Autoritetet ukrainase nisin kontrollin e Lavrës së Pochaiv
DESS-i ukrainian do të hetojë lidhjet e mundshme të manastirit të lashtë me organizatën fetare ruse, e ndaluar tashmë me ligj.
Autoritetet shtetërore të Ukrainës kanë nisur zyrtarisht procedurën e kontrollit të Lavrës së Shenjtë të Fjetjes së Hyjlindëses në Pochaiv, njërit prej manastireve më të rëndësishëm ortodoksë në vend. Sipas faqes zyrtare të DESS, bazë ligjore e kontrollit është urdhri nr. N-106/11, i cili detyron ekipin hetimor të identifikojë shenja të mundshme lidhje të manastirit me një organizatë fetare të huaj, veprimtaria e të cilës është e ndaluar me ligj në Ukrainë.
Viktor Gelensky, kreu i DESS, ka urdhëruar përgatitjen e të gjitha njoftimeve të nevojshme deri më 23 qershor 2025, ndërsa që të nesërmen zyrtarët do të fillojnë studimin e drejtpërdrejtë të dokumenteve dhe aktivitetit të Lavrës. Shkas për kontrollin ka qenë një shënim zyrtar i zëvendëskryetarit të departamentit të çështjeve fetare, kurse vetë kreu i shërbimit ka mbajtur nën mbikëqyrjen e tij të drejtpërdrejtë të gjithë procesin.
DESS-i theksoi se vepron brenda kuadrit të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 543, miratuar në maj 2025, i cili përcakton procedurën e gjetjes së shenjave të "nënshtrimit" të komuniteteve fetare ndaj qendrave të huaja. Kjo është hera e parë që një procedurë e tillë zbatohet ndaj një nga lavrat historike të Ukrainës, duke shënuar një precedent të rëndësishëm në kontekstin e legjislacionit të ri fetar.
Nuk është hera e parë që kisha ortodokse gjendet në qendër të vëmendjes ligjore në vendet e ish-bllokut lindor; kohët e fundit vëmendja ra mbi çështje të ngjashme edhe gjetkë, kur Gjykata e Lartë e Estonisë konfirmoi ligjin kundër Kishës Ortodokse.