Dr. Themistokli Bambulla mbajti predikim në Manastirin e Fjetjes
Foto UGO gjatë predikimit në Manastirin e Shenjtë të Hyjlindëses
Mëkati e paralizon njerëzimin Predikim mbajtur nga Dr. Themistokli Bambulla në Manastirin e Shenjtë të Fjetjes së Hyjlindëses të Dielën e VI të Mattheut Jezui tha: «Merr zemër, o bir; të janë falur mëkatet e tua»
(Matth. 9:2) Të dashur vëllezër dhe motra më Krishtin. Në ungjillin e sotëm dëgjojmë se kur i prunë një të paralizuar të dergjur mbi shtrat; Jisui si pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: Merr zemër, o bir, të janë falur mëkatet. Këto fjalë nxitën disa nga shkruesit të cilët thanë me veten e tyre: Ky po blasfemon. Edhe Jisui si pa mendimet e tyre, tha: Përse mendoni ju ligësira në zemrat tuaja? Sepse s’është më lehtë, të them: T’u falën mëkatet; apo të them: Ngrihu e ec? Po që ta dini se i Biri i njeriut ka pushtet mbi dhe të falë mëkate, – atëherë i thotë të paralizuarit: – Çohu, ngri shtratin tënd, edhe shko në shtëpinë tënde. Edhe ai u ngrit edhe shkoi në shtëpinë e tij. Edhe turmat, kur panë, u çuditën, edhe lavdëruan Perëndinë, që u dha njerëzve një pushtet të tillë. Në çdo epokë, vëllezërit e mi, ka shqetësimet dhe problemet e veta. Kështu deshi Perëndia. Nuk varet prej nesh se kur do të lindim dhe kur do të vdesim. Ai caktoi, për shembull, që të mos lindnim në shekullin IV para Krishtit, kur ndërtohej Akropoli. Nuk deshi të jetonim në shekullin VI ose VII pas Krishtit, kur ndërtohej kisha e Shën Sofisë dhe produkti shpirtëror i Bizantit shkëlqente në Lindje dhe në Perëndim. Nuk deshi të jetonim as në vitet e sundimit turk, kur besimi ynë rrezatonte në sakrificat e etërve tanë të skllavëruar. Perëndia deshi të jetonim sot, në këto kohë. Nëse mendojmë mirë se në çfarë kohësh jetojmë, do t’i lutemi Perëndisë në gjunjë të na japë fuqi për të duruar vuajtjet tona. Vetëm mendja e ndriçuar e një profeti, si ajo e Shën Kozmait të Etolisë mundi të parashikonte ato që po ndodhin sot, «përparimet» e shekullit tonë. — Epoka jonë përparoi, — thanë. — Do ta bëjmë njeriun të lumtur, më të lumtur se në çdo periudhë tjetër!... Lind natyrshëm pyetja me të vërtetë, a u bë njeriu më i lumtur? Kësaj pyetjeje i përgjigjen lotët dhe gjaku. Kurrë më parë bota nuk ka përjetuar aq shumë dhimbje, trishtim dhe ankth sa në ditët tona. Prandaj ky shekull nuk është shekull i shkencës dhe i përparimit, por shekulli i trishtimit, lotëve dhe gjakut. Ka kaluar pak më shumë se një shekull që kur ndodhi Lufta e Parë Botërore (1914–1918). Dhe ashtu si kombania korr kallinjtë, kështu edhe drapri i vdekjes korri rininë e botës. Në atë luftë ranë njëzet milionë njerëz. Thanë: — Kjo është lufta e fundit. Gabim! Nuk kaluan as tridhjetë vjet dhe shpërtheu, edhe më e tmerrshme, Lufta e Dytë Botërore (1940–1944), me dyfishin e të vrarëve dhe të plagosurve. Përsëri thanë: — Kjo do të jetë lufta e fundit. Gabim! «Juda i paligjshëm nuk deshi të kuptonte» ( thotë antifoni i tretë nga Mëngjesorja e së Premtes së Madhe,). Gomari, kur ndesh në rrugë një gropë dhe bie në të, nuk e harron. Kur kalon përsëri pranë atij vendi, tregohet i kujdesshëm dhe nuk bie për herë të dytë. Por njeriu nuk zë mend; duket më i ulët se kafsha. Retë e luftës po e mbulojnë përsëri horizontin; dëgjohen vetëtimat dhe bubullimat në të gjitha mediat. Rusë, kinezë, amerikanë e të tjerë kanë hapur malet dhe, brenda shpellave, kanë fshehur mijëra e mijëra bomba, të cilat, nëse Perëndia nuk e pengon, do ta shndërrojnë Tokën në Armagedonin e Apokalipsit (shih Zbul. 16:16), në një luftë që ndoshta do të shënojë fundin e njerëzimit mëkatar. Sa lot e sa gjak! Si munden, pra, shkencëtarët dhe të diturit e botës, të flasin për përparim dhe lumturi? Përse vallë ndodhin të gjitha këto? Përgjigjja është vetëm një: sepse njerëzimi u krenua dhe tha: — Do të jetoj pa Perëndinë! Kështu u shfaqën tellallët e ateizmit dhe të mosbesimit dhe thanë: — Poshtë Perëndia! Poshtë gjithçka e shenjtë dhe e shenjtëruar! Poshtë atdheu dhe rroftë bisha! Feja opium i popullit. Dhe ja ku u shfaq bisha, e arsyeshme dhe «shkencore», e cila përhapi zjarr dhe hekur mbi tokë. Ja ku u shfaq