Fushata "Paqe dhe Harmoni" përmbyllet në Tiranë me liderë fetarë dhe BE

2824
09:01
6
Përfaqësuesit e komuniteteve fetare. Përfaqësuesit e komuniteteve fetare.

Drejtoresha e QKEDH, Lejdi Dervishi, dhe përfaqësues të komuniteteve fetare theksuan rëndësinë e komunikimit strategjik për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm

Fushata "Paqe dhe Harmoni", zhvilluar në kuadër të projektit "Shpërndarje mesazhesh nga udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në Shqipëri", u përmbyll të mërkurën në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, Bashkimit Evropian, komuniteteve fetare dhe organizatës Hedayah.

Aktiviteti u zhvillua në "Hilton Garden Inn Hotel" dhe u fokusua në rezultatet e fushatës, e financuar nga programi i Bashkimit Evropian "Forcimi i Qëndrueshmërisë ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm" (STRIVE II), si dhe në rëndësinë e komunikimit strategjik për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Rëndësia e bashkëpunimit dhe komunikimit

Drejtoresha e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, theksoi në fjalën e saj rëndësinë e bashkëpunimit dhe komunikimit për forcimin e qëndrueshmërisë së shoqërisë ndaj ekstremizmit të dhunshëm.

Duke folur për fushatën "Paqe dhe Harmoni", Dervishi u shpreh se nisma synon të përdorë komunikimin për të përcjellë mesazhe të paqes, respektit, tolerancës dhe bashkëjetesës, duke vlerësuar veçanërisht kontributin e liderëve fetarë dhe aktorëve të komunitetit.

Ajo theksoi se parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm nuk është vetëm çështje sigurie, por lidhet edhe me kohezionin social, edukimin, besimin dhe aftësinë e komuniteteve për t'i rezistuar urrejtjes, përjashtimit dhe dhunës.

"Shqipëria ka një pasuri të çmuar, traditën e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare. Por kjo pasuri duhet të ruhet dhe të përcillet te brezi i ri", u shpreh Dervishi.

Drejtoresha e Qendrës vlerësoi gjithashtu katër produktet e krijuara në kuadër të fushatës, duke nënvizuar se, pavarësisht formave të ndryshme, ato përcjellin mesazhin se ndryshimi fillon nga mënyra se si komunikojmë me njëri-tjetrin.

Dervishi falënderoi Bashkimin Evropian, Hedayah dhe Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin, ndërsa theksoi se mesazhet e "Paqe dhe Harmoni" duhet të vijojnë të përcillen në komunitete, shkolla dhe media.

Sipas saj, suksesi i një fushate të tillë nuk matet vetëm me shikime apo shpërndarje, por edhe me reflektimin që krijon një mesazh, një bisedë që nis apo një qëndrim që ndryshon.

Liderët fetarë, mesazhe për bashkëjetesën

Në aktivitet mori pjesë edhe Kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili vlerësoi punën e realizuar dhe bëri thirrje për vijimin e bashkëpunimit mes të gjithë aktorëve.

"Armiku i parë i njerëzimit është injoranca, i dyti varfëria dhe i treti egoizmi", tha Brahimaj.

Mesazhe për paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare përcollën edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Drejtor i Radios "Ngjallja" dhe përfaqësues i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, At Grigor Pelushi, Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Mons. Gjergj Meta, si dhe Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Erjon Sylari.

Katër faza dhe katër produkte audiovizive

Gjatë aktivitetit u prezantua projekti i Hedayah dhe modeli i fushatës, i mbështetur në katër faza: planifikim, prodhim, promovim dhe vlerësim.

Eksperti i komunikimit strategjik, Gjergji Hamiti, prezantoi fushatën "Paqe dhe Harmoni", duke u ndalur te katër produktet kryesore audiovizive. Ato trajtuan bullizmin online dhe offline, bashkëjetesën ndërfetare, rolin e udhëheqësve fetarë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe narrativat e bazuara në besim përmes një podkasti.

Sipas organizatorëve, fushata u zhvillua për gjashtë javë dhe u shoqërua me mekanizma monitorimi dhe vlerësimi. Në kuadër të saj, mesazhet u shpërndanë përmes rrjeteve sociale, televizioneve, mediave online, reklamimit në ambiente publike dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese në shkolla.

Rreth 560 mijë qytetarë të angazhuar

Fushata arriti të angazhojë rreth 560 mijë qytetarë në të gjithë Shqipërinë. Aktivitetet ndërgjegjësuese u zhvilluan në 16 shkolla, ku u shpërndanë rreth 3 mijë fletëpalosje dhe 100 postera, duke përfshirë më shumë se 5.200 nxënës.

Mesazhet u transmetuan gjithashtu përmes televizioneve, reklamimit në ambiente publike dhe gjashtë mediave online, duke gjeneruar një audiencë shtesë prej rreth 20 mijë lexuesish.

Aktiviteti përmbyllës u shoqërua edhe me një seancë diskutimi mbi ndikimin e fushatës dhe mësimet e nxjerra gjatë zbatimit të saj.

Nevoja për qëndrueshmëri dhe angazhim të vazhdueshëm

Drejtoresha e Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH), Lejdi Dervishi, u shpreh se kërkohet qëndrueshmëri dhe angazhim i vazhdueshëm, veçanërisht në komunikimin me të rinjtë.

"Duhet të mbajmë qëndrueshmërinë dhe komunikimin në shkolla, shoqërinë civile, komunitetet fetare dhe institucionet. Mënyra sesi të komunikojmë me të rinjtë përmes komuniteteve fetare do të ishte gjëja më e mirë", u shpreh Dervishi.

Ajo theksoi se QKEDH ka disa programe për identifikimin e grupeve që duhen monitoruar lidhur me gjuhën e urrejtjes, ndërsa nënvizoi se projekti i zbatuar përbën vetëm një hap të parë dhe se puna duhet të vijojë në mënyrë të qëndrueshme.

Reagimi i shpejtë ndaj radikalizimit online

Këshilltari Rajonal i Bashkimit Evropian për Luftën Kundër Terrorizmit dhe Parandalimin e Kundërvënien ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm, Eddy Greif, theksoi rëndësinë e reagimit të shpejtë ndaj përmbajtjeve që nxisin radikalizimin, veçanërisht në rrjetet sociale.

"Përmes mediave sociale mesazhi lëviz me shpejtësi. Kjo do të thotë se kemi shumë pak kohë për të mbrojtur të rinjtë nga radikalizmi, për të gjetur përmbajtjet, t'i heqim dhe të identifikojmë autorët", tha Greif, duke nënvizuar nevojën për komunikim strategjik dhe fushata ndërgjegjësuese.

Fushata u realizua përmes bashkëpunimit ndërmjet Hedayah, QKEDH-së dhe Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, me mbështetjen e Komisionit Evropian në kuadër të programit STRIVE II, me synim forcimin e kohezionit social dhe ndërtimin e komuniteteve më të sigurta e rezistente ndaj ekstremizmit të dhunshëm.

Burimi: ATSH

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu