Kryepiskopi Joani predikoi për të riun e pasur në Tiranë
Në predikimin e së Dielës XII të Mattheut, ai foli për përjetësinë, lakminë dhe thirrjen e Krishtit drejtuar të riut të pasur.
𝐃𝐮𝐤𝐞 𝐣𝐞𝐭𝐮𝐚𝐫 𝐦𝐞 𝐝𝐢𝐦𝐞𝐧𝐬𝐢𝐨𝐧𝐢𝐧 𝐞 𝐬ë 𝐩ë𝐫𝐣𝐞𝐭𝐬𝐡𝐦𝐞𝐬, 𝐞 𝐠ë𝐳𝐨𝐣𝐦ë 𝐞𝐝𝐡𝐞 𝐤ë𝐭ë 𝐣𝐞𝐭ë 𝐩𝐚 𝐩𝐚𝐬𝐮𝐫 𝐬𝐡𝐮𝐦ë 𝐬𝐡𝐪𝐞𝐭ë𝐬𝐢𝐦𝐞
Predikim nga Fortlumturia e Tij, Joani
E Diela XII e Mattheut (I ri i pasur)
Ungjilli i sotëm tregon një histori të njohur. Një djalë i ri, shumë i pasur dhe nga paria e Izraelit, i afrohet Krishtit dhe i bën një pyetje shumë të rëndësishme: “Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të kem jetën e përjetshme?” Dhe Zoti i përgjigjet: “Pse më quan të mirë? Vetëm një është i mirë, Perëndia”. Pastaj Zoti i thotë që të zbatojë urdhërimet. Djali përgjigjet: “I kam zbatuar që prej rinisë sime”. Në Ungjillin sipas Markut thuhet se Zoti e pa dhe e deshi, dhe i tha: “Të mungon edhe një gjë: shite gjithë pasurinë që ke, shpërndajua të varfërve dhe më ndiq Mua”. Por ai, ngaqë ishte shumë i pasur, u trishtua shumë dhe u largua i hidhëruar. Atëherë Zoti thotë fjalët e famshme: “Është më lehtë që të kalojë një deve në vrimën e gjilpërës sesa një i pasur të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”.
Ky është Ungjilli i sotëm. Dhe Ungjilli i sotëm, si çdo Ungjill dhe si çdo pjesë e jetës së Krishtit dhe e fjalëve të Tij, është një thesar i madh. Së pari, ky Ungjill na kujton përjetësinë, sepse njerëzit e kanë harruar përjetësinë. Gjithë jeta e tyre përqendrohet vetëm te koha e tanishme, te të gjitha problemet që kemi sot, dhe pak njerëz mendojnë për jetën e përjetshme. Madje, shpeshherë, edhe kur u flet për jetën e përjetshme, qeshin ose buzëqeshin; u duket si një përrallë, si diçka që nuk do të vijë kurrë. Por ajo do të vijë shumë shpejt për të gjithë ne. Jeta e njeriut nuk është shumë e gjatë. Edhe sikur të jetojë një mijë vjet dhe të ketë të gjitha të mirat e kësaj bote, përsëri ajo do të mbarojë dhe ne do të paraqitemi para Zotit.
E çfarë duhet të kemi bërë që të kemi jetën e përjetshme? Jeta e përjetshme është shumë e rëndësishme në mendimin e njeriut. Ju e shikoni se çfarë bëjnë njerëzit për pensionin dhe jua kam përsëritur disa herë. Paguajnë çdo vit, për gati dyzet vjet, disa e gëzojnë pensionin, disa nuk e gëzojnë. Ndërsa për pensionin e përjetshëm, ne nuk paguajmë asgjë. Dhe çfarë thotë Zoti se është pasuria në qiell? Ajo që ne u japim të tjerëve. Nëse ne u japim të tjerëve dhe e ndajmë pasurinë tonë me ta, do të kemi një thesar në qiell.
