Kryepiskopi Joan- Njeriu i lutjes mund të mposhtë çdo lloj stuhie
Predikim nga Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, E Diela IX e Mattheut
Predikim nga Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
E Diela IX e Mattheut, Katedralja "Ngjallja e Krishtit", Tiranë, 2 gusht 2026
Zoti është gjithmonë i pranishëm
Përpara Ngjitjes së Tij në qiell, Zoti u thotë nxënësve të Tij disa fjalë që janë për të gjithë nxënësit në të gjitha kohërat: "Ja, unë jam me ju të gjitha ditët, deri në mbarimin e botës". Ungjilli i sotëm është një demonstrim i këtyre fjalëve. Pra, Zoti është gjithmonë i pranishëm tek ne dhe na ka lënë shumë mënyra përmes të cilave mund ta takojmë, e një nga më të rëndësishmet është Ungjilli. Përmes Ungjillit, në çdo Liturgji Hyjnore që kremtojmë e sa herë që e lexojmë, kemi pikërisht një takim me Krishtin, takim me Perëndinë. Nëse nuk e përjetojmë Ungjillin në këtë formë, atëherë nuk do ta kuptojmë. Ungjilli nuk është thjesht një libër që lexohet për të kënaqur intelektin apo për të marrë të dhëna historike; Ungjilli është prania e Zotit në jetën tonë.
Stuhia në Liqenin e Galilesë
Episodi i sotëm, shumë i njohur, tregon se pasi Zoti shumoi pesë bukët dhe ushqeu me to mijëra njerëz, i porositi nxënësit të shkonin në anën tjetër të Liqenit të Galilesë, ndërsa vetë u ngjit në mal për t'u lutur. Kur erdhi nata, në liqen filloi një stuhi dhe apostujt ishin shumë të trembur sepse mendonin se do të mbyteshin. Stuhitë në liqene të përmasave të tilla si ai i Galilesë - siç është edhe liqeni i Pogradecit apo i Prespës - janë shumë të vështira, shpeshherë më të rrezikshme se ato në det.
Nxënësit ishin të trembur, por në orën e katërt të rojës së natës (rreth orës 6 të mëngjesit), panë dikë që po ecte mbi ujë. Ata u trembën edhe më shumë, sepse kujtuan se ishte ndonjë fantazmë, por ai ishte Krishti. Ai u tha: "Kini zemër, jam unë, mos kini frikë!" Kur Pjetri e pa se ishte Krishti, i kërkoi: "Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra". Ai i tha: "Eja!" Pjetri zbriti nga varka dhe filloi të ecte mbi ujë, duke mposhtur edhe ligjet e fizikës. Mirëpo, kur pa erën e fortë dhe valët e mëdha, u tremb dhe filloi të zhytej. Ai thirri: "Zot, më shpëto!" Krishti zgjati dorën, kapërcyen valët dhe, pasi u gjendën të dy në varkë, i tha: "O besëpak, përse dyshove?"
Lutja si "muskul shpirtëror"
Ungjilli i sotëm na mëson së pari se kemi nevojë të lutemi e të përgatitemi. Vetë Zoti lutej vazhdimisht. Ne mund të mendojmë që Zoti nuk kishte nevojë të lutej - se vetëm njerëzit luten - mirëpo në personin e Jisu Krishtit nuk është vetëm Perëndia; Ai është një person me dy natyra: natyrën hyjnore dhe natyrën njerëzore. Krishti lutej vazhdimisht, madje në Ungjillin sipas Joanit gjendet një lutje shumë e gjatë e Tij, e njohur si "Lutja Kryepriftërore".
Lutja është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse ajo forcon 'muskujt shpirtërorë'. Ashtu si një atlet që stërvitet mijëra orë për të vrapuar 100 metra në 10 sekonda, apo një peshëngritës që ngre 200 kg për dy-tri sekonda falë stërvitjes, e njëjta gjë ndodh edhe me lutjen. Nëse muskujt tanë shpirtërorë nuk janë të fortë, nuk mund t'i përballojmë dot vështirësitë e jetës.
