Si zbulohet Perëndia në zemrën njerëzore

Foto ilustruese krijuar me IA

 

KONKLUZIONE

 Përvoja e këtij njeriu, e Juri Maskovit, na tregon në mënyrën më praktike se si Perëndia e zbulon Vetveten. Diçka ndodh brenda zemrës; dhe, ndërsa vuajtja ndihmon në këtë shndërrim, nuk ekzistojnë mënyra të sigurta që ky shndërrim të arrihet.

Për shembull, gjatë gjashtëdhjetë viteve të fundit janë botuar shumë shkrime që vijnë nga Rusia, të cilat përshkruajnë raste njerëzish që vuajtën, por nuk u kthyen në besim.

Ekziston në anglisht një libër shumë interesant me titull “Rrëfimi im”, i shkruar nga një rus me emrin Martçenko.

 Martçenko ishte thjesht një njeri i ndershëm që nuk mund ta duronte gjendjen e tmerrshme të shtirjes që mbizotëronte në Rusinë Sovjetike — faktin që të gjithë të gënjenin.

Prandaj ai tha të vërtetën dhe për këtë arsye e dërguan në kamp. Autoritetet e nënshtruan ndaj marrjeve të zakonshme në pyetje dhe i thoshin vazhdimisht:

«E di, nëse vazhdon të ruash këto ide, edhe po të dalësh jashtë, do të kthehesh përsëri këtu. Pse nuk ndryshon dhe nuk bën si të gjithë të tjerët?»

 «Nuk mundem», u përgjigj ai, «sepse jam një njeri i ndershëm».

Duke vëzhguar besimtarët, ai arriti në përfundimin se ata ishin njerëzit e vetëm të lumtur në kampet e burgimit, sepse thoshin: «Po vuaj për Krishtin», dhe pranonin gjithçka që u ndodhte.

«Por unë nuk mund të jem si ata», thoshte ai, «sepse nuk besoj te Krishti».

Kështu ai pothuajse u çmend, duke parë rojtarët e burgut dhe duke dashur t’i përplaste dyert mbi ta. Kur doli nga burgu, ishte i mbushur me hidhërim dhe donte të vriste të gjithë shtypësit e tij.

Ai e dinte se do të kthehej përsëri në kamp; dhe në të vërtetë, sapo shkroi librin e tij, e dërguan përsëri atje.

  PYETJE DHE PËRGJIGJE

 Pyetje: Nëse demonët shfaqen si engjëj dhe thonë gjërat që do të thoshin engjëjt, atëherë si mundet njeriu të dallojë se cila është e vërteta?

Përgjigje: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Duhet të përulesh; duhet të jesh në një gjendje në të cilën të kërkosh të vërtetën e Perëndisë dhe jo të kërkosh “eksperienca”. Natyrisht, unë do të thoja se të bëhesh një i krishterë orthodhoks dhe të zbulosh të gjitha rregullat që udhëheqin një jetë të krishterë. Kjo ndihmon, megjithëse nuk është garanci, sepse mund të biesh në mashtrim edhe si i krishterë orthodhoks.

 Etërit e Kishës japin këshilla themelore. Për shembull, thonë se, nëse dikush të shfaqet si engjëll drite, trego mosbesim. Perëndia nuk do të të qortojë, nëse vërtet dëshiron të të shfaqet dhe ti e refuzon, sepse nëse vërtet dëshiron të të dërgojë ndonjë mesazh, do të vijë përsëri dhe do të gjejë një mënyrë për t’iu afruar. Në të vërtetë, Ai të lavdëron që je mosbesues, sepse nuk dëshiron të mashtrohesh.

 Ata që ndodhen në një gjendje shpirtërore më të përparuar, me më shumë përvojë në këto gjëra, kanë vepruar në mënyra të tjera. Kemi një shembull nga jeta e Shën Andonit të Madh, i cili shihte demonë gjatë gjithë kohës. Kur e pyetën se si mund t’i dallonte shpirtrat, ai tha: «Kur shfaqet një engjëll, ndiej shumë paqe, ndërsa kur shfaqet një demon, edhe nëse duket si engjëll, ndiej një shqetësim.» Megjithatë kjo është një qasje shumë e rrezikshme për fillestarët, sepse mund të ndihesh shumë i qetë edhe me demonët, nëse nuk ke përvojë.

