Mitropoliti Nathanail priti kryebashkiakun e Dropullit në Gjirokastër
Gjatë takimit u diskutuan çështje të zhvillimit të bashkisë dhe u shkëmbyen shenja vlerësimi ndërmjet kishës dhe qeverisjes vendore.
Mitropoliti i Gjirokastrës Nathanail priti në selinë e Mitropolisë së Shenjtë kryebashkiakun e Dropullit, Dhimitër Toli. Sipas postimit zyrtar të z. Toli, gjatë takimit u shqyrtuan çështje që lidhen me Bashkinë e Dropullit dhe perspektivat e zhvillimit të zonës.
Gjatë vizitës, kryebashkiaku i dhuroi Mitropolitit udhërrëfyesin turistik të bashkisë. Z. Toli e cilësoi këtë dhuratë si shenjë vlerësimi dhe si mjet për të promovuar pasurinë natyrore, kulturore dhe historike të rajonit të Dropullit.
"I uroj shëndet dhe çdo sukses në veprën e tij baritore dhe shoqërore", u shpreh z. Toli në postimin e tij, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kishtare dhe pushtetit vendor.
Siç kishte raportuar UGO, Kisha e të Gjithë Shenjtorëve në Gjirokastër hapi dyert e saj duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm të jetës kishtare në jug të Shqipërisë.