Kishat dhe manastiret me vlerë artistike të artit bizantin në Shqipëri

2827
09:15
1
Foto nga kisha dhe manastiret e përmendura. Kolazh krijuar nga UGO Foto nga kisha dhe manastiret e përmendura. Kolazh krijuar nga UGO

Nga Mborja e Korçës te Peja dhe Graçanica, një pasqyrë e monumenteve orthodhokse që kanë mbijetuar shekujve

Kishat dhe manastiret me vlerë artistike

Në Shqipëri ka pasur shumë kisha e manastire, monumente të vërteta të artit bizantin orthodhoks, të atij arti të pasur jo vetëm në stil, por edhe në ikonografi e në punimin e drurit. Mirëpo, rrethanat e njohura historike, nga njëra anë, dhe koha, që nuk lë gjë pa prekur, nga ana tjetër, e mbi të gjitha luftërat e fundit, ajo e vitit 1918 dhe kjo e tanishmja, kanë zhdukur, mjerisht, një pjesë të madhe të këtyre monumenteve. Megjithatë, andej-këtej ka mbetur ndonjë dëshmi e shpirtit fetar, mirëbërës dhe artistik të popullit tonë, që meriton të vrojtohet jo vetëm nga turistët, por edhe nga studiuesit e artit. Të tilla janë:

Kisha e Ristozit në Mborje

Kisha e Ristozit ndodhet në Mborje, katund rrëzë Malit të Moravës, rreth gjysmë ore jashtë Korçës. Është një kishë e vjetër, me stil të thjeshtë bizantin, e cila, sipas një mbishkrimi në gjuhën greke që ndodhet në anën e djathtë të hyrjes, duket se është ndërtuar më 898 pas Krishtit. Në atë vend ndodhet edhe portreti i ktitorit të saj, Episkopit Nifon. Ndërtesa është ajo e vjetra. Vetëm nga ana e perëndimit janë bërë disa riparime. I është kushtuar Shestjes së Zotit Krisht, që festohet ditën e dyzetë pas Pashkës së Madhe, ditë në të cilën zhvillohet edhe një panair i madh. Automobili shkon deri në vend.

Kisha e Shën Marisë në Labovën e Kryqit

Kisha e Shën Marisë ndodhet në Labovën e Kryqit, katund në veri të Libohovës, rrëzë malit që ndan Pogonin nga Dropulli. Thuhet se është ndërtuar në kohën e Perandorit Justinian, i cili e kishte pajisur jo vetëm me dy mullinj uji dhe njëzet pendë tokë, por edhe me afro gjashtëdhjetë dirhemë nga Kryqi i Nderuar i Krishtit, arsye për të cilën edhe katundi quhet deri më sot Labova e Kryqit. Kisha, e pikturuar e gjitha përbrenda, është në gjendje shumë të mirë. Mbi derën, nga ana e perëndimit, është shënuar viti 553. I është kushtuar Lindjes së Shën Marisë, që festohet më 8 shtator, ditë në të cilën zhvillohet një panair i madh. Automobili shkon deri në Libohovë. Që andej deri në katund duhen rreth gjysmë ore në këmbë. Të së njëjtës periudhë me këtë kishë, por jo në gjendje kaq të mirë, janë edhe kishat e katundeve Peshkëpi e Poshtme dhe Zervat, në Dropull.

Kisha e Shën Mëhillit në Berat

Kisha e Shën Mëhillit ndodhet në lagjen Mangalem të Beratit, ndërmjet shkëmbinjve të malit mbi të cilin është ndërtuar kalaja. Është një kishë e vogël, me stil të pastër bizantin, ndërtim i shekujve X–XI, e pikturuar përbrenda, por afresket, për shkak të kohës, nuk duken aq qartë. Pas djegies së kishës qendrore të lagjes, edhe ajo një kishë e vjetër, në të cilën gjendeshin lipsanet e dëshmorit të ri Shën Nikodhimit, kjo kishë përdoret sot si kishë famullitare. I është kushtuar Kryeengjëllit Mihail, që festohet më 8 nëntor.

