Kontributi i Ortodoksëve në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë
Nga Naum Veqilharxhi te Kuvendi i Vlorës, ortodoksët shqiptarë dhanë kontribut në arsim, shtyp, kryengritje dhe në firmosjen e aktit të 28 nëntorit 1912.
Nga Ilirjan Gjika
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë moderne të popullit shqiptar, e cila do të shënonte kurorëzimin e një sërë përpjekjesh shekullore. E realizuar më 28 nëntor 1912 nga Kuvendi Kombëtar i mbledhur në Vlorë, ajo njihet në mënyrë simbolike si akti i “Ngritjes së flamurit” (1).
Por një kontribut të madh në shpalljen e pavarësisë dha, midis të tjerëve, edhe komuniteti ortodoks. Në këtë lëvizje të gjerë pjesëtarët e tij u përfshinë masivisht qysh në fillimet e Rilindjes Kombëtare, sipas parimit të saj “Feja e Shqiptarit është shqiptarija” (2). Kështu, të pandarë nga vëllezërit e besimeve të tjera fetare, edhe ortodoksët shqiptarë treguan frymë të fortë kombëtare, liridashëse dhe ndjenja të larta patriotike.
Gjatë periudhës së viteve 1830–1912, kohë kur u zhvillua lëvizja e Rilindjes, nga ky komunitet spikatën një sërë njerëzish të shquar, “të pushkës dhe të penës” (3). Ata u treguan jo vetëm iniciatorë të krijimit të ideve për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, por kontribuan edhe në krijimin e alfabetit të gjuhës shqipe, çeljen e shkollave të para, botimin e një sërë veprash, gazetash apo revistash me karakter historik, letrar e kulturor, si dhe luftuan me armë në dorë për lirinë e vendit.
Natyrisht, sot për historianët dhe studiuesit nuk është e vështirë të radhisin në panteonin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme emrat e një sërë patriotësh, mendimtarësh, mësuesish, shkrimtarësh dhe luftëtarësh të kësaj epoke. Një gjë të tillë do të përpiqemi të trajtojmë edhe në këtë shkrim, kushtuar veprimtarisë së ortodoksëve shqiptarë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ky kontribut do të niste në fillimet e Rilindjes Kombëtare me pionierin e arsimit shqip dhe krijuesin e abetares së parë, iluministin Naum Veqilharxhi. Në vitin 1844 ai botoi “Evëtarin” me 33 gërma, i cili do të shërbente si fillim i përpjekjeve për krijimin e një alfabeti të gjuhës shqipe (4).
Por kjo veprimtari patriotike do të vijonte më pas me ideologët dhe mendimtarët që parashtruan platformat e para ideore dhe politike për zgjidhjen e problemit kombëtar, ku veçohen Dora D’Istria, Thimi Mitko dhe Spiro Dine (5). Po kështu, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe kontributin e arbëreshëve të Italisë, ku vendin kryesor e zë padyshim Jeronim De Rada, i cili me botimet e tij do të zgjonte dhe përforconte ndërgjegjen kombëtare (6).
Ndërkohë, në përhapjen e gjuhës dhe të shkrimit shqip luajtën një rol të rëndësishëm edhe rilindasit e shquar Kostandin Kristoforidhi dhe Jani Vreto. Si lëvrues dhe studiues i gjuhës, Kostandin Kristoforidhi hartoi veprat “Memorandum për gjuhën shqipe”, “Abetare”, “Fjalori i gjuhës shqipe”, “Gramatika e gjuhës shqipe”, si dhe përkthimet “Dhjata e Re”, “Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve”, “Psalmet”, “Fjalët e urta të Solomonit”, “Vivla e Isaisë” etj., të cilat ndikuan në krijimin e gjuhës letrare kombëtare (7).
Ndërsa Jani Vreto, si autor i një vargu veprash dhe aktivist i Shoqërisë së Stambollit, do të kontribuonte në përpjekjet për unifikimin e alfabetit, botimin e librave të parë shkollorë dhe organizimin e shoqërive patriotike të diasporës (8). Të tilla ishin ato që u ngritën në Bukuresht, Sofje, Aleksandri të Egjiptit dhe SHBA, ku një rol të rëndësishëm do të luanin edhe Pandeli Sotiri, Athanas Avramidhi Lakçe, Nikolla Naço, Dhimitër Mole, Ligor Marko, Thimi Mitko, Spiro Dine, Grigor Nuko, Kristo Meksi, Fan Noli, Petro Nini Luarasi, Sotir Peci, Athanas Tashko, Loni Logori etj. (9).
