Tri paraqitje të Lindjes së Krishtit në pikturën mesjetare shqiptare
Studiuesja Viktori Puzanova analizon dy ikona të Krishtlindjes nga Berati dhe një afresk të Shën Triadhës, nga shekujt XIV–XVI.
Që në ditët e para të krijimit të Sektorit të Historisë së Artit Mesjetar, vëmendjen e bashkëpunëtorëve e tërhoqën, krahas me pikturat murale, edhe ikonat e vjetra që gjenden me shumicë nëpër të gjitha kishat e vendit tonë. Mbasi u pastruan disa prej tyre dolën në dritë modele të shkëlqyeshme arti mesjetar me ngjyra të ndritshme dhe të gjalla, të punuara me një finesë shumë të madhe. Ndër tiparet kryesore të tyre shquajmë: kompozimin e përsosur, një ritëm dhe raport rigoroz të pjesëve të ndryshme, gamën e përmbajtur të ngjyrave në lidhje me vizatimin e imët, si pëlhura e merimangës e mjaft cilësi të tjera, që i shndërrojnë ato në vepra arti të shkëlqyera.
Në gjendjen që janë sot (përderisa mos të pastrohen të gjitha ikonat, gjë që do të japë mundësi të saktësohen datat dhe të mund të bëhen disa korigjime në përshkrimin e ngjyrave), ne mund t'i ndajmë të gjitha këto monumente të artit të vjetër të pikturës së vendit tonë në disa grupe, duke u mbështetur në tiparet e tyre specifike. Element më i rëndësishëm, më i vlefshëm dhe grup më interesant për artin në përgjithësi (aq i pasur tek ne) janë monumentet e shekullit XIV.
Në një grup tjetër duhen përmendur monumentet, që u aforizohen shumë këtyre dhe që ruajnë e zhvillojnë traditat bizantine në shekujt e pushtimit otoman. Midis ikonave tona të kësaj periudhe gjejmë ekzemplarë arti të lartë. Në to mund të shquhen mjaft imtësi krejt lokale, specifike. Këto ikona paraqesin një sukses të posaçëm për artin e Shqipërisë, mbasi japin mundësi të zbulohen veçoritë e shkollave lokale. Ato janë gjithashtu, interesante për retrospektivitetin e tyre, për ruajtjen e zhvillimin e mëtejshëm të stilit bizantin pa e vulgarizuar atë, siç ndodh më vonë në Ballkan, ku ky stil degjeneroi plotësisht, duke humbur gjithë vlerën e mëparëshme, siç e shikojmë në modelet e shkollave lokale bullgare, serbe dhe greke.
Siç dihet ikona është fryt i punës krijuese të një vargu shekujsh dhe i shumë brezave. Kjo duhet të plotësonte shumë kërkesa, qoftë klerike, qoftë laike. Detyrat e saj u ndërlikuan gjithnjë e më shumë. Perandoria bizantine diti ta shfrytëzonte atë për qëllime politike, ndërsa kisha për qëllime didaktike, duke e bërë atë "një predikim të heshtur" të Biblës për analfabetët.
Ikona ka një stil epik; lirika mungon thuajse krejt. Ritmi i brendshëm i ikonës është plot madhështi, pa pasion dhe paraqet pushim dhe heshtje. Bota e paraqitur në të kërkon përpikmëri. Interesant është ligji i simbolikës së ngjyrave dhe vizatimeve, që vepron në të plot me hollësi që shpjegohen me vështirësi. Po çdo gjë këtu, kishte arsyen e vet.
Subjektet ishin gjithmonë tradicionale, mishërimi i tyre urdhërohej me kanonë, ligji i të cilave duhej t'u nënshtrohej pa fjalë artisti. Piktori duhej të ruante traditën e konsakruar skemën e përgjithshme të veprës së tij, po në punimin e ikonës ai aplikonte të gjitha aftësitë e tij artistike, ku mund të paraqiste lirisht ndjenjat personale të ritmit, si e kuptonte koloritin dhe njohjen e ligjeve të strukturës. Fuqia e shprehjes, bukuria e siluetave, koloriti-këto ishin momentet në të cilat mund të paraqiste egon e tij piktori i lashtë.