Zoti nuk ndalon stuhinë, por na shpëton brenda saj
Zoti nuk na ka premtuar se nuk do të kemi vështirësi, përkundrazi, Ai thotë: "Në botë do të keni shtrëngime; por kini zemër, unë e munda botën". Kjo do të thotë se Zoti nuk e ndalon gjithmonë stuhinë, por na shpëton ne kur jemi brenda saj.
Në fillim Pjetri ishte i fokusuar te Krishti, por kur e hoqi përqendrimin nga Ai dhe u fokusua te deti e te valët, u tremb, pati dyshim dhe filloi të zhytej. Kështu edhe ne. Sa herë që kemi një problem, një vështirësi, sëmundje, ballafaqime me njerëz të tjerë apo konflikte të mundshme, nuk fokusohemi te Krishti, por te problemi. Por, duke u fokusuar te problemi, nuk kemi fuqi për ta përballuar atë.
Dikush mund të jetë shumë i sëmurë dhe fokusohet te problemi, e me të drejtë, nga ana njerëzore mund të thotë: "Çfarë do të ndodhë me mua?" Sëmundja e tij mund të jetë terminale dhe ai trembet e shqetësohet. Por, nëse ne fokusohemi te Krishti, do të kemi shumë forcë për ta përballuar, madje jo vetëm për ta përballuar, por edhe për ta kthyer atë në të mirën tonë, sepse me çdo sprovë që kalojmë, bëhemi akoma edhe më të fortë. Zoti i lejon sprovat pikërisht për të mirën tonë, që të na forcojë. "Të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë", shkruan shën Pavli.
Kur e duam Zotin, ne përqendrohemi tek Ai, dhe në këtë mënyrë e kapërcejmë problemin. Kështu, nëse dikush shpif kundër nesh, ne zakonisht fokusohemi te shpifësi, mendojmë si t'ia kthejmë atij që shpifi, apo dëshpërohemi. Mirëpo, nëse fokusohemi te Zoti, do të ngrihemi mbi problemet. Ecja mbi ujë do të thotë se ne kalojmë mbi problemet e ndryshme që hasim në jetë, e kjo realizohet vetëm kur fokusohemi te Perëndia. Nëse nuk fokusohemi te Perëndia, padyshim që do të mbytemi. Prandaj edhe në një lutje që i drejtojmë të Tërëshenjtës themi: "Mos na lejo të mbytemi në detin e hidhërimit".
Kisha si varka që na mban të sigurt
Pa përjashtim, çdo njeri në këtë botë do të përplaset me stuhi; s'ka njeri që të mos kalojë përmes tyre. Të vjetrit shpesh e quajnë botën "luginë lotësh", e çdo njeri që kalon në këtë luginë padyshim që do të ketë edhe lot: fatkeqësi personale, familjare, kombëtare apo fatkeqësi nga më të ndryshmet do ta godasin gjithmonë njeriun. Pyetja është se si mund t'i përballojmë ato. Zoti, me episodin e Ungjillit të sotëm, pikërisht këtë na mëson: nëse fokusohemi tek Ai, mund të përballojmë çdo gjë; por nëse fokusohemi vetëm te problemet e vështirësitë, nuk mund t'i durojmë dot e as nuk mund t'i përballojmë ato. Madje problemet do të na mposhtin. Sikundër ndodhi Pjetrin, i cili eci mbi ujë sepse pati besim kur Zoti i tha: "Eja!"
Në kuptimin simbolik, deti me stuhi është pikërisht kjo botë. Etërit e Kishës gjithmonë e kanë përshkruar në këtë mënyrë: oqeani dhe deti është kjo botë, në të cilën ka ditë që mund të jenë të qeta, por ka edhe ditë me shumë stuhi, kurse Kisha është varka. Duke qenë në anije, njeriu është më i sigurt, sepse nuk mund të jetojë dot duke notuar gjithë kohës, e stuhitë janë pikërisht ditët tona me vështirësi.
Thirrja e Zotit dhe përgatitja shpirtërore
Pjetri doli nga varka vetëm pasi Zoti i tha: "Eja!" Askush prej nesh nuk mund të dalë nga varka për dëshirat apo tekat e tij, sepse mund të mbytet; por nëse Zoti na thërret për diçka, ne duhet t'i përgjigjemi. Dhe kjo është thirrja, sepse shpeshherë krijohet një përshtypje apo mendim i gabuar për thirrjet. Thirrje nuk do të thotë se do të vijë Zoti apo do të dërgojë një engjëll te secili prej nesh dhe do t'i kërkojë të bëjë një detyrë: nëse shohim njerëz që janë në nevojë, kjo është një thirrje; nëse mendojmë se Kisha ka nevojë për diçka, kjo është një thirrje. E nëse i përgjigjemi një nevoje, i përgjigjemi thirrjes së Zotit; nëse nuk i përgjigjemi, nuk i jemi përgjigjur thirrjes së Tij. Megjithatë, nuk duhen bërë aventura personale për të marrë përsipër gjëra që nuk mund t'i bëjmë dot, sepse mund të mbytemi në det e në stuhi.
Prandaj, le të marrim shembull episodin e sotëm, në të cilin Pjetri dëshiroi të shkonte te Zoti, por shkoi vetëm pasi Ai i tha: "Eja!" Dhe përgatitja jonë më e rëndësishme është nëpërmjet lutjes. Nëse, që më parë, nuk përgatitemi me lutje, nuk e përballojmë dot stuhinë. Përgatitja është gjithçka! Kur fillon një stuhi në det, anija nuk e fillon betejën në atë çast; beteja ka filluar qysh më parë, në mënyrën se si është ndërtuar, si janë mbërthyer pjesët e çfarë materiali është përdorur për të. Një anije e fuqishme e përballon stuhinë, ndërsa një anije që nuk është ndërtuar mirë do të shkatërrohet. Anija e fuqishme është pikërisht përgatitja shpirtërore për secilin prej nesh.
"Ati ynë" dhe qetësia shpirtërore
Mundohuni ta bëni zakon lutjen, dhe lutja do të qëndrojë te ju. Nuk është e lehtë të lutemi. Kur jepja mësim në Akademinë Teologjike, u thosha gjithmonë studentëve: bëni një provë kur të shkoni në dhomën tuaj; thoni lutjen "Ati ynë" dhe përpiquni ta keni mendjen te çdo fjalë. Nuk realizohet dot, sepse fillon shpërqendrimi. Në kokën tonë ka shumë mendime, shumë zhurmë: "ky tha këtë, ai tha atë", "merru me këtë punë, merru me punën tjetër". Kjo tregon që nuk e kemi arritur qetësinë shpirtërore. Nëse arrijmë qetësinë shpirtërore, atëherë mund të komunikojmë shumë fuqishëm me Perëndinë.
Lutja nuk është të thuash disa fjalë me buzë; lutja është komunikim me Perëndinë. Lutja mund të jetë kërkesë, lavdërim, falënderim, e shumë gjëra, por kryesorja është se ajo është një komunikim me Perëndinë. Nëse stërvitemi me lutjen, ajo do të na bëhet zakon, e zakoni do të mbetet te ne. Njerëzit që janë stërvitur me lutjen e kuptojnë se çfarë gëzimi të madh sjell ajo. Në fillim mund të jetë e vështirë e mund të lutesh me mundim, por më vonë do të fillosh të shijosh frytet e saj.
"Mos kini frikë!"
Dhe njeriu i lutjes mund të mposhtë gjithmonë çdo lloj stuhie, sepse Zoti do të jetë i pranishëm tek ai. Zoti ishte i pranishëm dhe e qetësoi stuhinë; ishte i pranishëm kur Pjetri thirri: "Zot, shpëtomë!", zgjati dorën dhe e shpëtoi; dhe do të jetë vazhdimisht i pranishëm në jetën tonë. Prandaj Zoti na porosit vazhdimisht në Shkrimin e Shenjtë: "Mos kini frikë!"
Në kohën moderne, ku ne jetojmë, njerëzit janë të frikësuar. Sa më shumë largohemi nga Zoti, aq më shumë frikë kemi nga çdo gjë: nga fenomenet natyrore, nga njëri-tjetri, nga pushteti, nga çdo gjë. Kur largohemi nga Zoti, ne mbushemi me frikë. Sa më afër Perëndisë të jemi, aq më pak frikë kemi. E kështu, duke mos pasur frikë, do të kemi paqe; e paqja do të sjellë gjithmonë gëzim dhe dritë në shpirtin tonë.
Amin!