Përgjigjja themelore për pyetjen tuaj është përsëri kjo: të bëheni pjesë e rregullit të Kishës Orthodhokse. Ndërsa do të lexoni ngjarje si ajo e Shën Nikitës dhe do të shihni se si paraqiten demonët, atëherë shpesh, vetëm duke njohur mënyrën tipike me të cilën përpiqen t’ju mashtrojnë, mund ta zmbrapsni mashtrimin menjëherë.

 Pyetje: A mund të flisni për pikëpamjen Orthodhokse mbi Shpirtin e Shenjtë dhe, në lidhje me këtë, për pikëpamjen ndaj rrëfimeve të krishtera jo-orthodhokse – nëse Shpirti i Shenjtë është i pranishëm në to?

Përgjigje: Shpirti i Shenjtë u dërgua nga Zoti ynë Jisu Krisht ditën e Pentikostisë, ditën e pesëdhjetë pas Ngjalljes së Tij, ditën e dhjetë pasi Ai Vetë u ngjit në qiej, me qëllim që Shpirti i Shenjtë të mbetej me Kishën deri në mbarimin e shekujve. Historikisht, një ishte Kisha që Ai themeloi.

Ka raste në kohët moderne kur njerëzit kërkojnë historikisht të gjejnë këtë Kishë. Për shembull, është e gjithë historia e Kishës në Ugandë. Në vitin 1920, dy studentë teologjie nga Uganda studionin në një seminar anglikan dhe filluan të shohin se mësimi që u jepnin nuk ishte i njëjtë me mësimin që lexonin te Etërit e Shenjtë. Atëherë filluan të mendojnë se përgjigjja duhet të ishte Romanokatolicizmi – se ajo duhej të ishte Kisha e lashtë. Në kërkimin e tyre për “Kishën e vërtetë, të lashtë” (siç e quanin), filluan të shkonin në një seminar romanokatolik dhe panë se, përsëri, mësimi që merrnin ishte i ndryshëm nga ai i Etërve të lashtë të Kishës. Filluan të thoshin: «Nëse e vërteta mund të shtrembërohet në këtë mënyrë, atëherë ku është e vërteta e Krishtit?» Dhe atëherë dëgjuan për besimin Orthodhoks dhe kaluan nëpër çdo lloj sprove për të zbuluar ku gjendej ai.

Së pari gjetën dikë që e quante veten orthodhoks, por që ishte vetëm një sharlatan, i cili jepte ato që ai i quante mistere. Kur një laik grek u tha se kishte diçka të çuditshme tek ai njeri, e kuptuan, ndryshuan mendim dhe filluan përsëri të kërkojnë. Peshkopi i parë orthodhoks që takuan nuk ishte një peshkop shumë i mirë dhe u tha: «Ah, mos u shqetësoni. Të gjitha fetë janë njësoj. Kthehuni tek anglikanët.» Por ata nuk lejuan që kjo t’i zhgënjente. Më në fund gjetën një peshkop orthodhoks që mësonte atë që duhej të mësonte, dhe u bënë orthodhoksë.

Sot Kisha është përhapur në Afrikë: nga Uganda në Kenia, në Zaire, në Tanzani e edhe më tej. Madje kemi edhe regjistrime nga Liturgjitë e tyre, të cilat janë shumë mbresëlënëse. Ata kanë marrë psalmodinë bizantine, greke dhe, pa u përpjekur t’i bëjnë diçka, thjesht duke kënduar në mënyrën e tyre, në gjuhën e tyre, ajo tingëllon shumë madhështore, me një ngjyrim vendas afrikan. Ata i bënë psalmodisë bizantine të njëjtën gjë që bënë grekët kur morën psalmodinë hebraike.

Kështu këta afrikanë kërkuan në aspektin historik dhe gjetën se ekziston një Kishë që vjen drejtpërdrejt nga Krishti dhe mëson ato që mësoheshin në kohët e lashta: Kisha Orthodhokse. Nga pikëpamja historike, mund të shihni gjithashtu se kishat e tjera u larguan prej saj. Para së gjithash Romanokatolicizmi në shekullin e njëmbëdhjetë, kur më në fund çështja e diskutimit mbi vendin e Papës në Kishë arriti në një pikë kritike dhe Papa refuzoi përgjigjen orthodhokse, duke marrë me vete gjithë Perëndimin.

