Kryepiskopi Joan merr pjesë në Takimin e Paqes në Azis të Italisë
Takimi i organizuar nga Komuniteti i Sant’Egidio mbahet nga 25 deri më 27 tetor dhe përkon me 40-vjetorin e nismës së Papës Gjon Pali II.
Kryepiskopi Joan, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, merr pjesë në Takimin Ndërkombëtar të Paqes në qytetin e Azisit në Itali. Sipas njoftimit të marrë nga redaksia, takimi mban temën “Paqe e çarmatosur dhe çarmatosëse” (Unarmed and Disarming Peace) dhe organizohet nga Komuniteti i Sant’Egidio.
Takimi zhvillohet nga 25 deri më 27 tetor 2026 dhe përkon me 40-vjetorin e nismës historike të nisur nga Papa Gjon Pali II në vitin 1986. Marrin pjesë primatë dhe udhëheqës fetarë nga mbarë bota, personalitete të larta të politikës dhe të kulturës, aktivistë të paqes dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga 53 vende. Punimet u hapën më 25 tetor me mesazhin e Presidentit të Republikës së Italisë, Sergio Mattarella.
Kryepiskopi Joan do të referojë në dy prej forumeve të takimit. Tema e parë është “Uniteti i krishterë si udhëtim në të Vërtetën dhe Paqen” nga një perspektivë ortodokse, ndërsa e dyta është “Martirët bashkëkohorë: dëshmitarë të mirësisë”.
Ceremonia përmbyllëse do të zhvillohet më 27 tetor në Sheshin e Poshtëm të Bazilikës së Shën Franceskut. Aty do të jepet një apel global për paqen.
Siç kishte raportuar UGO, Kryepiskopi Joan foli për paqen në Forumin Rajonal Evropian në një tjetër takim me temë të ngjashme.
