Olivier Clément: Orthodhoksia dhe politika

Foto ilustrues nga UGO.

Olivier Clément: Orthodhoksia dhe politika

Mbi nihilizmin, Kryqin dhe përgjegjësinë e të krishterëve në shoqëri

Shënim hyrës i redaksisë

Teksti i mëposhtëm përmban ligjëratën e teologut të njohur orthodhoks francez Olivier Clément, me titull «Orthodoksia dhe politika». Clément-i foli për këtë temë më 13 dhjetor 1984, në amfiteatrin e Fakultetit Juridik të Universitetit Aristoteli të Selanikut, dhe më 14 dhjetor 1984, në amfiteatrin e Fakultetit të Teologjisë të Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës. Të dyja veprimtaritë u organizuan nga Lëvizja Studentore Kristiano-Socialiste. Teksti kryesor që paraqitet këtu është versioni i ligjëratës së mbajtur në Athinë. Në botimin greqisht u përfshinë edhe pyetjet e bëra në Athinë, si dhe disa pyetje nga takimi i Selanikut që nuk përsërisnin diskutimin e ditës pasardhëse.

Ligjërata u botua më 1985, nën titullin Ορθοδοξία και Πολιτική, nga shtëpia botuese «Μήνυμα» në Athinë, me përkthimin dhe redaktimin e Giannis Lappas-it dhe Giannis Zervos-it. Një studim bibliografik kushtuar veprës së Clément-it sqaron se ky material, me gjithsej 43 faqe, është botuar vetëm në greqishten moderne dhe nuk rezulton të ketë pasur një botim të veçantë në frëngjisht.

Ligjërata duhet vendosur në atmosferën e trazuar politike dhe intelektuale të Greqisë së pasdiktaturës. Organizatorët e cilësonin atë periudhë si «pasideologjike»: të rinjtë shfaqnin mosbesim ndaj ideologjive të gatshme, e majta greke po kalonte një krizë të thellë, ndërsa konsumizmi po shndërrohej në ideologjinë e re sunduese. Njëkohësisht, brenda Kishës po rizbulohej tradita etërore, jeta e famullisë dhe përvoja e bashkësisë, por ekzistonte rreziku që kjo përtëritje të mbyllej në «sallone teologjike» dhe të humbiste përmasën e saj shoqërore.

Konteksti politik ishte veçanërisht i tensionuar. Më 3 dhjetor 1984, Jean-Marie Le Pen kishte mbërritur në Athinë për të marrë pjesë në një takim të së djathtës ekstreme evropiane në hotelin «Caravel». Vizita e tij shkaktoi protesta, përleshje me policinë dhe arrestime masive parandaluese. Vetëm pak ditë më vonë, Clément-i fliste para studentëve për dhunën, totalitarizmin, nihilizmin, lirinë, marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe shtetit dhe përgjegjësinë politike të të krishterëve.

Prandaj, kjo ligjëratë nuk është një trajtesë abstrakte mbi politikën. Ajo është një ndërhyrje teologjike në një shoqëri të polarizuar. Clément-i kërkon një rrugë ndërmjet Krishterimit të shndërruar në ideologji shtetërore ose partiake dhe Krishterimit të mbyllur në një përshpirtshmëri individuale, pa përgjegjësi shoqërore.

Ligjërata e Olivier Clément-it

Para se të hyj në temën time, do të dëshiroja t’u përgjigjesha fjalëve të mira me të cilat më paraqitën – dhe për të cilat falënderoj – duke kujtuar një ngjarje shumë të njohur nga Shkrimi i Shenjtë: atë të «gomaricës së Balaamit».

(Gomarica e Balaamit: Bëhet fjalë për ngjarjen e përshkruar te Numrat 22:21–32, ku engjëlli i Perëndisë përdori gomaricën e profetit dhe parashikuesit Balaam, e cila i foli dhe e pengoi të mallkonte izraelitët.)

Nëse gomarica e Balaamit mundi të thoshte gjëra interesante, atëherë, mirë, i pranoj edhe unë, ashtu si gomarica, këto fjalë lavdëruese. Do të dëshiroja të thosha edhe diçka tjetër: prej shumë vitesh kam miq grekë. U detyrohem shumë; sigurisht, ndonjëherë më kanë bërë edhe të zemërohem. Por tani nuk ndiej për ta asgjë tjetër përveç mirënjohjes.

Dhe ajo që do të dëshiroja t’ju thosha të gjithëve që në fillim është: faleminderit. Sepse – dhe kjo do të jetë e vetmja dëshmi personale që do të ndaj me ju – gjithçka ia detyroj Kishës Orthodhokse.