Kështu lindën ato veçori të ikonës, që nuk janë shkruar asgjëkundi: ligji i lëvizjes së vijave e fuqisë së tyre shprehëse dhe ligji i ritmit të brendshëm. Veçori që krijojnë variacione të pafund në skicat e siluetave, qoftë si kompozim, qoftë si kolorit. Më poshtë do të përshkruajmë tri paraqitje të temës së lindjes së Krishtit, ashtu siç i ka përfytyruar talenti i mjeshtrit të lashtë.
Skema e temës së lindjes së Krishtit, që u shpik në Bizant, është shumë interesant dhe plot me hollësi origjinale. Të gjitha grupet e ikonave kanë si bazë Ungjillin ose, epokrifët - legjendat. Përsipër vihet zakonisht një grup ëngjëjsh që i këndojnë himne lindjes së Krishtit. Shpeshherë, ata bisedojnë me barinjtë dhe u tregojnë lajmin e lindjes (Lluka II [8]-17).
Qëndrën e ikonës e zë zakonisht pamja e shpellës, ku qëndron shtrirë Shën Maria. Rreth saj gjendet grazhdi i Krishtit të vogël (Lluka, II 1-7). Në shumicën e rasteve mbi grazhd gjenden një ka dhe një gomar. Ata e ngrohin Krishtin e vogël me frymën e tyre (Apokrif). Përjashta shpellës nxitojnë "mbretërit" për t'iu falur dhe për t'i dhënë dhurata. Më shpesh, ata janë paraqitur në kuaj (Mateu II I-II).
Kudo në ikonë shihen barinj dhe dele në grupe dhe të vetmuara. Më shpesh, barinjtë i bjenë fyellit ose dëgjojnë lajmin e ëngjëjve, delet kullosin në qetësi. Nganjeherë, kjo temë trajtohet në formë tabloje të hartuar sipas tipit të skenave bukolike.
Pjesën e poshtme të ikonës e zënë zakonisht dy skena: grupin e parë e përbën Sollomia plakë me një ose më shumë gra. Ato përgatisin ujin për larjen e Krishtit (Apokrif). Grupi i dytë është plot momente psikologjike. Në qëndër qëndron Josifi i zhytur në mendime të thella dhe pranë tij është vendosur djalli i veshur si bari. Josifi është paraqitur i brejtur nga mendimet dhe dyshimet (Apokrif).
Koleksioni ynë përmban dy ikona me lindje të Krishtit që shquhen nga përsosmëria e ekzekutimit. Ikona e parë është kompozuar në shek. XIV, dhe e shquajmë imtësi të rralla, me shprehje të posaçme, nga paraqitja e gjallë e jetës, paraqitje që, shpeshherë, qëndron shumë afër realizimit. Mund të themi se kjo ikonë është kompozuar, duke u mbështetur në një varg skenash familjare të tipit bukolik. Gama e ngjyrave të kësaj ikone është jashtëzakonisht harmonike, e qetë dhe e përmbajtur. Paraqitja e figurave, vizatimi i tyre janë klasike.
Ikona e dytë me lindjen e Krishtit mund të datohet, si e Shek. XV-XVI. Në të çdo gjë është më e thjeshtë: vizatimi, edhe harmonia. Piktorit që e ka punuar këtë, i pëlqen efekti i njollave të koloritit, mjeshtëria e penelit të hollë, hollësitë e stolisjes. Këto realizime mund të cilësohen si realizime të shquara nga teknika e lartë e tyre. Element specifik këtu, është zgjedhja e ngjyrave të theksuara. Ikona ka anët pozitive të saj, ajo është punuar mirë, po në krahasim me ikonën e parë të Krishtlindjes, ajo duket e zbehtë, humbet.
I. Ikona e parë e Lindjes së Krishtit
Nuk dihet autori, shek. XIV. Përmasat: 33x38 cm. Prejardhja: marrë nga Kisha e Shën Gjergjit Berat-Kala. Gjendet në fondet e Muzeut Arkeologjik-Etnografik të Tiranës, me nr. Inventari 80.
