Shpjegim i Dhjetë Urdhërimeve nga zëri i etërve
Teksti etëror nga Manastiri i Paraklitit në Oropos të Atikës shpjegon urdhërimet nga besimi te Trinia deri te ndalimi i lakmisë dhe nderimi i ikonave.
Dhjetë urdhërimet shpjegohen në një tekst që mëson për besimin te Zoti në Trini, nderimin e ikonave, jetën e kreshmës dhe të pendesës e dashurinë ndaj të afërmit. Sipas librit «Zëri i Etërve», vëll. III, f. 145–158, Manastiri i Paraklitit, Oropos, Atikë, teksti vijon urdhërim pas urdhërimi, si më poshtë.
- Zoti, Perëndia ynë, është një Zot. Zoti, Perëndia yt, është një Zot (Ligji i Përtërirë/Dhefetronomi 6:4), që njihet si Atë, Bir dhe Shpirt i Shenjtë. Ati është i palindur. Biri është lindur prej Atit pa fillim, jashtë kohës dhe pa pësim, si Fjalë, dhe është quajtur Krisht, sepse vajosi prej vetvetes natyrën njerëzore që mori prej nesh. Shpirti i Shenjtë buron prej Atit, jo me lindje, por me burim. Ky është i vetmi Perëndi, ky është Perëndia i vërtetë, një Zot në tri hipostaza, i pandarë për nga natyra, vullneti, lavdia, fuqia, energjia dhe të gjitha vetitë e hyjnisë.
Vetëm Atë, të vetmin Perëndi në Trini, do të duash dhe vetëm Atë do të adhurosh me gjithë mendjen tënde, me gjithë zemrën tënde dhe me gjithë fuqinë tënde. Fjalët dhe porositë e Tij do të jenë brenda zemrës sate, që t’i zbatosh, t’i meditosh dhe t’i thuash kur rri ulur, kur ecën, kur je në shtrat dhe kur ngrihesh. Kujtoje pareshtur Zotin, Perëndinë tënd. Vetëm Atij t’ia kesh frikën. Mos harro as Atë, as porositë e Tij. Kështu Ai do të të japë forcë për të bërë vullnetin e Tij. Sepse nuk kërkon prej teje asgjë tjetër, veçse t’i jesh i përkushtuar, ta duash dhe të ecësh në udhët e të gjitha porosive të Tij. Ai është mburrja jote dhe Ai është Perëndia yt.
Kur mëson se engjëjt që janë përtej kësaj bote janë pa pasione dhe të padukshëm, dhe se djalli, i cili ra nga qielli, është shumë i lig, i ditur, i fuqishëm dhe plot dredhi për ta mashtruar njeriun, mos mendo se ndonjëri prej tyre është i barabartë në nder me Perëndinë. Gjithashtu, kur sheh madhësinë e qiellit dhe ndërlikimin e lëvizjeve të tij, shkëlqimin e diellit, dritën e hënës, kthjelltësinë e yjeve të tjerë, dobinë e ajrit për frymëmarrjen dhe pasurinë e prodhimeve të tokës e të detit, mos hyjnizo asnjërën prej tyre. Të gjitha janë krijesa të të vetmit Perëndi, të nënshtruara Atij që i krijoi nga asgjëja me fjalën e Tij. «Ai tha dhe u bënë; Ai urdhëroi dhe u krijuan» (Psalmi 32:9). Prandaj vetëm Atë, Zotin dhe Krijuesin e gjithësisë, do ta lavdërosh si Perëndi. Me Atë do të lidhesh me dashuri dhe përpara Tij do të pendohesh ditë e natë për mëkatet e tua të vullnetshme dhe të pavullnetshme.
Sepse Ai është i dhembshur dhe mëshirues, zemërgjerë dhe shumë i mëshirshëm, mirëbërës i përjetshëm. Ai ka premtuar dhe jep Mbretërinë qiellore që nuk kalon te një pasardhës, jetën pa dhimbje, jetën e pavdekshme dhe dritën e paperënduar, që t’i shijojnë ata që e nderojnë, i falen, e duan dhe i ruajnë porositë e Tij. Por Ai është njëkohësisht edhe Perëndi zelltar, gjykatës i drejtë dhe ndëshkues i frikshëm. Të pabesëve dhe të pabindurve, që shkelin porositë e Tij, u jep ndëshkim të përjetshëm, zjarr të pashuar, dhimbje të pandërprerë, hidhërim të pangushëllueshëm dhe një vend të errët e plot shtrëngim. Këtë e përgatiti për të ligun që u rebelua i pari, djallin, dhe për të gjithë ata që u mashtruan prej tij dhe e ndoqën, pasi mohuan Krijuesin e tyre me veprat, fjalët dhe mendimet e tyre.