Kishat e Shën Marisë së Vllahernës dhe të Shën Triadhës

Kisha e Shën Marisë së Vllahernës dhe ajo e Shën Triadhës ndodhen mbi kalanë e Beratit dhe i përkasin të dyja shekullit XI. E para, me stil bizantin, është në gjendje të mirë. Ajo është e pikturuar e gjitha përbrenda me ngjarje nga Dhjata e Re dhe ka një ikonostas të pasur, ku të bie në sy ikona e Shën Joan Pagëzorit, të veshur me gunën tradicionale të bariut shqiptar. E dyta, gjithashtu në gjendje pak a shumë të mirë, është e pikturuar e gjitha. Dy ikona që ndodhen nën portik ruhen deri më sot në gjendje të mirë dhe janë mjaft shprehëse.

Në kala ka edhe mjaft kisha të tjera, më të reja, në krye të të cilave qëndron katedralja. Ajo ka një ikonostas tepër të bukur, të skalitur në dru, dhe një epitaf me përmasa 1,25 × 0,85 metra, të qëndisur me ar dhe argjend, ku paraqitet Krishti i kurorëzuar me gjemba dhe, përreth, një tropar i Kishës. Është punim i vitit 1373. Në këtë kishë gjenden gjithashtu edhe dy ungjij të vjetër në pergamenë.

Manastiri i Shën Naumit

Manastiri i Shën Naumit ndodhet në një pozitë natyrore shumë të bukur, buzë liqenit të Pogradecit, dhe është themeluar rreth viteve 893–900 pas Krishtit. Kisha e vogël, e ndërtuar më vonë sipas stilit të thjeshtë bizantin, në formë kryqi dhe e stolisur bukur, më 1741 u dogj krejt përbrenda, duke mbetur vetëm karabinaja. Në atë rast u ripërtëri ikonostasi dhe u pikturua e gjithë kisha përbrenda nga një hierodhjakon me emrin Kostandin. Më vonë, pikërisht më 1860, është ripikturuar nga zografi korçar Terpo. Sapo hyn në kishë, në krahun e djathtë ndodhet varri i Shën Naumit, i pikturuar i tëri me skena nga jeta e tij. Ndër pikturat që ndodhen në parakishë është për t'u vënë re ajo e mbretërve ktitorë Mihail dhe Simeon. Nga bukuria e pozitës natyrore mund të themi se është mbreti i manastireve. Panigjirizon më 3 korrik.

Manastiri i Pojanit

Manastiri i Pojanit ndodhet pranë qytetit të vjetër të Apolonisë, në Myzeqe, dhe ka kishën e bukur e historike të Shën Marisë. Ky manastir është mjaft i vjetër, por, siç duket nga një mbishkrim që ndodhet në krahun e majtë të faqes perëndimore, është rindërtuar nga Perandori bizantin Andronik Paleologu. Poshtë mbishkrimit është pikturuar edhe familja perandorake, e përbërë nga tetë veta, të veshur të gjithë me stoli mbretërore. Që manastiri është mjaft i vjetër provohet edhe nga një pllakë guri që ndodhet në fund të murit, nga ana e jashtme jugore e kishës, ku janë skalitur në gjuhën greke këto fjalë:

«Këtu dergjet Melet Thitis, eklesiark i këtij manastiri të Apolonisë. Ndërroi jetë më 31 mars 858».

Kisha, e ndërtuar sipas stilit bizantin, ka qenë e gjitha e pikturuar përbrenda. Mjerisht, gjatë shekullit të kaluar është lyer me gëlqere. Vetëm sipër, në kupolë, dallohet "Pandokratori". Për t'u vënë re janë edhe katër ikonat e para të mëdha të ikonostasit. Gjithashtu, nëpër muret e oborrit shihen, andej-këtej, relieve të marra nga qyteti i Apolonisë. Manastiri i është kushtuar Fjetjes së Zonjës Shën Mari, që festohet më 15 gusht, ditë në të cilën zhvillohet panairi.

Manastiri i Ardenicës

Manastiri i Ardenicës ndodhet mbi një kodër të lartë, afër udhës që shkon nga Lushnja për në Fier, mes selvive dhe pemëve të ndryshme. Koha e themelimit të tij nuk dihet saktësisht. Duket se i përket periudhës së Despotatit të Epirit, në shekujt XII–XIII. Kisha, e dëmtuar nga koha, është rindërtuar më 1743, siç duket nga një mbishkrim në gjuhën greke që gjendet sipër derës së kishës, nga brenda. Ajo është pikturuar nga vëllezërit korçarë Kostandin dhe Thanas Zografi, me skena nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, si edhe me figura shenjtorësh të ndryshëm. Ndërmjet tyre dallohet edhe Joan Kukuzeli nga Durrësi, mjeshtër i shquar i muzikës bizantine në shekullin XIV. Kisha ka një ikonostas dhe një fron episkopal të skalitur me hollësi. Nëpër muret e jashtme shihen edhe disa pllaka guri të skalitura, të marra nga qyteti i Apolonisë. I është kushtuar Lindjes së Shën Marisë, që festohet më 8 shtator.

