Agripni në Kishën e Shën Parashqevisë në Terihat

2824
18:15
Agripni në Kishën e Shën Parashqevisë në Terihat

Me bekimin e Mitropolitit Nathanail, besimtarët u mblodhën në Dropull për lutje nate, Liturgji Hyjnore dhe qethjen në gradën e anagnostit të Qirjako Koçës.

Në Kishën e Shën Parashqevisë në Terihat të Dropullit u zhvillua Agripnia e përjavshme, e cila tashmë është bërë traditë çdo të premte në mbrëmje, në orën 21:00.

Me bekimin dhe nën drejtimin e Mitropolitit të Gjirokastrës, Hirësisë së Tij z. Nathanail, besimtarët u mblodhën për një lutje të gjatë dhe të përzemërt, e cila vazhdoi deri në fillimin e ditës së re dhe u kurorëzua me kremtimin e Liturgjisë Hyjnore.

Në bashkëmeshim me Mitropolitin Nathanail morën pjesë edhe klerikë të Mitropolisë së Gjirokastrës, duke i dhënë shërbesës një atmosferë të veçantë lutjeje dhe përshpirtërie.

Në këtë ditë, Kisha kremtonte kujtimin e Shën Mihailit të Sinadës. Në fjalën e tij, Hirësi Nathanaili foli për jetën dhe dëshminë e shenjtorit, duke theksuar se shembulli i tij mbetet frymëzim për jetën e përditshme të çdo besimtari, në besim, përkushtim dhe qëndresë shpirtërore.

Një moment i veçantë gëzimi për komunitetin ishte edhe qethja në gradën e anagnostit e z. Qirjako Koçës nga Derviçani.

Në përfundim të shërbesave të shenjta, besimtarët patën mundësinë të bisedonin me atin e tyre shpirtëror, Hirësi Nathanailin, duke i drejtuar pyetje dhe duke u interesuar për çështje të besimit dhe të jetës shpirtërore.

Më pas, Mitropoliti u ul së bashku me besimtarët në arkondariqin e kishës, ku, sipas traditës, të pranishmit kishin sjellë dhurata dhe ushqime për qerasje, duke vazhduar bashkë kremtimin në një atmosferë vëllazërore.

Gjatë takimit, besimtarët u njoftuan edhe për shërbesën e Mbrëmësores së Shenjtërimit në Kishën e Shën Harallambit në Sarandë. Të dielën, më 24 maj 2026, do të kryhet shenjtërimi i Kishëzës së Dyzetë Martirëve.

Mitropoliti Nathanail njoftoi gjithashtu se të mërkurën, më 27 maj 2026, në mesnatë, do të zhvillohet Agripni në Kishën e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Derviçan.

Ndërkohë, më 7 qershor 2026, në të Dielën e Gjithë Shenjtorëve, do të kryhet edhe shenjtërimi i Kishës së Gjithë Shenjtorëve në qytetin e Himarës.

Foto Radio Ngjallja

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu