Mitropoliti Anastasi merr pjesë në konferencën e pelegrinazheve në Greqi
Hirësia e Tij përcolli përshëndetjet e Kryepiskopit Joan dhe foli për pelegrinazhin e jetën monastike në Aleksandropoli të Greqisë.
Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Anastasi, merr pjesë në punimet e Konferencës së V-të të Pelegrinazheve Fetare, që zhvillohet nga 30 tetori deri më 1 nëntor 2026 në Aleksandropoli të Greqisë. Sipas postimit në Facebook, konferenca organizohet nga Zyra Sinodale e Pelegrinazheve Fetare e Kishës Orthodhokse të Greqisë, në bashkëpunim me Mitropolinë e Shenjtë të Aleksandropolit, Trajanupolit dhe Samothrakës.
Në aktivitet marrin pjesë edhe përfaqësues të Patriarkanës Ekumenike, si dhe shumë klerikë e akademikë. Në përshëndetjen e tij Mitropoliti Anastasi përcolli përshëndetjet dhe bekimet e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Joanit, si dhe dashurinë vëllazërore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ai theksoi rëndësinë e pelegrinazhit si përvojë e gjallë besimi, lutjeje dhe ripërtëritjeje shpirtërore, që forcon vetëdijen e përkatësisë në një Trup të vetëm të Krishtit. Duke iu referuar tematikës së kongresit, ai vuri në dukje vlerat shpirtërore të traditës monastike, veçanërisht të mikpritjes dhe të tryezës së përbashkët.
Një vend të veçantë në fjalën e tij zuri përvoja e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë dhe ringritja e saj pas persekutimit ateist, falë veprës së Kryepiskopit të ndjerë Anastas. Mitropoliti shprehu gjithashtu shpresën për rilindjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të jetës monastike në Shqipëri.
Në përfundim, ai theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet Patriarkanave dhe Kishave Orthodhokse Autoqefale, përmes nismave të përbashkëta dhe pelegrinazheve. Sipas tij, kjo është një mundësi për njohjen e trashëgimisë së përbashkët shpirtërore dhe për forcimin e lidhjeve të dashurisë e të kungimit kishtar.
Dita e dytë vijoi me një pelegrinazh në Mitropolinë e Shenjtë të Dhidhimotikut, Orestiadhës dhe Sufliut. Pjesëmarrësit u pritën përzemërsisht nga Mitropoliti vendas, Hirësia e Tij Damaskino, dhe vizituan disa nga kishat e manastiret e mitropolisë.
Punimet e konferencës do të përmbyllen të dielën, më 1 nëntor, me Liturgjinë Hyjnore me bashkëmeshim kryepriftëror në Kishën e Shpërfytyrimit të Shpëtimtarit në Aleksandropoli.
Nuk është hera e parë që pelegrinazhi shfaqet në vëmendjen e Mitropolisë së Korçës; më parë, të rinjtë nga Selaniku realizuan pelegrinazh në Mitropolinë e Korçës.