Teknika e përpunimit: kasa e gdhendur cekët. Parvazë mbështetëse nuk ka. Shtresa e pëlhurës mbulon krejt dërrasën. Shtresa e suvasë e hollë. Ikona është pikturuar me ngjyra pluhuri lidhur me të verdhë veze dhe mbuluar me vaj liri.
Veçoritë e teknikës së pikturimit: Teknika e punimit është shumë e përsosur, si për shembull, figura e Shën Mërisë, ku relievi i formës së trupit nën pala paraqitet i gjallë vetëm me vija, pa hijedritë. Penelatat e fundit në karnacion janë hedhur lirisht, me reflekse të bardha, të theksuara. Në përgjithësi, format janë modeluar me art; për shembull, fytyra e Sollomisë duke larë Krishtin e vogël. Fytyra e saj me përmasa nën 1 cm, është paraqitur në reliev, në mënyrë të përsosur. Po karnacion i duarve të saj dhe i vajzës që qëndron afër saj, është punuar më dobët dhe trashë. Kjo është e vetmja e metë që konstatojmë. Të gjitha figurat e tjera janë punuar në mënyrë klasike.
Gjëndja e ikonës: Dëmtimet: dërrasa ka plasur në mes, dy gjysmat e ikonës i mban vetëm shtresa e pëlhurës; në vendin e plasjes, ngjyra pjesërisht ka rënë. Vende të tjera pikash të rrjedhura dhe ka plasur pak. Ndotjet: shtresa e vajit të lirit është nxirë.
Kompozicioni i ikonës është i zakonshëm. Të gjitha elementet që ishte zakon në ikonat e lashta të lindjes së Krishtit i kemi aty: engjëjt lajmëtarë, sipër shpellave dhe Shën Maria e shtrirë në dyshek në mes; po aty, rreth grazhdit. Kafshët që ngrohin Krishtin e vogël dhe Josifi i munduar prej dyshimesh (Apokrif) (tema të marra prej apokrifeve). Kjo është një vepër e shquar, e jashtëzakonshme arti.
Një elegancë e posaçme në gramën e ngjyrave, butësia e saj, fisnikëria e shquajnë këtë ikonë. Toni i përgjithshëm i shkëmbinjve, i qiellit të verdhë është vënë vetëm në tri kurora: të Shën Marisë, të Josifit dhe të Krishtit të vogël. Në këtë sfond të artit të vjetër shquhet hijshëm cinabri, me të cilin është pikturuar shtrati i Shën Marisë, mantelet e mbretërve, rrethi i kapelës së bariut (kapela e tij e ka rrethin të kthyer lart), figura e bariut të vogël me fyell (veshja e tij), fundi i vashës që qëndron më këmbë dhe zbraz ujë dhe këmbët e bariut që shtie në ngasje Josifin. Ky cinabër nuk është në kontrast me tonin vishnjë të ndezur, po shkrihet në një akord të butë me tonin të vinjtë të errët, blu të errët, akuamarin, etj.
Me art të lartë janë punuar të gjitha figurat: lëvizjet, përpjestimet, fytyrat. Të habit mënyra e pikturimit të ikonës, në të cilën shihen pak imtësi konvencionale. Trajtimi i butë, origjinal i figurave, pozat, tipat fytyrat e gjalla, reale të gjitha këto, shpeshherë, të kujtojnë më shumë afreskun e Pompeit, se sa ikonën bizantine. Në vetë kompozicionin e shkëmbinjve, të mbretërve kalorës që kërcejnë në kuaj, të figurave në shpellë dhe përreth, dhe sidomos në grupin e ëngjëllit me bariun ka tepër gjallëri.
