Ministri turk feston 6-vjetorin e kthimit të Shën Sofisë në xhami
Mehmet Nuri Ersoi e quajti Shën Sofinë "simbol të pushtimit" dhe "trashëgimi të paçmuar" të Sulltan Mehmetit II, në përvjetorin e kthimit të saj në xhami më 2020.
Shën Sofia u kthye sërish në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, pasi Ministri i Kulturës i Turqisë, Mehmet Nuri Ersoi, publikoi një postim provokues me rastin e 6-vjetorit të rikthimit të saj si xhami. Sipas agjencisë Orthodoxia News Agency, e cila raportoi deklaratën, ministri e cilësoi monumentin bizantin si "simbolin e pushtimit" dhe "trashëgiminë e paçmuar" të Sulltan Mehmetit II, të Pushtuesit.
Në postimin e tij, Ersoi shkroi se me nënshkrimin e Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan "lakmia mori fund" dhe "Xhamia e Madhe Ajasofia u rihap për lutje". Ai theksoi gjithashtu se në Ajasofia po vazhdojnë "punimet më të gjera të restaurimit në historinë e Republikës Turke", me qëllim ruajtjen e këtij monumenti dhe transmetimin e tij te brezat e ardhshëm. Ministri shprehu mirënjohje ndaj Erdoganit, të cilin e quajti nismëtarin kryesor të rihapjes së Ajasofisë për kult fetar në vitin 2020.
Deklarata e ministrit turk vjen në një kontekst ku vendimi i vitit 2020 për shndërrimin e Shën Sofisë nga muze në xhami vazhdon të ngjallë reagime në botën ortodokse dhe ndërkombëtare, pasi monumenti konsiderohet nga Kisha Ortodokse si një nga simbolet më të rëndësishme të trashëgimisë bizantine e të krishterë.
Nuk është hera e parë që zyrtarë turq shprehen publikisht mbi statusin e Ajasofisë; kohët e fundit vëmendja ra edhe mbi takimin e Patriarkut Ekumenik Vartholome me Presidentin Erdogan në Ankara, në kuadër të marrëdhënieve mes Patrikanës Ekumenike dhe autoriteteve turke.