Kryepiskopi Joan mban fjalën mbi unitetin e krishterë në Assisi
Fortlumturia e Tij foli në forumin ndërkombëtar të paqes për lidhjen midis besnikërisë, dashurisë dhe unitetit kishtar
Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, mori pjesë në takimin Ndërkombëtar të Paqes me temë "Paqe e çarmatosur dhe çarmatosëse" (Unarmed and Disarming Peace) në qytetin e Assisit, një takim që përkon me 40-vjetorin e nismës historike të nisur nga Papa Gjon Pali II në vitin 1986 dhe zhvillohet nga 25-27 tetor 2026. Në këtë takim ndërkombëtar marrin pjesë primatë dhe udhëheqës fetarë nga mbarë bota, personalitete të larta të politikës, të kulturës, aktivistë të paqes dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga 53 vende të ndryshme të botës, ndërsa më 25 tetor 2026 u hapën punimet e këtij takimi me mesazhin e Presidentit të Republikës së Italisë, Sergio Mattarella.
Sipas programit, Kryepiskopi Joan referoi në dy prej forumeve të takimit, ku mbajti temat "Uniteti i krishterë si udhëtim në të Vërtetën dhe Paqen" (një perspektivë orthodhokse) dhe "Martirët bashkëkohorë: dëshmitarë të mirësisë". Më poshtë botojmë të plotë fjalën e tij të mbajtur në forumin "Uniteti i krishterë: Një çështje e hapur", në Santa Maria degli Angeli, Piazza Porziuncola 1, Assisi, më 26 tetor 2026.
Jetojmë në një epokë me bollëk të paprecedentë informacioni. Vërshimi i pandërprerë lajmeve, imazhesheve dhe opinioneve tërheq vëmendjen dhe formëson të menduarit dhe mënyrën tonë të jetesës. Megjithatë, ky bollëk nuk sjell gjithmonë një kuptim më të thellë. Madje, koncepte themelore si paqja dhe uniteti përdoren me kuptime të ndryshme. Për të krishterët, shqyrtimi i marrëdhënies midis tyre kërkon një rikthim te Ungjilli dhe te pranimi i tij në jetën e Kishës, në mënyrë që dialogu ynë të mbështetet mbi kritere të qarta theologjike.
Paqja mund të nënkuptojë mungesën e luftës, pajtimin shoqëror apo qetësinë personale. Megjithatë, në Ungjill, themeli i saj është restaurimi i kungimit me Perëndinë dhe me të afërmin. Kjo shtron pyetjen qendrore të këtij punimi: si lidhet besnikëria ndaj Krishtit, e cila mund të bëhet shkak mosmarrëveshjesh, me përpjekjen për unitetin e krishterë?
Vetë Zoti thote: "Mos mendoni se erdha të sjell paqe mbi tokë; nuk erdha të sjell paqe, por shpatë". Në të njëjtën kohë, Ai i drejtohet dishepullit: "Kushdo që dëshiron të vijë pas Meje, le ta mohojë veten, le ta marrë kryqin e tij dhe le të më ndjekë Mua". Leximi i këtyre dy pasazheve së bashku ofron pikënisjen për përgjigjen tonë: besnikëria ka një kosto, të cilën i krishteri thirret ta mbartë me dashuri dhe vetëmohim.
Në kapitullin e dhjetë të Ungjillit sipas Mattheut, "shpata" tregon përçarjen që mund të shkaktohet nga qëndrimet e ndryshme ndaj Krishtit, madje edhe brenda një familjeje. Shën Joan Gojarti ua atribuon këtë konflikt prirjeve njerëzore dhe mosgatishmërisë për t'u pajtuar me mësimin e perëndishmërisë, duke e bërë të qartë se ky nuk është qëllimi i Krishtit. Marrja e kryqit, dashuria për armiqtë dhe mohimi i rezistencës së armatosur gjatë arrestimit të Jisuit përcaktojnë reagimin e dishepullit ndaj një konflikti të tillë. Mosmarrëveshja nuk e shfuqizon detyrimin për të dashur. Për rrjedhojë, shprehja për "shpatën" nuk mund të përdoret për të justifikuar armiqësinë midis të krishterëve apo imponimin e fesë me forcë, sepse vetëm nëpërmjet dashurisë mund të hapet një rrugë që na çon drejt qëllimit të unitetit. Dashuria bashkon; armiqësia përçan.
Mënyra se si besnikëria dhe dashuria lidhen me njëra-tjetrën bëhet e qartë në vetë veprën e Krishtit. Shën Pavli e lidh shfajësimin përmes besimit me paqen me Perëndinë. Në Letrën drejtuar Efesianëve, ai e paraqet Krishtin si paqen tonë, sepse Ai e kapërcen armiqësinë mes judenjve dhe paganëve dhe, me anë të kryqit, i pajton të dyja palët me Perëndinë. Prandaj, pajtimi me Perëndinë ka një dimension komunitar që në fillim. Krishti e restauron kungimin me Perëndinë nëpërmjet vetofrimit të Tij në kryq. Pikërisht këtë paqe shpall Zoti i Ngjallur në përshëndetjen e Tij: "Paqja me ju", ndërsa adhurimi orthodhoks e fton Kishën e mbledhur të lutet "Me paqe". Dhurata e Perëndisë kërkon përgjigje dhe përfshin të gjithë jetën tonë: lidhjen tonë me Të, me veten dhe me të afërmin.
