AQSH kujton historinë e Kishës së Shën Prokopit në Tiranë
Arkivi Qendror i Shtetit publikoi dokumente dhe fotografi mbi themelimin e kishës në vitin 1941 dhe rrugëtimin e saj deri më sot.
Kisha e Shën Prokopit në Tiranë u bë tema e një dedikimi të veçantë nga Arkivi Qendror i Shtetit, i cili solli në vëmendje historinë e këtij vendi të rëndësishëm orthodhoks në kryeqytet. Sipas materialit të Arkivit Qendror të Shtetit, dedikimi përfshin dokumente arkivore, fotografi dhe të dhëna historike mbi komunitetin orthodhoks të Tiranës dhe ndërtimin e kishës.
Sipas AQSH-së, më 15 korrik 1941 në Tiranë po hidheshin themelet e kishës së re të Shën Prokopit, ndërsa vetë tradita e kishës datonte që prej vitit 1780. Komuniteti orthodhoks i Tiranës, i ngulitur që prej shekullit XVIII dhe kryesisht me prejardhje vllahe, kishte bartur me vete objektet e kultit dhe kujtesën e kishës së parë, e cila ndodhej aty ku sot gjendet ndërtesa e Presidencës së Republikës. Kisha e vjetër u shemb në vitin 1937, ndërsa komuniteti, i kryesuar atëherë nga Kristofor Kisi, u angazhua për ndërtimin e një kishe të re.
Dokumentet e paraqitura nga AQSH tregojnë korrespondenca dhe kërkesa që lidhen me punimet dhe ecurinë e ndërtimit, ndërsa vetë komuniteti dëshironte që projekti të realizohej me kujdes. Kisha e re e Shën Prokopit u përurua në maj të vitit 1945. Më vonë, në vitin 1968, gjatë regjimit komunist, ajo u shtetëzua dhe u përdor për qëllime të tjera, ashtu si shumë objekte të tjera kulti në Shqipëri. Me rënien e komunizmit, kisha iu rikthye komunitetit orthodhoks në vitin 1993, duke u bërë përsëri pjesë e jetës liturgjike të besimtarëve.
Nuk është hera e parë që kisha ndodhet në qendër të vëmendjes publike; kohët e fundit UGO kishte raportuar edhe mbi
në të njëjtën kishë.
Dedikimi i AQSH-së rikujton jo vetëm historinë e një godine kishtare, por edhe rrugën e gjatë të komunitetit orthodhoks të Tiranës, i cili ruajti kujtesën dhe besimin edhe në periudhat më të vështira. Kisha e Shën Prokopit mbetet sot një vend i rëndësishëm i kujtesës kishtare dhe qytetare, dëshmi e trashëgimisë orthodhokse në zemër të kryeqytetit.
Video nga AQSH