Deri sot, Shpirti i Shenjtë vepron në Kishën Orthodhokse. Në shumicën e grupeve perëndimore protestante, çfarëdo që kanë, rrallë quhet mister, dhe kështu nuk do të kërkonit hirin e Shpirtit të Shenjtë në diçka që edhe vetë ata nuk e konsiderojnë si mister. Sigurisht, Romanokatolikët dhe disa grupe të tjera besojnë se kanë mistere. Unë personalisht do të thosha se misteret e vërteta, në kuptimin në të cilin i themeloi Krishti, mund të gjenden vetëm në Kishën Orthodhokse. Dhe ata që, duke marrë emrin e misterit, përpiqen të bëjnë më të mirën që munden me të – kjo është një çështje midis shpirtit dhe Perëndisë, dhe Perëndia mund të bëjë çfarë të dojë me atë shpirt – kjo është punë e Tij. Mund të mos jetë thjesht diçka psikologjike. Nuk e di; këtë do ta vendosë Perëndia. Por mënyrat që Ai vendosi në Kishë kalojnë nga brezi në brez deri pikërisht në këtë ditë në Kishën Orthodhokse. Vërtet mund ta shihni historikisht se ne bëjmë të njëjtat gjëra që bëheshin në Kishën e lashtë. Filipi, për shembull, e çoi eunukun në ujë dhe pa dyshim e pagëzoi saktësisht në të njëjtën mënyrë si ne: me tri zhytje në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë. Prandaj Orthodhoksia njihet si e vjetër në mënyrat e saj. Ne i ruajmë me vetëdije dhe me kujdes mënyrat tradicionale që u përcollën nga Krishti, Apostujt dhe Etërit e lashtë të Kishës.

 Pyetje: A do të na thoni për qëndrimin Orthodhoks ndaj feve jo të krishtera?

Përgjigje: Krishti erdhi për të ndriçuar njerëzimin. Ka shumë fe jashtë zbulesës së Tij, ku pasuesit janë të sinqertë – nuk ushtrojnë thjesht adhurim demonësh – dhe ku shpirti me të vërtetë përpiqet të arrijë te Perëndia. Unë do të thosha se, para se njerëzit të dëgjojnë për Krishtin, këto fe janë të mira deri aty ku arrijnë, por nuk mund t’ju çojnë te qëllimi. Qëllimi është jeta e përjetshme dhe mbretëria e qiejve, dhe Perëndia erdhi në mish për të na i hapur këto. Prandaj Krishterimi është rruga e vërtetë. Mund të vëreni elemente të së vërtetës në fe të tjera, dhe shpesh janë shumë të thella, por ato nuk e hapin qiellin. Vetëm kur Krishti erdhi në tokë dhe i tha kusarit «do të jesh me mua në Parajsë», u hap me të vërtetë qielli për njerëzit.

 Pyetje: Pra njerëzit që nuk e njohën zbulesën e Krishtit nuk kanë hyrje te e vërteta?

 Përgjigje: Ata që nuk dëgjuan kurrë për Krishtin? Këtë do ta gjykojë Perëndia. Edhe në Dhiatën e Vjetër njerëzit nuk kishin dëgjuar për Krishtin, dhe atëherë Krishti erdhi dhe u predikoi në Had. Gjithashtu edhe Shën Joan Pagëzori, ne besojmë, shkoi në Had para Krishtit dhe predikoi se Krishti do të vinte atje për të liruar ata që donin të liroheshin, ata që donin të besonin në Të. Kështu Perëndia mund t’ua zbulojë të vërtetën atyre që nuk patën kurrë mundësinë ta dëgjojnë – domethënë atyre që nuk e refuzuan Ungjillin, por thjesht nuk dëgjuan për të. Por që nga çasti që e pranon zbulesën, atëherë, sigurisht, je shumë më i përgjegjshëm se kushdo tjetër. Një njeri që pranon zbulesën e Perëndisë së mishëruar dhe pastaj nuk jeton sipas saj, është në gjendje shumë më të keqe se çdo prift pagan ose ndonjë tjetër i ngjashëm me të.

 Pyetje: Diçka për të cilën nuk di shumë, dhe ndoshta as shumë të tjerë nuk dinë, është se cilat janë ndryshimet dhe ngjashmëritë konkrete ndërmjet, të themi, Kishës Orthodhokse Ruse dhe Kishës Romanokatolike lidhur me dogmat dhe idetë e ndryshme, si trinia e Perëndisë apo nëse priftërinjtë martohen ose jo – të gjitha këto një mijë e një dallime të vogla.