Meqenëse besoj se gjëja e parë që njerëzit presin sot prej nesh është të jemi në gjendje të flasim për gjithçka, përfshirë edhe politikën, duke ruajtur njëfarë distance, fillimisht do të flas për nihilizmin, më pas për Kryqin dhe, në fund, për angazhimin dhe shërbesën tonë.

Nihilizmi

Do të filloj, pra, duke folur për nihilizmin, për të cilin, më besoni, e di mirë se çfarë do të thotë. Po të mos isha bërë orthodhoks, nuk e di nëse do të kisha mundur të vazhdoja të jetoja. Nuk mund të hedh as edhe një hap, përveçse brenda asaj drite të ëmbël, nëpërmjet së cilës Kisha Orthodhokse më mësoi të shoh Krishtin, çdo fytyrë njerëzore, çdo fije bari, si edhe yjësitë e qiellit.

Sepse më mësoi se edhe yjësitë më të largëta pasqyrohen në fytyrën e atij ose të asaj që dua. Sot është përmbushur bashkimi i planetit tonë. Konkretisht, secili prej nesh mbart brenda vetes mbarë njerëzimin. Ajo që dikur ishte e largët është bërë e afërt; dhimbja e çdo njeriu më përket edhe mua.

Mjetet e komunikimit masiv e kanë shndërruar tmerrin e planetit dhe masakrimin e pakuptimtë të të pafajshmëve në një spektakël të përditshëm. Sepse epoka e «bashkimit planetar» është njëkohësisht edhe epoka e nihilizmit.

Do të dëshiroja ta paraqisja simbolikisht nihilizmin me dy fjalë: Aushvic dhe Hiroshima. Hiroshima nënkupton vënien në pikëpyetje të vetë ekzistencës së njerëzimit nga fuqia e tij teknike dhe shkencore. Ju kujtoj se bomba ra mbi Hiroshima pikërisht në ditën kur ne orthodhoksët kremtojmë Shpërfytyrimin e Shpëtimtarit, sikur të na imponohej zgjedhja: shpërbërje ose shpërfytyrim.

Hiroshima është simboli i shpërbërjes: jo vetëm i lëndës, por edhe i shoqërive dhe, mbi të gjitha, i shpirtit njerëzor. Mund të përpiqemi t’i ikim kësaj shpërbërjeje – duke e përshpejtuar njëkohësisht – nëpërmjet drogës; mund ta kontrollojmë, mirë ose keq, nëpërmjet psikanalizës; mund ta shfrytëzojmë përmes luftës psikologjike ose reklamës së mbështetur mbi baza shkencore.

Në thelb, gjithçka përmblidhet në dialogun e Jisuit me të demonizuarin: «Cili është emri yt? Emri im është Legjion…». Flasim shumë për personin njerëzor, por shpesh, tepër shpesh: «Emri im është Legjion».

Aushvici, në një kuptim shumë të veçantë dhe përfundimtar, është simboli i asaj që unë e quaj ideologji: domethënë, i një grupi që shkrihet në një tërësi nga një botëkuptim i vetëm dhe homogjen, nga një «e vërtetë» që mendojmë se e zotërojmë dhe që e drejtojmë kundër tjetrit.

Zemra e ideologjisë është vullneti për pushtet i «atyre që dinë», dëshira për siguri e atyre që i ndjekin dhe përligjja e instinktit vrasës që çdo njeri mbart brenda vetes. Sepse asgjë nuk është më e padurueshme se tjetri – i afërmi ynë.

Simbolet e Hiroshimës dhe të Aushvicit bashkohen në ardhjen e nihilizmit. Stalini ia tha De Golit fjalën e tij të fundit: «Vdekja është ajo që fiton gjithmonë».

Në Perëndim – për Greqinë nuk e di – vdekja nuk ka qenë kurrë njëkohësisht kaq e ndrydhur dhe kaq e zhveshur sa sot. Të paktën në hemisferën veriore, prania e saj është shumë më pak e theksuar sesa në shoqëritë e lashta.

Prej këtij fakti lind një antinomi tronditëse: nga njëra anë, jeta jonë e përditshme, ku vdekja fshihet dhe ku të gjithë duken të rinj e të bukur; nga ana tjetër, kërcënimi i vetëvrasjes së mbarë gjinisë njerëzore ose, thjesht, vdekja personale me gjithë lakuriqësinë e saj tragjike, pa shpresë, pa rite, pa lutje dhe madje pa një gjuhë me të cilën të mund të përshkruhet.

Prej këtej lind edhe një tjetër antinomi tronditëse: ndërmjet botës sonë «të tejngopur materialisht» të hemisferës veriore – të cilën disa e kanë quajtur «bulimia e ankthit» – dhe botës së ashpër të zhveshjes, urisë dhe fëmijëve të shumtë që vdesin nga uria në hemisferën jugore.