2. Mos bëj për vete idhull, as shëmbëlltyrë të ndonjë gjëje… Mos bëj kurrë shëmbëlltyrë të ndonjërës prej gjërave që janë lart në qiell, poshtë në tokë ose brenda ujërave, për t’i adhuruar dhe për t’i lavdëruar si perëndi (Eksodi 20:4–5). Sepse të gjitha këto janë krijesa të të vetmit Perëndi, i Cili, në kohët e fundit, pasi u mishërua në një bark virgjëror, u shfaq mbi tokë dhe jetoi mes njerëzve. Pasi pësoi, vdiq dhe u ngjall për shpëtimin e njerëzve, u ngjit me trupin e Tij në qiej dhe ndenji lart, në të djathtë të Perëndisë së gjithëpushtetshme. Me këtë trup do të vijë përsëri me lavdi, për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit.
Prandaj, nga dashuria për Atë që u bë njeri për shpëtimin tonë, do të bësh ikonën e Tij. Nëpërmjet ikonës do ta kujtosh Atë dhe do t’i falesh. Nëpërmjet ikonës do ta ngresh mendjen te trupi i denjë për nderim i Shpëtimtarit, që rri në të djathtë të Atit, në qiell. Do të bësh gjithashtu edhe ikonat e shenjtorëve dhe do t’i nderosh edhe ato, jo si perëndi, sepse kjo është e ndaluar, por për lidhjen tënde me ta, për dashurinë që ke ndaj tyre dhe për nderimin e madh që u takon. Ndërkohë, nëpërmjet ikonave, mendja jote do të drejtohet përsëri tek ata. Kështu veproi edhe Moisiu: bëri shëmbëlltyrat e Keruvimeve dhe i vendosi brenda së Shenjtës së të Shenjtave, për të lavdëruar jo krijesat, por, nëpërmjet tyre, Perëndinë, Krijuesin e botës (Eksodi 25:17–19).
Prandaj edhe ti nuk do t’i hyjnizosh ikonat e Krishtit dhe të shenjtorëve. Nëpërmjet tyre do të nderosh Atë që, pasi na krijoi sipas shëmbëlltyrës së Tij, më pas, nga njeridashja e patregueshme, denjoi të merrte vetë shëmbëlltyrën e Tij njerëzore dhe, sipas saj, të bëhej i paraqitshëm në ikonë. Nuk do të nderosh vetëm ikonën e Zotit, por edhe shenjën e Kryqit të Tij. Sepse ajo është një shenjë shumë e fuqishme dhe trofe i fitores së Krishtit mbi djallin dhe tërë ushtrinë e demonëve. Prandaj ata i kap tmerri dhe marrin arratinë kur shohin të bëhet shenja e Kryqit. Edhe përpara Kryqëzimit, shenja e Kryqit u lavdërua shumë nga profetët dhe bëri mrekulli të mëdha.
Gjithashtu, në Ardhjen e Dytë të Zotit Jisu Krisht, i Cili u gozhdua në Kryq dhe do të vijë për të gjykuar të gjallët e të vdekurit, kjo shenjë e Tij e madhe dhe e frikshme do t’i paraprijë me fuqi e shkëlqim të madh. Prandaj lavdëroje tani Kryqin, që atëherë ta vështrosh me guxim dhe të lavdërohesh bashkë me të. Do të nderosh edhe ikonat e shenjtorëve, sepse ata u kryqëzuan bashkë me Zotin, duke bërë mbi veten shenjën e Kryqit dhe duke kujtuar pjesëmarrjen e tyre në Pësimet e Krishtit. Do të nderosh gjithashtu edhe trupat e tyre të shenjtë dhe çdo lipsan të eshtrave të tyre, sepse hiri i Perëndisë nuk u nda prej tyre, ashtu si hyjnia nuk u nda nga trupi i denjë për nderim i Krishtit gjatë vdekjes së Tij jetëbërëse. Duke vepruar kështu dhe duke lavdëruar ata që lavdëruan Perëndinë, sepse me veprat e tyre u treguan të përsosur në dashurinë për Të, edhe ti do të lavdërohesh bashkë me ta nga Perëndia dhe do të psalësh bashkë me Davidin: «Shumë i nderova miqtë e Tu, o Perëndi» (Psalmi 138:17).
3. Mos e përdor më kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd. Nuk do ta përdorësh më kot emrin e Zotit dhe Perëndisë tënd (Eksodi 20:7), duke bërë betim të rremë për çfarëdo gjëje tokësore, nga frika ndaj ndonjë njeriu, nga turpi ose për përfitimin tënd. Sepse betimi i rremë është mohim i Perëndisë. Prandaj mos u beto fare. Shmange plotësisht betimin, sepse prej betimit vjen betimi i rremë, që e largon njeriun nga Perëndia dhe e radhit betuesin e rremë mes të paligjëve. Nëse thua gjithmonë të vërtetën, do të të besojnë njësoj sikur të ishe betuar.
Nëse ndonjëherë ndodh të betohesh — gjë që duhet të dëshirosh të mos të ndodhë — dhe bëhet fjalë për diçka që është në përputhje me ligjin hyjnor, do ta përmbushësh si të ligjshme. Por do ta konsiderosh veten fajtor për betimin dhe, me lëmoshë, përgjërim, vajtim pendimi dhe mundim të trupit, do të kërkosh mëshirën e Krishtit, i Cili tha të mos betohesh fare. Nëse, përkundrazi, je betuar për diçka të paligjshme, ki kujdes të mos e kryesh atë vetëm sepse je betuar, që Perëndia të mos të të radhitë me Herodin, vrasësin e profetit, i cili, për të mos shkelur betimin e vet, i preu kokën Pararendësit të Nderuar. Më mirë shkele atë betim të paligjshëm, vendosi vetes si rregull të mos betohesh më kurrë dhe kërko mëshirën e Perëndisë, duke i përdorur me më shumë përpjekje ilaçet e sipërpërmendura, bashkë me lotët.
4. Kujtoje ditën e sabatit, për ta shenjtëruar atë. Një ditë e javës quhet e Diel, ditë e Zotit, sepse i është kushtuar Zotit, i Cili atë ditë u ngjall së vdekurish, duke treguar dhe vërtetuar që më parë ngjalljen e të gjithë njerëzve, kur do të pushojë çdo punë tokësore. Prandaj të Dielën do t’ia kushtosh Perëndisë. Nuk do të bësh asnjë punë të jetës së përditshme, përveç atyre të domosdoshme. Edhe ata që punojnë për ty ose jetojnë me ty do t’i lësh të pushojnë, që të gjithë së bashku të lavdëroni Atë që na bleu me vdekjen e Tij dhe u ngjall, duke ngjallur bashkë me veten edhe natyrën tonë njerëzore.
Do të kujtosh jetën e ardhshme, do të meditosh mbi të gjitha porositë dhe ligjet e Zotit, do të shqyrtosh vetveten nëse ke shkelur ose ke lënë pas dore diçka dhe do të ndreqesh në gjithçka. Gjithashtu, atë ditë do të shkosh në tempullin e Perëndisë, do të marrësh pjesë në mbledhjen adhuruese dhe, me besim të sinqertë e me ndërgjegje të pastër, do të kungohesh me Trupin dhe Gjakun e Shenjtë të Krishtit. Do të hedhësh fillimin e një jete më të shenjtë, duke e përtërirë vetveten dhe duke u përgatitur për të marrë të mirat e përjetshme që do të vijnë. Për hir të këtyre të mirave, as ditët e tjera nuk do të zhytesh pa masë në gjërat dhe përkujdesjet tokësore. Por të Dielën, meqë do t’i jesh përkushtuar Perëndisë, do t’i shmangësh të gjitha, përveç atyre absolutisht të domosdoshme, pa të cilat nuk mund të jetosh.
Kështu, duke pasur Perëndinë si strehën tënde, nuk do të shkosh askund, nuk do të ndezësh zjarrin e pasioneve dhe nuk do të ngresh barrën e mëkatit. Pra, «ditën e sabatit», domethënë të Dielën, do t’ia kushtosh Perëndisë, duke pushuar nga veprat e liga, pra duke u përmbajtur nga çdo e keqe. Krahas të Dielave, do të ruash edhe të kremtet e mëdha të caktuara nga Kisha, duke bërë të njëjtat gjëra dhe duke u përmbajtur nga të njëjtat gjëra.
5. Ndero atin tënd dhe nënën tënde… Ndero atin tënd dhe nënën tënde (Eksodi 20:12), sepse nëpërmjet tyre Perëndia të solli në jetë dhe ata, pas Perëndisë, janë shkaku i ekzistencës sate. Prandaj, pas Perëndisë, do t’i nderosh dhe do t’i duash ata, për aq sa, sigurisht, dashuria jote për ta të ndihmon ta duash Perëndinë. Nëse nuk të ndihmon në këtë, largohu menjëherë prej tyre. Nëse, për më tepër, të bëhen pengesë, sidomos në besimin e vërtetë dhe shpëtimtar, sepse kanë një besim tjetër, jo vetëm do të largohesh, por do të heqësh dorë edhe prej tyre dhe prej të gjithë atyre me të cilët ke lidhje farefisnie, miqësie ose çfarëdo lidhjeje tjetër. Do të heqësh dorë edhe nga vetë gjymtyrët e tua dhe dëshirat e tyre, nga tërë trupi yt dhe nga lidhja jote me pasionet nëpërmjet trupit.
Sepse Krishti tha: «Ai që nuk heq dorë nga ati dhe nëna e tij, nga gruaja dhe fëmijët e tij, nga vëllezërit dhe motrat e tij, madje edhe nga vetë jeta e tij, dhe nuk merr kryqin e vet e nuk më ndjek, nuk është i denjë të jetë nxënësi im». Këto vlejnë për prindërit sipas mishit, për vëllezërit dhe miqtë. Por ata që kanë të njëjtin besim me ty dhe nuk të pengojnë në shpëtim, do t’i nderosh dhe do t’i duash. Nëse duhet t’i nderosh kështu prindërit e tu sipas mishit, sa më shumë duhet t’i nderosh dhe t’i duash etërit e tu shpirtërorë! Ata të kaluan nga jeta thjesht biologjike në jetën shpirtërore të virtytit; të përçuan ndriçimin e njohjes; të mësuan të vërtetën; të rilindën nëpërmjet larjes së rilindjes; mbollën brenda teje shpresën e ngjalljes, të pavdekësisë dhe të Mbretërisë qiellore.
Nga i padenjë, të bënë të denjë për të mirat e përjetshme; nga tokësor, qiellor; nga i përkohshëm, të përjetshëm; dhe bir e nxënës jo të një njeriu, por të Perëndinjeriut Jisu Krisht, i Cili të dhuroi Shpirtin që i bën njerëzit fëmijë të Perëndisë dhe tha: «Mos quani askënd atin tuaj mbi tokë, sepse një është Ati juaj, Ai që është në qiej. As mos u quani udhëheqës, sepse një është Udhëheqësi juaj, Krishti». Prandaj u detyrohesh etërve të tu shpirtërorë çdo nderim dhe dashuri, sepse nderimi që u jep atyre i drejtohet Krishtit, Shpirtit të Tërëshenjtë që të bëri fëmijë të Perëndisë dhe Atit qiellor, që u jep jetë dhe ekzistencë të gjitha qenieve, qiellore dhe tokësore. Madje do të kujdesesh të kesh gjatë gjithë jetës një atë shpirtëror, që t’i rrëfesh çdo mëkat dhe çdo mendim tëndin dhe të marrësh prej tij shërimin dhe faljen.
Etërve shpirtërorë u është dhënë pushteti t’ua falin ose të mos ua falin mëkatet shpirtrave. Çfarëdo që të mbajnë të pafalur mbi tokë, do të jetë e pafalur edhe në qiell; dhe çfarëdo që të falin mbi tokë, do të jetë e falur edhe në qiell. Këtë hir dhe këtë fuqi i morën nga Krishti. Prandaj do t’u bindesh pa asnjë kundërshtim, që të mos e çosh shpirtin tënd në humbje. Sepse, nëse sipas ligjit të Moisiut dënohej me vdekje ai që u kundërshtonte prindërve të vet sipas mishit, madje për gjëra që nuk i ndalonte ligji i Perëndisë, si mund të mos e largojë prej vetes Shpirtin e Perëndisë dhe të mos e humbasë shpirtin ai që kundërshton etërit e tij shpirtërorë? Prandaj, deri në fund të jetës sate, do të këshillohesh me ta dhe do t’u bindesh, që të shpëtojë shpirti yt dhe të bëhesh trashëgimtar i të mirave të përjetshme e të paprishshme.
6. Mos shkel kurorën. Nuk do të shkelësh kurorën dhe nuk do të kryesh kurvëri, që të mos bëhesh, nga gjymtyrë e Krishtit, gjymtyrë e një prostitute, të shkëputesh nga Trupi hyjnor, të humbasësh trashëgiminë hyjnore dhe të hidhesh në gjehenë. Sepse, nëse sipas ligjit të Moisiut duhej të digjej bija e priftit që kapej duke kryer kurvëri, ngaqë kishte çnderuar atin e saj, sa më tepër nuk duhet të digjet në ndëshkimin e përjetshëm ai që i ngjiti një ndotje të tillë Trupit të Krishtit? Jo vetëm nuk do të kryesh kurvëri, por, nëse mundesh, do të ushtrosh edhe virgjërinë, që t’i përkasësh tërësisht Perëndisë dhe të lidhesh me Të me dashuri të përsosur. Do të qëndrosh pranë Tij gjatë gjithë jetës sate, duke u kujdesur gjithmonë, pa shpërqendrim, për gjërat e Zotit, duke shijuar që tani jetën e ardhshme dhe duke jetuar mbi tokë si engjëll i Perëndisë.
Sepse virgjëria është një veçori e engjëjve dhe ai që e ushtron, megjithëse ka trup, bëhet i ngjashëm me ta, për aq sa është e mundur. Ose, më mirë, para se të bëhet i ngjashëm me ta, bëhet i ngjashëm me Atin, i Cili e lindi Birin përpara gjithë shekujve në mënyrë virgjërore; me Birin e virgjër, që u lind përpara gjithë shekujve nga Ati i virgjër dhe u mishërua në kohët e fundit nga një Nënë e virgjër; dhe me Shpirtin e Shenjtë, që buron në mënyrë të patregueshme vetëm prej Atit, jo me lindje, por me burim. Me këtë Perëndi bëhet i ngjashëm dhe bashkohet, duke lidhur me Të një martesë të paprishshme, ai që ka zgjedhur virgjërinë e vërtetë, që ruan virgjërinë në shpirt dhe në trup dhe që i zbukuron të gjitha shqisat, fjalën dhe mendjen me bukuritë e virgjërisë.
Nëse, nga ana tjetër, nuk e parapëlqen virgjërinë dhe as nuk ia ke premtuar Perëndisë, të lejohet të marrësh një grua në martesë, sipas ligjeve të Zotit. Vetëm me të do të bashkëjetosh dhe vetëm atë do të kesh si gruan tënde, me qëllim shenjtërimin. Me gjithë fuqinë tënde do të qëndrosh larg grave të tjera. Do të mund të ruhesh prej tyre nëse shmang bisedat e papërshtatshme me to; nëse, për aq sa është e mundur, i largon prej tyre sytë e trupit dhe të shpirtit; nëse nuk gjen kënaqësi në fjalët dhe gjërat e turpshme që dëgjon; dhe nëse mësohesh të mos e vështrosh me kureshtje bukurinë e fytyrave. Sepse ai që e shikon një grua me dëshirë të ligë, tashmë ka shkelur kurorën me të brenda vetes dhe, për këtë arsye, është i papastër përpara Krishtit, që sheh brenda zemrës.
Për më tepër, nga ky vështrim i lig, i mjeri përfundon edhe në kryerjen trupore të mëkatit të turpshëm. Por përse të flas vetëm për kurvërinë, shkeljen e kurorës dhe të gjitha ndotjet që lidhen me marrëdhëniet natyrore, kur njeriu, duke soditur me kureshtje bukuritë e trupave, tërhiqet pa përmbajtje edhe drejt shthurjeve kundër natyrës? Prandaj, nëse i pret brenda vetes rrënjët e hidhura, nuk do të mbledhësh fryte vdekjeprurëse, por do të korrësh pastërtinë dhe shenjtërinë që e shoqëron, pa të cilën askush nuk do ta shohë Zotin.
7. Mos vrit. Nuk do të kryesh vrasje, që të mos pushosh së qeni fëmijë i Atij që u jep jetë edhe të vdekurve dhe të mos bëhesh, me veprat e tua, fëmijë i atij që ishte vrasës njeriu që nga fillimi. Meqë vrasja vjen nga goditja, goditja nga sharja, sharja nga zemërimi dhe zemërimi nga dëmi, goditja ose sharja e tjetrit, Krishti tha: «Atij që të merr rrobën e sipërme, mos ia ndalo të të marrë edhe këmishën» (Llukai 6:29). Nëse dikush të godet, mos e godit edhe ti. Nëse dikush të shan, mos e shaj edhe ti. Kështu do ta shpëtosh nga mëkati i vrasjes si vetveten, ashtu edhe atë që të bën keq. Për më tepër, ti do të marrësh nga Perëndia edhe faljen e mëkateve të tua. Sepse Ai thotë: «Falni dhe do të faleni».
Por ai që thotë dhe bën të keqen do të dënohet në ndëshkimin e përjetshëm. Sepse Krishti tha: «Ai që i thotë vëllait të vet “i marrë”, është fajtor për zjarrin e gjehenës» (Matheu 5:22). Prandaj, nëse arrin ta shkulësh të keqen bashkë me rrënjët e saj, duke siguruar për shpirtin tënd lumërinë e butësisë, lavdëroje Krishtin, mësuesin dhe bashkëpunëtorin tonë në arritjen e virtyteve. Pa Atë, siç ke mësuar, nuk mund të bëjmë asnjë të mirë. Nëse, nga ana tjetër, nuk arrin të qëndrosh i qetë dhe të mos zemërohesh, qortoje vetveten për zemërimin dhe kërko falje si nga Perëndia, ashtu edhe nga njeriu që dëgjoi fjalë të këqija ose pësoi të keqe prej teje. Sepse ai që pendohet në fillim të mëkatit nuk arrin në përfundimin e tij; dhe ai që nuk ndien dhimbje për mëkatet e tij të vogla, pas tyre do të bjerë edhe në mëkatet e mëdha.
8. Mos vidh. Nuk do të vjedhësh (Eksodi 20:14), që Perëndia, i Cili i njeh veprat e fshehta, të mos të të japë një ndëshkim shumëfish më të madh. Prandaj është më mirë t’u japësh fshehtas nga pasuria jote atyre që kanë nevojë, që të marrësh nga Perëndia, i Cili sheh çdo gjë të fshehtë, njëqindfish më shumë dhe jetë të përjetshme në botën e ardhshme.
9. Mos jep dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd… Nuk do të shpifësh, që të mos i ngjash djallit, i cili shpifi për Perëndinë tek Eva, dhe të bëhesh i mallkuar si ai. Prandaj është më mirë madje ta mbulosh mëkatin e të afërmit — përveçse kur kjo do të dëmtonte shumë të tjerë — që të mos i ngjash Hamit, por Semit dhe Jafetit, dhe kështu të marrësh bekimin.
10. Mos dëshiro… asgjë që i përket të afërmit tënd. Nuk do të dëshirosh asgjë të të afërmit tënd: as pronë, as para, as lavdi dhe asgjë tjetër që i përket atij. Sepse dëshira, kur ngjizet në shpirt, lind mëkatin; dhe mëkati, kur përmbushet, lind vdekjen. Nëse nuk dëshiron gjërat e të tjerëve, do të qëndrosh larg lakmisë dhe rrëmbimit të tyre. Prandaj është më mirë t’i japësh edhe nga të tuat atij që të kërkon dhe ta ndihmosh me mëshirë, për aq sa mundesh, atë që ka nevojë. Nëse dikush dëshiron t’i japësh diçka hua, mos ia moho. Nëse gjen diçka të humbur, dorëzoja të zotit, edhe nëse është armiku yt. Kështu do të pajtohesh me të dhe do ta mundësh të keqen me të mirën, siç të urdhëron Krishti.
Nëse i ruan të gjitha sa u thanë më sipër me gjithë fuqinë tënde dhe jeton sipas tyre, do të grumbullosh në shpirtin tënd thesarin e shpresëtarisë, do t’i pëlqesh Perëndisë, do të marrësh mirësi prej Tij dhe prej njerëzve të Tij dhe do të bëhesh trashëgimtar i të mirave të përjetshme. U bëftë që të gjithë t’i fitojmë ato, me hirin dhe njeridashjen e Zotit, Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Atij i përket çdo lavdi, nder dhe adhurim, bashkë me Atin e Tij pa fillim dhe Shpirtin e Tërëshenjtë, të mirë dhe jetëbërës, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.
«Zëri i Etërve», vëll. III, f. 145–158, Manastiri i Paraklitit, Oropos, Atikë.
UGO kishte raportuar mbi Shën Nikiforin, Patriarkun që mbrojti ikonat, temë që lidhet me urdhërimin e dytë në këtë tekst.