Gjithashtu, në fushën e arsimit kombëtar mund të sjellim në kujtesë edhe Mësonjëtoren e Korçës, të çelur më 7 mars 1887. Duhet thënë se ajo ishte e para shkollë me karakter laik, kombëtar dhe demokratik, që u hap në shtëpinë që dhuroi enkas për të patrioti Diamant Tërpo. Drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri nga Gjirokastra, i cili do të pasohej më vonë nga drejtues të tjerë, si Petro Nini Luarasi, Kristaq Vaja, Naum Naçi, Thoma Avrami. Ndërsa si mësimdhënës mund të përmendim emrat e mësuesve Nikolla Zografi, Thanas Nona, Kristo Vodica etj. (10).
Merita e Mësonjëtores së Korçës dhe mësuesve të saj patriotë ishte se në bankat e kësaj shkolle do të uleshin pa dallim ortodoksë dhe myslimanë nga të gjitha shtresat e shoqërisë së kohës. Ndërkohë, hapja e saj ishte një arritje e madhe në fushën e arsimit kombëtar, sepse ndikoi në çeljen e një sërë shkollash të tjera anembanë vendit, si në Kolonjë, Elbasan, Pogradec, Tiranë, Dibër, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Skrapar, Fier, Mallakastër etj. (11).
Ndërsa, për sa u përket botimeve të revistave dhe gazetave, mund të përmendim një sërë titujsh dhe intelektualësh të përfshirë në median e shkruar dhe publicistikën e Rilindjes Kombëtare. Të tillë ishin “Drita-Dituria” e Pandeli Sotirit, “Kombi” i Sotir Pecit, “Shkopi” i Thanas Tashkos, “Shqypeja e Shqypënis” e Josif Bagerit, “Kombi” i Milto Sotirit, “Zgjimi i Shqipërisë” i Naum Naçit etj. (12).
Por në këtë fushë një vend me rëndësi zë edhe “Kalendari Kombiar”, që botohej nga Kristo Luarasi, një periodik me karakter politik, historik, letrar dhe kulturor. I botuar më 1897 në Sofje dhe më pas në Selanik, në faqet e tij shkruan një pjesë e personaliteteve të kësaj lëvizjeje (13).
Por kontributi i ortodoksëve shqiptarë nuk do të ndalej këtu, sepse edhe në dy kongreset arsimore të viteve 1908–1909, të zhvilluara në Manastir dhe Elbasan, do të ndihej roli dhe ndikimi i tyre (14). Të tilla ishin vendimet e marra për unifikimin e alfabetit, hapjen e shkollës “Normale” të Elbasanit, ngritjen e shoqërisë “Përparimi” të Korçës etj.
Ndër ta, si pjesë e komisionit të alfabetit në Kongresin e Manastirit, përmenden emrat e Taq Budës dhe Sotir Pecit, krahas atyre të Mithat Frashërit, Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit, Shahin Kolonjës, Bajo Topullit, Nyzhet Vrionit, Gjergj Qiriazit dhe Grigor Cilkës (15). Ndërsa një vit më vonë, si delegatë të Kongresit të Elbasanit do të merrnin pjesë edhe Taq Buda, Josif Mima, Simon Shuteriqi, Andrea Ikonomi, Thoma Papapano, Koço Sava, Idhomene Kosturi etj. (16).
Kësaj plejade të shquar i përket edhe Mihal Grameno, një figurë e shquar e patriotizmit shqiptar. Ai do të spikaste jo vetëm si luftëtar i çetës së Çerçiz Topullit, por edhe si publicist me kontribute intelektuale. Nën drejtimin e tij do të botoheshin në Korçë gazetat “Lidhja Ortodokse” dhe “Koha” (17). Ndërkohë, në letërsinë e Rilindjes të kësaj kohe do të shquheshin pena të tilla si Andon Zako Çajupi, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Theofan Stilian Noli etj.