Sartri thoshte se marksizmi ishte ideologjia e pakapërcyeshme e qytetërimit tonë. Unë do të thosha se horizonti i pakapërcyeshëm i qytetërimit tonë është asgjëja.

Asgjëja, pra, na rrethon. Prej këtij fakti lind, pa dyshim, një lloj neuroze kolektive, siç është, për shembull, dhuna pa shkak që shfaqet në shoqëri. Aty gjenden rrënjët e cinizmit dhe të hedonizmit, brenda asaj që një sociolog francez e ka quajtur «shoqëria e zbrazëtisë».

Pikërisht këtu – dhe askund tjetër – vendoset Kryqi.

Kryqi

Filozofi gjerman Adorno thoshte se pas Aushvicit nuk do të mund të shkruanim më poezi. Unë do të thosha më tepër se teodicetë tradicionale dhe racionaliste rrëzohen dhe se mbetemi përballë pohimit të madh të Koncilit V Ekumenik: «Perëndia pësoi vdekjen në mish».

(Teodiceja: Problemi i pajtimit të mirësisë dhe plotfuqishmërisë së Perëndisë me të keqen natyrore dhe morale që ekziston në botë.)

Pas Aushvicit dhe Hiroshimës, në zemër të nihilizmit bashkëkohor, nuk mund të flasim më për Perëndinë, përveçse për Perëndinë e Kryqëzuar.

Etërit nderuan «durimin e Jovit». Por epoka jonë jehon më tepër britmën dhe revoltën e Jovit, pyetjen «përse?». Heshtja e Perëndisë është e mbushur me pyetjet «përse?» të Jovëve të panumërt.

Përgjigjja e vetme ndaj Jovit nuk është një përgjigje me fjalë, por një përgjigje e shkruar me gjak: është Kryqi i Krishtit.

Mjafton të kujtojmë mirë se Krishti është «Njëri prej Trinisë së Shenjtë», siç thotë Liturgjia jonë; se Ai që vuan dhe vdes në Gjethsimani dhe në Golgotha është vetë Personi i Fjalës së Perëndisë.

I gjithë Perëndia, në Krishtin, bashkohet me të gjithë njeriun dhe e shoqëron atë deri në vdekje dhe në Had.

Ju e njihni, sigurisht, argumentin më të zakonshëm të ateistëve: Përse Perëndia nuk i rregullon të gjitha këto, meqenëse është i plotfuqishëm? Apo ndoshta nuk është i plotfuqishëm?

Perëndia është i plotfuqishëm. Por fuqia e Tij nuk është fuqia e diktatorëve dhe e xhelatëve, madje as fuqia që unë mund të ushtroj nëpërmjet urrejtjes sime.

Plotfuqishmëria e Perëndisë është – dhe këtu po përdor një term të vështirë për t’u përkthyer, i cili kërkon shpjegim – Dashuria. Jo dashuria që zotëron, por Dashuria që respekton; Dashuria që njësohet me atë që teologët e quajnë «kenosis», domethënë vetëzbrazje.

Njerëzit mund të krijojnë kopje dhe imitime. Por vetëm një plotfuqishmëri absolute mund të krijojë një tjetërsi vërtet absolute dhe një liri vërtet të lirë.

Akti i krijimit përbën një rrezik për Perëndinë. Perëndia rrezikon të refuzohet, të dëbohet dhe të kryqëzohet nëpërmjet lirive që përbëjnë kryeveprën e plotfuqishmërisë së Tij.

Dashuria është e pafuqishme, pikërisht sepse është e plotfuqishme. Ju e dini shumë mirë se, sa më shumë ta doni dikë, aq më të pafuqishëm bëheni përballë tij.

Dashuria që është liri dhe që kërkon lirinë nuk mund t’i zhdukë nga jashtë, në mënyrë autoritare dhe diktatoriale, errësirat që banojnë brenda nesh dhe të cilave ne, aq shpesh, lehtësisht dhe pa kundërshtim, ua dorëzojmë Krijimin.

Atëherë Perëndia na takon përsëri në Kryq. Ai bëhet mish dhe merr përsipër, nga brenda, gjithë gjendjen tonë të vdekjes, deri edhe ferrin, domethënë vetë mungesën e Tij, sepse ferri është mungesa e Perëndisë.

Kujtoni në Ungjillin sipas Joanit bisedat e lamtumirës: Jisui flet shumë; fjalët e Tij janë si një lumë. Më pas, gjatë Pësimit, mbi Kryq, Ai shqipton vetëm shtatë thënie. Në fund dëgjohet një britmë dhe pastaj heshtja.

Ndërmjet këtyre fjalëve është edhe kjo: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?».

