Pse Kisha Orthodhokse nuk praktikon «Kungimin e hapur»?
Teksti teologjik shpjegon lidhjen mes besimit të përbashkët, Eukaristisë dhe kufijve të dukshëm të Kishës, bazuar në citate biblike dhe etërore
Autor: Roman Roberts
Eukaristia mbetet thelbi i jetës liturgjike në Kishën Orthodhokse, ndërsa shumë bashkësi të krishtera në Amerikë dhe gjetkë kanë përqafuar praktikën e «Kungimit të hapur». Sipas materialit botuar nga Orthodox Church in America, kjo praktikë ka bërë më pak të qartë kufijtë kishtarë dhe ka ngritur pyetjen pse Kisha Orthodhokse nuk ua jep Kungimin besimtarëve të konfesioneve të tjera të krishtera.
Dëshira e sinqertë për të shprehur dashurinë e ndërsjellë i ka shtyrë shumë bashkësi të krishtera në Amerikë dhe gjetkë të zbatojnë praktikën e «Kungimit të hapur». Për shumë njerëz, si brenda Kishës, ashtu edhe jashtë saj, kjo praktikë i ka bërë më pak të qartë kufijtë kishtarë. Me të drejtë ata pyesin «Përse Kisha Orthodhokse nuk u jep Kungimin besimtarëve të konfesioneve të tjera të krishtera?» Një përgjigje mund të jepet me një fjalë të vetme, «dashuria».
Edhe ne kemi të njëjtën dëshirë për dashuri të ndërsjellë si ata që janë jashtë Kishës Orthodhokse. Megjithatë, mënyra si e kuptojmë teologjinë, përvoja jonë e gjallë e krishterë dhe arsyet që burojnë nga historia na çojnë në një përfundim tjetër, që mbron shpirtrat e të gjithëve.
Para së gjithash, Kisha Orthodhokse e kupton teologjinë ndryshe nga shumë bashkësi heterodhokse. Dallimi prek përmbajtjen, qëllimin dhe burimin e saj. Sipas Kishës Orthodhokse, teologjia zë fill në zbulesën e Perëndisë ndaj njeriut. Ajo është përvoja e gjallë e Perëndisë që i zbulohet njerëzimit dhe e njeriut që e pranon këtë zbulesë me përulësi. Prandaj teologjia shkon përtej një tërësie pohimesh ose teorish.
Evagër Pontiku citohet shpesh për thënien «Teolog është ai që lutet». Kisha Orthodhokse e beson plotësisht këtë. Pikërisht sepse teologjia ka të bëjë me një marrëdhënie personale, duhet të pyesim «Kush është Jisu Krishti?» Shumëkujt kjo pyetje mund t'i duket e çuditshme ose e paarsyeshme, por ajo kërkon përgjigje.
Nëse nuk biem dakord se kush është Jisu Krishti, nëse Ai është me të vërtetë Perëndi dhe me të vërtetë njeri, nëse vuajti vërtet në kryq, nëse u ngjall dhe u ngjit në qiej, atëherë nuk mund të themi me të vërtetë se adhurojmë të njëjtin Jisu Krisht dhe kungohemi me Të në Eukaristi.
Ne e njohim Krishtin ashtu siç na është zbuluar. Teologjia e Kishës vetëm sa shpreh me fjalë atë që kemi njohur për Perëndinë, Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë. Këtu zë fill në të vërtetë çështja e Kungimit të hapur. Kur dikush mohon se kush është Krishti, sado i sinqertë të jetë në bindjen e vet, adhuron një Person tjetër, edhe pse përdor të njëjtin emër. Prandaj në lutjet para Kungimit lexojmë «Besoj, o Zot, dhe pohoj se Ti je me të vërtetë Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, që erdhe në botë për të shpëtuar mëkatarët».
Për këtë na paralajmëron edhe Shën Pavli: «Sepse, nëse ai që vjen predikon një Jisu tjetër, të cilin ne nuk e kemi predikuar, ose nëse merrni një shpirt tjetër, të cilin nuk e keni marrë, apo një ungjill tjetër, të cilin nuk e keni pranuar, ju fare mirë e duroni!» (2 Korintasve 11, 4).
Do të ishte e paarsyeshme të prisnim ose të lejonim që dikush të merrte pjesë në një realitet, të hynte në kungim me një Person, të cilin vetë e mohon.
Lexojmë gjithashtu «Prandaj, kushdo që ha këtë bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit në mënyrë të padenjë, do të jetë fajtor ndaj Trupit dhe Gjakut të Zotit. Por njeriu le të shqyrtojë veten dhe kështu le të hajë nga buka e të pijë nga kupa. Sepse ai që ha e pi në mënyrë të padenjë, ha e pi dënim për veten, duke mos dalluar Trupin e Zotit» (1 Korintasve 11, 27–29).
Letra u drejtohet atyre që tashmë janë pagëzuar dhe janë bërë pjesë e Kishës. Edhe ata që tashmë janë në gjirin e Kishës mund të jenë të papërgatitur për të marrë pjesë në Eukaristi. Sa më pak i përgatitur dhe i aftë për të dalluar Trupin e Zotit do të ishte dikush që ende nuk është katekizuar e pagëzuar në Kishë dhe që nuk ka bërë përgatitjen e duhur me nderim?
Kur Kisha nuk ua jep Eukaristinë këtyre njerëzve, qëllimi i saj është t'i mbrojë. «Kupa e bekimit që bekojmë, a nuk është kungim me Gjakun e Krishtit? Buka që thyejmë, a nuk është kungim me Trupin e Krishtit?» (1 Korintasve 10, 16). Uniteti që gjejmë në Eukaristi është vetë Krishti. Trupi dhe Gjaku i Tij na bashkojnë, por që të hyjmë në këtë bashkim, duhet më parë ta njohim Krishtin dhe të besojmë në Të.
Kur kungohemi nga e njëjta kupë dhe marrim Trupin e Gjakun jetëdhënës e shërues të Krishtit, shprehim unitetin e besimit që na shndërron. Ky veprim shkon përtej një gjesti mirësie apo përzemërsie të ndërsjellë.
Edhe Apostujt e kishin të qartë se besimi duhej të ishte i përbashkët. «Ata, pra, që e pranuan me gëzim fjalën e tij, u pagëzuan dhe atë ditë iu shtuan rreth tre mijë shpirtra. Ata qëndronin me këmbëngulje në mësimin e Apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje. Çdo shpirt u përfshi nga druajtja dhe nëpërmjet Apostujve bëheshin shumë çudira e shenja. Të gjithë ata që besuan rrinin së bashku dhe i kishin të gjitha të përbashkëta» (Veprat e Apostujve 2, 41–44). Këtu shihet se si merrte formë uniteti. Njerëzit së pari dëgjonin fjalën që u zbulonte Krishtin, pastaj pagëzoheshin në Krishtin, qëndronin në mësimin e Apostujve dhe vetëm atëherë merrnin pjesë në atë që quhet «thyerja e bukës». Që atëherë, besimi i përbashkët i paraprinte Kungimit. Pohimi i besimit dhe Kungimi janë të pandashëm.
Me këtë parasysh, mund të shqyrtojmë se çfarë quhet «kungim». Shumë besojnë në një «kishë të padukshme», ndërsa Kisha Orthodhokse është tashmë e dukshme dhe i ka kufijtë mjaft të qartë. Për shumë protestantë, kisha do të përbëhej nga një rreth i gjerë njerëzish dhe nga bashkësi me lidhje më të lirshme. Çuditërisht, shumë prej tyre ulen si vëllezër në tryezat e njëri-tjetrit. Atëherë Eukaristia do të kishte vetëm një nocion në rrafshin e ideve ose do të ishte thjesht një simbol, siç do të thoshin shumë prej tyre.
Katolikët romanë e përcaktojnë unitetin e tyre me një kufi të dukshëm, por shpesh të paqartë, që është kungimi me Papën e Romës. Shumë nga priftërinjtë e tyre do t'ia jepnin me dëshirë Kungimin një të krishteri orthodhoks naiv, pavarësisht dallimeve doktrinare. Ky kufi, tashmë i paqartë, edhe zhvendoset.
Për orthodhoksët, Kisha është një, e dukshme, e pandashme dhe me kufij të qartë, ashtu siç ishte për Apostujt. Kungimi shkon përtej një gjesti vullneti të mirë ndërmjet organizatave ose një lidhjeje të lirshme mes njerëzve. Kisha e dukshme në Serbi, në Greqi, në Rusi, në Bullgari, në Rumani, në Amerikë, në Antioki, në Jerusalem dhe në mbarë botën është një në pohimin e besimit. Ajo përbën një trup të vetëm kishtar, pavarësisht shtrirjes së saj në vende të ndryshme.
Ne adhurojmë një Zot të vetëm, që na u shfaq, pohojmë një besim të vetëm, ashtu siç na u zbulua, marrim një pagëzim të vetëm me ujë dhe me Shpirt dhe kungohemi nga një kupë e vetme e shenjtë, me shpresën që të gjithë të priten në gjirin e Kishës.
Në të njëjtin kontekst kishtar, UGO kishte sjellë edhe historinë e Shën Inocentit të Alaskës, themeluesit shpirtëror të Orthodhoksisë Amerikane, një kujtesë mbi rrënjët e kësaj Kishe përtej Atlantikut, aty ku sot zhvillohet edhe debati rreth «Kungimit të hapur».