Përgjigje: Ka shumë dallime të vogla. Ka një dallim themelor, mendoj, dhe do ta shpjegoj sidomos në lidhje me Shpirtin e Shenjtë. Është Kisha e Krishtit ajo që u jep hirin njerëzve. Dhe në Perëndim, kur Roma u shkëput nga kjo Kishë, ky Hir në të vërtetë humbi. Mundet që disa njerëz ta gjenin herë pas here aty-këtu, por Kisha e tyre si tërësi ishte shkëputur nga burimi i Hirit. Unë e shoh Katolicizmin e sotëm si një përpjekje për të zëvendësuar Hirin, që është humbur, me zgjuarsinë njerëzore. Prandaj e ngre Papën në pagabueshmëri, sepse duhet të japë një përgjigje ndaj pyetjes: «Ku është e vërteta?»

Ka disa që shikojnë Kishën tonë Orthodhokse dhe thonë: «Është e pamundur që njerëzit të gjejnë të vërtetën atje. Ju thoni se nuk besoni në asnjë papë apo peshkop dhe kështu nuk ka garanci; nuk besoni në Shkrimin, siç do të bënin protestantët, të cilët thonë se Shkrimi është fjala krejtësisht e pagabueshme e Perëndisë. Nëse keni një mosmarrëveshje, kush do të thotë fjalën e fundit?» Dhe ne themi se Shpirti i Shenjtë do ta zbulojë Vetveten. Kjo ndodh sidomos kur peshkopët mblidhen në Sinod, por edhe atëherë mund të ketë sinod të rremë. Dikush atëherë mund të thotë: «Nuk ka shpresë!»

Por ne themi se Shpirti i Shenjtë udhëheq Kishën dhe për këtë arsye nuk do ta tradhtojë atë. Nëse nuk ndieni se është kështu, atëherë shpikni gjëra, si p.sh. ta bëni Biblën të pagabueshme ose ta bëni Papën të pagabueshëm. Gjithashtu mund t’i ktheni gjërat orthodhokse në një lloj “ligji” – siç bënë Romanokatolikët – kështu që gjithçka të jetë e përcaktuar me hollësi: nëse shkel këtë ligj, shkon te rrëfyesi yt, ai të vendos një dënim të tillë ose të tillë dhe ti je përsëri “në rregull”. Orthodhoksia nuk ka një këndvështrim të tillë. Nga ky këndvështrim doli e gjithë ideja e indulgjencave, që është një shtrembërim krejtësisht juridik i kuptimit të pendimit. Nëse pendohesh, si kusari në kryq, mund të shpëtohesh në të njëjtin çast. Orthodhoksia gjithmonë thekson anën shpirtërore të marrëdhënies së shpirtit të njeriut me Perëndinë. Dhe të gjitha misteret dhe disiplina e Kishës janë vetëm mjete që njeriu ta vendosë shpirtin e tij drejt përpara Perëndisë. Ky është plotësimi i Besimit tonë. Në Kishën Romanokatolike, deri shumë vonë, kur gjërat filluan të shpërbëhen, theksi ishte më tepër te bindja ndaj një tërësie rregullash dhe prej kësaj të ishe “në rregull” me Perëndinë në një kuptim juridik, gjë që është një zëvendësim i Shpirtit të Shenjtë.

Pyetje: A mund të thoni diçka posaçërisht për Anglikanizmin, sepse ka njëfarë ngjashmërie midis tij dhe asaj që thatë ju për Romanokatolikët, që thonë se Papa është i pagabueshëm, dhe protestantët, që thonë se Bibla është e pagabueshme. Shoh se Anglikanizmi lëviz në logjikën e përpjekjes për të balancuar këto dy këndvështrime, megjithëse e kuptoj se mund të thoni se, historikisht, ai është një shkëputje nga Kisha e lashtë.

 Përgjigje: Në shumë raste, anglikanët përpiqen me të vërtetë, por nisen nga aq larg... Kur vjen te Perëndia, nuk mundesh vetëm të “hartosh plan” ose “të shpikësh një sistem”; duhet të hysh në kontakt të gjallë me Hirin e Tij. Prandaj përgjigjja për Anglikanizmin është të vijë në kontakt me Kishën.

 Pyetje: A e ka ende Kisha Orthodhokse kreshmën dhe të gjitha traditat e vjetra në lidhje me Kreshmën e Madhe?

Përgjigje: Po, ekziston një rregull i përcaktuar kreshmimesh, pikërisht si në kohët e lashta. Kjo nis shumë herët në historinë e Kishës. Ne e dimë nga “Mësimi i Dymbëdhjetë Apostujve” se në shekullin e parë ekzistonte kreshmë të Mërkurën dhe të Premten.