Për t’u veçuar janë edhe emrat e Viskë Babatasit dhe Thanas Floqit si veprimtarë të shquar dhe pjesëmarrës në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ndër ta, Viskë Babatasin e ndeshim fillimisht në vitin 1879 si shkronjës, arkëtar dhe sekretar të gazetës “Albania”, që botohej në Bruksel nga Faik Konica (18). Më pas atë e gjejmë si sekretar të princit Alandro Kastrioti, i cili kishte meritën që e bëri të njohur çështjen shqiptare në qarqet politike europiane (19). Ndërkohë, në vitin 1909, Viskë Babatasin e ndeshim edhe si mësuesin e parë të shkollës shqipe në Cakran (Mallakastër) (20).
Ndërsa Thanas Floqi do të jepte një kontribut të çmuar në themelimin e shoqërisë patriotike “Malli i Mëmëdheut” në SHBA, që do të bëhej më pas pjesë e Federatës “Vatra”. Me kthimin në Shqipëri në vitin 1908, ai do t’i kushtohej zhvillimit të kulturës dhe arsimit kombëtar. Si drejtor i shkollës së Cakranit në vitet 1910–1912, do të luante një rol të rëndësishëm në konsolidimin e këtij institucioni arsimor me tekste, programe, plane, grup muzikor dhe konvikt, ku u regjistruan dhe vijuan rregullisht procesin mësimor, krahas djemve, edhe vajzat. Prej këtu ai do të nisej si delegat i Korçës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës për t’u bërë një prej firmëtarëve të shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 (21).
Ndërkohë, kontributet e patriotëve shqiptarë të këtij komuniteti ortodoks do të vijonin edhe në ngjarjet e kryengritjeve të mëdha të viteve 1909–1912. Mund të përmendim këtu çetat kryengritëse të Themistokli Gërmenjit, Spiro Bellkamenit, për të ardhur te Kuvendi i Sinjës i 23 korrikut 1912. Në këtë forum, udhëheqësit e komiteteve dhe çetave kryengritëse të Shqipërisë së Jugut hartuan një program autonomie prej 12 pikash (22). Midis pjesëmarrësve të tij bien në sy emrat e Llambi Bimblit, Pandeli Cales, Çaçi Grizës, Lili Pones, Kosta Priftit dhe Tasi Nakos (23).
Po kështu, gjatë udhëtimit historik nga Stambolli për në Shqipëri, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi u ndalën fillimisht në Bukuresht. Në mbledhjen e zhvilluar me përfaqësuesit e kolonisë shqiptare, më 5 nëntor 1912, u prezantua për herë të parë edhe çështja e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë takim, ku morën pjesë edhe Asdreni, Pandeli Evangjeli, Dhimitër Ilo, Dhimitër Berati, Dhimitër Zografi, Kristo Meksi, Akile Eftimiu, Athanas Kantili, Milto Sotiri, Vasil Zografi, Anastas Miho, Ilia Kosturi, Dhimitër Emanoili etj., u vendos krijimi i një komiteti që do të merrte në dorë fatet e vendit dhe i një komisioni që do të përfaqësonte të drejtat e popullit shqiptar në arenën europiane (24).
Nga Bukureshti, Ismail Qemali dhe patriotët shqiptarë do të vijonin drejt Vjenës, Budapestit dhe Triestes, për të mbërritur në Durrës më 21 nëntor 1912 (25). Prej këtu ata do të niseshin drejt qytetit të Vlorës për të realizuar shpalljen e pavarësisë (26). Udhëtimi u bë në një mot të ftohtë, të rënduar nga reshjet e shumta, ku lumenjtë kishin dalë nga shtrati dhe kishin përmbytur fushat. Gjatë rrugës, grupi i Ismail Qemalit mbërriti më 24 nëntor në Libofshë, ku u prit nga çeta e armatosur e klerikut dhe mësuesit patriot, Ikonom Kozma Dhimës. Të nesërmen, udhëtimi vijoi drejt Fierit për të përfunduar në Vlorë, në të cilën ishte përgatitur situata për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar (27).