njeriu i ri i komunizmit që ne e jetuam dhe u kalitëm me të. Ja ku u shfaq njeriu modern i botës digjitale i cili nuk shikon përtej telefonit të tij. Ja ku erdhi edhe prishja e madhe e traditave dhe zakoneve. Përqeshet virgjëria. Çnderohet familja, e cila, për shkak të shkeljes së kurorës dhe të divorceve, pothuajse është shpërbërë dhe për më tepër në vend të saj po proklamohet një familje tjetër e deformuar ku rolin e nënës e luan një burrë dhe rolin e burrit një grua. Fëmijët hapin gojë e ngrenë dorë kundër prindërve. Burri nuk e do gruan dhe gruaja nuk e nderon burrin. Mashtrimi ngre kurthe, blasfemia tërbohet, gënjeshtra është me tepricë, padrejtësia plagos dhe grabitja triumfon. I pasuri shfrytëzon, ndërsa i varfri gjithmonë e pëson... O njerëzim i mjerë! Ëndërrove se do të shihje lumturinë, por je përsëri i palumtur. I ngjan të paralizuarit që shëroi sot Zoti. Drama e tij është një imazh në përmasa të vogla jo vetëm e fatkeqësisë dhe mjerimit individual, familjar e kombëtar, por edhe e fatkeqësisë dhe mjerimit të mbarë njerëzimit. Disa thonë me ironi për Ungjillin se ato që shkruhen në të vlejnë vetëm për «atë kohë». E kanë gabim! Ungjilli nuk vjetrohet. Ai është si dielli, i cili vazhdon ta ndriçojë botën. Kështu është edhe Ungjilli: ai nuk e ka humbur kurrë madhështinë, shkëlqimin e tij dhe efektet e tij shpirtërore. I paralizuari është fotografia e gjithë botës. Në këtë gjendje ka përfunduar edhe njerëzimi: i paralizuar dhe i pafuqishëm për të lëvizur. Ai ka nevojë që, ashtu si Zoti e ngriti të paralizuarin me fjalën e Tij të gjithëpushtetshme, po kështu të ngjallë edhe njerëzimin e paralizuar. Vetëm Ai mund t’i thotë: «Merr zemër, o bir; të janë falur mëkatet e tua»
(Matth. 9:2). Kemi nevojë për Krishtin, për besimin dhe për Kishën. Mos flasim as për shkenca, as për arte dhe as për urtësi njerëzore. Mbi të gjitha qëndron besimi i etërve tanë, besimi në Zotin tonë Jisu Krisht. Besim është si një nënë e ëmbël dhe na fal shpresë, gëzim dhe guxim! Besimi është i domosdoshëm. Shuajeni fenë, besimin dhe do të shihni se bota humbet shpresën e saj më të madhe. Më tregoni njeriun më të palumtur. Nëse ai beson në Krishtin, fiton shpresë dhe bëhet njeriu më i lumtur i botës. Krishti e bëri edhe njeriun më të palumtur të shpresojë te Perëndia, ndërsa njeriun më të lumtur ta përbuzë vdekjen, që të gjendet në përjetësi, në jetën e amshuar. Nëse nuk jemi të lumtur atëherë na mungon besimi. Besimi është i vetmi mjet i cili na shpëton ne dhe të tjerët ashtu si dhe djalin e paralizuar, por kur është i vërtetë, me zemër të pastër, jetë më Krishtin. Nuk na ndihmon dot një besim i jashtëm, i përshtatur sipas dobësive tona i cili nuk ka shembull, prototip vetë Krishtin. Ky lloj besimi është ai që është zënë në rrjetën e Satanait dhe na mbyt shpirtërisht dhe trupërisht ashtu si të paralizuarin. Le të vrapojmë pra të gjithë tek Krishti, me zemër të thyer me lutje dhe pendim, që të dëgjojmë dhe ne zërin e tij të ëmbël dhe fjalët «Merr zemër, o bir, o bijë; se të janë falur mëkatet e tua». Amin!
Lexo gjithashtu
Dr. Themistokli Bambulla mbajti predikim në Manastirin e Fjetjes
Predikimi për të Dielën e VI të Mattheut flet për faljen e mëkateve, besimin dhe nevojën e njerëzimit për Krishtin.
Kisha kujton Shën Veronikën dhe Oshënar Paisin
Në kalendarin kishtar përmenden dëshmorët Prokli e Ilari, Shën Veronika dhe Oshënar Pais Agjioriti.
Kisha përkujton dëshmoren Efimian dhe mbretëreshën Ollga më 11 korrik
Sipas kalendarit ortodoks, kujtimi i tyre përkon me 11 korrik, ditë e kushtuar dëshmisë së besimit dhe shenjtërisë në histori.
OCU feston 975-vjetorin e Lavrës Pechersk me murgj nga Athosi
Murgjit e Manastirit të Ri të Esfigmenit në Malin Athos morën pjesë në ceremonitë në Kiev me rastin e 975-vjetorit të Lavrës Pechersk.
St. George Press botoi libër për Kryepiskopin Anastas të Shqipërisë
Botimi përmbledh dialogë mbi jetën, misionin afrikan, rindërtimin e Kishës në Shqipëri dhe qëndrimet e tij për botën orthodhokse.
Kisha kujton dëshmorin Nikodhim nga Vithkuqi
Në kalendarin kishtar të 10 korrikut përmenden edhe 45 dëshmorët në Armeni dhe dëshmori Vianor.