Por, duke munguar besimi ose duke qenë i paktë, shpresa për jetën e përjetshme pothuajse është shuar tek njerëzit. Nuk po flas vetëm për ateistët, që nuk besojnë, por edhe për njerëzit që vijnë në kishë si besimtarë. Edhe për ta, jeta e përjetshme nuk zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën e tyre. Nëse nuk kemi shpresë për jetën e përjetshme, jeta jonë nuk do të ketë gjallëri, nuk do të jetë një jetë e plotë. Jua kam përmendur ndoshta edhe më parë, në një letër që Dostojevski i shkruan mikut të tij, Majkovit, dhe është një pjesë që unë e citoj shpesh, ngaqë është e rëndësishme. Ai i thotë këtë fjalë: “Shkatërrojuni njerëzve shpresën në përjetësi dhe jeta e tyre do të thahet”. Shikojmë që edhe jeta e sotme është tharë. S’kemi as jetë kulturore, as jetë intelektuale, sepse të gjitha ato frymëzohen nga jeta e përjetshme. Nëse nuk e kemi këtë shpresë dhe nuk përpiqemi për përjetësinë, asgjë nuk do të fitojmë, edhe sikur gjithë botën ta fitojmë. Prandaj dhe Zoti na kujton për këtë pyetje.
Kjo pyetje që bën ky djalë i ri është një pyetje shumë e rëndësishme, e bërë pikërisht nga një i ri. Sepse ndoshta njerëzit, kur i afrohen një moshe të caktuar dhe e shikojnë që ndoshta fundi i tyre do të jetë afër, mund të mendojnë për të. Ndërsa të rinjtë nganjëherë nuk mendojnë për vdekjen, sepse, duke qenë të rinj, u duket pothuajse shumë e largët ose sikur nuk do të ndodhë kurrë. Njeriu nuk e mendon lehtë vdekjen e tij. Gjermanët kanë një proverb shumë të bukur dhe thonë kështu: “Të gjithë njerëzit do të vdesin, ndoshta edhe unë”. Sepse njeriu, për veten, nuk e mendon vdekjen, dhe sidomos kur është i ri. Por, i riu i sotëm e kishte këtë shqetësim. Prandaj edhe e pyet Zotin.
Dhe Zoti i përgjigjet dhe i thotë: “Ruaj urdhërimet”. Dhe cilat urdhërime? - pyet i riu. “Mos vidh, mos vrit, mos shkel kurorën, respekto nënën dhe babanë, duaje të afërmin si veten dhe gjithçka tjetër që është në urdhërimet” - i thotë Krishti. Dhe i riu thotë: “Të gjitha këto i kam ruajtur që në rininë time”. E Zoti, siç duket, dalloi diçka që e pengonte atë të vinte tek Perëndia: lakminë. Sepse Zoti lexon edhe zemrat e njerëzve. Ne ndoshta nuk mund t’i lexojmë zemrat e tyre. Ne dimë vetëm çfarë na thonë njerëzit nëpërmjet buzëve të tyre, por nuk e dimë se çfarë thonë në zemrën e tyre. Dhe, për ta shëruar këtë, Zoti i thotë: “Shit pasurinë tënde, jepua të varfërve dhe eja pas meje”. Sepse njerëzit shpeshherë kanë disa pengesa që i ndalojnë të vijnë tek Perëndia. Pengesat mund të jenë të ndryshme. Mund të jetë pasuria e madhe, mund të jetë pasuria intelektuale, të cilën e kanë të vështirë ta lënë, ose mund të jenë pasione të ndryshme, nga të cilat njeriu është i varur dhe nuk mund të heqë dorë. Të gjitha këto janë gurë që nuk na lejojnë të vijmë tek Perëndia. Prandaj dhe Zoti donte t’ia hiqte këtë gur pengese, për ta nderuar dhe për ta shpëtuar atë, jo për ta dënuar.