Pyetje: Mbrëmë mbajtët një ligjëratë për Zbulesën. A mund të na bëni një përmbledhje të shkurtër të saj?

Përgjigje: Po shqyrtoja ngjarje që ndodhin sot si shenja të fundit dhe cili duhet të jetë qëndrimi ynë i krishterë pranë fundit. Nuk duhet të numërojmë vitet ose të llogarisim kush është “mbreti i Jugut”, “mbreti i Veriut” e kështu me radhë, por të shkojmë më thellë. Të gjithë Apostujt e parë shkruanin në letrat e tyre për nevojën që të mendojmë se Krishti është afër, që të përgatitemi, duke qenë para së gjithash të gatshëm shpirtërisht. Nëse jemi në këtë gjendje të pritjes që Krishti të vijë tek ne në një kuptim shpirtëror, qoftë në shpirtrat tanë përmes hirit, qoftë në kohën e vdekjes sonë, atëherë pyetja se kur do të vijë trupërisht në këtë tokë në fund të botës nuk do të na trazojë aq shumë sa të bashkohemi me ndonjë herezi të re që ngjitet në majën e një mali dhe pret të vijë dita e Gjykimit. Ne nuk e dimë ditën dhe orën. Përparësia kryesore është përgatitja shpirtërore.

Megjithatë kohët tona janë kaq të mbushura me ato që mund t’i quanim “ngjarje apokaliptike”, saqë duhet të jemi mirë të informuar për to. Zoti ynë thotë se, ndonëse nuk e dimë ditën dhe orën, duhet të marrim shembull nga fiku, që kur gjelbërojnë gjethet e tij, e dimë se vera është afër. Po kështu, kur të gjitha këto dukuri fillojnë të ndodhin – kur ekziston mundësia të krijohet një qeveri botërore, kur Ungjilli predikohet në të gjitha kombet, kur krijohen kaq shumë rryma shpirtërore që janë aq qartazi mashtruese – ka shenja të qarta se diçka me rëndësi të madhe do të ndodhë dhe ka shumë të ngjarë të jenë të lidhura me fundin e botës.

Që të jemi shpirtërisht të përgatitur për këto, është shumë udhëzuese për ne të lexojmë për atë që u ndodh njerëzve në kampet e përqendrimit. Ngjarje të tilla na tregojnë se, çfarëdo që të ndodhë – edhe nëse jemi nën pushtetin e vetë Antikrishtit dhe na fusin në burg – mund të mbijetojmë, sepse kemi Krishtin. Jetët e martirëve kanë qenë gjithmonë një burim mësimi dhe formimi, dhe njerëz, për të cilët mund të mësojmë, bëhen martirë edhe sot.

Nga libri i Serafim Rouz,

Zbulimi i Perëndisë në zemrën njerëzore.

Përktheu përgatiti UGO.

Lexo gjithashtu

Si zbulohet Perëndia në zemrën njerëzore

Një tekst mbi dallimin shpirtëror, të vërtetën e Kishës Orthodhokse dhe përgatitjen e njeriut për të qëndruar me Krishtin në kohë sprovash.

Kisha ortodokse përkujton Oshënar Stefan Savaitin dhe Oshënare Sarën

Sipas kalendarit kishtar, më 13 korrik 2026 kujtohen edhe Mbledhja e Kryeengjëllit Gavriil dhe përkujtimi i shenjtorëve që jetuan në shekujt VIII dhe V.

Dr. Themistokli Bambulla mbajti predikim në Manastirin e Fjetjes

Predikimi për të Dielën e VI të Mattheut flet për faljen e mëkateve, besimin dhe nevojën e njerëzimit për Krishtin.

Kisha kujton Shën Veronikën dhe Oshënar Paisin

Në kalendarin kishtar përmenden dëshmorët Prokli e Ilari, Shën Veronika dhe Oshënar Pais Agjioriti.

Kisha përkujton dëshmoren Efimian dhe mbretëreshën Ollga më 11 korrik

Sipas kalendarit ortodoks, kujtimi i tyre përkon me 11 korrik, ditë e kushtuar dëshmisë së besimit dhe shenjtërisë në histori.

OCU feston 975-vjetorin e Lavrës Pechersk me murgj nga Athosi

Murgjit e Manastirit të Ri të Esfigmenit në Malin Athos morën pjesë në ceremonitë në Kiev me rastin e 975-vjetorit të Lavrës Pechersk.