Nga mjekues trupi në shërues shpirtrash, kush është kryepishkopi i ri orthodhoks?

Kryepishkopi i porsazgjedhur Imzot Joani ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i të ndjerit Kryepeshkopit Anastas për 32 vjet.
Sinodi i shenjtë i KOASH zgjodhi të dielën e 16 marsit kryepishkopin e ri ortodoks. Fortlumturia e tij Joani u zgjodh me vota unanime si më i denji përballë peshkopit të Fierit, Nikollës dhe atij të Gjirokastrës Dhimitrit. Të shumtë ishin besimtarët e pranishëm në katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë që kishin shkuar të ishin të pranishëm në këtë ngjarje të cilën e dëshmon për herë të parë Shqipëria e pas kohës së diktaturës komuniste.
Kryepishkopi i porsazgjedhur Imzot Joani ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i të ndjerit Kryepeshkopit Anastas për 32 vjet, nga të cilat 27 vite si Mitropolit i Korçës. Ai është dalluar për veprën e tij baritore dhe kontributin në rindërtimin e Kishës, zhvillimin e arsimit teologjik dhe forcimin e veprimtarive bamirëse të Kishës. I diplomuar me rezultate të shkëlqyera në studimet teologjike në SHBA, ai u kthye në Shqipëri për të kontribuar përkrah Kryepeshkopit Anastas në rimëkëmbjen e Kishës së shkatërruar të Shqipërisë.
Që nga viti 1993 ka shërbyer si profesor në Akademinë Teologjike të Durrësit, përkthyes i shumë teksteve teologjike dhe autor i tekstit të parë të Dogmatikës në gjuhën shqipe. Ai themeloi revistën “Tempulli”, përfaqësoi Kishën në takime ndërortodokse dhe ndërkristiane dhe është nderuar me tituj të spikatur për kontributin e tij në kulturë, arsim dhe dialog ndërfetar.
Përpara se të ndiqte thirrjen e tij baritore, kryepishkopi Joan ka shërbyer në spitalin psikiatrik.
Shkruar nga Erion Dushi