Njeriu, i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, është thirrur në kungim dashurie. Pendimi është përgjigjja jonë ndaj hirit hyjnor, i cili e shëron këtë kungim kur ai plagoset nga mëkati. Pendimi ka rëndësi të drejtpërdrejtë për udhëtimin drejt unitetit, sepse së pari na thërret të shqyrtojmë qëndrimet tona. Paqja me veten tonë nënkupton njohjen e dobësisë pa dëshpërim dhe pranimin e faljes pa braktisur luftën shpirtërore. Shkrimi i Shenjtë e lidh rrëfimin e mëkateve me faljen dhe pastrimin. Një përulësi e tillë na mundëson të dëgjojmë tjetrin pa supozuar paraprakisht se personi tjetër mban të gjithë fajin. Në këtë mënyrë, jeta shpirtërore personale ka një ndikim thelbësor në dialogun midis Kishave: ajo ushqen ndershmërinë, vetëshqyrtimin dhe gatishmërinë për të korrigjuar çdo gjë në sjelljen tonë që pengon afrimin vëllazëror.
Me siguri, paqja e brendshme nuk garanton automatikisht një përgjigje nga pala tjetër. Këtë kufizim e njeh edhe nxitja e shën Pavlit: "Nëse është e mundur, për aq sa varet nga ju, jetoni në paqe me të gjithë". Përgjegjësia jonë mbetet edhe atëherë kur përpjekjet për pajtim nuk sjellin rezultate të menjëhershme. Këtu, thirrja për të marrë mbi vete kryqin merr një kuptim konkret: ajo kërkon durim, dëgjim të vëmendshëm, falje dhe qëndresë ndaj dëshirës për hakmarrje. Njëkohësisht, dashuria për ata me të cilët jemi në dialog nuk na kërkon të fshehim një mosmarrëveshje reale apo të pajtohemi me gënjeshtrën dhe padrejtësinë. Besnikëria ndaj Perëndisë dhe butësia ndaj të tjerëve janë kërkesa të pandara të dëshmisë së krishterë. Në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin, kjo do të thotë se mund t'i shprehim ndryshimet tona me saktësi, duke mbetur të përkushtuar ndaj dashurisë vëllazërore.
Pra, përpjekja për unitetin e krishterë përfshin si pajtimin mes personave, ashtu edhe shqyrtimin e dallimeve në besim. Përderisa Krishti është burimi i paqes sonë, uniteti lidhet në mënyrë të pandashme me pohimin tonë të përbashkët se kush është Ai. Këtu qëndron rëndësia e trashëgimisë sonë sinodale: Besorja e Nikesë-Konstandinopojës pohon Birin si Perëndi të vërtetë, i Cili u mishërua për shpëtimin tonë, u kryqëzua dhe u ngjall. Ajo pohon gjithashtu besimin në një Kishë, të shenjtë, katholike dhe apostolike. Ky pohim përcakton si themelin, ashtu edhe qëllimin e kërkimit tonë: kungimin në Krisht, në të njëjtin besim dhe në të njëjtën jetë kishtare.
Bashkëjetesa paqësore është një pikënisje e domosdoshme, por ajo nuk është e njëvlershme me kungimin e plotë kishtar. Ndryshimet doktrinore që mbeten kërkojnë një shqyrtim theologjik të vazhdueshëm. Paragjykimet dhe plagët historike që e pengojnë këtë punë kërkojnë pendim dhe restaurim të besueshmërisë. Dashuria vëllazërore dhe kërkimi i pajtimit në fe mbështesin njëra-tjetrën: e para na mundëson t'i shqyrtojmë ndryshimet tona pa armiqësi, ndërsa e dyta i jep këtij afrimi substancën e nevojshme eklesiologjike.
Kjo lidhje midis të vërtetës, kungimit dhe dashurisë ndriçohet në Lutjen Kryepriftërore të Krishtit. Zoti lutet për dishepujt e Tij dhe për ata që do të besojnë nëpërmjet fjalës së tyre, duke lidhur unitetin e tyre me kungimin me Atin dhe Birin, shenjtërimin në të vërtetën dhe dëshminë ndaj botës. Prandaj, uniteti ka edhe rëndësi misionare: mënyra se si të krishterët ndërveprojnë me njëri-tjetrin ndikon në besueshmërinë e dëshmisë së tyre për pajtim.
Për këtë arsye, dialogu theologjik duhet të shoqërohet me bashkëpunim praktik në shërbim të atyre që vuajnë. Kujdesi për viktimat e dhunës dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor janë shprehje konkrete të dashurisë që ne dëshmojmë. Këto veprime nuk i zgjidhin në vetvete ndryshimet doktrinore, por ato shfaqin përgjegjësinë tonë për t'i shërbyer paqes ndërsa vazhdojmë të kërkojmë kungimin e plotë.
Tani mund t'i përgjigjemi pyetjes sonë fillestare. Besnikëria ndaj Krishtit kërkon prej nesh që ta trajtojmë me ndershmëri atë që na ndan; dashuria e zbuluar në kryq na kërkon të mos i kthejmë këto ndryshime në armiqësi. "Shpata" përshkruan ndarjen që mund të shkaktojë pranimi ose refuzimi i Krishtit, ndërsa kryqi tregon se si dishepulli i shërben pajtimit. Kështu, paqja në Krishtin përbën themelin e udhëtimit drejt unitetit dhe formëson etosin e tij. Ky udhëtim mbetet kërkues dhe i hapur, por drejtimi i tij është dhënë nga vetë Zoti: "që të gjithë të jenë një".
Forumi "Uniteti i krishterë: Një çështje e hapur", Santa Maria degli Angeli, Piazza Porziuncola 1, Assisi, Itali, 26 tetor 2026.
