenjtoren, kremtuam Liturgjinë Hyjnore. Aty, përpara kishës, ishte arkivoli. Përpara se të mbërrinim ne, i kishin pastruar eshtrat e saj.

Kam qenë në disa nga kishat e mëdha të Amerikës. Kam qenë në disa nga kishat e mëdha të Rusisë. Kam qenë në disa nga kishat e mëdha të Malit të Shenjtë dhe të Greqisë. Kam qenë edhe në këtë kishë të vogël. Të gjitha i përkasin Perëndisë dhe fuqia e Perëndisë është aty. Fuqia e Perëndisë është e pranishme në të gjitha.

Kështu është edhe me ju. Kudo që të jeni, mund të luftoni me egon, egoizmin. Mund të kujtoni të mirën. Mund të mos keni më frikë nga fakti se nuk jeni ata që do të donit të ishit. Mund të luftoni me egon. Mund të kujtoni të mirën. Dhe mund të mos keni më frikë.

Burimi i videos: Radio Ngjallja. Përkthyer nga fjala origjinale në anglisht: UGO.AL

Siç kishte raportuar UGO, në Shën Vlash u zhvillua konferenca rinore «Do të jeni dëshmitarët e Mi», ku mori pjesë edhe Kryepiskopi.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu