U kremtua festa e Shën Prokopit në kishën e re të Tiranës
Shërbesat u drejtuan nga Kryepiskopi Joan në bashkëmeshim me Episkopin e Amantias, Ignat, i cili mbajti predikimin për jetën e Shën Prokopit.
Festa e Shën Prokopit u kremtua më 8 korrik 2026 në kishën e re që mban emrin e shenjtit, e cila po ndërtohet në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Sipas Radio Ngjallja, shërbesat e shenjta u drejtuan nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, z. Joan, në bashkëmeshim me Hirësinë e Tij, Episkopin e Amantias, z. Ignat, si dhe me klerikët që shërbejnë në kishat e kryeqytetit.
Predikimin e ditës e mbajti Episkopi i Amantias, Hirësia e Tij z. Ignat, i cili u ndal te shekujt e parë të krishterimit, duke theksuar se ata përbënin njëkohësisht periudhën më të ashpër të përndjekjeve, por edhe epokën e lavdisë së Kishës, falë dëshmisë së martirëve. Duke folur për jetën e Shën Prokopit, ai përshkroi rrugëtimin e tij nga një karrierë e sigurt ushtarake drejt dëshmisë së plotë për Krishtin, duke theksuar se plani i Perëndisë tejkalon gjithmonë planet njerëzore.
Imzot Ignati vuri në dukje se, edhe pse format e përndjekjes kanë ndryshuar, njeriu i sotëm vazhdon të përballet me errësirën shpirtërore, etjen për pasuri, krizën e familjes, varësitë, dhunën verbale dhe boshllëkun ekzistencial. Në këtë kontekst, dëshmia e Shën Prokopit u paraqit si model i qëndrueshmërisë dhe i besnikërisë ndaj Krishtit. Ai theksoi gjithashtu se çdo besimtar është i thirrur të kontribuojë në jetën e Trupit të Krishtit sipas dhuntive që ka marrë, pasi dëshmia e krishterë realizohet në jetën konkrete të dashurisë, shërbimit dhe sakrificës.
Në përfundim të shërbesave, Kryepiskopi Joan uroi të gjithë besimtarët, veçanërisht ata që mbajnë emrin e Shën Prokopit, duke lutur që me ndërmjetimet e martirit të madh t'u dhurohet paqe, shëndet, forcë shpirtërore dhe përparim në jetën e krishterë.
Siç kishte raportuar UGO më parë,
kujton se festa e shenjtit mbrojtës të Tiranës kremtohet çdo vit më 8 korrik. Foto Radio Ngjallja.