Patriarku Bartolomeu kremtoi ditën e emrit në Imbro me dy Primatë
Në vendlindjen e tij morën pjesë Patriarku Daniel i Rumanisë dhe Patriarku Daniel i Bullgarisë
Patriarku Ekumenik Bartolomeu kremtoi të enjten ditën e emrit të tij, në festën e Apostujve të Shenjtë Bartolome dhe Barnaba, për herë të parë në 35 vitet e patriarkanës së tij në vendlindjen e vet, Imbro.
Sipas faqes zyrtare të Patriarkanës Ekumenike, në ishull ndodheshin së bashku me të edhe Patriarku Daniel i Rumanisë dhe Patriarku Daniel i Bullgarisë.
Patriarku Ekumenik dhe Patriarku i Bullgarisë mbërritën me traget pasditen e së martës, ndërsa Patriarku i Rumanisë mbërriti me avion të mërkurën dhe u prit nga vetë Patriarku Bartolomeu.
Mbrëmësorja e Madhe në vendlindjen e Patriarkut
Në kishën e Shën Gjergjit, në fshatin Shën Theodorët, prej nga vjen Patriarku Ekumenik, u kremtua Mbrëmësorja e Madhe e festës. Shërbesa u kryesua nga Patriarku Bartolomeu, me bashkëpjesëmarrjen e Primatëve të Kishave të Rumanisë dhe Bullgarisë.
Në fund të Mbrëmësores, Mitropoliti i Imbros dhe Tenedos, Kirili, iu drejtua Patriarkut Ekumenik dhe përshëndeti praninë e dy Primatëve mysafirë, të cilëve u dhuroi edhe kujtime simbolike.
Patriarku Daniel i Bullgarisë shprehu urimet vëllazërore për Patriarkun Bartolomeu dhe theksoi se prania e Primatëve në Imbro është “dëshmi e unitetit të Orthodhoksisë dhe e bashkësisë vëllazërore të Kishave motra”.
Edhe Patriarku Daniel i Rumanisë theksoi se Patriarku Ekumenik është një figurë e njohur në botën bashkëkohore orthodhokse, veçanërisht për dialogun e tij me udhëheqës fetarë dhe politikë, si dhe për angazhimin në promovimin e paqes, lirisë fetare dhe mbrojtjes së mjedisit.
“Për herë të parë në vendin tonë”
Në fjalën e tij, Patriarku Bartolomeu shprehu gëzimin që, për herë të parë nga ngjitja e tij në Fronin Ekumenik, kremtoi ditën e emrit bashkë me bashkëvendësit e tij dhe në praninë e dy Patriarkëve.
“Na solli të gjithëve flladi i Egjeut. Mua, malli dhe dashuria për vendlindjen time”, tha ai.
Duke iu drejtuar dy Primatëve, Patriarku Bartolomeu u shpreh se ata lanë fronet dhe përgjegjësitë e tyre të shumta për të ardhur në një ishull të vogël, por me histori të madhe, ku besimi i përbashkët i krishterë ka rrënjë të thella.
Në lutje morën pjesë edhe Mitropolitët Emanuel i Halkidonës, Apostoli i Derkos, Filotheu i Selanikut dhe hierarkë të tjerë, si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Kostandinopojë, Konstantinos Koutras, dhe zëvendësministri i Brendshëm, Konstantinos Gioulekas.
Në mëngjesin e së njëjtës ditë, Patriarku Bartolomeu e shoqëroi Patriarkun e Bullgarisë në “Muzeun Patriarku Bartolomeu”, ku ruhen objekte nga jeta e tij dhe kujtime nga shërbesa kishtare e patriarkale.