Kështu, Perëndia i mishëruar merr, siç thotë apostull Pavli, «trajtë shërbëtori». Në lashtësi, skllavi quhej «i paperson», ai që nuk shihej, ai që nuk kishte fytyrë: proletari anonim, njeriu anonim i «turmës së vetmuar», njeriu pa dashuri, i torturuari me fytyrën e mbuluar nga një maskë djerse dhe gjaku.

Perëndia i mishëruar njësohet me të gjithë ata që janë «pa fytyrë» dhe u jep atyre Fytyrën e Tij.

Jo për t’u fundosur bashkë me ta në humnerë dhe në tmerr, sepse i Kryqëzuari, në thellësinë e qenies së Tij, mbetet Perëndi, një me Atin e Tij.

Që nga ai çast, në Krishtin, nuk mund të ekzistojnë më ndarje; nuk mund të ketë më ndarje ndërmjet Perëndisë dhe njeriut.

Kjo është thirrja ngadhënjimtare e Pashkës: «Me vdekje vdekjen shkeli». Perëndinjeriu i kryqëzuar është njëkohësisht edhe Perëndinjeriu i ngjallur.

«Perëndisë që pëson», për të cilin flet Shën Grigori i Nisë, i përgjigjet njeriu i ngjallur.

Prandaj, të flasësh për Kryqin e Krishtit nuk do të thotë të flasësh me gjuhën e dhimbjes, por me gjuhën e jetës më të lartë.

Në përmasën mistike – e vetmja gjë që na intereson – Kisha është njëkohësisht edhe një realitet shoqëror, një tërësi gjërash jo gjithmonë të volitshme.

Por Kisha, në përmasën e saj historike, një përmasë njëkohësisht mishore dhe shpirtërore, është jeta, fuqia e jetës, Mbretëria që po vjen.

Kryqi i Krishtit thyen gurin e varrit të kësaj bote dhe shfaqet si një fuqi e jashtëzakonshme jete në historinë e njerëzimit.

Megjithatë, duhet ta kuptojmë mirë këtë: Kisha sot duhet të ndërgjegjësohet se përbën një pakicë.

Por ajo nuk është një klub që organizon udhëtime të klasit të parë për në jetën e përtejme. Kisha ekziston si fuqi jete për shpëtimin e botës.

Burra dhe gra që e parandjejnë këtë në thellësinë e zemrës së tyre e kanë lënë pas vdekjen e vërtetë, vdekjen shpirtërore, në ujërat e Pagëzimit.

Ata janë çliruar thellësisht nga ankthi i vdekjes biologjike dhe janë të aftë – këtu po përdor një fjalë që ndoshta do t’i bëjë të buzëqeshin ata që merren me çështje praktike – të kenë mirësi: mirësi të vërtetë, të painteresuar dhe joideologjike.

Nëse ndiejmë diçka të tillë, atëherë të gjitha format e vdekjes në jetën tonë, çastet e lodhjes, dëshpërimit dhe humbjes së shpresës mund të shndërrohen në përvoja pagëzimore dhe pashkore.

Atëherë ndodh, në njëfarë mënyre, një çarje ndërmjet niveleve të qenies. E kuptojmë se nuk mund të shkojmë më tej dhe ia lëmë veten hirit të Ngjalljes.

Jeta vazhdon dhe një fuqi e re na përmbyt, sikur të shëroheshim dhe të riktheheshim në jetë, ndërkohë që kishim prekur fundin e saj.

Pikërisht në këtë çast kuptojmë diçka themelore: Krishterimi nuk është ideologji.

Ka pasur një periudhë kur Krishterimi u përdor nga shteti si ideologji sunduese. Megjithatë, përmasa e tij ungjillore dhe eukaristike u ruajt gjithmonë; miliona njerëz u shpëtuan nga dëshpërimi dhe u bënë të aftë për atë mirësi për të cilën fola më parë.

Sot, nëse na hiqet gjithçka, nëse na hiqet çdo pushtet dhe çdo mundësi për të vepruar hapur në shoqëri – dhe gjërat po shkojnë vazhdimisht në këtë drejtim – nuk duhet të zhvillojmë beteja praparoje.

Do të thosha se, nëse gjërat janë kështu, aq më mirë. Sepse atëherë zbulojmë të vërtetën e Krishterimit, i cili nuk është ideologji.

Një ideologji shpjegon; shpjegon për të mbajtur nën kontroll. Shpjegon për të manipuluar. Ajo përbën një vullnet imponimi.

Ndërsa në Krishterim, sa më shumë njohuri fitojmë, aq më pak dimë.

Këtë thoshte Shën Grigori i Nisës për marrëdhënien tonë me Perëndinë: sa më shumë e njoh Perëndinë dhe mbushem nga prania e Tij, aq më shumë Ai mbetet përtej çdo njohjeje.

