Mitropolia e Korçës kremtoi Fjetjen e Shën Anës
Meshën e udhëhoqi Mitropoliti Anastasi, i shoqëruar nga klerikë dhe të rinj nga kampet e Voskopojës dhe Boboshticës.
Fjetja e Shën Anës u kremtua me nderim të veçantë në kishën me të njëjtin emër, pjesë e Mitropolisë së Shenjtë Korçë. Meshën Panijerike e udhëhoqi Hirësia e Tij, Mitropoliti i Korçës, Anastasi, i shoqëruar nga klerikë të Mitropolisë dhe nga klerikë të ardhur nga Kryepiskopata e Tiranës.
Mes klerikëve ishte edhe Atë Grigor Pelushi, Drejtor i Radio Ngjalljes, i cili shoqëron grupin e të rinjve orthodhoksë në Kampin që zhvillohet në Shën Prodhrom të Voskopojës. Kisha ishte e tejmbushur me besimtarë që me shpresë dhe ngrohtësi luteshin që shenjtorja të ndërmjetësojë për ta. Bashkë me ta luteshin edhe të rinjtë dhe të rejat pjesëmarrëse në Kampet e Verës: vajzat në Kishën e Fjetjes së Hyjlindëses në Boboshticë, ndërsa djemtë në Kampin e Shën Prodhromit në Voskopojë.
Në fund të Meshës Hyjnore u krye litania e ikonës së Shën Anës, në praninë e besimtarëve dhe të rinjve pjesëmarrës në kampet verore të Kishës Orthodhokse. Prania e klerikëve nga Kryepiskopata e Tiranës, bashkë me ata të Mitropolisë së Korçës, shënoi një moment bashkimi shpirtëror.
Kampet verore për të rinjtë orthodhoksë vazhdojnë të mbeten pjesë e rëndësishme e jetës shpirtërore në Kishën Orthodhokse Autoqefale Shqiptare si dhe në Mitropolinë e Korçës, ku vajzat dhe djemtë ndahen përkatësisht në manastiret e Boboshticës dhe Voskopojës.