Lutja e Agimit nga Gjerondi Sofron i Eseksit
Një lutje për fillimin e ditës, me pendim, përulësi dhe kërkim të vullnetit të Perëndisë
Lutja e Agimit - e Gjerondit Sofron të Eseksit
O Zot i amshuar dhe Krijues i të gjithave, Ti që me mirësinë Tënde të pashqyrtueshme më thirre në këtë jetë; Ti që më dhe hirin e pagëzimit dhe vulën e Shpirtit të Shenjtë; Ti që më dhurove dëshirën për të kërkuar Ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dëgjoje lutjen time.
Nuk kam jetë, dritë, gëzim, urtësi, as fuqi pa Ty, o Perëndi. Për shkak të mëkateve të mia nuk guxoj t’i ngre sytë drejt Teje. Por Ti u the nxënësve të Tu: “Çdo gjë që do të kërkoni në lutje me besim, do ta merrni” dhe “çdo gjë që do të kërkoni në emrin Tim, do të bëhet”. Prandaj guxoj të të thërras:
Pastro më nga çdo ndotje trupore dhe shpirtërore. Më mëso të lutem drejt. Bekoje këtë ditë që ma dhurove mua, shërbëtorit Tënd të padenjë. Me fuqinë e bekimit Tënd, më bëj të aftë që vazhdimisht të flas dhe të punoj për lavdinë Tënde, me shpirt të pastër, përulësi, durim, dashuri, mirësi, paqe, guxim dhe urtësi, duke e ndier gjithmonë praninë Tënde.
Me mirësinë Tënde të pafund, o Zot Perëndi, më trego rrugën e vullnetit Tënd dhe bëj që të eci përpara Teje pa mëkat.
O Zot, për Ty të gjitha zemrat janë të hapura. Ti i di të gjitha ato për të cilat kam nevojë. Ti e njeh verbërinë dhe padijen time. Ti e njeh paqëndrueshmërinë dhe prishjen e shpirtit tim. Por as dhimbja dhe ankthi im nuk janë të fshehura prej Teje.
Pranoje, të lutem, lutjen time dhe me Shpirtin Tënd të Shenjtë më mëso rrugën në të cilën duhet të eci. Dhe kur vullneti im i shtrembëruar të më çojë në udhë të tjera, mos më lër të humbas, por bëj që të kthehem tek Ti.
Më jep, me fuqinë e dashurisë Sate, të qëndroj i palëkundur në të mirën. Ruajmë nga çdo fjalë ose vepër që mund ta shkatërrojë shpirtin, nga çdo dëshirë që mund të të hidhërojë Ty dhe të dëmtojë vëllain tim.
Më mëso si duhet dhe çfarë duhet të them. Nëse është vullneti Yt që të mos përgjigjem, më jep shpirt heshtjeje paqësore, që të mos i shkaktojë trishtim ose dhimbje vëllait tim.
Më forco në rrugën e porosive të Tua dhe, deri në frymën time të fundit, bëj që të mos largohem nga drita e porosive të Tua. Porositë e Tua le të bëhen ligji i vetëm i jetës sime mbi tokë dhe në gjithë përjetësinë.
O Perëndi, të lutem, mëshiromë. Çliromë nga pikëllimi dhe mjerimi im dhe mos e fshih prej meje rrugën e shpëtimit.
Në marrëzinë time, o Perëndi, të kërkova shumë gjëra, madje edhe gjëra të mëdha. Por gjithmonë kujtoj dobësinë time, ashpërsinë dhe ligësinë time dhe thërras: Mëshiromë.
Mos më largo nga Fytyra Jote për shkak të krenarisë sime. Më jep dhe shto në mua fuqinë që të të dua sipas porosive të Tua, unë më i keqi i njerëzve, me gjithë zemrën time, me gjithë shpirtin tim, me gjithë mendjen time, me gjithë fuqinë time dhe me gjithë qenien time.
Po, o Perëndi, me Shpirtin Tënd të Shenjtë, më mëso gjykim të drejtë dhe njohje. Më jep njohjen e së vërtetës Sate, para se të vijë fundi im. Ruaje jetën time në këtë botë derisa të mund të të ofroj pendim të denjë.
Mos më ço në vdekje në mes të ditëve të mia, as ndërsa mendja ime është ende e verbuar. Por kur të duash t’i japësh fund jetës sime, ma trego që më parë, që ta përgatis shpirtin tim para se të paraqitet përpara Teje.
Ji me mua, o Perëndi, në atë orë të frikshme dhe më dhuro gëzimin e shpëtimit. Pastro më nga mëkatet e mia të fshehta dhe nga gjithë mosmirënjohja që kam brenda meje, dhe më dhuro një mbrojtje të mirë përpara fronit të gjykimit Tënd.