Vetë peisazhi, bregoret që shquhen me zor vetëm në qëndër mbi shpellë, grumbullohen, dalin në reliev. Po çdo gjë është paraqitur në reliev jo në rrafsh, sidomos në gjysmën e djathtë, ku peisazhi është baritor: drunj të vegjël, lule barinj, dhi, etj. Çdo grup është origjinal, plot imtësi të pashembullta, që të bëjnë përshtypje të thellë. Grupi i katër ëngjëjve sipër, që i këndojnë himn Krishtlindjes paraqitet i gjallë me lëvizjet, me kumtimin e tij. Të gjitha këto janë paraqitur në tone të buta, të qeta: Bakam², ngjyrë blu të errët, siena natyrale.
Këtu qëndron plani i hollë i kompozicionit. Zvogëlimi në prespektivë i figurave nuk lejohet prej rregullave të pikturës, kështu që duke paraqitur figurat në gamë më të butë, të zbehtë, ato të japin përshtypjen e largimit të tyre prej qëndrës. Kurse qëndra është paraqitur me ngjyra të gjalla. Në sfondin ngjyrë cinabri shquhet figura e errët e Shën Mërisë, me mantel bakam të errët. Figura e saj shquhet hijshëm, lirisht në shtrojën e madhe.
Përpjestimet, lëvizja e trupit në pushim janë paraqitur me mjeshtëri, ekzekutuar teknikisht në mënyrë të përsosur dhe është vështirë të kuptohet si është arritur kjo, mbasi me sfondin e errët të rrobave nuk dallohen thuajse fare, as drita, as hija. Shën Mëria e ka drejtuar shikimin nga spektatori, ajo është mbështetur në dorën e djathtë të hedhur pa kujdes, lodhshëm, mbi mantel. Gjesti i kësaj dore flet qartë, ai është plot me një farë trishtimi patetik, ndoshta pjesërisht shfaq kënaqësinë e shlodhjes. Po kjo qetësi, po ky pushim shihen edhe në krejt figurën, klasikisht të thjeshtë dhe të punuar me një elegancë të hollë. Një imtësi interesante që duhet theksuar është ajo e ruajtjes pjesërisht të perspektivës-aureola e Shën Mërisë është mbuluar pjesërisht prej një këndi të shpellës.
Më poshtë, në këndin e majtë të ikonës është vendosur një grup grash, që lajnë Krishtin. Tërheq vëmendjen figura e Sollomisë, gruas që mban Krishtin e vogël me dorën e majtë, ndërsa me dorën e djathtë provon ujin në legen. Ajo është paraqitur në profil. Profili tipik, ose më mirë pompean, me majën e hundës së ngritur, me mjekër pak të rrumbullakuar, me buzë të gjalla, të dala hijshëm. Kjo figurë e vogël është pikturuar në mënyrë plastike butë, si t'ishte modeluar. Përsa i përket siluetës figura është kompozuar në mënyrë të përsosur, në një tërësi stilistike, me çallmën e mbështetur pa kujdes (po bukur) në kokë, me flokë që bien të dredhur në shpatulla dhe me disa krrela që varen në ballë.
Toni i pëlhurës së kokës, çallmës, është si sienë natyrale me vija të theksuara. Ajo është mbështetur në një mënyrë interesante dhe origjinale. Rroba e brendshme me ngjyrë ujë deti, e hedhur në shpinë, duke lënë duart jashtë, e plotëson bukur siluetën. Manteli është pikturuar me bakëm të errët vishnje. Rroba e brendshme e vajzës që qëndron mbi këmbë është pikturuar me ngjyra të blerta, ndërsa përposh, me ngjyrë cinabri. Ajo mban në dorë një amforë antike dhe hedh me të ujë në legen.
Në të djathtë të shpellës, figurën e femrës e ekuilibron ajo e Josifit që rri shesh me shpinë të kthyer nga ajo. Me trishtim e vuajtje ai dëgjon pëshpëritjet e djallit të paraqitur në formë bariu, që do ta shtjerë në ngasje. Josifi është futur në mendime të thella, fytyra e tij e vrenjtur tregon mundimet e tij. Figura e vogël e djallit (personat më pak të rëndësishëm nga pozita paraqiten në ikonografi edhe trup më të vogël), është shumë shprehëse. Ai është veshur i tëri me gunë, gëzof, bën gjeste të gjalla me të dyja duart, përpiqet të provojë me të gjitha fuqitë, fajësinë e Shën Mërisë.
Tërheqin vëmendjen figurat e dy barinjve që qëndrojnë diçka mbi Josifin në mes të peisazhit pastoral. Më këmbë të futura nën vete rri shtruar një bari i vogël me një kurorë të madhe lulesh në kokë. Ai i bie mendueshëm zambares, i rrethuar prej dhive që kullosin, prej shkurreve, drurëve. Ai ka veshur një këmishë ngjyrë të kuqe të theksuar, që arrin deri tek gjunjtë, këmbët i ka të zbathura, ndërsa kërcenjt i ka të mbështjellë me rripa.
Bariu me kurriz të kthyer është pikturuar edhe më bukur e në mënyrë më interesante. Ky është një djalosh i formuar, figura e tij është paraqitur në qëndrim të lirë, në mënyrë piktoreske, ashtu si çdo gjë tek ai: kapela me mes të lartë dhe me anë të ngritura, e lidhur nën mjekër me shiritë me ngjyra të theksuara, këmisha-tunikë është e lirë dhe zbret deri në gjunjë, këmbët e fuqishme janë të zbathura e të lidhura në mënyrë romake me rripa.
Në mënyrë shumë të hollë është pikturuar grupi i mbretërve kalorës me mantelë me pala fluturuese nga vrapimi i madh, me çallma të vjetra izraelite (fermane) në kokë. Këto fermane me formë të jashtëzakonshme që i ngjajnë një tjatre të madhe ose cilindrit, janë pikturuar me ngjyrë të kuqe me një farë shtypësi: shkop të vogël përsipër, me çallmë, shall blu përreth. Kostumet e jashtëzakonshme, interpretimi i posaçëm i tipeve, ekzekutimi me art të rrallë, të gjitha këto vija e shquajnë ikonën e Krishtlindjeve të Beratit nga masa e përgjithshme të ikonave tona.
Ajo ka një paralele të afërt, thuajse një kopje ekzakte të shek. XV në Itali, në koleksionin Volpi të Firences. Edhe në afresket shqiptare të periudhës së mëvonshme shohim jehonën e saj.
II. Ikona e dytë e lindjes së Krishtit
Autori i panjohur (mendojmë të jetë i shek. XV-XVI). Prejardhja: Marrë prej kishës së "Evangjelizmosë" Kala-Berat. Përmasat: 53,5x34,5 cm. Gjendet në fondin e Muzeut Arkeologjik të Tiranës me nr. Inventari 3.
Teknika e punimit: Kasa e mbërthyer përsipër, nuk është e gërryer me daltë; dërrasat janë prej ahu, të mbërthyera në dy parvaze. Trashësia e dërrasës 4 cm, punuar me bojëra pluhur në bazë të verdhë veze. Vaji i lirit vënë me një shtresë të hollë.
Veçoritë e mënyrës së pikturimit: Nga stili i punimit është një tipi me 7 ikonat e tjera që paraqesin skena kremtesh. Po ai stil miniature, po ai punim i hollë i detajeve, po ato ngjyra të gjalla. Gjendja e ikonës nuk është në rrezik.
Tema është trajtuar me skemën e zakonshme të ikonave të Krishtlindjes. Ne shohim po ato grupe që kemi në ikonën e mëparshme të Krishtlindjes, por një ndryshim shumë i madh shihet në stilin e punimit: mungon ai karakter pastoral, mungon përsosmëria artistike që shquhet në ikonën e parë të Krishtlindjes në Berat. Krejt stili i pikturës ndryshon.
Më mirë është paraqitur në ikonë grupi i mbretërve. Figurat janë pikturuar shumë hollë, sidomos duart; fytyrat janë punuar bukur e gjithashtu, edhe rrobat. Ka shumë lëvizje, mantelet fluturojnë në mënyrë piktoreske dhe vetë figurat janë shprehëse: të gjithë i tregojnë njëri-tjetrit yllin, të gjithë nxitojnë. Përkundrazi në kuajt shihen pak lëvizje, ato nuk kanë gjallëri.
Të bukur janë barinjtë, sidomos ai që rri afër Shën Marisë. E gjithë figura është pikturuar me mjeshtëri dhe siguri, kapela i rri në kokë në një mënyrë veçanërisht të bukur. Karnacioni i figurave është punuar mirë, duart, gjunjët, fytyra, të gjitha janë punuar shumë hollë. I kuqi prej cinabri në të gjitha fytyrat është më i theksuar se në ikonën e parë të Krishtlindjes. Dritat janë bërë me ngjyrë të derdhur, të theksuar. Po këtu mungon ai përpjestim i përsosur i figurave. Kjo shihet për shembull në kokën e Josifit dhe të ëngjëllit afër, që janë tepër të mëdha.
Nuancat: Sfondi – prej pete ari, shkëmbinjtë shumëngjyrësh siene natyrale dhe siene të djegur; dheu me ngjyrë të gjelbër të errët ulliri. Grupi i sipërm i ëngjëjve dhe bariu duke ndenjur mbi bregore janë projektuar mirë, bariu posa ka pushuar t'i bjerë fyellit, e mban atë gjithnjë në dorë, duke dëgjuar i mahnitur fjalët e ëngjëllit. Në kokë ka po atë kapelë, pak të ndryshuar, po në thelb modeli i saj është po ai si i të gjithë barinjve; kapelë me anë të mëdha të kthyera lart. Bariu ka veshur një këmishë me ton të gjelbër me qafore të madhe, ka pantallona të kuqe; vetëm çorapet kanë ngjyrë më të errët.
Ëngjëlli është paraqitur me hiton ngjyrë të gjelbër të errët dhe me mantel ngjyrë të kuqe të theksuar cinabri. Krahët elegantë, të lehtë, janë punuar shumë imët. Grupi i mbretërve është paraqitur i tëri me ngjyra të theksuara: mantelet janë pikturuar me cinabër ose me bordo të zbutur me theksime të bardha. Ata mbajnë në duar dhurata: kutia me temjan, mirrë dhe ar, krejt të pranuara. Këmbët janë pikturuar me cinabër ose me bakam me përpunim ari. Fermanet dhe çallmat, shallet në kokën e të gjithëve janë punuar me cinabër të theksuar. Ky është grupi më i bukur nga shprehja dhe hollësia e punimit. Fytyrat, lëvizjet e kokave, pozicioni i kokës në qafë janë punuar me art.
Grupi qëndror përbëhet prej shpellës, grazhdit me Krishtin e vogël, me kafshët që i fryjnë dhe e ndrohin me frymën e tyre dhe me Shën Marinë e shtrirë. Afër saj qëndron një bari më kërrabë të kuqe që tregon yllin. Shën Mëria shikon në drejtim të mbretërve. Ajo qëndron e shtrirë në një krevat cinabër, manteli i saj është pikturuar me bakam dhe rroba e brendshme me ngjyrë ton të gjelbër. Çdo gjë është punuar hollë, mirë.
Bariu që qëndron në këmbë ka një pozicion shumë të lirë. Njërën këmbë, atë të djathtën, ai e ka vënë në shkëmb afër figurës së Shën Mërisë. Ka veshur një këmishë me nuancë dheu të gjelbër, është pajisur me brez, ka në kokë një kapelë me majë të lartë, më anë të ngritura dhe më një shirit të kuq (si në ikonën e parë të Krishtlindjes), po jo më të lidhur rreth qafës, po të mbështjellë rreth kapelës. Bariu ka në dorë një kërrabë të punuar me cinabër, gjë që e thekson atë mirë në sfondin e maleve dhe të këmishës së bariut. Përpjestimet, lëvizjet, punimi i palave është artistik.
Grupi i Josifit me bariun ngasës, është punuar gjithashtu mirë. Por e prish unitetin e përshtypjes rënia e bojës në figurën e Josifit. Megjithatë po të shikohet mirë, edhe në të shihet punimi shumë i mirë i këmbëve, duarve, rrobave dhe madje i fytyrës. Ai e shikon mendueshëm bariun që do ta shtjerë në ngasje, sikur të donte të peshonte fjalët e tij. Rrobat janë punuar me bakam e me dhe të blertë. Bariu përpiqet me të madhe të provojë versionin e tij, duart e tij bëjnë gjeste bindëse. Kapela e tij është krejt e kuqe cinabër, flokët i ka të thinjur, ka veshur një gëzof delesh me qime përsipër, po me ngjyrë dheu të gjelbër, në këmbë ka sandale me rripa të gërshetuar; me rrypa janë lidhur edhe këmbët nën gjunjë. Ai ka në dorë një kërrabë të hollë të zezë. Tërheq vëmendjen dora në kërrabë: ajo është e përsosur në pikëpamje anatomike.
Grupi i grave që lajnë Krishtin e vogël është mbështjellë me pelerina të shkurtra (në sfondin e sienës së djegur janë punuar në fleta ari të ngritur), me bordurë ari në mëngë dhe në vijën e poshtme të rrobës (po ai përpunim). Me ar në sienë të djegur janë bërë edhe shtamba dhe legeni. Shtamba ka formën e ibrikut. Gruaja e vjetër që rri shesh, me kokë të zbuluar me mantel, provon me kujdes ujin në legen; vajza që qëndron më këmbë, me kokë zbuluar, hedh ujë. Gruaja e vjetër mban rroba të brendeshme me ton të gjelbër, rroba e sipërme është pajisur me një pelerinë ari shumë të shkurtër. Ari ngjitet në fleta. Manteli bakam është përpunuar me nuanca më të hapura. Vajza që qëndron më këmbë është veshur me rroba ngjyrë cinabri. Mirë është punuar pozicioni i Krishtit të vogël, qëndrimi i tij është shumë natyral.
- * *
Në të dyja ikonat, mjeshtrit kanë punuar me ngulm rreth kompozicionit, por sa të ndryshme janë rezultatet e arritura prej tyre! Në ikonën e parë të Krishtlindjes, harmonia e kompozicionit është, edhe natyrore, edhe logjike. Vija, që bashkon në një tërësi njërën figurë me tjetrën dhe një skenë me skenën tjetër të afërme, shquhet aq bukur, aq lirshëm sa të kënaq syrin.
Kurse në ikonën e dytë me lindjen e Krishtit nuk njohim diçka të tillë. Shihet përpjekja e piktorit për t'ia arritur kësaj; ai e kupton se kjo është e domosdoshme, por shprehja është më e dobët. Përshembull, figura e bariut, e përkulur në formë harku pranë Shën Mërisë duhet të harmonizohet me të. Por kjo s'ndodh, shihen përpjekjet, por rezultati mungon. Piktori krijon vetëm një lodër të zgjatur, të sforcuar vijash paralele. Edhe të gjitha figurat e tjera kanë lidhje të dobët midis tyre. Mund të themi se ato janë më shumë të izoluara, megjithëse shquhen për virtuozitetin e vizatimit të tyre.
Siç e kemi vënë në dukje më lart, ikona e parë me lindjen e Krishtit ka pasur shumë imitues. Në Shqipëri, në kishën e Shën Triadhës së Beratit ne shohim po ato imtësi interesante dhe karakteristike, po ato kostume dhe po atë stil. S'ka dyshim se afreskisti i Shën Triadhës e ka njohur dhe e ka miratuar këtë ikonë. Në këtë kishë, mbi ikonastas, që sigurisht ka qenë ndërtuar si një mur, në këndin juglindor mund të dallohet skena e lindjes së Krishtit që është interesante për ne, nga shkaku se atje pasqyrohet kjo temë thuaj se plotësisht ashtu, siç është paraqitur në ikonën e parë.
Figurë më e rëndësishme, më pak e zbehtë, e bukur dhe që qëndron afër ikonës nga trajtimi, është bariu në shkëmb. Ky bari qëndron me shpinë nga spektatori dhe fytyra e tij shihet në profil. Profili me vija të buta rinore i fytyrës naive, me hundë pak të ngritur, me buzë të fryra nuk është aq bizantin, sa romak-pompeian. Kostumi i tij është më karakteristik për Romën: tunika e lirë dhe e gjatë deri tek gjunjët, e shtërnguar me një gjalm, formon pala të bukura. Këpucët janë përshkruar me rripa, ndërsa kapela shumë e madhe është lidhur me shiritë ngjyrë të kuqe të ndezur. Të gjitha këto na kujtojnë pikë për pikë bariun e ikonës.
Të afërme nga stili janë rrobat e grave që lajnë Krishtin. Edhe këto janë tunika romake, të mbledhura në supe që i lanë duart jashtë: të ngjashme janë edhe shamitë më formë çallme të mbështjellura në kokë. Shumë shprehës është grupi i magëve që vrapojnë si stuhi në kuaj për t'i sjellë Krishtit dhuratat. Çdo gjë është kompozuar bukur, rrobat e tyre të leshta hapen në mënyrë plastike nga vrapimi. Në kohën e tyre dallojmë fermanet e vjetra izraelite që i njohim nga ikonat. Këtu në kënd janë ruajtur më mirë ngjyrat dhe shohim një pjesë të qiellit, jo të kaltër, po të blertë të hapur.
I bukur është grupi i qëndrës. Shën Mëria qëndron në shpellë dhe shikon e shqetësuar grazhdin me Krishtin, mbi të cilin lëshojnë frymën e tyre kafshët. Poshtë afreskut është paraqitur me mjeshtëri figura shprehëse e Josifit: duke mbështetur kokën në njërën dorë, ai qëndron i zhytur në mendime të thella: ai është i vrenjtur dhe madje, mund të themi i mërzitur; sipas apokrifit atë e mundon dyshimi mbi fajësinë e Shën Mërisë. Figura e tij është plastike, e paraqitur në reliev, e gjallë.
- * *
Nga këto shënime të shkurtra mbi tiparet dhe vetitë karakteristike të disa monumenteve tona, mund të nxjerrim disa konkluzione të përgjithshme. Gjëja kryesore që bie në sy që në shikimin e parë është vlera e madhe artistike e monumenteve. Shumica e tyre janë punuar me mjeshtëri aq të madhe, sa që na japin të drejtë të cilësojmë Shqipërinë si vend me kërkesa të larta artistike, trashëgimtare të traditave të vjetëra artistike, që i përvetësoi me vetëdije, i përpunoi në gjirin e vet dhe mbi bazat e tyre diti të ngrejë kulturën e vet të zhvilluar artistike.
Monumentet tona të periudhës para pushtimit otoman në shumicën e tyre mund të krahasohen me modelet unikale të gjithë pikturës mesjetare të Ballkanit dhe të vetë Bizantit. Ato na tregojnë se ku gjenden burimet e artit shqiptar të epokës së mëvonshme (të shekujve XVI-XVIII), në të cilin shquhen traditat dhe shprehitë e lashta.
Një imtësi çfarëdo, një penelatë e vogël, mund të na sqarojë deri diku rrugët nëpër të cilat është formuar arti shqiptar, mund të na japë diçka për pikëpamjet dhe jetën e mjeshtërve, të na tregojë përpjekjet e tyre krijuese. Të gjitha kërkimet e studimet që janë bërë e do të bëhen në këtë drejtim, do të ndihmojnë të kuptojmë çfarë ka qenë Shqipëria në të kaluarën, çfarë vendi ka zënë ajo në Mesjetë, në fushën e krijimtarisë artistike-kulturale në Ballkan.
Sipas të dhënave arkivore të Arkivës Digjitale Shqiptare, ikona e dytë e Krishtlindjes nga kisha e Ungjillëzimit e Beratit mbahet sot në Muzeun e Artit Mesjetar të Korçës me nr. inventari 3673 dhe i atribuohet piktorit Onufri të shekullit XVI, ndërsa dyert e bukura të po kësaj kishe, të pikturuara gjithashtu nga Onufri, ruhen në të njëjtin muze me nr. inventari 63-64.
Tempulli, nr. 15, Korçë, 2010, rubrika "Gjurmime", f. 49–60;