Manastiri i Pejës

Manastiri i Pejës ndodhet rreth dhjetë minuta jashtë qytetit, mbi një livadh të gjerë. Është themeluar në kohën e mbretit serb Stefan I, i cili e pajisi edhe me pasuri të shumta. Për një kohë të gjatë ka qenë qendër e Kryepiskopatës së Pejës. Ka tri kisha pranë njëra-tjetrës, të lidhura me një hyrje të bukur të përbashkët, të ndërtuar në kohën e Kryepiskopit Danail II, më 1324–1337. Në mes ndodhet Kisha e Shestjes, në të djathtë Kisha e Virgjëreshës dhe në të majtë Kisha e Shën Dhimitrit, të gjitha të pikturuara bukur. Ikonostasi i Kishës së Shestjes është punim i shekullit XII; ai i Kishës së Virgjëreshës i përket kohës së mbretit Dushan, ndërsa ai i Kishës së Shën Dhimitrit fundit të shekullit XIV. Kisha e mesit është rindërtuar më 1634. Automobili shkon deri në vend. Andej-këtej, vizitori sheh edhe varret e kryepiskopëve dhe të patriarkëve të Pejës.

Manastiri i Graçanicës

Manastiri i Graçanicës ndodhet afër qytetit të Prishtinës. Koha e themelimit të tij nuk dihet. Dihet vetëm se mbreti Milutin e rindërtoi që nga themelet, gjë që dëshmohet nga një pllakë guri e vendosur në murin e kishës së manastirit, e viteve 1314–1315, ku lexohen këto fjalë:

«E pashë Kishën e Shën Virgjëreshës dhe Episkopatën e Liplanit të rrënuar, prandaj e ndërtova prej themelit, e pikturova dhe e zbukurova përbrenda dhe përjashta».

Në këtë manastir ka pasur rezidencën edhe Episkopata e Liplanit, e cila, për këtë arsye, quhej shpesh edhe Episkopata e Graçanicës, nga viti 1383 deri më 1530. Kisha është e stilit të pastër bizantin, me vija të bukura estetike dhe me pesë kupola. I është kushtuar Ungjillëzimit të Virgjëreshës, që festohet më 25 mars, ditë që është edhe panairi i manastirit.

Manastiri i Mesopotamit

Manastiri i Mesopotamit ndodhet afër qytetit të vjetër të Finiqit, në Delvinë. Është një nga manastiret e vjetra të Shqipërisë. Më 668 pas Krishtit u bë seli e Episkopatës së vjetër të Finiqit, episkopi i së cilës që prej asaj kohe titullohej «i Mesopotamit dhe i Finiqit». Për një kohë të gjatë, ky manastir ka qenë edhe qendër e Eksarkatit të Patriarkanës së Stambollit, që ushtronte të drejta shpirtërore mbi katundet e rrethit. Kisha e bukur bizantine, me dy kupola, i është kushtuar Shën Kollit, që festohet më 6 dhjetor. Në murin veriperëndimor shihen figura të ndryshme tepër fantastike. Në kohët e vjetra manastiri kishte një bibliotekë të pasur.

Kisha dhe manastire të tjera

Shumë mund të shkruhet me këtë rast edhe për kishat e Voskopojës, të cilat, nga pikëpamja e artit dekorativ, përbëjnë një nder të madh për vendin tonë; për Manastirin e Shën Prodhromit në Voskopojë, Manastirin e Shën Pjetrit në Vithkuq, Manastirin e Cepos në Gjirokastër dhe për aq e aq kisha e manastire të tjera, të cilat, mjerisht, tufani i luftës së sotme i ka fshirë nga faqja e dheut.

Burimi: Dhimitër Beduli, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë gjer në vitin 1944, botimi I, KOASH, 1992, f. 37–43.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu