Episkop Avgustini: predikim mbi shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë
Në predikim shpjegohet se njerëzimi i plagosur nga djalli, nga njerëzit e ligj dhe nga pasionet gjen shpëtim e dashuri vetëm te Krishti.
Ungjilli sipas Llukait (10:25–37) sjell shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë, të cilën Episkop Avgustini e shpjegon në predikimin e mëposhtëm. Teksti i plotë, pa shkurtime, u përkthye në shqip për UGO.AL nga Dr. Th. B.
Ungjilli sipas Llukait 10:25–37
25 Ja tek u ngrit një mësues i Ligjit dhe, për ta vënë në provë Jisuin, e pyeti: «Mësues, ç’duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?»
26 Ai i tha: «Ç’është shkruar në Ligj? Si e lexon?»
27 Ai u përgjigj: «Të duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde, dhe të afërmin tënd si veten.»
28 Jisui i tha: «U përgjigje drejt. Bëje këtë dhe do të rrosh.»
29 Por ai, duke dashur të përligjte veten, i tha Jisuit: «Po kush është i afërmi im?»
30 Jisui u përgjigj: «Një njeri po zbriste nga Jerusalemi në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve. Ata e zhveshën, e plagosën dhe ikën, duke e lënë gjysmë të vdekur.
31 Qëlloi që një prift të zbriste asaj udhe. Kur e pa, kaloi nga ana tjetër.
32 Po kështu edhe një levit, kur arriti në atë vend, iu afrua, e pa dhe kaloi nga ana tjetër.
33 Por një samaritan që po udhëtonte arriti atje ku ishte ai dhe, kur e pa, iu dhimbs.
34 Iu afrua dhe ia lidhi plagët, duke derdhur mbi to vaj e verë. Pastaj e hipi mbi kafshën e vet, e çoi në një bujtinë dhe u kujdes për të.
35 Të nesërmen, kur u nis, nxori dy dinarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: “Kujdesu për të. Çfarëdo që të shpenzosh më tepër, do të ta paguaj kur të kthehem.”
36 Cili prej këtyre të treve të duket se u bë i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?»
37 Ai u përgjigj: «Ai që tregoi përdëllim për të.» Atëherë Jisui i tha: «Shko dhe bëj kështu edhe ti.»
Predikimi mbi Samaritanin e mirë
Dëgjuat, të dashurit e mi, Ungjillin e Shenjtë. Para se të lexojë Ungjillin, prifti thotë: «Urtësi. Drejt…» Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se ajo që do të lexohet është plot urtësi dhe e vërtetë. Në të s’ka asgjë të rreme. Ungjilli është ar i kulluar.
Prandaj ta dëgjojmë Ungjillin me vëmendje dhe ta zbatojmë në jetën tonë. A e zbatojmë vallë? Po ta zbatonim, kjo tokë do të ishte parajsë. Tani që nuk e zbatojmë, kjo tokë është bërë ferr.
Sot, vëllezërit e mi, Ungjilli na sjell një nga shëmbëlltyrat më të bukura që tregoi Zoti (Lluk. 10:25–37). Çfarë na thotë kjo shëmbëlltyrë? Një jude u nis nga Jerusalemi, kryeqyteti i Izraelit, dhe po shkonte drejt Jerikosë. Por në udhën që po merrte ishin fshehur disa kusarë. Ata i dolën përpara, e ndalën, e goditën, e plagosën dhe e hodhën përdhe. E kontrolluan, i gjetën paratë dhe ia morën të gjitha. Pastaj e lanë atje, të shtrirë përdhe, duke rënkuar nga dhimbja, dhe u zhdukën në pyllin e egër.
I plagosuri kishte nevojë për ndihmë dhe thërriste: «Ndihmë! Ndihmë!…»
Pas njëfarë kohe u duk dikush që vinte kaluar. Ishte një prift, njeri i Perëndisë. E pa të plagosurin, por kaloi me të shpejtë.
«Ndihmë!» thirri përsëri i plagosuri. Pak më vonë kaloi një levit, domethënë një shërbyes në altarin e tempullit. E pa, por edhe ai iku.
Teksa i plagosuri rrezikonte të vdiste, ja ku po vinte dikush tjetër. I plagosuri e pa dhe mendoi: «Oh, mora fund!» Ishte një samaritan, që ai e mbante për armik. Tani priste që ky t’i jepte goditjen e fundit e ta vriste. Por samaritani iu afrua, zbriti nga kafsha dhe u kujdes për të. Ia lau plagët me verë dhe ia leu me vaj. Atje, në atë vend të shkretë, shqeu këmishën e vet, bëri prej saj një fashë dhe ia lidhi plagët. Pastaj e hipi mbi kafshën e vet dhe e çoi në një bujtinë, në një han. Atje i qëndroi gjithë natën pranë shtratit. Të nesërmen në mëngjes, kur po nisej, i la porosi bujtinarit të kujdesej për të plagosurin dhe mori përsipër t’ia paguante çdo shpenzim.
Kjo është shëmbëlltyra. Rrëfimi mbart një kuptim më të thellë. Kush është njeriu që ra në duart e kusarëve? Cilët janë kusarët? Kush është prifti? Kush është leviti? Kush është samaritani? Le t’i shqyrtojmë shkurt këto pyetje.
Ai që ra në duart e kusarëve është secili prej nesh. Është çdo njeri, mes miliona njerëzve. I plagosuri i shëmbëlltyrës përfaqëson të gjithë njerëzit, pa përjashtim, mbarë njerëzimin.
Njerëzimi ecte në paqe në udhën e vet, duke i psalur Krijuesit «Aliluia». Por, teksa ecte në udhën e Perëndisë, ra në duart e kusarëve. Cilët janë këta kusarë? Kryekusari është djalli. Ai e urren njeriun, kërkon ta shkatërrojë dhe përdor çdo mënyrë për t’ia arritur kësaj. Siç thotë Shkrimi, «si luan që ulërin, vjen përqark duke kërkuar cilin të gllabërojë» (1 Pjetr. 5:8).
Kusarë janë edhe njerëzit e ligj që veprojnë si vegla të djallit dhe bëjnë keq. Aq të keqe sa mund të bëjë një njeri i lig, nuk e bëjnë dot as një mijë demonë.
Por edhe ne mund të bëhemi kusarë të vetes. E sheh atë njeri? Mund të jetonte njëqind vjet dhe nuk jeton as tridhjetë. Kush ia vodhi shtatëdhjetë vitet? Vetë ai, me drogën. E sheh atë tjetrin që pi shishe të tëra me uiski e pije të tjera? Po vret veten me alkool. E sheh tjetrin që ka rënë në pasionet e mishit, të cilat as që mund të përmenden? Edhe ai vjedh vetveten. Dëmet më të mëdha ia bëjmë vetes me pasionet tona. Kusarë janë pasionet, kusarë janë edhe mendimet mëkatare.
Dhe njerëzimi kërkon ndihmë. Kush do ta shpëtojë njeriun nga satanai? Kush do ta shpëtojë nga demonët dhe nga njerëzit e ligj? Kush do ta shpëtojë nga vetja, nga pasionet dhe mendimet mëkatare? Prifti? Leviti? Të urtët? Oratorët? Fetë e ndryshme?
Një është Shpëtimtari i botës. Këtu qëndron thelbi i shëmbëlltyrës. Përballë dramës së njerëzimit dalin lloj-lloj shpëtimtarësh të rremë. Vetëm Njëri mund të sjellë çlirimin. Është Ai të cilit i falen engjëjt. Edhe sikur ne të heshtim, gurët do të thërrasin: «Një është Shenjt, një është Zot, Jisu Krishti, për lavdi të Perëndisë Atit. Amin.» (Krahaso Filip. 2:11 dhe Liturgjinë Hyjnore.)
Krishti është Samaritani. Ai zbriti nga qiejt, iu afrua njeriut dhe i qëndroi pranë. E shëroi me mësimin e Tij hyjnor, me mrekullitë e Tij dhe me Gjakun e Tij të çmuar. Cili është, pra, të dashurit e mi, kuptimi i shëmbëlltyrës me pak fjalë?
Njerëzimi ka një nevojë të domosdoshme. Ashtu si njeriut i duhet oksigjeni, peshkut uji dhe zogut ajri, po aq e domosdoshme për njeriun është dashuria.
Njeriu ka etje për dashuri. Pa të nuk mund të jetojë. U krijua për të dashur. Është qenie shoqërore dhe Perëndia e vendosi në shoqëri që të jetojë me të tjerët. Çfarë dëshiron një vajzë? Të ketë një bashkëshort. Kjo dëshirë është në natyrën e gruas. Dëshiron ta ketë pranë ditë e natë, në gëzim, në hidhërim e në dhimbje, ta ndiejë afër dhe të gjejë tek ai mbrojtje e mbështetje. Po një djalë i ri, çfarë dëshiron? Të ketë një bashkëshorte që t’i qëndrojë pranë gjatë gjithë jetës, që të jetë gëzimi dhe ngazëllimi i tij. Po çdo njeri, çfarë kërkon? Një mik besnik që t’i qëndrojë gjithnjë pranë, t’i japë zemër, ta mbështesë dhe ta mbrojë.
Dhe pyes: A gjendet sot kjo dashuri?
Nuk gjendet. E sheh atë grua? U martua dhe, në vend të lumturisë, e bren hidhërimi. Kërkoi dashuri dhe gjeti urrejtje. Kërkoi ngushëllim dhe gjeti shqetësime. Hanë bashkë dhe flenë në të njëjtin shtrat, por janë aq larg njëri-tjetrit sa lindja nga perëndimi. Mund të jenë të bashkuar trupërisht, ndërsa shpirtrat e tyre janë larg dhe njëri e urren tjetrin. Shohim edhe ngjarje tragjike, kur njerëzit vrasin njëri-tjetrin nga urrejtja e egër. E sheh atë tjetrin? I rrit fëmijët me shpresën se, kur të plaket, ata do t’i tregojnë sadopak dashuri. Po ç’ndodh? Fëmijët nuk tregojnë përzemërsi. Bota është egërsuar.
Një herë erdhi në mitropoli një grua e moshuar, rreth shtatëdhjetë vjeçe. Gjyshja qante me dënesë.
— Imzot, — më tha, — do të vras veten.
— Çfarë ke? Çfarë të mungon?
— Më ka rënë fatkeqësia më e madhe. Linda shtatë fëmijë. U lodha dhe u mundova. I martova të gjithë. Tani që jam plakur dhe nuk mund të punoj më në ara, më dëbojnë…
O botë e mjerë, e braktisur, që ke etje për dashuri! Vetëm pranë Krishtit do ta gjesh dashurinë. Vetëm Krishti i qëndron pranë njeriut dhe nuk e braktis kurrë. Siç thotë poeti:
Edhe nëse në këtë botë nuk më mbetet
ku të mbështetem, ku të qëndroj,
atje lart është Perëndia im.
Si mund të dëshpërohem?
Krishti është i afërmi i vërtetë i njeriut. A është Krishti pranë nesh? Kur është pranë nesh, kemi parajsën. Kur Krishti është larg nesh, jemi të palumtur.
Një profeci e Ungjillit po përmbushet në ditët tona: «Dashuria e të shumtëve do të ftohet» (Matth. 24:12). Sot dashuria mungon. Në botë mbizotëron urrejtja.
Vetëm atje ku ka dashuri gjen prehje njeriu. Dashurinë e jep Krishti, që është mishërimi i dashurisë, i përdëllimit dhe i dhembshurisë. Atë, o të rinj, himnojeni dhe përmbilartësojeni në jetë të jetëve. Amin.
(†) Episkop Avgustini
Përktheu Dr. Th. B. për UGO.AL.
Siç kishte raportuar UGO, Mitropoliti Kallistos Ware thekson se dashuria ruan fytyrën e vërtetë të njeriut, një temë që lidhet ngushtë me mesazhin e këtij predikimi.