Dhe ajo që vlen për marrëdhënien tonë me Perëndinë vlen edhe për marrëdhënien tonë me tjetrin. Sa më shumë e njohim tjetrin, aq më tepër e zbulojmë atë si mrekullisht të panjohur.

Pikërisht për këtë arsye Krishterimi nuk është ideologji. Do të thosha më tepër se ai është një lloj «spileologjie», një eksplorim i thellësive.

Ndërkohë që mendojmë se po ecim të qetë, realitete të panjohura hapen nga të gjitha anët. Duhet të bëhemi të tejdukshëm përpara kësaj fuqie të jetës.

Për këtë ekzistojnë rrugë skajore dhe shembullore. Ekziston rruga e martirizimit.

Martiri nuk është, siç mendojmë shpesh, thjesht dikush që jep jetën për idetë e veta. Martirizimi është përvoja mistike e një njeriu, i cili, në çastin e dhimbjes më të madhe, në vend që të revoltohet dhe të mbyllet brenda vetes, i dorëzohet Krishtit në një mënyrë të tillë që përmbytet nga gëzimi i Ngjalljes.

Vdekja e tij shndërrohet në lindje dhe ai lutet për xhelatin e vet. Më besoni, të gjithë do të kalojmë nëpër këtë përvojë, në një mënyrë ose në një tjetër.

Ekziston gjithashtu rruga skajore dhe shembullore e murgjve. Murgjit i zëvendësojnë vullnetarisht martirët kur Kisha përjeton një periudhë paqeje relative.

Murgu është ai që zhytet i gjallë në vdekje për të gjetur Ngjalljen, me qëllim që t’ia përçojë atë njerëzimit dhe botës.

Atëherë asketizmi i tij shndërrohet në një butësi të pakufishme, në ndërmjetim për të gjithë njerëzit dhe në një atësi të mbushur me dhembshuri.

Ju e dini se shën Isak Siriani thoshte se njeriu shpirtëror lutet madje edhe për gjarpërinjtë.

E gjithë kjo përbën, në tërësi, rrugën e Kishës. Ajo për të cilën kemi gjithnjë e më shumë nevojë – dhe që është njëkohësisht detyra dhe perspektiva jonë – janë bashkësitë eukaristike, vende ku njeriu mund të rilindë.

Lutja e tyre mbulon botën dhe Misteret e tyre ripërtërijnë shenjtërinë e tokës.

Kjo është diçka që veçanërisht ju, grekët, duhet ta bëni. Mendoj se nuk tregoni interes të mjaftueshëm për bukurinë e perëndive tuaja të lashta dhe për bukurinë e atyre tempujve, ku nuk ka më idhuj, por ku lartësohet bukuria e botës.

Nuk di shumë për Greqinë, por mund t’ju them se në Francë shumë njerëz – veçanërisht të rinj – e zbulojnë Perëndinë dhe misterin vetëm nëpërmjet bukurisë së botës.

Ndoshta këtu duhej të flisnim për energjitë hyjnore të shën Grigor Palamait.

Sidoqoftë, është e nevojshme që bashkësitë tona t’i shndërrojmë në vende të miqësisë së vërtetë, të mikpritjes vëllazërore, të ndihmës së ndërsjellë, madje edhe të bashkësisë së të mirave, duke ndjekur rrugën e atij «komunizmi të dashurisë» që ekziston në disa manastire, të cilat përpiqen të ringjallin bashkësinë e parë – dhe eskatologjike – të Jerusalemit.

Mendoj, pra, se kjo fuqi e jetës mund të kërkojë prej disa njerëzve një mënyrë të caktuar angazhimi, të cilën do ta quaja «politike-poetike-profetike».

Gjithnjë e më domosdoshëm bëhet zhvillimi i një etike politike. Për një kohë të gjatë as që mendonim për këtë.

Gjërat dukeshin shumë të thjeshta: kur pushtetin e kishte armiku im, pushteti ishte i keq; kur e kisha unë, ishte i mirë.

Por u kuptua se gjërat nuk ishin pikërisht kështu dhe se duhej të zhvillohej një reflektim mbi natyrën e pushtetit.

Për këtë arsye kemi nevojë për një etikë politike të mbështetur mbi dy pohime të pandashme: personi njerëzor si një realitet absolut, sepse është ikonë e Perëndisë, dhe personi si qenie në bashkësi, si përpjekje për bashkësi, meqenëse vetë Perëndia është dashuri trinitare.

Ju kujtoj se një filozof orthodhoks i shekullit të kaluar thoshte: «Trinia e Shenjtë është programi ynë shoqëror».

Kjo perspektivë shpirtërore presupozon se shpëtimi i krishterë, ndonëse i tejkalon shumë synimet e çlirimit politik, shoqëror ose ekonomik të njeriut, njëkohësisht i përfshin ato.

Nuk mund ta kundërvëmë besimin ndaj politikës, sepse jeta nuk ndahet. Shpëtimi i krishterë e përfshin politikën dhe njëkohësisht e tejkalon atë.

Sigurisht, nuk kemi parasysh «politikën e politikanëve», megjithëse ndonjëherë duhet të dimë edhe t’i ndotim duart.

Charles Péguy thoshte për disa të krishterë se i kanë duart të pastra, por problemi është se nuk kanë fare duar.

Do të thosha, pra, se shpëtimi i krishterë duhet ta ndriçojë politikanin, në kuptimin më fisnik të fjalës, dhe pastaj të shkojë përtej politikës.

Shërbimi më i madh që mund t’u bëjmë politikanëve është t’u themi se nuk e zotërojnë zgjidhjen e çdo problemi dhe se nuk mund t’i japin rrugëdalje ankthit njerëzor.

Sepse, nëse Krishti është Fitimtari mbi vdekjen, ne duhet të luftojmë kundër të gjitha formave të vdekjes: brenda nesh, rreth nesh, në qytetërim dhe në shoqëri.

Këto janë shenja që paralajmërojnë ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë.

Nëse nuk ka bukë për atë që po vdes nga uria, nëse nuk ka liri për të burgosurin politik, këto janë shenja se veprimi ynë i krishterë e tradhton Frymën.

Dhe këtu, brenda këtij Fakulteti Teologjik kaq mirë të betonuar, do të dëshiroja të thosha se teologjia është një aventurë.

Nëse në ndonjë sallon francez dikush thotë se interesohet për teologjinë, zakonisht mbizotëron një heshtje e akullt, sikur të ishte shqiptuar ndonjë fjalë e turpshme!

Megjithatë, shumë shpesh, në fund, gjendet dikush që e shfaq interesimin e tij.

Kjo aventurë është autentike vetëm me dy kushte themelore. Kushti i parë është që ta tërheqë njeriun njëkohësisht drejt thellësive të humnerës trinitare dhe drejt zemrës së masave njerëzore.

Kushti i dytë, të cilin ma frymëzon gjithë ky beton – (shënim i botuesve: vërejtja lidhet me ndërtimin e godinës së Fakultetit ku u mbajt ligjërata) – është që kjo aventurë duhet të jetë poetike.

Një nga arsyet që më bëri ta dua teologjinë orthodhokse është se ajo u krijua për t’u kënduar.

Brenda kësaj lufte për jetën, më duket se ne, të krishterët e epokës pasideologjike, do të gjejmë mbështetjen e të gjithë atyre që dëshirojnë ta mbajnë të hapur udhën drejt njohjes së njeriut: humanistë vullnetmirë, marksistë të sinqertë, të cilët, duke paguar çmimin e një përvoje tragjike, zbulojnë se «njeriu e tejkalon pafundësisht njeriun», siç thoshte Paskali, dhe që refuzojnë të lëvizin vetëm në nivelin e racionalizmit.

Këtu do të dëshiroja t’u kujtoja miqve të mi të rinj të lëvizjes kristiano-socialiste nevojën për një punë të madhe: përpunimin e një dialektike të vërtetë, pa superstrukturë dhe pa infrastrukturë.

Ajo që është shqetësuese te marksistët është se ata pranojnë që gjithçka ndikon mbi gjithçka, por, «në analizë të fundit», mendojnë se çdo gjë shpjegohet nëpërmjet marrëdhënieve ndërmjet natyrës dhe njeriut dhe nëpërmjet mjeteve të prodhimit.

Tani do të them diçka dashakeqe: shprehja «në analizë të fundit» i përket Althusser-it dhe ishte pikërisht kjo frymë ajo që e shtyu të mbyste gruan e tij.

Pra, as superstruktura dhe as infrastruktura, por struktura që ndodhen në bashkëveprim të vazhdueshëm, pa ndonjë sintezë tjetër të mundshme përveç vetë personit.

Besoj se kemi nevojë për të gjitha shkencat, përfshirë edhe disa analiza që do t’i quaja «marksiane», por me një kusht: përcaktimi i vetëm i njeriut është se vetë ai mbetet i papërcaktueshëm.

Në fund të fundit, kemi nevojë për një dialektikë të vërtetë, që të mund të interpretojmë strukturat e dhunës dhe të padrejtësisë.

Por nuk mund të gjejmë një shpjegim shkencor për bukurinë, dashurinë dhe vdekjen.

Duhet të jemi të aftë të flasim po aq mirë për të shtypurit gjatë rrjedhës së historisë, sa edhe për krijuesit e mëdhenj dhe shenjtorët e mëdhenj.

Nëpërmjet infrastrukturës shoqërore mund të shpjegojmë – megjithëse as kjo nuk është plotësisht e sigurt – Zelotët e Selanikut, por nuk mund të shpjegojmë shën Grigor Palamain ose shën Nikolla Kavasilën, i cili u shpall shenjtor, lavdi Perëndisë.

(Zelotët: Grupe të krishterësh të lidhur fort pas besimit dhe të vendosur për ta imponuar atë me çdo mënyrë. Ata kundërshtonin pushtetin politik dhe bashkëpunimin e Kishës me shtetin dhe prireshin drejt qëndrimeve teokratike. Dukuria është shfaqur në periudha të ndryshme të historisë së Kishës. Këtu bëhet fjalë për lëvizjen e Zelotëve në Selanik gjatë shekullit XIV, të cilët mbështetën me fanatizëm kërkesat për ndryshime shoqërore dhe, për një periudhë, arritën të zbatonin programin e tyre.)

(Kanonizimi i shën Nikolla Kavasilës u krye nga Patriarkana Ekumenike pas propozimit të Mitropolitit të Selanikut, më 23 shkurt 1982, dhe të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë, më 30 qershor 1982.)

Rrjedhimisht, mbajtja e hapur e udhës drejt njohjes së njeriut presupozon kufizimin e politikës nga etika dhe fuqizimin e etikës nga përshpirtshmëria.

Kjo do të thotë se duhet ta zëvendësojmë politikën që, me vetëdije ose pa vetëdije, bëhet gjithnjë e më totalitare, me një politikë të pjesshme dhe që vetëkufizohet në mënyrë të ndërgjegjshme; me një politikë që do të dinte të frymëzohej dhe të pranonte kritikën nga vetë burimet tona.

Ky është edhe funksioni i një lëvizjeje të krishterë politike-profetike: një kritikë e palodhur dhe një frymëzim krijues, sepse politikanët konsumohen aq shumë nga politika e tyre, saqë humbasin çdo aftësi për të parë përtej së tashmes.

Më parë folëm për krizën. Por në këtë çast po ndodhin ndryshime me përmasa kozmogonike; po hedhim themelet e një njerëzimi mbarëbotëror.

Dekarti thoshte: «Mendoj, pra ekzistoj». Mirëpo tani ekzistojnë makina që mendojnë në mënyrë të shkëlqyer.

Prandaj shtrohet çështja për të mësuar se çfarë është njeriu: njeriu që mbetet një enigmë, sepse është, para së gjithash, një marrëdhënie me Perëndinë dhe me vetveten.

Do të thosha gjithashtu se nuk duhet të luajmë me anarkizmin, sepse si kaosi, ashtu edhe totalitarizmi e mohojnë ligjin.

Megjithatë, duhet të përpiqemi pareshtur ta korrigjojmë dhe ta përsosim ligjin, duke e vendosur në marrëdhënie me ligjin e pashkruar, të shkruar vetëm në zemra: ligjin që është etika e personit, e dashurisë dhe e Krijimit.

Të krishterët – qoftë edhe vetëm disa prej tyre dhe, rrjedhimisht, vetë Kisha – duhet të jenë ruajtësit e këtij ligji, si një Antigonë e palëkundur përballë të gjithë Kreonëve.

Krishti tha: «Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote». Megjithatë, kjo Mbretëri është e pranishme këtu dhe tani.

Ajo është e pranishme në Misteret, në Eukaristinë Hyjnore. Pa dyshim, është e pranishme në pastërtinë dhe gëzimin e jetës nën dritën e Eukaristisë Hyjnore.

Është e pranishme në çastet e paqes dhe të besimit, kur ekzistojnë vetëm personat dhe kur toka është si një Mister; në ato çaste kur e dimë se vdekja nuk ekziston.

Atëherë, nën dritën e Mbretërisë, e cila është tashmë e pranishme brenda Misterit, ne të krishterët mund të përkrahim atë që unë do ta quaja «utopi krijuese».

Po huazoj një term nga reflektimi teologjik orthodhoks i viteve të fundit: utopia e një qytetërimi të bashkësisë.

Kjo utopi presupozon bashkëpunimin e të gjithëve. Këtu nuk ka kundërvënie.

Ekziston nevoja për jetën shpirtërore më të thellë, sepse njeriu shpirtëror është ai që paqëson ekzistencën; ai që fiton përvojën e njohjes së «zemrës së mençur», të zemrës-frymë; ai që tregon se dialektika e zotërisë dhe e skllavit nuk e ka fjalën e fundit.

Por utopia e «qytetërimit të bashkësisë» ka nevojë gjithashtu për kritikën e pamëshirshme të të gjithë atyre që luftojnë për drejtësi dhe për të gjitha format e vërteta të çlirimit: për çlirimin shoqëror dhe atë shpirtëror.

Ajo ka nevojë për ata që luftojnë – dhe këtu po përdor fjalët e shën Joan Gojartit – për kapërcimin e hendekut ndërmjet Misterit që kryhet në Altarin e Shenjtë dhe misterit që kryhet në zemrat e njerëzve.

Së fundi, do të thosha se «utopia e qytetërimit të bashkësisë» ka nevojë për krijues të bukurisë.

Për një bukuri të përtërirë – nuk është e nevojshme të kufizohemi në kopjimin e ikonave të shenjta të së kaluarës.

Për një bukuri brenda ferrit të nihilizmit bashkëkohor, të cilin Kryqi e përmbys papritur.

Për një bukuri nëpërmjet së cilës shprehet fytyra e Perëndisë në njeriun dhe fytyra e njeriut në Perëndinë.

Nuk e di, miq të dashur, nëse, duke bërë të gjitha këto, do të bëjmë Histori. Por të paktën mund të them se do të bëjmë kundërhistori.

Nuk do t’ua lëmë historinë Herodëve dhe Pilatëve. Kundërhistoria duhet ta vërë në pikëpyetje Historinë dhe, njëkohësisht, ta rigjallërojë atë.

Kjo nuk do të përmbushet kurrë deri në rikthimin e Krishtit.

Nuk do të ekzistojë kurrë një qytetërim i përkryer; nuk do të ekzistojë kurrë plotësisht «qytetërimi i bashkësisë».

Por do të ketë shenja dhe përpjekje. Ndodhemi në shkretëtirën e Eksodit, në udhën drejt Mbretërisë.

Prandaj kemi detyrimin t’u ofrojmë njerëzve stacione të ndërmjetme, oaze, tenda dhe himne, që të gjejnë guximin të ecin gjithmonë përpara, drejt shpërfytyrimit përfundimtar.

Ndoshta të gjitha këto kërkojnë sot një lloj shenjtërie të përtërirë, një «tip të ri shenjtori», siç shkroi Nikolai Berdjajevi: një shenjtor të aftë të marrë mbi vete të gjithë peshën e ndërlikueshmërisë së botës dhe të shoqërisë; të aftë ta shartojë botën me Frymën e Shenjtë, për ta ndriçuar dhe shpërfytyruar.

Kështu thotë Berdjajevi.

Sepse më duket se Fryma jetëbërëse nuk pushon kurrë së buruari bashkë me ujin dhe gjakun nga trupi i tejshpuar i të Kryqëzuarit dhe nga të gjithë të kryqëzuarit e historisë, të cilët na thërrasin të bëhemi shërbyes të Ngjalljes.

Të dhënat bibliografike

Olivier Clément, Ορθοδοξία και Πολιτική, përkthim dhe redaktim nga Giannis Lappas dhe Giannis Zervos, Botimet «Μήνυμα», Athinë, 1985.

Ligjëratat u mbajtën më 13 dhjetor 1984 në Universitetin Aristoteli të Selanikut dhe më 14 dhjetor 1984 në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës, me ftesë të Lëvizjes Studentore Kristiano-Socialiste.

Përkthimi nga greqishtja dhe përgatitja për botim në shqip: UGO.AL.

 

Lexo gjithashtu

Olivier Clément: Orthodhoksia dhe politika

Ligjërata trajton nihilizmin, Kryqin, përgjegjësinë shoqërore dhe angazhimin politik të të krishterëve.

Kanonet e Kishës ndalojnë shkëputjen arbitrare nga juridiksioni kishtar

Parimet kanonike mbi autoritetin e episkopit, kufijtë territorialë dhe pasojat e ndërprerjes së njëanshme të kungimit kishtar

«I rrëzoi të fuqishmit nga fronet…» mbi Odës së Hyjlindëses

Predikimi trajton vargjet mbi rrëzimin e të fuqishmëve dhe lartësimin e të përulurve, sipas mësimit të Shën Nikodhim Agjioritit.

Bëri pushtet me krahun e Tij predikim mbi Paraklisin e Hyjlindëses

Predikimi i Atë Epifan Haxhijankut, trajton kuptimin teologjik të fjalëve mbi fuqinë e Perëndisë dhe shpërndarjen e kryelartëve, sipas mësimeve të Shën Nikodhimit.

Kryepiskopi Joan predikon për besimin, lutjen dhe agjërimin të Dielën e X të Mattheut.

Predikimi për të Dielën X të Mattheut në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit

Atë Spiro Veli rihapi Kishën e Shën Marisë në Elbasan.

Rrëfimi për shërbesën, qëndresën dhe trashëgiminë shpirtërore të meshtarit pas rihapjes së kishave.