Përveç laikëve, në këto ngjarje të rëndësishme do të merrnin pjesë edhe një numër i konsiderueshëm klerikësh ortodoksë. Emrat e tyre i ndeshim në komisionet e një sërë qyteteve të vendit, të cilat shpallën pavarësinë për ta vënë para faktit të kryer ushtrinë serbe, e cila po pushtonte territoret shqiptare. Kështu, në komisionin e popullit të Elbasanit që shpalli pavarësinë më 25 nëntor, ndeshim edhe emrat e zëvendësmitropolitit At Dhimitër Dhimitrukës dhe At Beniamin Delianës. Një gjë të tillë e hasim në Tiranë më 26 nëntor, ku pavarësinë e nënshkroi edhe At Nikolla Papajani. Kurse në qytetin e Lushnjës, më 27 nëntor 1912, një akt të tillë patriotizmi do ta kryente edhe prifti At Jovani (28).
Ndërkohë, 11 personalitete nga radhët e komunitetit ortodoks morën pjesë në Kuvendin e Vlorës, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Të tillë ishin patriotët Aristidh Ruci dhe Jani Minga, delegatë të Vlorës, Lef Nosi, delegat i Elbasanit, Bab Dud Karbunara dhe Dhimitër Tutulani, delegatë të Beratit, Pandeli Cale, Thanas Floqi dhe Spiridon Ilo, delegatë të Korçës, si dhe Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja dhe Dhimitër Berati, delegatë të Kolonisë së Bukureshtit (29).
Me krijimin e qeverisë së parë të Shtetit Shqiptar, të kryesuar nga Ismail Qemali, më 4 dhjetor 1912, do të zgjidheshin edhe Petro Poga, ministër i Drejtësisë, Lef Nosi, ministër i Post-Telegrafit, dhe Pandeli Cale, ministër i Bujqësisë. Për t’u veçuar këtu është rasti i Lef Nosit, i cili do të publikonte dokumentet e rëndësishme të këtyre ngjarjeve, duke përfshirë edhe Deklaratën e Pavarësisë. Ato u botuan fillimisht në Elbasan gjatë viteve 1924–1925 në vëllimin e titulluar “Dokumente historike për t’i shërbyer historisë tonë kombëtare” (30). Më pas do të përfshiheshin edhe në botime të ndryshme të tipit përmbledhje dokumentesh (31).
Për t’u përmendur si protagoniste e simbolikës së kësaj dite është edhe patriotja dhe aktivistja Marigo Posio. Ajo do të kishte meritën e stolisjes së flamurit kombëtar që u ngrit atë ditë të shënuar dhe të qëndisjes së flamujve të tjerë që u valëvitën me shpalljen e pavarësisë (32).
Ndërsa akti i fundit që do të mbyllte siparin e kësaj periudhe do të ishte ai i Tonç Kilicës. Si kryetar i bashkisë, ai pati meritën e lidhjes së lëvizjes kryengritëse me këtë qytet, ku nën kryesinë e Ismail Qemalit do të mbahej më 12 gusht 1912 Mbledhja e Fierit. Së bashku me Omer Pashë Vrionin, ata mirëpritën përsëri Ismail Qemalin gjatë udhëtimit të tij drejt Vlorës. Tonç Kilica drejtoi ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar në Fier më 29 nëntor 1912, në mbështetje të vendimeve të marra nga Kuvendi Kombëtar (33).
Ky është një përshkrim i shkurtër i kontributit të ortodoksëve shqiptarë gjatë Rilindjes Kombëtare, të cilët patën meritën që, së bashku me pavarësinë dhe krijimin e institucioneve të reja shtetërore, hodhën edhe bazat e tolerancës e bashkëjetesës fetare dhe përcaktuan laicitetin e shtetit shqiptar.
Siç kishte raportuar UGO, Mitropoliti Anastas mori pjesë në Ditën e Alfabetit në Korçë, që kujton punën e Kongresit të Manastirit për alfabetin e gjuhës shqipe.
Shënime dhe burime
- Historia e Shqipërisë, II, ASH të RPSSH-IH, Tiranë 1984, f. 499.
- Fjalori Enciklopedik Shqiptar, ASH të RPSSH, Tiranë 1985, f. 1155.
- Historia e Shqipërisë, II, ASH të RPSSH-IH, Tiranë 1984, f. 99.