Por, ngaqë kishte shumë pasuri, ai u largua i dëshpëruar. Nëse do t’i ishte përgjigjur Zotit, ndoshta do të ishte një nga apostujt e Tij sot. Do të ishte një emër i nderuar që do ta nderonim vazhdimisht nëpër breza, ndërsa sot nuk e dimë as emrin e tij, sepse nuk iu përgjigj thirrjes së Zotit dhe nuk iu përgjigj as dëshirës së thellë të zemrës së tij për ta bërë atë gjë.
Në Ungjillin e sotëm ka edhe diçka shumë të rëndësishme për jetën tonë. Ai i thotë: “Mësues i mirë!”, dhe Zoti i thotë: “Përse më quan të mirë? Vetëm një është i mirë: Perëndia”. Përse Zoti ia tha këtë fjalë? Ndoshta ngaqë ai mendonte se ishte shumë i mirë, ashtu siç mendojnë pjesa më e madhe e njerëzve sot. Të gjithë mendojnë se janë të mirë; të këqij janë të tjerët. Vetëm shenjtorët nuk mendonin se ishin të mirë, sepse ata shikonin thellë brenda shpirtit të tyre. Të ndriçuar nga Shpirti i Shenjtë, ata shihnin njolla të pafundme brenda shpirtit të tyre dhe prandaj ishin të përulur e nuk e quanin veten të mirë. Zoti pikërisht këtë donte, që ta bënte të riun esëll, pra të vinte në vete, për të kuptuar se vetëm Perëndia është i mirë, jo ne, dhe se ai i drejtohej Krishtit si mësues, jo si Perëndi. Prandaj dhe Zoti i thotë atë fjalë, sepse kuptoi në shpirtin e tij disa gjëra të cilat e pengonin realisht për të fituar jetën e përjetshme. Ndoshta ishte krenaria, sepse mendonte se ishte shumë i mirë, dhe lakmia për pasurinë që kishte në zemrën e tij. Prandaj, gjithmonë kur flasim për Perëndinë, duhet të kuptojmë këtë gjë: Perëndia na do ne jo sepse ne jemi të mirë, por sepse Ai është i mirë. Ai na përkrah dhe na mbështet jo sepse e meritojmë, por sepse është i mëshirshëm dhe zemërdhembshur. Këto fjalë i përsëris shpesh, sepse janë të rëndësishme. Nëse ne mendojmë vazhdimisht se jemi të mirë, do të thotë që s’e kemi njohur veten tonë. Nëse një njeri e njeh shumë mirë veten e tij, nuk do të gjejë gjë për të qenë krenar. Atëherë do ta dojë Perëndinë, sepse do të kuptojë se nga çfarë e ka shëruar dhe shpëtuar Ai. Prandaj shenjtorët e donin aq shumë Zotin, sepse e kuptonin se nga çfarë i kishte shpëtuar. Shpëtimi nuk është thjesht diçka teorike, por është një veprim konkret dhe personal. Çdo njeri le të mendojë se nga çfarë e ka shpëtuar Perëndia atë dhe përse e quan Zotin Shpëtimtar. Nëse do ta kuptojë këtë gjë, do ta dojë Perëndinë, do ta njohë veten e tij dhe do të kuptojë që nuk është i mirë. Sa më shumë që ndriçohet njeriu nga brenda, aq më shumë e kupton sesa njolla ka brenda shpirtit të tij. Prandaj edhe jeta e njeriut duhet të jetë në përmirësim i vazhdueshëm. Nëse nuk heqim dorë nga gjithçka tjetër që na pengon për të shkuar tek Krishti, ne nuk do të shkojmë dot atje. Zoti na kërkon t’i heqim gjërat që na pengojnë jo se Ai ka nevojë për to, por, duke hequr çdo pengesë që kemi brenda nesh, ne do të shërohemi nga çdo sëmundje që mund të jetë në shpirtin tonë. Tregohet një histori shumë e bukur për shën Joan Përdëllimtarin, Patriarkun e Aleksandrisë, një nga shenjtorët dhe bamirësit më të mëdhenj në historinë e Krishterimit. Çdo gjë që kishte, ai ua jepte të tjerëve. Njëherë vjen për vizitë një epsikop me emrin Troili dhe ai i thotë: “Eja të dalim për një shëtitje në Aleksandri”. Duke ecur, erdhën pranë një spitali dhe patriarku i tha: “Le të shkojmë t’i vizitojmë të sëmurët”. Gjatë vizitës tek të sëmurët, pa njerëz shumë të varfër, me sëmundje, duke lënguar dhe në gjendje të vështirë. Atëherë i thotë episkopit: “Kam harruar të marr para me vete, sa ke ti”? “I kam 30 monedha ari”- përgjigjet ai. “M’i jep, se kur të shkojmë në Patriarkanë, do t’i jap përsëri” – i thtoë Patriarku. Ia mori ato dhe ua ndau të gjithë të varfërve. Kur u kthye në Patriarkanë, harroi, ose e bëri me qëllim, dhe nuk ia dha monedhat episkopit. Troili shkoi në shtëpinë e tij dhe filloi të sëmurej, duke menduar: “Si i humba unë këto monedha?” Nuk e zinte as gjumi dhe ra aq shumë sëmurë në shtrat, saqë mezi ngrihej. Dhe Patriku dërgon disa njerëz, duke u thënë: “Merreni dhe silleni tek unë”. Ashtu bënë. Ai ishte i ligështuar, i brengosur dhe i zemëruar, sepse kishte humbur shumë para. Patriku ia jep paratë dhe i thotë: “Merri këto para, sepse harrova të t’i jepja”. Atë natë ai pa një vegim, një ëndërr, sikur ishte në parajsë, ku pa bukurinë e jashtëzakonshme të saj. Duke parë shtëpi të mrekullueshme, pa njërën dhe u afrua, sepse ishte shumë e bukur dhe kishte një tabelë që thoshte: “Kjo ishte shtëpia e përjetshme e Troilit, e cila u ble nga Joani për 30 monedha të arta”. U zgjua. Dhe, kur u zgjua, ndryshoi. Gjithë pasurinë që kishte, filloi ta ndante me të gjithë të tjerët, dhe e gjithë jeta e tij mori kuptim, sepse preku përjetësinë. Shpeshherë, ne nuk ndryshojmë, sepse nuk e kemi prekur përjetësinë. Po fokusohemi vetëm në kohën e tashme, në këtë kohë të përkohshme që shumë shpejt do të kalojë. Dhe çfarë ndodh? Ndoshta duket si paradoks: njerëzit që e shikojnë kohën e përkohshme pa dimensionin e së përjetshmes, as këtë kohë nuk e gëzojnë. Ata janë gjithmonë të frikësuar: “Më iku mosha”, “Po plakem”, “Po më afrohet kjo”, “Më iku pasuria”, dhe shqetësohen për gjëra të ndryshme që mund t’u ndodhin. Kështu, nuk e gëzojnë as atë që kanë. Ndërsa njerëzit që e shikojnë kohën e përkohshme në dimensionin e kohës së përjetshme, e gëzojnë edhe këtë jetë, sepse nuk kanë aq shumë shqetësime dhe merak. Shqetësimi e shkatërron njeriun. Madje, jo vetëm feja, por edhe filozofë të ndryshëm, thonë se burimi i gjithçkaje të keqe është pikërisht shqetësimi. Njeriu shqetësohet për çdo gjë, sepse ka frikë dhe nuk ka siguri. Nëse ai ka dimensionin e përjetësisë, nuk do të ketë aq shumë frikë. Nëse e do Perëndinë, padyshim që nuk do të ketë frikë. Dhe atje ku nuk ekziston frikë, do të ketë paqe, gëzim dhe dritë. Amin.
Katedralja e Ngjalljes së Krishtit