Dhoksologjia e Flamurit u krye në Vlorë për 114-vjetorin e Pavarësisë
Shërbesa u drejtua nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Asti, në Kishën e Shën Theodhorëve, me pjesëmarrjen e klerikëve dhe besimtarëve.
Dhoksologjia e Flamurit u krye në Vlorë me rastin e 114-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, ditëlindjes së shtetit shqiptar. Sipas informacionit të marrë nga redaksia, shërbesa u drejtua nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Asti, në Kishën e Shën Theodhorëve.
Në shërbesë u përfshinë klerikët e Zëvendësisë së Vlorës, ndërsa në kishë ishin të pranishëm edhe besimtarë. Në Kishën Orthodhokse është traditë që në këtë ditë të kryhet Dhoksologjia (Shërbesa e Lavdërimit) e Flamurit.
Si sot, 114 vjet më parë, delegatët nga të gjitha trevat e Shqipërisë u mblodhën nën drejtimin e plakut të Vlorës, Ismail Qemali, firmosën deklaratën e pavarësisë dhe ngritën flamurin kombëtar. Atë ditë myslimanë, orthodhoksë, katolikë e bektashianë u bënë bashkë dhe i dhanë udhë fateve të kombit.
Mes firmëtarëve ishin edhe orthodhoksë si Dhimitër Tutulani, Jorgji Karbunara, Lef Nosi, Petro Poga, Aristidh Ruci, Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiridon Ilo, Jani Minga, Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja, Dhimitër Berati e Dhimitër Ilo. Kjo tregon se orthodhoksët janë gjendur gjithmonë të gatshëm për të dhënë ndihmesën e tyre kur kombi ka qenë në momente të vështira. Tre prej tyre, Lef Nosi, Petro Poga e Pandeli Cale, u zgjodhën anëtarë të qeverisë së parë shqiptare, të drejtuar nga Ismail Qemali.
Edhe sot, si atëherë, njerëzit u bashkuan në Sheshin e Flamurit, për të kujtuar të gjithë ata që sakrifikuan për krijimin e shtetit shqiptar dhe për të festuar 114-vjetorin e lindjes së tij. Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të Komuniteteve Fetare të Shqipërisë. Kisha Orthodhokse Autoqefate e Shqipërisë u përfaqësua nga Mitropoliti Asti dhe nga Ikonom Stavrofor Atë Kostandin Prifti.
Në të njëjtin kontekst kishtar, Kryepiskopi Joan drejtoi Dhoksologjinë e Flamurit në Tiranë.
