Kryepiskopi Joan flet për paqen në Forumin Europian Ndërfetar
Fjala e Kryepeshkopit Joan trajtoi kërkimin e së shenjtës, respektin ndërfetar dhe përgjegjësinë për paqen në shoqëri.
Fjala e Kryepeshkopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Joan, në Forumin Europian Ndërfetar
Ndërfetari — Me nderim ju drejtoj këtë përshëndetje në takimin e sotëm ndërfetar.
Prania jonë në të njëjtën hapësirë nuk përbën thjesht një prani formale të përbashkët të përfaqësuesve të traditave të ndryshme fetare. Ajo është një dëshmi publike se njeriu mund t’i qëndrojë besnik identitetit të vet shpirtëror dhe, njëkohësisht, t’i afrohet tjetrit me respekt, mirëkuptim dhe dashuri.
Është gjithashtu një kujtesë se bashkësitë fetare kanë një përgjegjësi të veçantë për t’i shërbyer paqes, për të shëruar plagët dhe për të forcuar lidhjet brenda shoqërisë. Kryepiskopi i ndjerë Anastas i kushtoi një pjesë të rëndësishme të veprës së tij fushës së studimit të feve, asaj që, në titullin karakteristik të një libri të tij, e quajti: «Kërkim i Transhendentit». Kjo shprehje e shkurtër përcjell një realitet të thellë në çdo popull, në çdo kulturë dhe në çdo vend.
Njeriu e drejton vështrimin përtej kufijve të së dukshmes dhe asaj që sjell dobi të menjëhershme. Ai kërkon hyjnoren, të shenjtën, të amshueshmen. Shtron pyetje për prejardhjen e vet, për qëllimin e jetës, për kuptimin e vuajtjes, për misterin e vdekjes dhe për shpresën që mund ta kapërcejë prishjen. Ky kërkim nuk është një luks i panevojshëm dhe as një veprim i shkëputur nga jeta e përditshme.
Ai përbën një nevojë të thellë shpirtërore. Njëkohësisht, kërkimi i Perëndisë nuk duhet të kthehet kurrë në shkak përplasjeje, urrejtjeje apo dhune. Emri i Perëndisë nuk mund të përdoret për të poshtëruar njeriun. Besimi nuk mund të bëhet mjet për të përjashtuar, për të ushqyer fanatizmin ose për të sunduar mbi të tjerët.
Sigurisht, mënyra se si çdo traditë fetare i afrohet së shenjtës ndryshon. Ekzistojnë dallime thelbësore teologjike, të cilat nuk është as e ndershme dhe as e dobishme t’i shpërfillim. Dialogu i vërtetë nuk kërkon të dobësojmë besimin tonë, të heshtim për bindjet tona apo të krijojmë një njëtrajtshmëri artificiale.
Por le të përpiqemi që kërkimi i së shenjtës të nxjerrë në pah jo ato që mund të na ndajnë, por përgjegjësinë që kemi për të jetuar si vëllezër. Ka vlera që nuk duhet të flijohen në emër të asnjë dallimi: paqja, dashuria, mirëkuptimi dhe respekti ndaj çdo qenieje njerëzore. Njeriu nuk është një mjet për t’u shërbyer synimeve ideologjike, politike apo fetare.
Ai është një person me vlerë unike dhe të papërsëritshme. Jeta, liria dhe dinjiteti i tij janë elemente të panegociueshme të një shoqërie të drejtë. Asnjë argument nuk mund të përligjë përçmimin, keqtrajtimin apo asgjësimin e tjetrit. Ne që përfaqësojmë bashkësi fetare kemi, në këtë pikë, një përgjegjësi edhe më të madhe.
Nuk mjafton të bëjmë thirrje të përgjithshme për paqe. Ne jemi të parët që thirremi të bëhemi shembuj të paqes. Fjala jonë, vendimet tona dhe mënyra se si i trajtojmë ata që ndryshojnë prej nesh duhet të dëshmojnë se besimi mund ta çlirojë njeriun nga frika dhe paragjykimi.
Bashkësitë tona duhet të jenë vende ku njeriu mëson jo vetëm të mbrojë identitetin e vet, por edhe të respektojë identitetin dhe dinjitetin e tjetrit. Paqja, në fund të fundit, nuk është thjesht mungesa e konfliktit të armatosur. Ajo është një vepër e përditshme drejtësie, besimi të ndërsjellë dhe pajtimi.
Ajo ndërtohet kur shmangen fjalët që plagosin, kur mbrojmë ata të cilëve u bëhet padrejtësi, kur nuk lejojmë që një bashkësi e tërë të fajësohet për veprimin e një njeriu dhe kur refuzojmë ta shndërrojmë frikën në paragjykim kolektiv. Fusha më e sigurt ku mund të ecim së bashku është shërbimi konkret ndaj njeriut, sepse, përpara çdo cilësie tjetër, të gjithë jemi njerëz.
Të gjithë e njohim nevojën, sëmundjen, vetminë, pasigurinë, dhimbjen dhe, në fund, misterin e vdekjes. Ky bashkëpunim nuk i shfuqizon dallimet tona teologjike. Ai i vendos ato brenda një kuadri pjekurie dhe respekti të ndërsjellë.
Mund të mos pajtohemi pa e urryer njëri-tjetrin. Mund të dëshmojmë besimin tonë pa fyer. Mund të bashkëpunojmë pa i ngatërruar traditat tona. Dhe mund t’i shërbejmë së bashku njeriut, sepse pranojmë se dhimbja nuk ka fe dhe se nevoja nuk njeh kufij.
Përvoja e veçantë historike e Shqipërisë na ofron mësime të çmuara. Populli ynë njohu kohë kur u bënë përpjekje për të fshirë nga shoqëria çdo përmendje të Perëndisë dhe për të shtypur me dhunë ndërgjegjen fetare.
Por ai njohu edhe fuqinë e rilindjes, të bashkëjetesës paqësore dhe të bashkëpunimit ndërmjet bashkësive fetare. Këtë trashëgimi e kemi për detyrë jo vetëm ta ruajmë, por edhe ta thellojmë, në mënyrë që brezat e rinj të mos njohin kurrë frikën, intolerancën apo dhunën në emër të besimit.
Faleminderit për vëmendjen!
Përgatiti, trankriptoi UGO.AL, nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë
Në të njëjtin kontekst kishtar, kishte paraprirë trajtimi i dialogut katoliko-ortodoks.