Liturgji në Korçë me predikues nga OCMC dhe gëzim për hirotoni
Prof. Nathan Hoppe, drejtori i OCMC-së, predikoi mbi Liturgjinë Hyjnore si udhëtim drejt Mbretërisë, ndërsa Mitropoliti njoftoi hirotoni të re.
Në Mitropolinë e Korçës Liturgjia Hyjnore u kremtua në Katedralen "Ngjallja e Krishtit", e kryesuar nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij imzot Anastasi. Katedralja ishte e mbushur me besimtarë të shumtë të të gjitha moshave.
Predikimin e mbajti Prof. Dr. Nathan Hoppe, drejtori i OCMC — Orthodox Christian Mission Center (Qendra Misionare e Krishterë Ortodokse). Duke iu referuar Ungjillit të së dielës, ai theksoi se njeriu nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve, Perëndisë dhe parasë, dhe se bota nuk duhet parë si objekt në zotërim të njeriut, por si dhuratë e Perëndisë.
Prof. Hoppe u ndal gjithashtu në kuptimin e thellë të falënderimit dhe të Liturgjisë Hyjnore, duke theksuar se buka dhe vera mbi altar përfaqësojnë gjithë jetën e njeriut. Sipas tij, Liturgjia është një udhëtim drejt Mbretërisë së Qiejve, ku jeta e njeriut i ofrohet Perëndisë dhe transformohet në kungim me Të. Ai kujtoi fjalët e Ungjillit: "Kërkoni së pari Mbretërinë e Perëndisë, dhe të gjitha të tjerat do t'ju shtohen", duke nënvizuar se e gjithë jeta e përditshme duhet të bëhet jetë falënderimi.
Në përfundim të Liturgjisë, Hirësia e Tij imzot Anastasi iu drejtua besimtarëve duke i ftuar të mbajnë në mendje mesazhin e Ungjillit. Ai theksoi se kërkimi i Mbretërisë së Qiejve nuk nënkupton vetëm lutje, por edhe përpjekje e përditshme për t'u bërë të denjë për të.
Mitropoliti ndau me besimtarët edhe gëzimin për hirotoninë e një të riu nga Korça, me emrin Kristi, i cili ka shërbyer për shumë vite në Katedralen e qytetit. Ai u hirotonis në gradën e parë të dhiakonisë nga Kryepiskopi Joan në Katedralen Ngjallja të Tiranës. Hirësia e Tij i ftoi besimtarët të bashkohen në lutje për rrugëtimin e tij shpirtëror dhe uroi që shumë të rinj të tjerë të thirren nga Perëndia për t'i shërbyer Atij, Kishës dhe komunitetit të besimtarëve
UGO kishte raportuar edhe për aktivitete të mëparshme të Mitropolisë së Shenjtë të Korçës, kur Mitropoliti Anastasi vizitoi besimtarët ortodoksë në Prespë.