- Hysni Myzyri, Shkollat e para kombëtare shqipe, 8 Nëntori, Tiranë 1978, f. 24.
- Fjalori Enciklopedik Shqiptar, ASH të RPSSH, Tiranë 1985, f. 195, 341.
- Jup Kastrati, “Krijimtaria e Jeronim De Radës”, në Jeronim De Rada, Vepra letrare, 1, Naim Frashëri, Tiranë 1987, f. 3, 34–35.
- Fjalori Enciklopedik Shqiptar, ASH të RPSSH, Tiranë 1985, f. 551.
- Po aty, f. 697, 1179. Hysni Myzyri, Shkollat e para kombëtare shqipe, 8 Nëntori, Tiranë 1978, f. 38.
- Historia e Shqipërisë, II, ASH të RPSSH-IH, Tiranë 1984, f. 321–323, 370–371.
- Hysni Myzyri, Shkollat e para kombëtare shqipe, 8 Nëntori, Tiranë 1978, f. 67–71, 157–162.
- Po aty, f. 119, 133, 137, 139, 145.
- Thanas Gjika, Mihal Grameno publicist demokrat, ASH të RPSSH-IGJL, Tiranë 1980, f. 15. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, ASH të RPSSH, Tiranë 1985, f. 210.
- Kalendari Kombiar 1908–1912, ALSAR, Tiranë 2017.
- Historia e Shqipërisë, II, ASH të RPSSH-IH, Tiranë 1984, f. 422, 432.
- Xhejms Klark, 1912 dhe Ungjilli, AEM-Misioni Ungjillor, Tiranë 2012, f. 6.
- Gazeta LIRIJA, nr. 58, Selanik, 12 shtator 1909.
- Thanas Gjika, Mihal Grameno publicist demokrat, ASH të RPSSH-IGJL, Tiranë 1980, f. 15, 26.
- Gazeta Albania, I, Bruksel, 25 mars 1897.
- Eqrem Bej Vlora, Kujtime, Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë 2003, f. 215.
- Gazeta LIRIJA, nr. 36, Selanik, 4 prill 1919. A. Llanaj, Thanas Floqi, monografi, Triptik, Vlorë 2013, f. 55.
- Asqeri Llanaj, Thanas Floqi, monografi, Triptik, Vlorë 2013, f. 55–57, 75.
- Historia e Shqipërisë, II, ASH të RPSSH-IH, Tiranë 1984, f. 477. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, ASH të RPSSH, Tiranë 1985, f. 82, 310.
- Memorandumi i Sinjës, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier.
- Fjalori Enciklopedik Shqiptar, ASH të RPSSH, Tiranë 1985, f. 682. Kopi Kyçyku, “Shqiptarët e Rumanisë”.
- Historia e Shqipërisë, II, ASH të RPSSH-IH, Tiranë 1984, f. 496.
- Teuta Hoxha, Ismail Qemali – Përmbledhje dokumentesh, DPASH, Tiranë 1982, f. 220.
- L. Nosi, Dokumente historike 1912–1918, IH, Tiranë 2007, f. 76. K. Frashëri, Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ASHSH, Tiranë 2008, f. 134. I. Gjika, Fieri në shekuj, Ymeraj, Fier 2004, f. 108–109.
- Lef Nosi, Dokumente historike 1912–1918, Instituti i Historisë, Tiranë 2007, f. 80–86.
- Po aty, f. 176–177.
- Po aty, f. 183, 5.
- Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe veprimtarija e saj, DPASH, Tiranë 1963. T. Hoxha, Ismail Qemali – Përmbledhje dokumentesh, DPASH, Tiranë 1982. T. Hoxha, Ismail Qemali: përmbledhje dokumentesh 1888–1919, Mësonjtorja e parë, Tiranë 2002.
- Jakov Milaj, “Zonja Marigo dhe flamuri kombëtar”, Përpjekja Shqiptare, nr. 13, Tiranë, janar 1938, f. 6–12.
- L. Nosi, Dokumente historike 1912–1918, Instituti i Historisë, Tiranë 2007, f. 116. I. Gjika, Fieri në shekuj, Ymeraj, Fier 2004, f. 108–109.


