Mbyllja e Analipsit u kremtua në Mborje
Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Imzot Anastasi, kryesoi Liturgjinë Hyjnore në kishën historike të Ngjitjes së Zotit në Qiell.
Mbyllja e festës së Ngjitjes së Zotit në Qiell u kremtua në Mitropolinë e Shenjtë të Korçës me Liturgji Hyjnore në Kishën e Analipsit në Mborje.
Shërbesa u kryesua nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Imzot Anastasi, me pjesëmarrjen e klerikëve dhe besimtarëve të moshave të ndryshme.
Kisha e Analipsit, Ristozit në Mborje është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kishtare në zonën e Korçës. E ndërtuar në vitin 1389, ajo renditet ndër kishat më të vjetra të Mitropolisë dhe ruan një vend të veçantë në kujtesën shpirtërore të besimtarëve.
Kremtimi i mbylljes së festës në këtë kishë historike bashkoi lutjen liturgjike me kujtesën e gjatë të Orthodhoksisë në këtë trevë. Për besimtarët, pjesëmarrja në Liturgjinë Hyjnore ishte një mundësi për të përjetuar edhe një herë mesazhin e Analipsit: Krishti i Ngjitur në Qiej nuk largohet nga bota, por e ngre njeriun drejt jetës së përjetshme.
Burimi: Mitropolia e Shenjtë e Korçës.